Politika sociale cinike të qeverisë

Me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.57/2019, “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë””, po bëni një gabim të rëndë. Po bëni shumë gabim që hiqni bonusin e fëmijës së porsalindur për familjet e emigrantëve. Me një pretekst sa aburd, aq edhe cinik, se gjoja trajtimin për fëmijët njomakë emigrantët e marrin në shtetin ku emigrojnë. Kjo nuk është e vërtetë për të gjitha rastet e emigrimit, por edhe sikur të ishte, kontributi i emigrantëve në ekonominë e vendit është i nivelit të mbi 1 miliardë eurove çdo vit. Kurse ju, me paturpësi po i “qani hallin” buxhetit, pse nga fondi vjetor prej 30 milionë eurosh që shpenzohet për programin e bebes, një pjesë, që nuk është pjesa më e madhe e tij, shkon për fëmijët e porsalindur të emigrantëve. Kjo nuk është as e ndershme, as edhe e moralshme. Në vend që të rrisni bonusin për lindjen e foshnjës, po jua hiqni këtë trajtim emigrantëve. Deri tani, sekti Rama në qeverisje, që ka përfaqësuar Shtetin, është tallur me emigrantët. Dua të rendis këtu disa arësye themelore, pse jeni tallur:
Së pari, u keni premtuar me butafori e mburrje pjesëmarrje me votim elektronik apo me postë, në zgjedhjet e përgjithshme të vendit në vitin 2021. Nuk e keni realizuar këtë premtim. Keni luajtur në mënyrë të paskrupullt hipokrizi politike me emigrantët.
Në muajt përpara zgjedhjeve të 25 prillit 2021, gjoja e përforcuat idenë e votimit të emigrantëve në shtetin ku jetojnë e banojnë, kur e dinit shumë mirë që, për periudhën e mbetur, nuk mund të plotësoheshin kushtet teknike që të organizohej votimi elektronik apo me postë i emigrantëve, në shtetet ku jetojnë. Pjesëmarrja e emigrantëve në votimet e përgjithshme është një e drejtë kushtetuese dhe ju e keni shkelur me fodullëk dhe papërgjegjshmëri këtë të drejtë.
Së dyti, si qeveri, i keni lënë në mëshirë të fatit dhe nuk i keni ndihmuar emigrantët, kudo ku ata janë. Asnjë ambasadë e shtetit shqiptar nuk disponon një bazë të plotë të dhënash, për emigrantët shqiptarë nga Shqipëria, në vendin ku kjo ambasadë qëndron. Ose nuk ka bazë të dhënash fare, ose ka disa lista krejt të pjesshme, qesharake dhe jo përfaqësuese për komunitetin e emigrantëve. Janë vetë emigrantët që lidhen me ambasadat tona, kur u duhet një dokument apo informacion dhe gjejnë vonesa skandaloze, apo indiferencë të plotë. Gjejnë trajtim e vëmendje, vetëm në rastet kur paguajnë nën dorë.
Së treti, si qeveri, në 10 vite nuk gjeneruat asnjë program serioz për ndihmën ndaj emigrantëve që kthehen, që të riintegrohen në atdhe. Në të kundërt, me një politikë të mbrapshtë fiskale, keni vështirësuar ri-integrimin e emigrantëve që kanë investuar kursimet e tyre të jetës në serrat në bujqësi dhe që janë ngarkuar edhe me kredi nga bankat, duke i detyruar shumë syresh që të rikthehen në vendin e emigrimit.
Së katërti, në këta dhjetë vjet, keni ndihmuar pak ose aspak që fëmijët e emigrantëve, brezi i dytë e i tretë të mësojnë gjuhën shqipe, historinë e popullit tonë. Kjo nuk është neglizhencë, por krim që i bëhet ndërgjegjes kombëtare. E krijuat vetë një ministër shteti për emigracionin dhe po vetë e hoqët dhe e zeruat si strukturë pas prillit të vitit 2021, edhe pse emigrantët ishin mësuar ta kishin disi një pikë referimi.
Së pesti, problemi më madhor ekonomik i emigrantëve tanë është që të njihet reciprokriteti i së drejtës së sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Shteti dhe qeveria jonë duhet të nënshkruajnë me çdo shtet, në të cilin punojnë dhe jetojnë emigrantë shqiptarë, një marrëveshje të shkëmbimit reciprok të kontributeve të sigurimeve shoqërore të emigrantëve. Kjo do të thotë, që emigranti shqiptar të ketë të drejtën që të zgjedhë vendin ku do të marrë pension dhe të drejtën që të transferojë sigurimet shoqërore, që ka kontribuar, në atë shtet që ai preferon që të nxjerrë pensionin e vet. Sa marrëveshje të tilla keni lidhur në këta dhjetë vite? Ku janë përpjekjet tuaja të përsëritura ndër vite, për të realizuar një marrëveshje të tillë me shtetin fqinj grek, në një kohë që kemi mbi 500 mijë emigrantë atje? Apo e keni harruar këtë detyrë dhe mision madhor që keni si qeveri?
Cinizëm vrastar me qindra e mijëra familjet që keni përjashtuar nga ndihma ekonomike
Prej kohësh e keni denatyruar skemën e ndihmës ekonomike, duke mos e çuar tek më të varfrit dhe ata më në nevojë. Sipas një konstatimi të një raporti të Bankës Botërore(https://documents1.ëorldbank.org/curated/en/700701590958868545/pdf/AL-P122233-IBRD81410-Social-Assistance-Modernization-Project-Part-2-Auditors-report-FY2018-English.pdf ),70 përqind e familjeve më të varfra në Shqipëri janë të përjashtuara nga ndihma ekonomike. Të dhënat janë bërë publike në një raport auditimi mbi projektin e modernizimit të asistencës sociale. Raporti ka analizuar familjet që përbëjnë 10 përqindëshin më të varfër të popullsisë, ose 75 mijë familjet më të varfra të vendit. Sipas tij, vetëm një e treta e tyre janë të mbuluara nga ndihma ekonomike, ndërsa pjesa tjetër jo. Ju keni përjashtuar pa ju dridhur as dora, as edhe shpirti(në keni një të tillë), me qindra persona dhe familje që kanë anëtarët e tyre invalidë pune. Keni përjashtuar nga KEMP-i me qindra e ndoshta mijëra të tjerë, që e meritojnë trajtimin e KEMP. U keni mohuar ndihmën ekonomike personave kujdestarë të personave me aftësi të kufizuar. Keni abuzuar me pikavarazhin për marrjen e ndihmës ekonomike. Lista e abuzimeve tuaja me skemën e ndihmës ekonomike është e pafundme. Ju që keni përjashtuar nga skema e ndihmës ekonomike, familje tejet të varfëra, vetëm pse kanë një lavatriçe, apo televizor në shtëpi, duhet të dini se lavatriçja dhe televizori janë brenda standardit të arësyeshëm për jetesë dinjitoze, dhe jo indikatorë të mungesës së varfërisë!
Kryeabuzimi juaj social: mosmiratimi i ligjit për caktimin e minimumit jetik zyrtar!
Në qershor të këtij viti, opozita dorëzoi në Kuvend projektligjin për vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh për çdo shqiptar, si një domosdoshmëri jetike, për të nxjerrë qytetaret tane nje here e pergjithmone nga varfëria ekstreme. Nga ky minimum jetik zyrtar, do te përfitonin me dhjetra mijëra qytetarë qe ndodhen në ndihmë ekonomike, në papunësi dhe në pension. Deri tani kemi vetem indiference dhe mosreagim te plote nga ana juaj. Ju nuk doni ta përcaktoni minimumin jetik zyrtar. Kurrsesi jo! Këtë kam theksuar dhe në interpelancën që organizova në Kuvend në mars të këtij viti pikërisht për këtë detyrë madhore. Shqipëria, vendi ynë është i vetmi vend në Evropë që nuk e ka në legjislacionin e saj përcaktimin e minimumit jetik zyrtar, si një masë të domosdoshme dhe efektive që ndihmon Shtetin dhe vendim-marrësit publikë kryesorë të tij, për të planifikuar dhe zbatuar më drejt dhe më duhur politikat sociale në mbështetje të shtresave më vulnerabël të popullsisë. Ju mazhoranca, i kishit gjasat e plota ta miratonit Minimumin Jetik Zyrtar në vitin 2016, kur, me nismën e Avokatit të Popullit, Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike(ACER), nën drejtimin e studjuesit dhe ekonomistit të njohur Zef Preçi, realizoi studimin me titull “Llogaritja e minimumit jetik në Shqipëri. Nga minimumi jetik si mbijetesë drejt një standardi të arësyeshëm jetese”( https://ëëë.avokatipopullit.gov.al/media/manager/ëebsite/reports/LLOGARITJA%20E%20MINIMUMIT%20JETIK%20N%C3%8B%20SHQIP%C3%8BRI.pdf). Në programin tuaj të parë qeverisës 2014-2017, kishit përcaktuar si objektiv llogaritjen, publikimin dhe kalendarizimin e plotësimit të minimumit jetik në Shqipëri.
Kishit studimin e plotë shkencor nga ACER dhe Avokati i Popullit, si dhe mbështetjen e plotë të opinionit publik dhe qytetarëve. Studimi i ACER përcaktonte një minimum jetik për qytetar mbi 18,000 lekë, bazuar në kritere të forta shkencore matjeje. Sot, sipas matjeve te drejta te opozites, ky minimum ka aritur ne 200 euro. Pse nuk e përcaktuat atëhere me ligj minimumin jetik zyrtar? Pse nuk përfshitë INSTAT në kërkimin shkencor modern për varfërinë e shqiptarëve, por e latë të numëronte televizorin dhe lavatriçen në shtëpitë e të varfërvë, për t’i deklaruar të padenjë për ndihmën shtetërore? E refuzuat llogaritjen zyrtare të minimmit jetik, ndryshe nga sa vepron çdo qeveri dhe shtet i përgjegjshëm evropian, sepse kishit nisur të ëndërronit që në vitin 2016 për investimet 1 miliardë euro me PPP. Të cilat i shumëfishuat në periudhën e artë të PPP-ve tuaja, në vitet 2017-2019, kur futët duart në xhepat e shqiptarëve edhe për 13 vite të ardhshme, përmes taksave që jeni të detyruar të rrisni, për të përballuar pagesat e Buxhetit të Shtetit ndaj kontratave me partneritet publik-privat, që çdo vit pas 2017-ës dhe janë bërë gjashtë të tillë, po i tejkalojnë rregullisht të 100 milionë eurot. Kjo është arësyeja pse nuk ju mjaftojnë paratë për detyrimet financiare që lindin nga skemat e duhura të kompensimit të varfërisë, që imponon përcaktimi zyrtarisht dhe me ligj i minimumit jetik. Nuk vlerësoni zyrtarisht minimumin jetik të popullatës, sepse ju duhet të angazhoheni të kompensoni varfërinë masive të shqiptarëve, të thelluar nga tërmeti, pandemia e Covid-19 dhe inflacioni tejet i lartë, i shkaktuar nga invazioni i Putin në Ukrainë. Ju duhet dhe e keni të domosdoshme, me minimumin jetik t? përcaktuar, që të angazhoheni në programin social të të ardhurave të garantuara për qytetarin, sikurse quhet dhe zbatohet gjerësisht kudo në botën e qytetëruar dhe humane. Por ju nuk jeni as humanë, as edhe të qytetëruar, për fatin e keq të shqiptarëve, që tani po i qeverisni.

Botuar në Gazeta Sot më 6 Tetor 2023

Postimet e lidhura