Asgjë, përveç betonizimit, prishjes, “ndreqjes”, rrëmbimit dhe pasurimit të vetes dhe oligarkëve pranë tij me pasurinë e Vlorës, vlonjatëve e Shqipërisë.
Sepse një vit pas grabitjes së mandatit të tretë, Edi Rama në krye të sektit të tij, po vazhdon me të njëjtën logjikë e politikë siç përfundoi dy mandatet e para.
Me investime të dyshimta, grabitje e tjetërsim të pronës private e publike, përmes skemave korruptive dhe ndoshta pa logjike ekonomike; me koncesione e PPP për klientët e sektit të tij, konçesione e PPP që paguhen shtrenjtë nga taksapaguesit shqiptarë, me varfërim të banorëve të Vlorës, Selenicës e Orikumit.
Edhe pse në vitet e fundit, Vlora ka njohur shumë investime në infrastrukturën rrugore, (gjithmonë sipas propagandës së qeverisë së Rilindjes) Vlora dhe lagjet e saj periferike, njësitë e saj administrative, si edhe fshatrat e bashkisë Selenicë, vazhdojnë të paraqesin problematika të theksuara sa i përket rrugëve, furnizimit me ujë të pijshëm, etj.
Natyrisht që mungesa e vëmendjes totale e institucioneve qendrore dhe vendore (përjashtojmë këtu asfaltin elektoral sa here jemi në prag zgjedhjesh) është programi i vetëm që është implementuar këto 10 vite, kryesisht në njësitë administrative të Bashkisë Selenicë, njësitë administrative dhe në lagjet periferike të bashkisë Vlorë.
Që prej hyrjes së qytetit shfaqet një panoramë aspak normale: një numër i madh rrugësh dhe lagjesh të qytetit të Vlorës të lëna në harresë totale nga institucionet vendore, lagje me rrugë të amortizuara, shpesh herë të paasfaltuara, pa ndriçim e pa kanalizime. Pamje të tilla të shoqërojnë gjatë gjithë qytetit, sigurisht jo në Lungomare apo në bulevardin Vlorës- Skelë.
Ujësjellësit janë premtime shterpë, edhe pse për to flitet sa here ka zgjedhje. Në shumicën e fshatrave të Bashkisë Selenicë, në njësitë administrative të Bashkisë Vlorë, në shumicën e lagjeve të Vlorës, furnizimi me ujë të pijshëm që nuk pihet është me orar.
Njësitë si Orikumi dhe Radhima, zona me turizëm të lartë gjatë muajve të verës përsëri vuajnë nga mungesa e ujit të pijshëm, por edhe e energjisë elektrike, sa herë që prishet pak koha.
I njëjti problem është edhe për fshatrat Babicë e Madhe, Babicë e Vogël, Alikokë, Xhyherinë e Kaninë, ku përveç mungesës së ujit, rrugëve dhe kanalizimeve, këto fshatra ende vuajnë mungesën e ndriçimit, pasi energjia elektrike u ndërpritet disa herë gjatë ditës.
Fshatrat e njësise administrative Qendër (Cerkovinë, Trevllazër, Panaja, Skrofotinë, Novoselë, Akërni, Bishan) si kultivuese të ullirit dhe prodhuese të njohura të vajit të ullirit dhe vreshtarisë, prej vitesh nuk po njohin asnjë ndihmë, subvencione, grante apo mbështetje financiare nga shteti.
Në fshatrat Alikokë, Babicë, Xhyherinë, Kaninë, qindra banorë, të prekur nga kalimi i By-passit ende nuk janë dëmshpërblyer, për shkak të burokracisë dhe ineficencës dhe korrupsionit të institucioneve.
Nga takimet që kam pasur me banorë të këtyre zonave disa nga problemet e tyre të mprehta janë:
- Selenica, prej vitesh kërkon ndërtimin e Lotit 4 dhe urës që e lidh me aksin Levan- Tepelenë.
- Segmenti rrugor rreth 20 km i gjatë, i cili fillon nga rruga e Lumit të Vlorës më pas për 9 km në Velçë, Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj dhe përfundon në Vërmik është totalisht i amortizuar. Mungesa e investimeve, mungesa e aksesit që këto fshatra kanë, ka sjellë braktisjen nga banorët. Dikur kanë qenë mbi 1000 familje, sot as 400.
- Fshatrat e Selenicës, kanë rrugë totalisht të parehabilituara, totalisht të amortizuara, ashtu siç është segmenti rrugor që fillon nga Vllahina dhe përfundon në Amonicë dhe më pas lidhet edhe me Sevasterin!
Rruga sot është bërë shkak që fshatrat si Gërneci, Mallkeqi, Lezhan, Amonica të jenë pothuajse të izoluara e të lëna në varfëri. - 25 km rrugë e cila fillon në Vllahinë dhe përfundon në Poçem. Segment rrugor i cili lidhet më pas me Levan-Tepelenë, teksa fare mirë mund të shërbente si një “korridor” për fshatrat dhe vetë Vlorën. Sot rruga gjendet në të njëjtën gjendje si në kohën e sistemit komunist. Pavarësisht ndërrimit të qeverive dhe pushtetit lokal në Selenicë, askush nuk është kujtuar për të. Mbi 2000 familje të izoluara.
- Djetëra puse nafte në fshatrat Kocul dhe Gorisht. Miliona lekë të përfituara nga shitja e saj, nga të cilat asnjë lek nuk investohet për fshatrat në fjalë. Rinia largohet çdo ditë, sepse mungojnë vendet e punës dhe perspektiva.
- Shumica e fshatrave të Bashkisë Selenicë furnizohen me më pak se 30 minuta ujë në ditë. Banorët mundohen të furnizohen me ujë si në mesjetë ndërkohë që Ujësjellësi është kthyer në institucion ku vegjetojnë rrogëtarët militantë të sektit në pushtet.
- Mbetjet urbane digjen nëpër fshatra dhe ndotja është një tjetër problem për banorët dhe ekosistemin e zonave.
- Reshjet e dendura të shiut dëshmojnë edhe për të tjera problematika shqetësuese. Akset rrugore dëmtohen nga rrëshqitja e gurëve dhe e dherave, nga gërryerja rrugëve që lidhin fshatrat si në rastin e njësisë Sevaster me qytetin e Vlorës.
10- Rruga e Armenit, fillon prej hyrjes së Picarit dhe përfundon në qendër të fshatit. Jo më tepër se 2 km rrugë e cila ndër vite nuk ka parë asnjë investim. Segmenti rrugor gjithë gropa është kthyer tashmë në gangrenën e banorëve të zonë dhe drejtuesve të automjeteve. Për shkak të rrugës rreth 300 familje izolohen, duke shmangur shpeshherë lëvizjet e tyre drejt Selenicës apo Vlorës.
11- Fshati Akërni 20 km larg Vlorës, ka probleme te theksuara në funizimin me ujë të pijshëm, megjithëse kjo zonë është shumë pranë vendit ku zbatohet projekti i aeroportit të Vlorës dhe Ujësjellësi i zonës dhe stacioni i pompave të funizimit me ujë ndodhet vetëm 1.5 km larg fshatit.
Të nderuar kolegë!
Këto ishin disa nga problematikat, të cilat kam hasur e më kanë parashtruar qytetarët vlonjatë e banorët e zonës së Selenicës.
Problemet janë të shumta, bëhen edhe më të mprehta kur mungon dëshira dhe vullneti i mirë për t’u zgjidhur.
Shënim: Këtë fjalë kisha menduar ta përcillja në Kuvend, në pikën cështje jashtë rendit të ditës, por nuk arrita për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit zj. Lindita Nikolla.