Që paraja publike dhe e donatorëve të mos shpërdorohet!

nga Bujar Leskaj
Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (Huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bankës Gjermane për Zhvillim KfW Frankfurt am Main (Huadhënësi) dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), (“Agjencia e zbatimit të projektit”), për projektin “Zhvillimi i integruar rajonal” (një hua kredi e butë 20 mln euro dhe 1 mln euro grant), do të përbënte një nismë për t’u përshëndetur e mbështetur, pasi në nivel të rajoneve kemi mangësi dhe hendeqe të mëdha të progresit ekonomik e social.
Problematika me këtë projektligj nuk qëndron tek ndihma e ofruar kryesisht në formën e kredisë së butë nga një institucion donator që na ka mbështetur fuqishëm edhe në të kaluarën, si banka gjermane me kapital shtetëror KfW. Ne problemin e kemi brenda vetes, me njësinë zbatuese të këtij projekti, Fondin Shqiptar te Zhvillimit.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit u themelua 30 vite më parë, në vitin 1993, me mbështetjen e Bankës Botërore. Misioni i atëhershëm i këtij projekti modest ishte lehtësimi i varfërisë, veçanërisht në zonat rurale të vendit. Fondi i mbijetoi trazirave të ’97-ës. Për afro dy dekada, ky institucion fitoi mbështetjen e institucioneve të fuqishme financiare ndërkombëtare. Tenderoi miliona euro për ndërtimin e rrugëve të reja, “furnizoi” me ujë zona rurale, mbështeti zhvillime rajonale dhe kontribuoi në realizimin e projekteve komunitare për një qeverisje të mirë. Gradualisht, ai u shndërrua në pikën fokale të donatorëve, agjencive dhe bankave ndërkombëtare të zhvillimit.
Në vitin 2017, me mbështetjen e donatorëve, buxheti i Fondit Shqiptar të Zhvillimit arriti, për herë të parë, mbi 100 milionë euro. Mirëpo, në vitin 2018, tre agjenci zhvillimi u shkrinë dhe u bënë pjesë strukturore e Fondit. Kjo strukturë e pa veten me pozicion monopol në investimet rajonale, e qarkuar nga struktura të dobta monitorimi dhe llogarikërkuese të shtetit tonë.
Në vitin 2020, Fondi Shqiptar i Zhvillimit arriti rekordin e shumës së prokuruar, me rreth 40 miliardë lekë ose 350 milionë euro, ku më shumë se gjysma i përkiste Fondit të Rindërtimit të objekteve që u shkatërruan nga tërmeti. Mungesa e programit të transparencës së këtij institucioni solli pershpejtimin e keqmenaxhimit te tij.
Programi i Transparencës u aprovua në shtator të vitit 2014, kur Kuvendi aprovoi ligjin për të drejtën e informimit, që do të siguronte transparencën e autoriteteve publike, përmes përfshirjes në programin e transparencës. Edhe pse sot numri i autoriteteve publike që zbatojnë këtë ligj ka arritur në qindra, Fondi Shqiptar i Zhvillimit qëndron ende jashtë këtij programi.
Në 4-5 vitet e fundit, FSHZH i është larguar dukshëm misionit të tij, duke përfaqësuar institucionin publik më të keqmenaxhuar në vend, duke vepruar larg parimeve dhe rregullave te qeverisjes se mire publike, te vendosura nga OECD. Kjo strkture, me tenderat problematikë që përgatit dhe me kontratat që realizon, eshte ne nëpërkëmbje dhe injorim te interesit publik, për t’i sherbyer sa më mirë interesave-urdhëra të sektit Rama në qeverisje.
Specifikë e tenderave të FSHZH të viteve të fundit është fryrja e qëllimshme e vlerës së projekteve të tij, për t’i fituar me vlera 30-40 përqind poshtë fondit limit, gjoja në kursim të parasë publike. Në të vërtetë, sikurse do ta shpjegoj më poshtë, e gjitha kjo bëhet në shkelje të ligjit për Prokurimin Publik.
Fondi ka uzurpuar të gjitha kompetencat e qeverisjes vendore dhe ka lënë tokë të djegur për nismat e bashkive, në drejtim të investimeve kapitale të rajoneve të tyre. Gati për të gjitha projektet që tenderon, në kundërshtim me frymën e misionit të tij për të sjellë zhvillim ekonomik e social aty ku investon, Fondi përcakton fitues kompani që nuk janë të rajonit ku zhvillon projektin. Për shembull, në rajonin e Vlorës, asnjë nga investimet e Fondit Shqiptar të Zhvillimit nuk është kryer nga kompani vendore, por nga firma të Tiranës.
I. FSHZH-një agjenci që keqmenaxhon paranë publike
Janë të shumtë tenderat dhe kontratat e përfunduara dhe zbatuara nga FSHZH, ku, në kundërshtim të hapur me Ligjin e Prokurimeve Publike dhe rregullat e tjera në fuqi, fitues nuk shpallen kompani që ofrojnë vlerën më të ulët ekonomike për cilësi të barabartë oferte, por kompani të favorizuara nga kryetari i sektit qeverisës dhe drejtuesit e pushteteve vendore.
Në vetëm 7 tendera të zhvilluar nga FSHZH gjatë vitit 2022, për ndërhyrje për përmirësimin e strukturave rrugore në disa rajone të vendit, me vlerë totale mbi 22 milionë euro, Fondi i ka shkaktuar një humbje disa milionë euro buxhetit të Shtetit, nga përzgjedhja klienteliste e firmave fituese, me oferta dukshëm më të larta se kompanitë e tjera në garë.
Shembulli më i qartë i keqpërdorimit nga Fondi, të parasë së taksapaguesve shqiptarë dhe, në rastin e granteve, të parasë së taksapaguesve të vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian, në kundërshtim flagrant me tre E-të(efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet), vjen nga Vlora.
Investimet e Fondit në Vlorë, në tre sheshet kryesore, në atë të Flamurit, të Skelës dhe përpara bashkisë, kapin shifrën mbi 14 milionë euro për të trija projektet (përkatësisht 5.6 milionë euro, 4.8 milionë dhe 2.8 milionë euro), për punë të bëra dhjetë ose pesë vitë më parë. Pjesa tjetër janë vetëm rifinitura. Madje Sheshi i Flamurit po shpërfytyrohet dhe denatyrohet në vlerat e tij si simbol kombëtar.
Shpenzimet jo esenciale për rifinitura në qendra qytetesh, shpenzime luksi për fasada apo menu dixhitale të projektit të 100 Fshatrave Turistikë, përbëjnë raste tipike të keqmenaxhimit të parasë publike nga FSHZH.
Dje, në një shkrim të tij, gazetari kurajoz, ekspert i ekonomisë Klodian Tomorri, cilësonte se “Fondi Shqiptar i Zhvillimit hap tender 5 milionë dollarë për të promovuar 100 fshatrat turistikë. Objekti i tenderit është që do të kontraktohen saze me gërnetë, foni, bokse etj, Sot kishte hapur një tender tjetër 800 mijë dollarë, për të kontraktuar një privat që të regjistrojë në hipotekë tokat e 100 fshatrave. Pra, nuk e bën bashkia këtë pune, që të regjistrojë tokat e shtetit. Nuk e bën as kadastra. Por do ta bëjë një kompani private, që do të marrë 800 mijë dollarë. Pastaj këto tokat, që i regjistrojnë këta, i marrin investitorët strategjikë”.
Politika e pagave të stafit të Fondit ka shkaktuar revoltë të natyrshme në opinionin publik, ndërkohë që ka deformuar raportet e piramidës së pagave në administratën shtetërore Problematikë mbeten kosto e lartë të shpenzimeve operacionale të FSHZH.
Në buxhetet e institucionit nuk janë detajuar këto shpenzime dhe nuk dalin në pah shpenzimet për pagat e stafit të FSHZH, se sa përqind e këtyre shpenzimeve shkojnë për secilin program dhe se çfarë peshe zënë këto shpenzime, në raport me vlerën e projekteve, apo në ëfare niveli janë pagat e stafit të FSHZH në raport me nivelin e pagave në institucionet e tjera publike (nepunësve civilë dhe atyre me me kod pune).
Nga mungesa e theksuar e transparencës, nuk arrihet të identifikohet mbulimi që i bëhet shpenzimeve për pagat, nga fondet e buxhetit të shtetit apo nga donatorët. Nëse një pjesë e shpenzimeve të pagave mbulohen nga financimet e huaj, atëherë kemi kosto të shtuar për buxhetin, sepse për huanë e marrë do të paguhen edhe interesa.
Nga të dhëna e marra nga mediat, paga mesatare e stafit të FSHZH shkon rreth 230 mije-250 mije lekë dhe variojnë nga 70 mijë lekë paga e punonjesve me post më të ulët (sanitareve) në 700 mije leke të drejtuesit të institucionit. Pra, paga mesatare në këtë institucion është 5 herë më e lartë sesa paga mesatare për të punësuarit në shërbimin civil.
II. FSHZH-një agjenci që shkel rëndë ligjin e Prokurimeve
Projekti “Eden” i korrikut 2022, i vendosjes së një instalacioni druri në oborrin e Kryeministrisë, përfaqëson një projekti të paparashikuar më parë në planet e FSHZH-së, pa fondin përkatës dhe me procedurë prokurimi të kufizuar, pa pasur asnjë emergjencë!
FSHZH e hapi tenderin e projektit më datën 27 korrik 2022, kur Këshilli i Ministrave e ngarkoi si autoritet kontraktor.
Për një tekë te kryetarit të sektit në qeverisje, të ashtuquajturit Lider Global, taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë 3.7 milionë euro për një kopësht me tre kate prej druri dhe pemësh të varura, brenda oborrit të Kryeministrisë, ndërkohë që kjo strukturë nuk ka asnjë dobi funksionale për mbledhjet dhe aktivitetin e Këshillit të Ministrave në Kryeministri!
FSHZH shkeli ligjin për Prokurimet Publike, duke hapur një tender që nuk e kishte në programin e tij vjetor të investimeve, pa praninë e fondit përkatës, si dhe duke zgjedhur formën e tenderit “prokurim me procedurë të kufizuar”, pa patur asnjë emergjencë për realizimin e këtij projekti.
Me tej ne kohe, ne gusht 2022, vijoi me “përkushtim” absurd zbatimin e projekteve të tjera ne nivel dhjetra milione euro, që nuk përbënin interes publik dhe nuk ndikonin drejtpersedrejti në zhvillimin e komuniteteve, duke investuar ne infrastrukturen ndihmese te një piste ndërkombëtare garash të makinave të shpejta sportive në Shqipëri(?!).
Më 16 gusht 2022, FSHZH organizoi tenderin për ndërtimin e infrastrukturës mbështetëse për kompleksin Auto-Moto Park në Elbasan. Hapi dy tendera, njeri 4,7 milionë euro për rrugët ndërlidhëse, dhe tjetri 6,4 milionë euro për argjinaturat mbrojtëse të lumit Shkumbin. Janë 11.1 milionë euro të takspaguesve shqiptarë, në një kohë kur vendi është i zhytur në varfëri dhe ka përpara një krizë të paprecedentë të rritjes së kostove të jetesës, me shtimin e paperballueshem të çmimeve të mallrave të konsumit bazë.
Të 6,4 milionë eurot për argjinaturat mbrojtëse në funksion të pistës së garave të makinave, mund të përdoreshin për argjinaturat mbrojtëse për zonat e banimit, apo ato bujqësore në rrezik përmbytje në Elbasan dhe në të gjithë Shqipërinë.
Prokurimet skandaloze jashte misionit te FSHZH-se vijojnë. Që Lideri Global të mos ndihet shumë ligsht me skandalin që i plasi për projektin-kapriçio 3.7 milionë euro të instalacionit, FSHZH angazhohet me 3.3 milionë euro të tjerë, që të organizojë tenderat për vendosjen e paneleve diellore mbi tarracën e Kryeministrisë dhe të godinave të ministrive. Vendimi është marrë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të datës 28 shtator 2022, por nuk është bërë publik as në faqen web te Kryeministrisë dhe as në Fletoren Zyrtare.
Tenderi i paneleve diellore është “gjethja e fikut” për të mbuluar skandalin e instalacionit luksoz e të panevojshëm. Janë plot 18.1 milionë euro që do të shpenzohen, vetëm e vetëm për të kënaqur tekat dhe kapriçiot e kryeministritRamës, që të ketë një pistë ndërkombëtare garash me makina dhe kopshte të varura brenda Kryeministrisë, si ato të Babilonisë, për të mahnitur ata që do të vijnë për vizitë(!?).
III. FSHZH-një agjenci që fryn qëllimisht vlerën e projekteve të saj
Ligji “Për Prokurimet Publike” parashikon se një ofertë “anomalisht e ulët” konsiderohet vlera që është të paktën 20 përqind më pak sesa fondi limit. Në situata të tilla, autoriteti kontraktor, në rastin konkret Fondi Shqiptar i Zhvillimit, kërkon sqarime nga operatori ofertues, duke kërkuar siguri për ofrimin e shërbimit cilësor.
Në shumicën e tenderave të zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit në vitet e fundit, të bie në sy se kompanitë pjesëmarrëse në to japin oferta dukshëm më të ulta se sa një e pesta e fondit limit të përcaktuar nga Fondi. Në asnjë rast, FSHZH nuk ka kërkuar sqarime për ofertat dukshëm poshtë vlerës më pak se 20 përqind të fondit limit. Në realitet, ky institucion publik, duhej të ishte preokupuar, në frymën e ligjit, për cilësinë e shërbimit, që mund të komprometohet, nga vlera anomalisht e ulët e ofertës. Pse nuk e ka bërë këtë?!
Kjo situatë, në dukje absurde, krijon dyshime për mënyrën se si FSHZH përllogarit vleren e fondit limit në tenderat e tij.
Logjika e tenderit publika është kudo njëlloj-autoritetet qeveritare përllogarisin fondin limit në bazë të çmimeve mesatare të tregut dhe synojnë që të nënshkruajnë kontrata me ofertën më të ulët, për të kursyer para publike. Në çdo rast, vlera më e ulët duhet të jetë brenda një logjike normale të tregut, për të mos cënuar cilësinë. Ligji shqiptar i prokurimeve publike parashikon që oferta mund të jetë maksimalisht deri në 1/5 e fondit limit.
xx
Të gjitha çfarë përmenda më sipër, janë arësye që më detyrojnë të votoj kundër Projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Bankës Gjermane për Zhvillim KfW Frankfurt am Main dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit si Agjenci zbatimi, për projektin “Zhvillimi i integruar rajonal”, që paraja jonë publike dhe ajo e donatorëve të mos shpërdorohet më.
Ndryshe nga sa cilësohet në relacionin shoqërues, ky projektligj nuk ka asnjë lidhje me Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara për zhvillimin e qëndrueshëm dhe 17 objektivat e saj të zhvillimit të qëndrueshëm, të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 2015. Fondit Shqiptar të Zhvillimit pak i intereson zhvillimi rajonal dhe promovimi i turizmit rural. Ai është përqëndruar në përgatitjen dhe realizimin e tenderave abuzivë e korruptivë, në dëm të interesit publik dhe në përfitim të kompanive favorite të sektit Rama në qeverisje.
Veprimtaria e FSHZH-së sot, për fat të keq, nuk ka aspak lidhje me objektivin madhor të zhdukjes së varfërisë dhe zhvillimit të harmonishëm ekonomik e social të rajoneve më pak të zhvilluara të vendit.

Botuar në Gazeta Sot më 14 Prill 2023

Postimet e lidhura