15-11-2009 / Gazeta 55
Ish-ministri i Kulturës ka promovuar librin e tij të dytë, “Brenda dhe jashtë parlamentit”, një përmbledhje shkrimesh, fjalimesh e dëshmish gjatë jetës së tij si parlamentar.
Leskaj: “Libri, një dëshmi për të gjithë ata që më kanë besuar votat dhe më kanë dhënë të drejtën t`i përfaqësoj”
Është bërë tashmë një traditë që krahas shkrimtarëve me emër, të shkruajnë libra dhe politikanët. Bujar Leskaj, ish-ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka prezantuar pasditen e djeshme librin e tij të dytë “Brenda dhe jashtë parlamentit”. Ky libër i cili ka në qendër diskutime të kryera në kuvendin e Shqipërisë, shkrime por edhe intervista të shumta, u prezantua në kuadër të panairit të 12 të Librit “Tirana 2009”, në pallatin e Kongreseve.
Në ceremoninë e promovimit ishin të pranishëm personalitete të fushave të ndryshme si politika, arti, etj. Miq të autorit vlerësuan librin dhe guximin e tij për të shkruar e për të thënë të vërtetën. Publicisti Bardhyl Londo theksoi në përshëndetjen e tij, se Bujar Leskaj do të mbetej “një ministër kulture, të cilit nuk do t′i humbtte vula”. Për politologun Gëzim Tusha, “ky libër ka dimension të veçantë dhe konkret, pasi botimi vjen në formën e një enciklopedie personale të veprimatrisë së tij ku spikat stili polemizues i Bujarit”. Pjesë e rëndësishme e librit “Brenda dhe jashtë parlamentit” është cilësuar dhe kontributi i tij në fushën e studimeve parlamentare. Madje juristja dhe pedagogia Aurela Anastasi u shpreh se “ky libër luan një rol të rëndësishëm, pasi në të ne mund të informohemi me diskutimet që janë bërë për marrjen e vendimeve të ndryshme, si dhe studimin e tyre nga ana juridike”.
Njëkohësisht roli i Bujar Leskajt në parlamentin shqiptar është veçuar dhe për ndjeshmërinë ndaj të përndjekurve politikë, të cilët i ka përfshirë dhe në librin e tij. Vetë autori u shpreh se” ky libër është një dëshmi dhe dokumentim që mendoj se mund t′u vlejë politologëve dhe studentëve dhe studiuesve të ndryshëm për të parë konkretisht një pjesë të diskutimeve të bëra në parlament”. Leskaj ka shtuar më tej se “këtë libër e shoh gjithashtu si një dëshmi për të gjithë ata që më kanë besuar votat e tyre dhe më kanë dhënë të drejtën t`i përfaqësoj”. Gjatë ceremonisë, e morën fjalë mjaft kolegë të tij, në Kuvend, në jetën akademike apo në kontributin e tij aktiv në Qarkun e Vlorës.
Në librin “Brenda dhe jashtë parlamentit” përfshihet një periudhë dy vjeçare mes majit të 2007 deri në maj të 2009. Në të bëjnë pjesë dhe një sërë veprimatrish politike, kulturore të zhvilluara në Vlorë për Kosovën si dhe vizita e takime të realizuar në Kosovë gjatë kësaj periudhe.
Bujar Leskaj u lind në Vlorë në 3 korrik të1966. Ai ka qënë deputet i Vlorës në legjislaturën 2005-2009 të kuvendit të Shqipërisë. Gjatë kësaj periudhe ka qënë dhe ministër i Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve. Leskaj është diplomuar për Inxhinier Nafte, Financë dhe Juridik. Ai ka marrë pjesë rregullisht në shumë konferenca shkencore brenda dhe jashtë vendit.
Libri i promovuar dje është i dyti për të, pasi ka shkruar dhe nje tjetër libër të titulluar “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009”