Qysh nga momenti që i shpallje luftë Partisë, ishte e mira ta mendoje veten si kufomë

“Qëllimi i persekutimit është persekutimi. Qëllimi i torturës është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti. Nëse do një imazh të së ardhmes, atëherë përfytyro, një çizme të ngjeshur mbi fytyrën e dikujt- përjetësisht.”
“Një ditë Partia do të thoshte se dy dhe dy bëjnë pesë dhe ti do të ishe i detyruar ta besoje. Herët apo vonë një pretendim i tillë do të ishte i pashmangshëm, kjo ishte logjika e logjikës së tyre. Në mënyrë të heshtur kjo filozofi mohonte jo vetëm përvojën e vlefshme, por edhe ekzistencën e realitetit të jashtëm. Herezia e herezive ishte mendimi i shëndoshë.”
“Në njëfarë mënyre, pikëpamjet e Partisë, u imponoheshin më mirë njerëzve që nuk i kuptonin ato. Ata mund të mashtroheshin dhe të pranonin dhunimin më flagrant të realitetit sepse ata nuk e kuptonin poshtërsinë e asaj që kërkohej prej tyre dhe nuk qenë të interesuar për ngjarjet publike, që të mund të vinin re se çfarë ndodhte. Mungesa e aftësisë për të kuptuar i shmangte nga çmendja. Ata gëlltisnin çdo gjë dhe ajo që gëlltisnin, nuk i dëmtonte, sepse nuk linte gjë prapa, njëlloj si një kokërr misri që kalon pa u tretur në trupin e një zogu.”
“ Qysh nga momenti që i shpallje luftë Partisë, ishte e mira ta mendoje veten si kufomë…”
“Megjithatë, shpikja e shtypit e bëri më të lehtë manipulimin e opinionit publik… Çdo qytetar, të paktën çdo qytetar që e meritonte të vëzhgohej, mund të mbahej nën përgjimin e policisë dhe të bombardohej me propagandë zyrtare njëzet e katër orë rresht, ndërsa gjithë kanalet e tjera të komunikimit mbaheshin të mbyllura. Kështu erdhi në jetë për herë të parë mundësia e imponimit jo vetëm përulje ndaj opinionit të shtetit, por dhe uniformitet të plotë të opinionit publik.”
Këtë rreshta i shkëputa nga libri emblematik i George Orwell “1984”.
George Orwell (Eric Arthur Blair), ndërroi jetë në 21 janar 1950. Shkrimtar i jashtëzakonshëm e vizionar, gati- gati profetik.
Njihet si autori i 9 librave, nga të cilat “Ferma e kafshëve” dhe “1984”, të shkruara përkatësisht në 1945 dhe 1949 janë alegoria më e mirë dhe më e jashtëzakonshme në letërsinë e shek. XX, që përshkruan lindjen dhe rritjen e regjimeve diktatoriale.
Ndonëse vepra e George Orwell nuk është e panjohur për lexuesin shqiptar, rileximi i kësaj vepre është një shkundje dhe një kthim me këmbë në tokë, sepse duket sikur janë vepra që janë shkruar enkas për Shqipërinë.
Kujtesa është e shkurtër dhe Orwelli i thërret ndërgjegjes së secilit prej nesh që e shkuara të mos përsëritet.
Dhe e shkuara përsëritet në këto 10 vite të sundimit të sektit Rama në mënyra nga më të ndryshmet!
Me kapjen e të gjitha pushteteve: me asfiksimin e demokracisë, kapjen e drejtësisë, vrasjen e fjalës së lirë, korrupsionin dhe dorëzimin përpara krimit, shitjen e të dhënave personale, me blerjen e e votës, grabitjen e vullnetit të lirë nëpërmjet patronazhistëve!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 21 Janar 2023