Komisioneri për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil nuk i ka parë patronazhistët!

Veprimtaria e institucionit të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, si një institucion i pavarur përgjegjës për mbikëqyrjen e ligjshmërisë në administrimin e shërbimit civil, përbën një dimension të rëndësishëm në përmbushjen e misionit për krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike. Për fat të keq, ky mision për vitin 2022 duhet konsideruar i papërmbushur. Komisioneri nuk ka arrtur të evidentojë qartë problematikat e mprehta të konstatuara dhe shqetësimin se ligjshmëria në administrimin e shërbimit civil shkelet rëndë, sidomos në rastet e futjes në punë të militantëve të partisë në pushtet, të ashtuquajturit patronazhistë.
“Verbëria” e KMSHC ndaj militantëve patronazhistë
Pavarësisht se Komisioneri në Raport nuk e cilëson, dua të theksoj se, që nga viti 2013, kur u miratua ligji 152/2013 “Për nëpunësin civil” , administrata publike në përgjithësi dhe shërbimi i saj civil në veçanti, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe vullnetit negativ të partisë sot në pushtet, është zbrazur në nivele jo vetëm shqetësuese, por alarmante, duke e privuar atë nga kontributi i punonjësve profesionistë e të përkushtuar. Puna reale në administratën publike sot bëhet e përqendruar në shumë pak profesionistë, në raport një me tre, me masën e të emëruarve me nepotizëm, me pseudo-kriterin e militantizmit partiak dhe me korrupsion(pagesa nën dorë), të cilët japin kontribut shumë të paktë ose nuk japin kontribut fare, por vetëm marrin rrogën. Në bazën e të dhënave të bërë publike për “metodën e punës” së patronazhistëve dhe informacionet e rezervuara dhe tejet konfidenciale për qytetarët mbi 18 vjeç në Tiranë, që ata kishin në dispozicion , figuronin gjithsej 9027 patronazhistë vetëm për qarkun Tiranë. Disa mijëra prej tyre punonin kryesisht në administratën publike, qendrore apo vendore, si dhe në morinë e kompanive në pronësi shtetërore sh.a. Bashkia Tiranë, ajo e Kavajës apo Bashkia e Rrogozhinës mbanin një numër të madh patronazhistësh të punësuar prej vetë Bashkisë. Stafi i bashkisë qendrore në Tiranë numëronte rreth 300 patronazhistë, bashkia e Kavajës 190, ndërsa Bashkia e Kamzës kishte 60 patronazhistë. Megjithëse të dhënat me emër dhe mbiemër të patronazhistëve u bënë publike, KMSHC nuk arriti gjatë vitit 2022 të mbikqyrë as edhe një procedurë rekrutimi të qoftë një patronazhisti të vetëm! KMSHC nuk arriti të “mësonte” gjë as për patronazhistët e punësuar në Forcat e Armatosura dhe në radhët e Policisë së Shtetit, edhe pse ligji e ndalon rreptësisht që punonjës të këtyre institucioneve të merren me aktivitet politik. KMSHC nuk pa dhjetra e madje edhe qindra patronazhistë në Postën Shqiptare, në Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal, në AKSHI-n, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë , në AlbControl, në Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit të Bashkisë Tiranë, e deri në Agjencinë e Shërbimeve Funerale, e cila menaxhon varrezat e qytetit Tiranë. Kompanitë shtetërore sh.a kanë së bashku mbi 250 patronazhistë. Segmente të tjera të administratës publike, të tilla si drejtoritë arsimore apo administrata e çerdheve dhe kopshteve numërojnë me qindra patronazhistë, ndërsa një numër jo i vogël rezultojnë të punësuar në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës.
KMSHC përballë një administrate publike që bymehet, edhe pse popullsia tkurret!
Administrata jonë publike sot është e mbushur me punonjës, të cilët pozicionin e punës dhe zhvillimin e karrierës së tyre e sigurojnë jo si rrjedhojë e punës, meritës profesionale dhe përpjekjeve të tyre, por si pasojë e militantizmit partiak dhe njohjeve personale me drejtues të partisë në pushtet. Komisioneri nuk ka arritur t’i japë përgjigje pyetjes: kur popullsia e vendit është tkurrur me të paktën 20 përqind në shtatë vitet e fundit, për shkak të emigracionit masiv të mbi 600 mijë qytetarëve, pse administrata publike, sidomos në nivel vendor, nuk është tkurrur aspak, por vetëm i ka shtuar rradhët e saj, edhe pse u shërben 20 përqind më pak banorëve? Komisioneri nuk ka mundur të investigojë asnjë rast të dukurisë së përhapur të kontratave të përkohshme të punës, ku me mijëra punonjës të marrë me kontrata provizore, pas zgjedhjeve të vitit 2021, gjatë vitit 2022 u hodhën në mes të katër rrugëve si limon i shtrydhur, duke u larguar në mënyrë masive nga administrata publike, sidomos nga kompanitë e mëdha sh.a shtetërore.
Rënie e theksuar e besimit në konkurrimin në administratën publike
Zbrazja ekstreme e administratës publike nga nëpunës të motivuar drejt dhe me kurikulë profesionale, ka sjellë rënien e besimit të kandidatëve për një konkurrim të drejtë në postet vakante të kësaj administrate, të bazuar në meritë dhe në kualifikimet e kandidateve. Ky perceptim nga qytetarët është reflektuar në një numër gjithnjë e më minimal kandidatësh që marrin pjesë në konkurrim, gjatë dhjetë viteve të fundit, edhe pse teknologjia e informacionit krijon mundësi të gjera për pjesëmarrje. Në faqet e Raportit vjetor, ku përshkruhet kontrolli i zbatimit të kritereve të marrjes në punë në njësitë vendore, Komisioneri e ka konstatuar dukurinë e mësipërme, por e ka justifikuar me numrin e pakësuar të popullsisë në shumë nga bashkitë tona. Edhe pse është një konstatim i drejtë, nuk është arsyeja e vetme dhe ndoshta as edhe kryesorja. Rënia e besimit të qytetarëve tek procesi i konkurrimit në administratën publike për pozicionet e nëpunësit civil dhe jo vetëm, ka sjellë si pasojë uljen e pragut të cilësisë së konkurrentëve në të gjitha nivelet, në dikasteret qendrore, institucionet e pavarura dhe në qeverisjen vendore, si dhe gjallërimin e dukurive negative si më poshtë:
a. Mospërmbushjen e kriterit të nivelit arsimor për të qenë nëpunës civilë
b. Pozicione pune që me pa të drejtë, nuk janë konsideruar si pjesë e shërbimit civil
c. Emërime në pozicione pune të shërbimit civil, nëpërmjet kontratave të përkohshme, pa zhvilluar më parë procedurën e konkurrimit.
xxx
Institucioni i Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil duhet të kthehet në një institucion model, ku të gjejnë mbështetje ata që kanë të drejtë, një institucion që nuk lejon as shkeljen më të vogël të ligjit, konsekuent në detyrën e rëndësishme që i ka caktuar ligjvënësi. Institucioni duhet t’i tregojë çdokujt se, nëse ka vullnet, profesionalizëm, integritet dhe paanshmëri, mund të arrihet gjithçka, sidomos ajo që është më se e thjeshtë: zbatimi i drejtë dhe në vazhdimësi i ligjit “Për nëpunësin publik”. Për situatën tejet të vështirë ekonomike dhe shoqërore që po kalojmë, respektimi i legjislacionit të shërbimit civil dhe monitorimi i tij janë aspekte thelbësore që sigurojnë suksesin e reformës në shërbimin civil. Duhet thënë se, për fat të keq, kjo reformë sot ka ngecur. Në këto kushte, sfida parësore e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil është që të sigurojë një proces të pavarur dhe efikas mbikëqyrjeje të veprimtarisë dhe të drejtave të nëpunësit publik, me qëllim që të parandalojë shkeljen e ligjit dhe të rregullojë paligjshmërinë, në rastet kur ka ndodhur, nëpërmjet mjeteve që i ka dhënë ligji.

Botuar në Gazeta Sot më 8 Korrik 2023