Paaftësia në mbikëqyrje e AKEP-it

Jam i detyruar të votoj kundër Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), për arsyet e mëposhtme:
Qytetarët pesëfishojnë ankesat, AKEP vendos një gjobë…10 milionë lekë!
Sipas informacionit nga vetë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), vitin e kaluar u depozituan në këtë institucion 2,123 ankesa nga pajtimtarët e shërbimeve të komunikimeve elektronike publike, në krahasim me 415 ankesa të paraqitura në vitin 2022. Edhe pse ankesat e përdoruesve pranë AKEP, në lidhje me refuzimin e kërkesave për bartjen e numrit celular nga operatori transferues, me mbifaturime, me pengesat apo vonesat për mbylljen e kontratës apo kalimin nga plane tarifore paspagesë në ato me parapagesë, etj., u pesëfishuan gjatë vitit 2023, institucioni veproi shumë me vonesë, duke vendosur një gjobë ndaj një prej dy kompanive të shërbimeve celulare në vend, tek e cila përqendroheshin 90 përqind e ankesave të qytetarëve, vetëm në nëntor 2023. Masa e gjobës prej 10 milionë lekësh ishte shumë e vogël, gati simbolike, për një operator që qarkullon me dhjetëra milionë euro në muaj. Shumë pak për një detyrë madhore që kishte AKEP vitin e kaluar dhe e ka edhe këtë vit e më tej, atë të kontrollit të rreptë dhe të detajuar të procesit që solli një situatë duopol në tregun e telefonisë celulare në Shqipëri.

AKEP, i paaftë të mbikëqyrë si duhet situatën duopol

AKEP u tregua i paaftë të mbikëqyrte plotësisht dhe me profesionalizëm të lartë procesin e ndërlikuar teknik të bashkimi mes dy ish-operatorëve në treg, proces që u reflektua edhe me shumë probleme në shërbimin për klientët. Që prej fillimit të vitit të kaluar, tregu i telefonisë celulare në vend ka vetëm dy operatorë, pas bashkimit me përthithje te operatorëve One Telecommunications dhe Albtelekom. Kjo situatë shtron rreziqe për rritjen e çmimeve nga dy operatorët e mbetur, për shërbimet që ofrojnë, duke reduktuar përfitimet e konsumatorit, madje, në shumë raste, edhe duke e dëmtuar atë. Edhe pse tërësisht i ndërgjegjësuar për këto rreziqe, sidomos për praninë e sjelljeve bashkërenduese ndërmjet operatorëve në treg, nëpërmjet strategjive të çmimit dhe rritjes së dyshemesë së çmimit për të njëjtin shërbim, përfshirë këtu edhe tarifimin e shërbimeve të tjera shtesë që impaktojë drejtpërdrejt shërbimin parësor të kontraktuar nga pajtimtari, AKEP nuk ka vepruar energjikisht për parandalimin dhe mënjanimin e tyre. Efekti potencial negativ në situatën duopol të krijuar në tregun celular, ndikohet edhe nga faza e maturimit të këtij tregu, pasi beteja e mundshme për të ndryshuar bazën e pajtimtarëve në një treg ku nuk ka rritje të bazës së pajtimtarëve, do të fokusohet kryesisht për të njëjtën bazë konsumatore, të cilën aktualisht e zotërojnë dy operatoret aktuale. AKEP justifikohet për mosveprimin e tij rregullues, me mangësitë e kuadrit ligjor aktual, i cili nuk i mundëson instrumentet e nevojshme për të ndërhyrë në tregun me pakicë të komunikimeve celulare legjislacionit, kur duhet te ishte vete ky institucion promotor i ndryshimeve përkatëse ligjore! Vitin e kaluar u hodh për konsultim ligji i ri “Për komunikimet elektronike”. AKEP nuk provoi me të gjitha mundësitë e tij lobuese që ligji të miratohej brenda vitit 2023 dhe nuk doli asnjëherë publikisht me fushatë sensibilizuese dhe mesazhe të forta, për domosdoshmërinë e miratimit sa më parë të ligjit të ri. Ky ligj u miratua vetëm ditët e fundit dhe kjo vonesë përbën një dështim të madh të AKEP. Le të shpresojmë që ligji i ri i sapomiratuar, do të zbatohet me ekzigjencë nga operatorët në treg dhe do të mbikëqyret me profesionalizëm dhe përkushtim nga AKEP. Legjislacioni i Bashkimit Europian parashikon se një rregullim ex ante (paraprak) i tregjeve të komunikimit mund të justifikohet, në rastet kur përmbushet testi i tri kritereve: (i) ekzistenca e barrierave hyrëse dhe jo kalimtare për hyrjen e konkurrentëve të rinj; (ii) një strukturë tregu që nuk është e orientuar ndaj konkurrencës efektive dhe (iii) pamjaftueshmëria e ligjit të konkurrencës për të adresuar problemet e tregut. Edhe pse Autoriteti i Konkurrencës i ka kërkuar disa herë AKEP në dekadën e fundit te punoje për vendosjen në rregullim të tregut celular me pakicë, AKEP e ka kundërshtuar vazhdimisht një rekomandim të tillë, me argumentin e pabazë se testi i tre kritereve nuk e justifikonte një ndërhyrje të tillë.

AKEP, tërësisht i përgjumur ndaj sfidës së teknologjisë 5G!

Zbatimi në Shqipëri i teknologjisë 5G duhet të ketë si përmasë kryesore respektimin e obligimeve tona në fushën e sigurisë si vend anëtar i NATO-s dhe partner strategjik i SHBA-ve. AKEP, edhe gjatë vitit të kaluar, ka qëndruar indiferent ndaj rekomandimit për ngritjen e një Komiteti Kombëtar për vlerësimin e investimeve strategjike për teknologjinë 5G. Në këtë Komitet duhet të ketë përfaqësues jo vetëm të fushës ekonomike, por edhe të fushave të sigurisë, informatike, mbrojtjes etj. Për këtë duhet miratuar një bazë e posaçme ligjore nga Kuvendi i Shqipërisë. Detyrat e këtij Komiteti duhet të përfshijnë, ndër të tjera, (1) vlerësimin nëse ofruesit e teknologjisë 5G janë subjekt i kontrollit nga një qeveri e huaj, pa një proces të pavarur gjyqësor; (2) vlerësimin nëse furnitorët e rrjetit dhe ofruesit e shërbimit financohen në mënyrë transparente, duke përdorur praktikat më të mira në prokurim, investim dhe kontraktim; (3) vlerësimin nëse ofruesit e shërbimit kanë pronësi, partneritet dhe struktura qeverisëse koorporative transparente; (4) vlerësimin nëse ofruesit janë shembull i inovacionit dhe respektit për zbatimin e ligjit dhe të drejtave të pronësisë intelektuale; si dhe (5) vlerësimin e riskut dhe sigurisë që ofruesit dhe teknologjitë e rrjetit krijojnë një mjedis të sigurt, pavarësi nga ndikimi qeveritar dhe pajtueshmëri me standardet e industrisë. Aksioma e punës së këtij Komiteti duhet të jetë respektimi i statusit tonë si vend anëtar i NATO-s, konsideruar si investimi më i madh strategjik në fushën e sigurisë kombëtare, që Shqipëria ka arritur në ekzistencën e vet si shtet. AKEP ende është shumë mbrapa për rekomandimin me forcë të masave emergjente të ruajtjes së teknologjisë së informacionit të instaluar në strukturat tona kryesore qeveritare dhe shtetërore në tërësi, nga sulmet kibernetike dhe piratereske, edhe pse shumë struktura nevralgjike si INSTAT, portali “e Albania, etj., kanë qenë objekt dhe janë dëmtuar nga këto sulme vitin e kaluar dhe këtë vit. AKEP i mungon strategjia dhe planet e veprimit për zhvillimin dhe zbatimin e duhur të teknologjive të reja të informacionit. Modalitetet e përdorimit të internetit në administratën publike kanë treguar mungesë procedurash për administrimin e incidenteve në platformat kompjuterike dhe rrjetat e tyre; përdorim jo të përshtatshëm të trafikut të internetit dhe mungesë kontrollesh ndaj përdoruesve, duke shtuar rrezikun e cenimit të të dhënave. Me kalimin e infrastrukturës celulare nga rrjeti 4G në atë 5G, jo vetëm përdorimi, por krejt ekonomia jonë mund dhe duhet të riorganizohet rreth teknologjisë më moderne, si shtyllë kurrizore e saj. Teknologjia 5G premton inteligjencë artificiale, mjete autonome transporti, civile dhe ushtarake, si dhe qytete smart, etj. Një teknologji e tillë nuk është thjesht një motor ekonomik, që do të shtojë forcën tërheqëse drejt rritjes ekonomike. Në duart e gabuara, ajo mund të shndërrohet në një instrument kontrolli dhe cenimi fatal sigurie. AKEP ende nuk është gati dhe nuk ka strategjinë e duhur, për të na dhënë siguri të arsyeshme të përdorimit të teknologjisë 5G. Kjo është arsyeja kryesore, pse kjo teknologji e së sotmes dhe së ardhmes nuk ka hyrë tek ne dhe nuk do të hyjë, për fat të keq, edhe për një periudhë tjetër të gjatë, edhe për shkak të mosreagimit dhe mosveprimit në kohën e duhur të AKEP.

Botuar në Gazeta Sot më 29.06.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *