Sfidat e Komisionerit për të Drejtën e Informimit…

Raporti Vjetor 2022 i Zyrës së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, nga ana formale është në rregull. Ai përmban dokumentet strategjike të kërkuar për një institucion të rëndësisë së Zyrës, si dhe ka paraqitur treguesit sasiore të aktivitetit të kryer nga Zyra gjate vitit të kaluar. Megjithatë, shumë gjëra mungojnë në këtë raport. Le t’i marrim me radhë.
I. Misioni i parealizuar i Zyrës së Komisionerit
Kur lexon në faqet 12-13 të Raportit për Indekset e Transparencës, të krijohet përshtypja se nga niveli i objektivave të arritur, duhet të jemi vendi model në Evropë dhe ndoshta në botë, për sigurimin qytetarit të aksesit të plotë ndaj informacionit dhe të dhënave transparente të aktivitetit dhe rezultateve të institucioneve publike në Shqipëri.
Në të vërtetë, ne të gjithë e dimë që realiteti nuk është kështu.
Në radhë të parë, çfarë nuk është në rregull në këtë raport vjetor, e përbën fakti i mungesës së përgjigjes së drejtpërdrejtë ndaj dy pyetjeve:

  1. A e ka realizuar Zyra e Komisionerit misionin e saj të mbikëqyrjes efektive të zbatimit të kuadrit ligjor të mbrojtjes së të dhënave dhe të së drejtës për informim, të garantimit te ushtrimit të efektshëm të të drejtave të qytetarit në epokën digjitale?
  2. A ka arritur Zyra të rrisë përgjegjësinë dhe ndërgjegjësimin e autoriteteve publike dhe kontrolluesve të të dhënave në sektorin publik dhe atë privat, i cili sjell përmirësimin e mendësisë dhe kulturës së shoqërisë, në respektim të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut?
    Megjithëse e drejta e qytetarit për t’u informuar lidhur me aktivitetin e enteve publike të mbajtura nga taksat që ai paguan, garantohet nga Rezoluta 59 e OKB-së, nga Neni 19 i Deklaratës Universale të së Drejtave të Njeriut, nga Neni 10 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, nga Neni 11 i Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së, nga Neni 23 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga Ligji Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit(LDI)”, çalon në mënyrë shqetësuese zbatimi në praktikë i kësaj të drejte, sidomos informacioni për vendim-marrjen dhe problemet e mprehta të institucioneve shtetërore, në radhë të parë atyre qeveritare.
    II. Asgjë për të luftuar me efektivitet stereotipin e përgjigjes formale dhe në fshehje të së vërtetës
    Për çështje sensitive ose që shqetësojnë opinionin publik, përgjigjet e institucioneve publike ndaj kërkesave për informim janë formale dhe në tërësi fshehin të vërtetën, duke qenë jo shteruese. Në ankesat që i adresohen Zyrës së Komisionerit, kjo zyrë pranon të drejtën e qytetarit për t’u informuar, por në praktikë bën shumë pak përpjekje reale për të garantuar zbatimin e kësaj të drejte tek institucioni publik që e ka shkelur atë, me mospërfilljen apo dhënien e një përgjigjeje jo shteruese. Vetëm 17 vendime me 63 sanksione administrative të dhëna në vit(faqe 25 e Raportit) për një institucion me një staf mbi 50 punonjës, janë shumë pak, në nivel të treguesit sasior të mbrojtjes reale të së drejtës për informim të qytetarit, ndaj aktivitetit të enteve publike.
    Lind pyetja: sa nga këto 17 vendime janë bërë publike nga Zyra e Komisionerit, për të dhënë shembullin e sanksioneve dhe tolerancës zero të saj, ndaj mungesës së transparencës dhe mosrespektimit të të drejtës së qytetarit për informim, në lidhje me aktivitetin e institucioneve publike që e kanë shkelur këtë të drejtë themelore kushtetuese? Zyra nuk e ka përdorur shpesh presionin dhe shembullin pozitiv të “sanksionit publik”, përmes publikimit të vendimeve të saj dhe shpërndarjes së tyre me anë të mediave, dhe kjo dëshmon për një mangësi të madhe të saj.
    III. Asgjë për to nxjerrë përgjegjëse dhe sanksionuar institucionet që lejuan rrjedhjen e të dhënave sensitive të qytetarëve në dhjetor 2021
    Sa thirrje publike ka adresuar, sa konferenca shtypi ka organizuar dhe sa fushata ndërgjegjësimi ( për të mos folur për vendime dhe sanksione administrative) ka realizuar gjatë vitit 2022 Zyra e Komisionerit, për të rritur përgjegjësinë e institucioneve shtetërore ndaj të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve, pas skandalit të publikimit në rrjetet sociale në dhjetor 2021 të pagave të mbi 637 mijë punonjësve në sektorin privat dhe atë publik, së bashku me të dhënat e kartës së identitetit dhe vendit të punës, si dhe skandalit të publikimit të targave të automjeteve të shqiptarëve po në dhjetor 2021?
    Nga faqja 32 e Raportit mësojmë për vetëm 2 vendime të marra nga Zyra, vendimi 52 dhe vendimi 52, në nëntor 2022, gati një vit pas skandaleve dhe vetëm pas daljes së Rezolutës së Kuvendit, ndaj detyrave që ka Zyra.
    Sa hetime të thelluara administrative ka realizuar Zyra e Komisionerit, pas publikimit të skandaleve, pranë institucioneve shtetërore përgjegjëse për administrimin e bazës së të dhënave për pagat dhe për targat e automjeteve?
    Kam frikë se përgjigjja e vetme e këtyre tre pyetjeve është zero!
    Zyra e Komisionerit duhet të punojë me këmbëngulje dhe përkushtim për rritjen e imazhit dhe besueshmërisë së saj në publik. Gjykoj se janë me qindra, në mos mijëra raste në vit, të shkeljes së të drejtës për informim dhe të drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale, të cilat nuk i raportohen Zyrës, vetëm nga mungesa e besimit të qytetarëve se Zyra do të të mbarojë punë.
    Në Raportin Vjetor mungon gjithashtu treguesi i nivelit të plotësimit të rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Komisionerit. Zyra duhet t’i shkojë deri në fund përmbushjes së rekomandimeve të saj dhe të bërjes përgjegjëse të institucioneve që nuk i zbatojnë. Në fund të çdo gjashtëmujori, Komisioneri duhet të informojë opinionin publik sa rekomandime janë plotësuar dhe sa jo, si dhe arsyet që zyra gjykon pse rekomandimet nuk janë zbatuar.
    Gjykoj se Zyra e Komisionerit duhet të thellohet shumë më tepër në hetimet administrative që ndërmerr dhe të realizojë shumë më tepër hetime të tilla të thelluara, në përputhje me ankesat që i vijnë dhe me denoncimet e shpeshta ne media, të shkeljeve të së drejtës për informim dhe dhunimit të së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale të qytetarëve.
    Zyra duhet të adresojë me seriozitet dhe të japë propozime për përmirësim ligjor, ndaj problematikës së hasur dendur lidhur me mënyrat e dhënies së informacionit të kërkuar, nga ana e autoritetit publik. Aktualisht ligji i lë “dorë të lirë” autoritetit publik për të vendosur ndaj formës së dhënies së informacionit, që nuk ka të bëjë me një dokument të shkruar dhe kjo e vështirëson marrjen e informacionit të kërkuar nga qytetari.
    Zyra duhet të zgjidhë problematikën ligjore të zbatimit të pikës 3, të nenit 14 të Ligjit Nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, pasi ligji parashikon në këtë pikë, se informacioni jepet në mënyrën më të efektshme dhe me koston më të ulët për autoritetin publik. Ky kusht i vendosur nga ligji përkeqëson pozitën e qytetarit kërkues të informacionit, në raport me autoritetin publik, pasi parësor në formën e dhënies së informacionit nuk konsiderohet më interesi i kërkuesit-qytetar, por interesi i autoritetit publik, që në këto rrethana nuk përmbush kushtet e interesit publik.
    IV. Zyra nuk duhet të pranojë klauzola konfidencialiteti në kontratat publike!
    Në faqet 15-16 të Raportit Vjetor përshkruhen disa problematika të hasura gjatë marrjes së ankesave nga Zyra, ku me të drejtë Zyra cilëson si ndër kryesoret “Vijon paqartësia nga ana e Autoriteteve Publike , në lidhje me parimin e konfidencialitetit në kontratat publike dhe sekretin tregtar, trajtuar jo në përputhje me parashikimet e nenit 17 të Ligjit për Informimin Publik. Në kontratat publike shpesh parashikohen dispozita konfidencialiteti për informacionin dhe dokumentacionin që lidhet me to dhe në rast të mos zbatimit të tyre, parashikohen sanksione ndaj Autoriteteve Publike”.
    Gjykoj se adresimi i këtij shqetësimi duhet të përbëjë një kalë beteje për Zyrën. Autoriteti i mbrojtjes së të drejtës për informim duhet të luftojë dhe të bëjë objektiv parësor të punës së tij, që të mos kemi klauzola konfidencialiteti në kontratat për punët publike. Autoriteti duhet të argumentojë dhe të fitojë betejën ligjore, ku interesi publik të prevalojë mbi interesin e mbrojtjes së sekretit tregtar, me të cilin abuzohet shumë dendur, për të shmangur dhënien e informacionit të kërkuar dhe për të fshehur të vërtetën.
    Zyra e Komisionerit është avokate e transparencës dhe e së drejtës për informim dhe në këtë fushë, aktivitetin e saj e kam parë shumë pasiv. Ajo duhet të reagojë fort në të ardhmen, duke ndërmarrë dhe një nismë ligjore për të sanksionuar me ligj përparësinë e interesit publik për informim në kontratat e punëve publike, ndaj konfidencialitetit të sekretit tregtar!
    xxx
    Zyra e Komisionerit duhet të jetë më shumë në anën e qytetarit, në punën e saj. Ka ardhur koha që ajo raportimet e saj t’i konceptojë si një analizë SËOT të fuqive, dobësive, mundësive dhe kërcënime reale(qofte dhe presione politike), që ajo merr në punën e saj. Me Raportin që kemi përpara, kjo Zyrë duket pak si e shkëputur nga realiteti i situatës me garantimin efektiv të së drejtës për informim dhe të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve. Një raportim bazuar në një analizë të detajuar SËOT do t’i mundësonte asaj një këndvështrim më të qartë të problematikave që duhet të adresojë dhe zgjidhë në të ardhmen, gjatë punës së saj.

    Botuar në Gazeta Sot më 10 Qershor 2023

Postimet e lidhura