I- Pro koalicioneve parazgjedhore, sepse: Koalicionet janë të rëndësishme jo vetëm për Partinë Demokratike (Rithemelimin), por në radhë të parë për vetë demokracinë! Sepse nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore të gjitha partitë opozitare të djathta dhe qendrës kanë mundësinë e asocimit politik maksimalist. Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, ndershmëria e barazia e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi drejt i vullneteve të tyre në qeverisjen qendrore. Në këtë mënyrë asnjë votë e opozitës nuk shkon dëm, si nga partitë e vogla të djathta ashtu edhe nga ato parti opozitare, të cilat mund të krijohen pak muaj përpara zgjedhjeve (të nxitura ose jo nga loja e pistë e Ramës). Le të mos harrojmë që në rast se do të ishin lejuar koalicionet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ashtu siç i kërkoi PD, opozita sot do të ishte në pushtet! Ndaj zhbërja e ndryshimeve kushtetuese që hoqën koalicionet dhe që u kaluan me ndihmën e opozitës “kërpëratë” duhet të jetë kërkesë e vazhdueshme dhe e panegociueshme e opozitës sot. Më hollësisht këtë çështje e kam theksuar në diskutimin tim në Parlament në 5 maj 2023 (Pse deputetët e Kuvendit, veçanërisht ne të opozitës, duhet të votojmë kundër paketës për rritjen e pagave.), paragrafi I.2: “Thika pas shpine në garat zgjedhore. … Ne si opozitë nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, për sa kohë nuk kryhet e plotë reforma zgjedhore në vend. Rama u tall më 2020 dhe 2021 me interesin madhor të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe me transparencë. Po me deputetët e kërpëratave, shkeli në prill 2021 marrëveshjen politike të qershorit 2020 për reformën zgjedhore, e cila dukej se kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pengimi i koalicioneve parazgjedhore ishte një thikë pas shpine ndaj përpjekjeve që bëri opozita, për të garantuar një garë të drejtë zgjedhore. Kjo thikë pas shpine solli deformimin e garës, dhe për rrjedhojë, edhe të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021… …Rama na goditi sërish më 2023 në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku, përmes makinacioneve, pengoi koalicionet parazgjedhore dhe i kushtëzoi ato, deri në përcaktimin e vulës apo siglës, apo, sikurse na ndodhi ne, deri në mosvendosjen e emrit të kryetarit të koalicionit në fletën e votimit…”
II- Pro listave të hapura, sepse:
Vetëm në këtë mënyrë sigurohet transparenca në zgjedhjet politike të kandidatëve për në Kuvendin e Shqipërisë. Shmanget në maksimum kryetarokracia dhe kandidatët e preferuar të kryetarit. Gjithashtu listat e hapura nënkuptojnë që duhet të zgjidhen për në Kuvendin e Shqipërisë ata kandidatë, të cilët gëzojnë mbështetjen, besimin dhe marrin përgjegjësinë përpara votuesve. Votimi i kandidatëve me lista të hapura do të rriste cilësinë e të zgjedhurve të Parlamentit, pasi deputetët që do të hyjnë në atë institucion do të duhet të kalojnë disa filtra jo vetëm të zgjidhen nga lidershipi i një partie. Deputetët e zgjedhur duhet të kalojnë “provën” reale te qytetarëve. Lista e hapur bën të mundur që kandidatët në listë të jenë në garë të ndershme edhe mes njëri- tjetrit. Listat e hapura rrisin cilësinë e sistemit, sepse në përzgjedhjen e atyre që do të shkojnë në Parlament, përveç vendimmarrjes së ardhur nga lidershipet e partive, efekt vendimmarrës ka edhe vetë qytetari me përzgjedhjen që vetë do të bëjë. Zhvillimi i Primareve, proces i cili në PD duhet të vazhdojë e të përmirësohet, do të ishte një lloj filtri pozitiv e me impakt të gjerë për kandidatët për deputetë të PD, pasi të korrigjohen dhe pak mangësi nga procesi i mëparshëm.
III- Zvogëlimi i numrit të deputetëve, sepse: Tkurrja e popullsisë ( përflitet në shifrat 1.700.000 banorë)duhet të na bëjë të reflektojmë që edhe numri i deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë të reduktohet, në maksimumi 100, në mënyrë që të rritet përfaqësimi cilësor në pushtetin ligjvënës dhe ky përfaqësim të jetë në raport të drejtë e të pranueshëm me popullsinë e vendit. Besoj se ulja e numrit të deputetëve do të kontribuojë në kthimin e dinjitetit të institucionit ligjvënës, pasi çdo parti do të synojë të zgjedhë paraprakisht kandidatë të spikatur. Njëherazi ky reduktim i numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë duhet të reflektohet edhe në administratën publike, e cila është rritur ndjeshëm në këto 11 vite të pushtetit të sektit Rama me pak specialiste e shumë patronazhistë dhe është e provuar tashmë që patronazhistët punojnë vetëm për partinë e sektin në pushtet duke keqpërdorur taksat e popullit.
IV- Vota e emigrantëve e domosdoshme, sepse: Partia Demokratike duhet të përpiqet për të garantuar dhe të këmbëngulën për votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e cilëson mohimin e të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve si antikushtetuese dhe shkelje të të drejtave themelore të tyre. Vota e emigrantëve nuk duhet të frikësojë politikën shqiptare. Askush nuk duhet ti frikësohet adresës politike të kësaj vote. Ajo është votë e njerëzve që duan vetëm Shqipërinë, prosperitetin dhe të mirën e saj…Natyrisht duhet të përcaktohen mirë modalitetet e regjistrimit të diasporës për pjesëmarrje në votime, sepse mund të ekzistojë rreziku që nëse regjistrohen nëpërmjet portalit e- Albania, të dhënat e tyre mund të keqpërdoren nga qeveria dhe vota e tyre të manipulohet. Mënyra se si do të llogaritet vota e tyre, në cilat qarqe, sa deputetë i korrespondojnë, etj është tjetër gjë, e cila diskutohet në një fazë të dytë.
Botuar në Gazeta Sot më 03.02.2024
Mendime mbi Reformën Zgjedhore
