Fjala në Seancën Plenare të dt. 02.03.2023
Një nga bazat themeltare dhe të patjetërsueshme të demokracisë është funksioni dhe aftësia e Parlamentit për të kontrolluar me efektivitet pushtetin ekzekutiv. Një prej mekanizmave klasikë të ushtrimit të këtij funksioni është institucioni i komisioneve të posaçme hetimore parlamentare. Ky institucion është përdorur 432 herë në historinë mbi 240 vjeçare të demokracisë amerikane nga të dyja dhomat e Kongresit Amerikan, Dhomës së Përfgaqësuesve dhe Senatit, si dhe me dhjetra e qindra herë në historinë e demokracive britanike, gjermane, franceze e me rradhë.
- Komisioni hetimor parlamentar më i njohur në botë
Komisioni hetimor i Senatit amerikan për skandalin “Watergate”( https://en.wikipedia.org/wiki/United_States_Senate_Watergate_Committee) , i njohur zyrtarisht si Komiteti i Përzgjedhur për Aktivitetet e Fushatës Presidenciale, apo botërisht si Komisioni Watergate, ishte një komision hetimor i posaçëm, i krijuar nga Senati i Shteteve të Bashkuara, me Vendimin S.Res. 60, në vitin 1973, për të hetuar skandalin Watergate, me kompetencën për të hetuar vjedhjen në selinë e Komitetit Kombëtar të Partisë Demokratike amerikane, në kompleksin e zyrave Watergate në Uashington, DC, si dhe çdo mbulim të mëvonshëm të këtij aktiviteti kriminal, si dhe “të gjitha sjelljet e tjera të paligjshme, të pahijshme ose joetike që ndodhën gjatë zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të 1972, duke përfshirë praktikat e spiunazhit politik dhe financimit të fushatës”. Ky komision zhvilloi 22 seanca dëgjimore.
Gazetat kryesore dhe ato periferike të lajmeve amerikane, e përqëndruan vëmendjen e kombit amerikan në këtë çështje, me raporte investigative të goditura, ndërsa mediat televizive sollën dramën e seancave dëgjimore në shtëpitë e dhjetra miliona familjeve amerikane, duke transmetuar seancat drejtpërdrejti, për dy javë, gjatë muajit maj 1973. Rrjeti i televizionit publik PBS transmetoi seancat dëgjimore në më shumë se 150 televizione filiale kombëtare.
Duke punuar nën drejtimin e Kryetarit të Komitetit të Përzgjedhur për Aktivitetet e Fushatës Presidenciale Sam Ervin, komisioni hetimor luajti një rol kryesor në mbledhjen e provave që çuan në paditjen e dyzet zyrtarëve të administratës Nixon dhe dënimin e disa prej ndihmësve të Presidentit Richard Nixon, për pengim të drejtësisë dhe krime të tjera. Zbulimet e tij më vonë nxitën procesin e inkriminimit ndaj vetë Nixon-it. Komisioni Watergate çoi në dorëheqjen e Presidentit Nixon më 9 gusht 1974.
Në hapjen e seancave dëgjimore më datën 18 maj 1973, senatori Sam Ervin, Kryetari i komisionit hetimor të Kongresit Amerikan, që besonte se Kushtetuta e SHBA-ve ishte baza e qeverisjes së vendit, u shpreh “Etërit Themelues të demokracisë sonë, pasi kishin marrë pjesë në luftën kundër pushtetit arbitrar, kuptuan disa të vërteta të përjetshme, duke respektuar njerëzit dhe qeverinë. Ata e dinin se ata që u besohet pushteti, janë të ndjeshëm ndaj sëmundjes së tiranëve, të cilën Xhorxh Uashingtoni e përshkroi me të drejtë si “dashuri për pushtetin dhe prirje për ta shpërdoruar atë”. Për këtë arsye, ata e kuptuan se pushteti i zyrtarëve publikë duhet të përcaktohet me ligje, të cilave ata, si dhe populli, janë të detyruar t’u binden”( https://www.rollingstone.com/politics/politics-news/sermon-on-the-hill-a-sam-ervin-sampler-70955/) . - Bazueshmëria dhe domosdoshmëria e komisionit hetimor për Ramën
Neni 77, Pika 2 e Kushtetutes se Shqiperise, shprehet qarte:” Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi
për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore”.
Kërkesa e firmosur nga 42 deputetë të opozitës, me objekt verifikimin e nxitjes, ndikimin, porositjen, përdorimin, përfshirjen përmes premtimit dhe ofrimit të favoreve, rryshfetit apo pasurive publike ndaj agjentit special të FBI-së, Charles McGonigal dhe ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të kryeministrit Edi Rama, si dhe verifikimin e goditjes apo dëmtimit politik të opozitës shqiptare, e vendos Kuvendin përballë një zgjedhjeje historike, me interes të plotë kombëtar.
Përpjekja e mazhorancës për të delegjitimuar Parlamentin nga roli kushtetues i kontrolluesit të ekzekutivit dhe për të përdorur alibinë e nismës ligjore për ndryshime në legjislacionin për komisionet, si argument për të pamundësuar hetimin parlamentar ndaj skandalit McGonigal, përbën një praktikë abuzive politike dhe një zhvillim që vjen ndesh në mënyrë flagrante me parimet e Kushtetutës.
Komisioni i posaçëm hetimor parlamentar mbi lidhjet e kryeministrit me McGonigal nuk duhet kurrsesi të ketë fatin e komisionit të dështuar dhe të pangritur parlamentar të vitit 1925, të propozuar nga Mehdi bej Frashëri, deputet i Parlamentit shqiptar të asaj kohe dhe personaliteti më në zë i politikës së shtetit shqiptar në vitet 1923-1939, për të hetuar mbi procedura abuzive dhe korruptive në administrimin e buxhetit të shtetit, të zbuluara dhe denoncuara prej tij. - Zëvendësimi i komisionit hetimor parlamentar me një interpelancë parlamentare: goditje vdekjeprurëse ndaj demokracisë në Shqipëri!
Kjo seancë plenare me interpelancë të kryeministrit për skandalin McGonigal, nuk mund kurrsesi të ezaurojë për opinionin publik dhe qytetarin e thjeshtë, këtë aferë me shumë dimensione dhe ndikime, pavarësisht orëve që kjo seancë pyetjesh mund të zgjasë.
Skandali McGonigal e ka domosdoshmëri të zbërthehet në të gjitha përmasat e tij, me seanca dëgjimore dhe dëshmitarë të thirrur nga një komisioni i posaçëm hetimor parlamentar, i drejtuar nga opozita, pikërisht sikurse Neni 77, Pika 2, i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton dhe sikurse është praktika e rëndomtë e punës, në raste të skandaleve politike të drejtuesve të mazhorancës, në të gjitha parlamentet e botës së qytetëruar.
Ngritja e komisionit hetimor parlamentar nuk është në dëshirën e mazhorancës, por përfaqëson një detyrim kushtetues. Me refuzimin e ngritjes së këtij komisioni hetimor për skandalin McGonigal, Rama nuk ka më në Kuvendin e Shqipërisë një mazhorancë numrash, por një shumica totalitare. Dhe, sikurse e përcakton qartë një nga Etërit themelues të demokracisë amerikane, Presidenti George Washington në thënien e tij lapidare: “Ata që u besohet pushteti, janë të ndjeshëm ndaj sëmundjes së tiranëve, dashurisë për pushtetin dhe prirjes për ta shpërdoruar atë”, ashtu dhe autokrati Rama, me pushtetin e pakufishëm që ka grumbulluar, është shndërruar sot në një tiran parlamentar!
Ngritja e një komisioni hetimor nuk mund të refuzohet nga kjo mazhorancë, me argumentin se ligji është në ndryshim, pasi ky arësyetim është sa naiv aq edhe aburd dhe cënon parimin e sigurisë juridike. Legjislacioni nuk ka si të ketë fuqi paravepruese!
Komisionet hetimore janë instrument themelor parlamentar që ndihmojnë në mënyrë të veçantë opozitën dhe kjo është shprehur shumë qartë në jurisprudencën e Gjykatës sonë Kushtetuese. Refuzimi për ngritjen e një komisioni hetimor duhet të bazohet në legjislacionin aktual, dhe jo tek pritshmëritë e ndryshimit të legjislacionit në të ardhmen!
Kjo sjellje politike e mazhorancës po vendos praktika shumë të rrezikshme abuzive, duke cënuar dhe minuar standardin e Parlamentit dhe të të gjithë sistemit të kontrollit parlamentar të qeverisë, pasi Kuvendi nuk po ushtron rolin e tij kushtetues si mbikqyrës dhe kontrollor i ekzekutivit. Rama ka paralizuar dhe zeruar rolin e Kuvendit të Shqipërisë në detyrën e tij parësore, si llogarikërkues dhe kontrollues i qeverisë së tij. Tirani parlamentar Rama e ka shndërruar Kuvendin e Shqipërisë në një noter të rëndomtë të korrupsionit të tij ekonomik dhe politik. Rama vjen në Kuvend vetëm kur i do qejfi atij dhe ia lejon vetes të paralizojë punën e Kuvendit për një muaj e gjysëm! Ai nuk njeh dhe nuk i bindet asnjë rregulli dhe disipline parlamentare.
Komisioni hetimor parlamentar është i domosdoshëm, edhe për abuzimet dhe blerjen e votës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ku Rama ngriti në përmasa të papara deri më sot, aparatin shtetëror në qendër dhe në bazë, në shërbim të plotë të sektit të tij në garë zgjedhore.
Asnjëherë në këto tre dekada, në një garë zgjedhore në Shqipëri, nuk është parë të garojë një shtet i tërë me ministritë, drejtoritë e tjera qendrore dhe bashkitë rozë, kundër një partie opozitare. Partia Demokratike kërkoi ngritjen komisionit hetimor parlamentar, për të hetuar shkeljet flagrante të Kushtetutës dhe të gjitha ligjeve të tjera të Shtetit mbi rolin dhe funksionin e strukturave shtetërore në një garë zgjedhore mes partive politike, por Rama nuk e lejoi ngritjen e një komisioni të tillë, pasi shumicën në numra në Kuvend e ka kthyer, nga shumicë parlamentare në shumicë totalitare, duke mos i dhënë asnjë mundësi opozitës të kryejë funksionet e saj të natyrshme dhe legjitime, në një sistem demokratik. - Rama, ky tiran parlamentar, sipas përcaktimit të Xhorxh Uashington
Kryeministri i sotëm, kryetari i sektit qeverisës Rama, ka ngritur në piedestal papërgjegjshmërinë dhe mosndëshkueshmërinë në administratën publike, duke zeruar llogaridhënien e nëpunësve të lartë publikë dhe duke e shndërruar procesin jetësor të transparencës në një maskaradë konferencash e tubimesh ku flet vetëm ai ose soziat e tij anëtare të sektit. Rama po hyn në historinë e Shqipërisë si: - Nëpërkëmbës dhe keqpërdorës i rolit të Parlamentit të Shqipërisë. Rama e ka shndërruar Kuvendin në një noter të rëndomtë të tekave të veta, duke e degraduar në nivelin më të ulët të mundshëm tempullin e një demokracie dhe duke i detyruar deputetët e Kuvendit të votojnë dëshirat e tekat e tij më absurde, si rasti i instalacionit pre druri në Kryeministri. Për të, deputetët e pozitës dhe opozitës nuk janë asgjë tjetër, veçse idiotë të dobishëm! Për t’i shpëtuar përgjegjësisë nga skandali McGonigal, Rama, ky korruptues politik i paskrupullt i një zyrtari të lartë të FBI-së, injoron dhe nëpërkëmb detyrimin kushtetues të ngritjes të një komisioni hetimor parlamentar. Me denigrimin, praktikisht zerimin e Parlamentit, si institucion që i kërkon llogari dhe ku qeveria jep llogari, njëlloj si Luigji i XIV, Rama ia bën të qartë qytetarëve të Shqipërisë dhe botës mbarë se ai qëndron mbi ligjin. Është ai që vendos se kur vjen në Parlament, kur pranon të pyetet në një interpelancë parlamentare dhe është ai që nuk pyet fare se vendi e ka një Kushtetutë! I ashtuquajturi “Lider Global” nuk ka ndërmend të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Shqipërisë dhe të miratojë ngritjen e komisionit hetimor parlamentar, të kërkuar, sikurse e do Kushtetuta, nga më shumë se një e katërta e deputetëve. Ai nuk mund t’i nënshtrohet ligjit dhe shtetit të së drejtës, pse ai gjykon se është vetë ligji! Në fakt, ai është varrmihësi, varrosësi i shtetit të së drejtës në vendin tonë. Është ai që vendos se deri ku mund të shkojnë kufijtë e të bërit opozitë në këtë vend. Është ai që gjykon se ka moralin dhe fuqinë të caktojë pragun se deri ku mund të jetë i kritikueshëm. Shkurt, Rama, jo
Parlamenti, është vetë ligji në Shqipëri! A mund të ketë zerim, nëpërkëmbje dhe keqpërdorim më të madh të rolit të Kuvendit të Shqipërisë?! - Korruptues politik i pashembullt. Në javët e fundit, shumë gazeta amerikane, si “The New York Times” “The Washington Post”, “The Washington Examiner”, etj., kanë trajtuar në detaje skandalin McGonigal. Gazeta “The Washington Examiner”, në artikullin e saj të 13 shkurtit 2023, cilësonte se “McGonigal, ndërsa shërbente ende si një zyrtar i lartë i FBI-së, u bë fiksues i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Partisë së tij Socialiste në pushtet. Shqipëria është një aleat i vendosur i SHBA dhe një anëtar i NATO-s, por që kur Rama mori drejtimin e vendit një dekadë më parë, ai vend i vogël është kthyer në një vatër korrupsioni, plus narkoshteti kryesor i Evropës, me lidhje të thella me kartelet e drogës në Amerikën Latine. Blerja e zyrtarëve të lartë amerikanë si McGonigal është pjesë e mënyrës se si Rama vazhdon ta arrijë këtë”.
- Urrejtës patologjik i opozitës. Urrejtjen dhe përçmimin ndaj atyre që e kundërshtojnë, “Lideri Global” e ka në ADN-në e vet. Cinizmi, tallja, përdorimi i gjuhës vulgare, janë pjesë të arsenalit të tij , për të baltosur dhe denigruar opozitën kryesore të vendit. Rama nuk sulmon vetëm Liderin Historik, pjesën e Partisë Demokratike të angazhuar në lëvizjen e foltores dhe në ripërtëritjen e saj, por edhe atë pjesë të deputetëve, mbajtës deri nesër të vulës së partisë, duke i denigruar, me një gjuhë dhe fjalor të papranueshëm për etikën dhe moralin e shqiptarit. Me këto shfaqje të turpshme, Rama, ky manipulator dhe uzurpator i Partisë Socialiste, që nuk e përfaqëson këtë parti, por thjesht e ka nënshtruar me diktatin e vet, ndërkohë që me sektin e tij ka kapur shtetin, duke njollosur me korrupsionin e tij politik historinë e marrëdhënieve të shkëlqyera të Shqipërisë së lirë me SHBA-të, si dhe duke u shërbyer kompanive favorite të tij e duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve dhe biznesit të ndershëm, tregon se urren jo vetëm demokratët, por urren ndryshimin, praktikisht të gjithë shqiptarët e interesuar që gjërat të ndryshojnë për mirë në vendin tonë.
- Abuzues i nivelit më të lartë me paranë dhe asetet publike. Në rast se tre deputetë të Parlamentit Evropian u arrestuan për lobimin e tyre të paligjshëm për interesat e Katarit në skandalin “Katargate”, Rama, në mungesë të plotë të përgjegjshmërisë ndaj menazhimit publik dhe transparencës për bisedimet dhe kontraten e lidhur, duke keqpërdorur Ligjin për Investitorët Strategjikë, i jep qendrën e Durrësit një miliarderi arab, në mega-aferën korruptive dhe të pastrimit të parave të nivelit 2.1 miliardë euro, të projektit “Durres sea yachts & marine”. Me këtë kontratë okulte, zhvendosja e portit kryesor të vendit në Porto Romano rezulton në zerimin e Portit të Durrësit, nyjes strategjike dhe të pazëvendësueshme të sotme të transportit detar të Shqipërisë. Është për të ardhur keq që ambasadorët perëndimorë nuk shohin dot korrupsionin ku e ka zhytur vendin Rama me sektin e tij, sikurse nuk panë shndërrimin e Shqipërisë në parajsë kanabisi në vitet 2014-2016. Nuk shohin greminën ku i ka hedhur Rama financat e Shtetit, përmes akumulimit të një borxhi kolosal publik, që ka kaluar tashmë prodhimin e përgjithshëm të vendit.
- Kryearkitekt i instalimit të antikulturës së papërgjegjshmërisë në vend. Asnjë nga zyrtarët e lartë të sektit Rama, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion nga institucionet e pavarura të vendit, nuk është larguar nga detyra. Pavarësisht se partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar me instistim rezultate në luftën kundër korrupsionit, brenda piramidës qeveritare, si përgjigje, “Lideri Global” i ka promovuar dhe ngritur në
detyrë disa prej nëpunësve të akuzuar, si për t’u thënë “Vazhdoni korrupsionin pa frikë, madje abuzoni më shumë!”. - Shpërdorues i të gjitha institucioneve të pavarura, duke mos respektuar asnjëherë ndarjen mes ekzekutivit, legjislativit, institucioneve të pavarura dhe gjyqësorit. Rastet e zhvlerësimit kostant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të institucioneve të pavarura janë të panumurta.
- Rama, zero si qeveritar!
Në 10 vitet e qeverisjes së tij, kryetari i sektit në pushtet vjen me një bilanc të frikshëm të keq-qeverisjes, duke rrënuar interesat e qytetarëve dhe të buxhetit publik të tyre, si dhe duke i zhgënjyer keqazi ata. Rama është: - Përgjegjës i hemorragjisë së largimit masiv të qytetarëve nga Shqipëria. Në dhjetë vitet e sundimit të Ramës 2013-2022, sipas EUROSTAT, janë larguar rreth 900 mijë vetë. Kjo shifër është shumë më e lartë se emigracioni masiv i viteve 90-të, menjëherë pas shëmbjes së komunizmit. Shumica e të larguarve të dhjetë viteve të fundit janë të rinj të gupmoshave 19-29 vjeç. Sipas EuroBarometrit, 74.8 përqind e grupmoshave 19-29 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe. “Lideri Global” nuk ka inicuar asnjë politikë të motivimit të të rinjve për të qëndruar në Shqipëri. Vetëm gjatë vitit 2022, u larguan 42 mijë qytetarë, një pjesë e mirë e të cilëve ishin mjekë, infermierë, profesionistë të fushave të ndryshme dhe madje edhe sipërmarrës.
- Rama ka dyfishuar borxhin publik të vendit. Në dhjetë vjet 2013-2022, borxhi publik i Shqipërisë(si ai zyrtar, dhe borxhi i fshehur i detyrimeve PPP, vendimeve të Arbitrazhit Ndërkombëtar dhe detyrimeve të pashlyera të TVSH, etj.) ka kërcyer nga 68% që ishte në vitin 2013, në mbi 112% të PBB-së. Sot çdo shqiptar, sipas të dhënave të INSTAT, u ka borxh kreditorëve të shtetit të vet 4 mijë e123 euro, në krahasim me 2 mijë e 237 euro të vitit 2013.
- Rrënues i financave publike shqiptare, përmes kontraktimit të partneriteteve publik-privat(PPP), krejtësisht në dëm të parasë se taksapaguesve. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Shqipëri, “Kontratat koncesionare të tipit partneritet publik-privat(PPP), jo vetëm kapin mbi 16.5 përqind të prodhimit kombëtar, shifra më e lartë në krahasim me GDP-në në të gjithë Evropën, por janë të përgatitura pa konsideruar raportin kosto-përfitime dhe në shumicën e tyre, përmbajnë risqe, të cilat i përballon ose të gjitha, ose pjesën më të madhe, Buxheti i Shtetit”. Në 10 vite qeverisje, Rama nuk ka përcaktuar minimumin jetik, si masë kryesore për të mbrojtur dhe trajtuar me dinjitet shtresat në nevojë, sidomos të goditura nga pandemia e Covid-19 dhe inflacioni i lartë i shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë.
- Instalues i politikës së fasadave. Shpenzime e fasadave qeveritare dhe të gjitha shpenzimet e tjera jo-produktive janë në nivele mbi 650 milionë euro në vit, jo sipas 3 E-ve(Efektivitet, Efiçiencë dhe Ekonomicitet) dhe parimeve të OECD/SIGMA të administrimit të përgjegjshëm të financave publike. Ato gjenerojnë një dëm ekonomik vjetor mbi 200 milionë euro.
- Përkrahës pa kushte i nismës serbe të “Open Balkan”, duke izoluar Kosovën në bashkëpunimin rajonal dhe anashkaluar Procesin e Berlinit, të inicuar nga Gjermania, ekonomia lokomotivë e Bashkimit Evropian. Përmes “Open Balkan”, këtij projekti të vjetër titist të Vuçiçit, Rama ka promovuar interesat jo vetëm serbe, por ka ndihmuar në depërtimin dhe rritjen e ndikimit të interesave ruse në rajonin tonë. Tani që “Open Balkan” ka dështuar tërësisht, Lideri Global me zor po distancohet prej tij, duke përdorur një sërë sofizmash.
xxx
Kjo seancë interpelance është thjesht një tymnajë, për të mbuluar skandalin e vërtetë dhe korrupsionin politik të kryeministrit, i cili ka nxitur korrupsionin politiko-ekonomik të një zyrtari të lartë të FBI-së amerikane.
Përveç shou-t të rradhës së Ramës, seanca pyetje-pergjigje nuk do të arrijë në asnjë përfundim. Në mungesë të dëgjesave nga një komision i posaçëm hetimor parlamentar, ajo nuk ka asnjë mundësi konkrete për të mbledhur prova rreth skandalit, as edhe për të inkriminuar realizuesin e tij.
Edhe zyrtarë shumë më të ulët në rang, në një vend normal evropian, po të kishin kryer atë që ka bërë Rama në skandalin McGonigal, do të ishin gjendur përpara hetimeve intensive parlamentare, për atentatin e minimit te marrëdhënieve me aleatin strategjik numër një të vendit, me shtetin më demokratik dhe të fuqishëm të botës, si dhe për tentativat për të shkatërruar opozitën.
Në një vend normal demokratik, e aq më tepër evropian, një kryeministër i përmendur 14 herë në hetimet e Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj sjelljes jo etike dhe me elementë të dukshëm korruptimi të ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal, do të kishte dhënë së paku dorëheqjen.
Por Rama nuk e njeh institucionin e doreheqjes dhe nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen! Prandaj dhe Kuvendi i Shqipërisë e ka për detyrë historike dhe kombëtare sot, që të ngrejë komisionin hetimor McGonigal.
Komisioni hetimor parlamentar McGonigal përfaqëson sot lakmusin e demokracisë shqiptare dhe mosngritja e tij do të shënonte fundin e demokracisë sonë të brishtë.Fjala e mbajtur në Seancën Plenare të dt. 02.03.2023