Vlora në Kuvendin e Shqipërisë

Gazeta Shqip, date 16 Maj 2009.

Deputeti Bujar Leskaj ndërton një kronologji të figurave më të njohura
“Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009” është libri më i fundit që deputeti Bujar Leskaj ka prezantuar në Vlorë, qytetin e tij. Përmes personazheve të njohur, libri është edhe një udhëtim në momentet kyçe historike të këtij qyteti dhe trevave përreth, një rrëfim që nis nga shpallja e pavarësisë kombëtare e deri më sot. Janë 152 përfaqësues të tillë. Megjithëse jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në vitin 1920, autori, deputeti Bujar Leskaj, është shtyrë në kohë, duke u zhvendosur në periudhën kur u hodhën themelet e shtetit shqiptar, me Ismail Qemalin. Prandaj dhe figurat e kësaj periudhe përjetësohen në këtë libër përmes një analize historike. Përfaqësuesit e Vlorës nuk morën pjesë në Kongresin e Lushnjës për shkak të pushtimit italian, por mesazhi i popullit të këtyre krahinave ishte i fuqishëm në mbështetje të vendimeve të këtij kongresi. Periudha 1920-1924 zë një vend të rëndësishëm në faqet e këtij libri, përmes emrave të njohur të atyre që përfaqësuan Vlorën në parlamentin e atyre viteve, ndërkohë që periudha nga 1924 e deri në 1939 përvijohet me dimensionet e momenteve që shoqëruan konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar. Autori ndalet më tej në 1939-1944, në Konferencën e Mukjes, duke mbërritur deri në ditët e sotme. “Libri është i hapur dhe mund të plotësohet në vazhdimësi”, ka thënë vetë Leskaj gjatë promovimit.