Për një politikë dinjitoze të sigurimeve shoqërore

Sikurse kam bërë edhe më parë, dhe kështu ka vepruar e gjithë opozita shqiptare, përshëndes marrëveshjen e 6 shkurtit 2024 me qeverinë italiane, për njohjen e së drejtës së pensionit dhe dhënien e tij për qytetarët shqiptarë që kanë kontribuar me punën e tyre në sigurimet shoqërore italiane, si dhe votoj Projektligjin për Ratifikimin e kësaj marrëveshje. Uroj që një marrëveshje e tille të shtrihet edhe me Greqinë dhe me shtete të tjera, ku kemi një komunitet të madh të emigrantëve tanë. Por krahas kësaj, nuk mund të mos tërheq vëmendjen dhe theksoj disa probleme të mprehta që po kalon sot politika jonë e sigurimeve shoqërore në vend, si dhe përpjekjet për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë një pension dinjitoz në vendin e tyre.

Reforma e pensioneve: në vendnumëro dhe në një cektinë të rrezikshme

Skema e pensioneve në Shqipëri u reformua për herë të fundit në janar të vitit 2015, me rritje të moshës së pensionit dhe ulje të masës së përfitimit. Kjo skemë ka prodhuar pensione të pjesshme në 48 përqind, në gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të pensionistëve, që sot është mbi 710 mijë vetë. Reforma aktuale përfundon në vitin 2025. Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria është vendi i katërt në Evropë që po plaket më me shpejtësi, pas Maltës, Italisë dhe Spanjës. Numri i pensionistëve pritet të rritet më tej përgjatë viteve të ardhshme, për shkak të strukturës moshore të popullsisë, nivelit të lartë të emigrimit të popullsisë së aftë për punë, ndërsa numri i kontribuesve në skemën shtetërore të pensioneve parashikohet të mos pësojë rritje, madje edhe mund të ulet, në varësi të tregut të punës dhe të nivelit të emigrimit. Financimi nga buxheti i shtetit për të balancuar buxhetin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore mbetet ende shumë i lartë, duke reflektuar një nivel mbulimi jashtëzakonisht të ulët të skemës, nga të ardhurat nga kontributet. Skema e pensioneve vijon të ketë një defiçit vjetor shumë shqetësues, duke e detyruar Buxhetin e Shtetit të heqë një pjesë të mirë të taksave të taksapaguesve shqiptarë, për të financuar dhe mbajtur në këmbë Skemën. Qeveria i gëzohet uljes së defiçitit të përgjithshëm të Skemës në dy vitet e fundit, për shkak të rritjes së pagës minimale. Ndërkohë, ajo që ka më shumë rëndësi, masa e pensionit nuk është rritur! Në vitin 2022, pensionisti i qytetit në Shqipëri mori një përfitim mesatar prej 18,615 lekësh në vitin 2022, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 1%, në krahasim me përfitimin mesatar të vitit 2021, kur ishte 18,485 lekë, sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të publikuara së fundmi. Inflacioni mesatar ishte 6.7% për vitin 2022, periudhë kur përfitimet mesatare të pensionistëve urbanë u rritën me vetëm 1%. Vërtet këtë vit pensionet e zonave rurale patën një rritje me 7%, por të ardhurat mujore për të 91 mijë pensionistë ruralë të Shqipërisë janë vetëm 10,888 lekë! Në nivel të pensionit mesatar, vitin e kaluar na e ka kaluar edhe Kosova. Jemi në vendin e fundit në rajon, për masën e pensionit. Pensioni mesatar tek ne është 187 mijë lekë në muaj, ose vetëm 187 euro. Kjo e ardhur për një familje me dy pensionistë si kryefamiljarë përfaqëson vështirësi të jashtëzakonshme dhe afër mjerimit! Për këtë vit dhe në vitet e ardhshme, defiçiti i përgjithshëm i skemës së pensioneve pritet vetëm të përkeqësohet, pasi paga minimale nuk mund të rritet më dhe me dhjetra mijëra kontribuues në skemë priten t’i largohen vendit çdo vit, në emigracion. Në këtë situatë, reforma dhjetëvjeçare e deritanishme e pensioneve ndodhet në vendnumëro dhe po i afrohet një cektinë shumë të rrezikshme. Vendi ka nevojë parësore tani për një reformë radikale në fushën e pensioneve, pa pritur fundin e vitit 2025.

Politikë skandaloze pensionesh dhe sociale, me mungesën e përcaktimit zyrtar të Minimumit Jetik

Kam dy vite radhazi, që në Kuvend paraqes propozimin për amendimin e Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjeve të Buxhetit të Shtetit për vitet 2023 dhe 2024, në pjesën e Sigurimeve Shoqërore, duke shtuar përcaktimin zyrtar të Minimumit Jetik, si më poshtë: “Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit në vijim, qeveria të përcaktojë Minimumin Jetik Zyrtar, në bazë të studimeve dhe anketave të deritanishme, të kryera nga Instituti i Statistikave. Duke filluar nga korriku i vitit në vijim, gjatë gjithë gjashtëmujorit të dytë dhe për buxhetet e viteve të tjera, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe për familjet në skemën e asistencës sociale, të indeksohen (plotësohen), deri në respektimin e Minimumit Jetik Zyrtar”. Vakuumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik zyrtar duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, si dhe t’u ofrohen garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës. Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian, pasi secili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit. Për ne, integrimi evropian, si paradigmë e vetmja dhe e patjetërsueshme zhvillimi, duhet të jetë një koncept i kristalizuar në politikën tonë dhe në korpusin tonë legjislativ. Minimumi Jetik Zyrtar duhet të përbëjë një shtyllë dhe pjesë thelbësore të zhvillimit ekonomik, social e shoqëror në tërësi. Ngre pyetjen: ku janë planet tona për garantimin qytetarëve tanë, në radhë parë pensionistëve tanë dhe atyre nën asistencë sociale, të një jetese dinjitoze, në respekt të parimeve të zhvillimit shoqëror të Bashkimit Evropian, me të cilin po bisedojmë që të anëtarësohemi? Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Nga analiza e legjislacionit shqiptar në tërësi, rezulton se minimumi jetik është një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Vakumi ligjor i përcaktimit të Minimumit Jetik duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe të sigurohen garancitë e qytetarëve në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës. Mungesa e përkufizimit të minimumit jetik zyrtar në legjislacionin për mbrojtjen sociale, ndikon negativisht në hartimin e politikave të përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbrojtjen sociale, si dhe në masën e duhur të pensioneve në fshat dhe qytet.

Varësia e ISSH duhet të vijojë të ngelet nga Ministria e Financave

Skemat e sigurimeve shoqërore janë skema tipike financiare-mbledhje të ardhurash, investime dhe pagesa. Ato, gjatë ushtrimit të aktivitetit realizojnë mbrojtje shoqërore. Megjithëse në praktikë konsiderohen si skema të mbrojtjes shoqërore, në funksionim janë institucione financiare që japin përfitime, vetëm bazuar në pjesëmarrje. Ato nuk ofrojnë mbrojtje shoqërore sipas nevojës siç janë skemat sociale që mbrojnë të varfrit, personat me aftësi të kufizuar apo grupe të tjera vulnerabël. Skemat e pensioneve në veçanti dhe skemat e sigurimeve shoqërore janë shumë të rëndësishme në shtetin e të drejtës pasi ofrojnë mbulim për gjithë popullatën në stade të ndryshme të ciklit jetësor. Konkretisht, skema shqiptare e pensioneve është defiçitare dhe gjithë defiçiti mbulohet nga të ardhurat e taksimit të përgjithshëm, që mblidhen nga buxheti i shtetit, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave. Financimet e Buxhetit të Shtetit nuk janë të lidhur me punën dhe punësimin, por janë transferta të pastra financiare. Tavanet e shpenzimeve vjetore dhe afatmesme të ISSH përcaktohen nga Ministria e Financave, nëpërmjet një bashkëpunimi dhe diskutimi të përhershëm dhe intensiv, duke e theksuar më tepër statusin financiar që ka ISSH. Krahas financimit dhe buxhetimit, e gjithë arkitektura pagesave e ISSH është e lidhur ngushtësisht me sistemin e pagesave të Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit. Çdo ditë ISSH financohet nga Ministria dhe Thesari në mënyrë të drejtpërdrejtë, si institucion varësie duke shmangur vonesat në pagesa, por duke realizuar edhe një menaxhim të mirë të cash-it të Thesarit. Kalimi në varësi të një ministrie tjetër do të krijonte vështirësi në financim të pagesave ditore dhe rakordimeve të fondeve, që janë shumë të mëdha. Varësia nga MoF mundëson buxhetimi më të mirë, financim më të sigurtë dhe të shpejtë për ISSH-në, adresim më të mirë të politikave sociale jo kontributive, raportim korrekt në qeveri dhe Kuvend, auditim të saktë dhe në kohë të pasqyrave financiare, si dhe menaxhim të mirë të cash floë-t. Në vazhdën e eksperimentit të rrezikshëm që u ndërmor disa vite më parë nga sekti Rama në pushtet, me krijimin e superministrisë së Financave dhe Ekonomise, një krijesë e panatyrshme qeveritare, pse mblidhte bashkë dy ministri në konflikt të hapur interesi me njëra-tjetrën, edhe kalimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërorë në vartësinë e Ministrisë së Ekonomisë, është sa i rrezikshëm, aq edhe aventurë. Ne duhet ta ruajmë pavarësinë aktuale të ISSH-së, si vepruese dhe në drejtim të gjenerimit të politikave të institucionit.

Botuar në Gazeta Sot më 18.05.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *