Gazeta Metropol, date 18/05/2009.Nga KRISTAQ GJYLI.Duke lexuar publikimin “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë (1912-2009)”, përgatitur me përkushtim nga autori Bujar Leskaj, impresionohesh për shkak të vlerave që mbart “ky fjalor i vogël enciklopedik i përfaqësimit politik”. Si rrallë në ndonjë vepër, aty mund të gjesh të ndërthurura vlerat historike dhe aktuale të jetës politike, vlerat e thjeshta njerëzore të shoqërisë me vlerat politike të saj, elitat politike në kohë të ndryshme, përfaqësim pluralist, figura të shquara historike dhe figura të thjeshta të mendimit të shtypur. Gjithë sa më sipër e bashkon një vlerë e vetme: shpirti atdhetar vlonjat. Është ky shpirt që e bashkon edhe autorin me të gjitha figurat e paraqitura në tekst. Të gjithë ata janë vlonjatë, gjë që shpreh shumë.
Si qytetar vlonjat, autori ruan një ndjesi të veçantë për ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe aty ka filluar rrëfimin e tij, si për të treguar edhe një herë se ç′ditë e shënuar ishte ajo për kombin tonë.
Kohët e fundit ka pasur mjaft përpjekje nga autorë të ndryshëm për të evokuar përmes botimeve historinë e vendit të tyre, të zonës apo të familjes së tyre. Kjo është një prirje normale e shoqërisë sonë, që rend të kërkojë identitetin lirisht. Sidoqoftë, botimi që kemi në duar është një punim me vlerë të veçantë në këtë kuadër. Kjo sepse përmes historisë politike të qytetit, përmes figurave biografike të qytetit të tij, autori synon gjetkë: ai kërkon të evokojë përfaqësimin politik dhe ligjor si një parim demokratik mjaft i rëndësishëm. Punimi ka vlera të padiskutueshme njohëse, gjë që mund ta shtyjë lexuesin lehtësisht të arrijë në konkluzione të caktuara lidhur me përfaqësimin ligjor vlonjat. Sa i aftë ka qenë ky qytet të përfaqësojë në Parlament shpirtin e vërtetë të vlonjatit? Të mos harrojmë se ky shpirt u mbrujt me idenë e evropianizimit që në fjalimet e para të Ismail Qemalit dhe programin e qeverisë së parë të shtetit të pavarur shqiptar. Autori ka punuar me kujdes, por nuk ka bërë asnjë seleksionim të figurave që e përfaqësuan në Parlament popullin e Vlorës, pavarësisht nga orientimi i tyre politik.
Duke e ndarë punimin në periudha të caktuara historike, autori e shpreh qëndrimin e tij përmes komenteve dhe analizave që u ka bërë periudhave më të rëndësishme të Historisë së Shqipërisë, pikërisht aty ku historia e Vlorës merr vlera të pamohueshme kombëtare. Edhe deputetët e periudhës së shtetit monist kanë zënë vend në punim. Karakteri i parimit të përfaqësimit natyrisht që këtu goditet rëndë. As nuk bëhet fjalë për elitë, sikurse ndodhi me përfaqësuesit e pazgjedhur të ngjarjeve të mëdha, si Kuvendi i Vlorës dhe Kongresi i Lushnjës. Sidoqoftë, edhe evokimi i tyre në tekst ka vlera të mëdha, veçanërisht për të pasqyruar të vërtetat historike dhe për të nxjerrë konkluzionet e duhura edhe për këtë periudhë. Midis tyre ka pasur njerëz të punës, idealistë komunistë, të cilët besonin vërtet në krijimin e një rendi të drejtë shoqëror. Por zëri i përfaqësimit të tyre mbetej formal. Sidoqoftë, kjo periudhë ka nevojë për trajtim e për analiza të paanshme historike e politike.
Ky është një shërbim tjetër që autori Bujar Leskaj u bën qytetarëve të Vlorës. Në pamje të parë vepra të jep përshtypjen se është punuar nga një historian i mirëfilltë, por në të vërtetë është shkruar nga një deputet, i cili ka marrë përsipër të nxjerrë në dritë fakte dhe ngjarje historike, figura të shquara jo vetëm për Vlorën, por për mbarë vendin. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë të gjejmë identitetin tonë, të cilin në mënyre të pamohueshme e gjejmë në çdo faqe të këtij libri, të punuar me finesë dhe përkushtim.
Personalisht do ta kisha shumë të vështire të merrja përsipër një sipërmarrje të tillë, për faktin se në këtë punim bëhet fjalë për figura kaq të ndryshme dhe ndonjëherë krejt të kundërt nga njëri-tjetri, në kohë dhe ideale, në formim dhe qëllimet që kanë pasur. Megjithatë, autori ia ka dalë më së miri jo thjesht të na japë informacion, por njëkohësisht të japë opinionin dhe qëndrimin e tij krejt origjinal.
Së fundi, do të thosha se punimi nuk ruan vetëm vlera rajonale, pra të lidhura me qytetin e Vlorës. Ai është një punim me vlera të mirëfillta kombëtare. Kjo sepse historia e Vlorës është histori e gjithë Shqipërisë.