Nga Bujar LESKAJ ne gazeten ?Panorama, 12 Tetor 2008.
Ndryshimi kushtetues i sistemit të zgjedhjeve në Shqipëri nga maxhoritar në proporcional kishte dhe ka si synim (argument) kryesor vlerësimin e plotë të aspiratave të elektoratit, pra pasqyrimin e saktë të vullnetit të “sovranit”, i cili përbëhet nga shumatorja e votave të lira të qytetarëve të lirë adresuar partive politike konkurruese. Synim i këtij ndryshimi ishte shpëtimi nëpërmjet ndërhyrjes në kryeligj, në Kushtetutë, i procesit zgjedhor nga alkimia politike e prodhuar nga partitë tona politike në disa legjislatura, ose thënë thjesht që elektorati dhe partitë të mos shijonin më lëndët e hidhura (apo të ëmbla) të pemës “Dushk”. Kjo ishte në të mirë të demokratizimit të zgjedhjeve dhe demokratizimit të vetë shoqërisë, në të mirë të afrimit maksimal me standardet e BE-së, ku “pyjet e Dushkut” janë çrrënjosur me kohë.
Është e vetëkuptueshme se ky ndryshim i mekanizmit zgjedhor do shoqërohej me ndryshime përkatëse nga partitë politike, rimodelime të ndryshme, me krijimin e koalicioneve të reja politike në funksion të afrisë së kaheve dhe platformave politike apo forcimin e atyre ekzistuese (siç është rasti i koalicionit tonë qeverisës).
Faktikisht koalicioni është një mekanizëm demokratik, sipas të cilit partitë me synime dhe interesa të përbashkëta dhe platforma të përafërta ecin në grup në një drejtim, duke ndjerë ngrohtësinë e supit të njëra-tjetrës, duke mbështetur njëra-tjetrën dhe duke ndihmuar njëra-tjetrën, por gjithnjë për aq sa kjo përputhet me programi i tyre. Kjo është më se normale për zhvillimet e ndershme politike.
Ndërkohë konditë sine qua non për këta koalicione është implementimi sa më natyrshëm i vullnetit dhe aspiratave të lira qytetare të votuesve dhe shmangia e rreptë e deformimit të këtij vullneti. Shmangia e rrezikut që atributi kryesor i sistemit proporcional për t′ju larguar sa më tepër ballit të “pyllit të dushkut” të mos sjellë pa e kuptuar rihyrjen nga shpina në “pyllin e dushkut”.
Pikërisht kjo kërkon zbatimin e plotë të synimit themelor të sistemit të ri proporcional, pasqyrimin dhe vlerësimin real dhe jo virtual të peshës së partive në elektorat dhe eliminimin? e aleancave fiktive, të cilat përcjellin gabuar në jetën politike parlamentare peshën reale të një partie.
Si i tillë pozicionimi parlamentar i partive duhet të jetë proporcional me peshën që ka një parti në një elektorat të caktuar, në përputhje të plotë me vullnetin e këtij elektorati të caktuar. Kjo peshë së pari është në funksion të besueshmërisë së platformës së partisë, të raportit midis premtimeve dhe mbajtjes së premtimeve nga një parti dhe last but not list- e fundit nga radha, por jo e fundit për nga rëndësia, nga besueshmëria e figurave kryesore të kësaj partie. Me një fjalë, nëse një parti e ka drejtuar ose e ka ndihmuar mirë elektoratin shpërblehet me besimin dhe votën e popullit.
Por sa qëndron kërkesa e drejtuesve të partive të vogla në aleancë me PD-në që lista e përbashkëta e partive të shoqërohet me listat e përbashkëta të deputetëve të këtyre partive në një të vetme?
Personalisht, duke theksuar vlerat dhe vlerësimin tim maksimal për këtë koalicion dhe partitë pjesëmarrëse, më duhet të theksoj se, pavarësisht faktit që jam pro koalicionit të përbërë të djathtë, unë jam kundër listës së përbashkët të deputetëve nga parti të ndryshme të koalicionit, sepse kjo ia humbet individualitetin partisë dhe i bashkon virtualisht programet e tyre sado të ndryshëm që të jenë ata nga njëri-tjetri. Partitë e një koalicioni bashkohen në pikat kardinale, por ato ndahen nga një sërë elementesh të veçantë, si p.sh., duke përmendur vetëm njërin prej tyre, për pronësinë ndaj tokës. Kjo dhe i jep individualitetin partisë dhe tërheq simpatizantët, të cilët i japin votën asaj.
Nëse një votues i bashkohet një partie të djathtë për racionalitetin e programit dhe gjen në këtë program aspiratat e tij, ai fare bukur mund të mos ta gjejë veten në programin e partisë tjetër po të djathtë dhe do ndodhet para një udhëkryqi, ku nuk do të dijë nga t′ia mbajë. Nëse një klient shkon në një restorant që′frekuenton, ai zgjedh nga menyja atë që i pëlqen dhe nuk porosit të tërë menynë nga fillimi në fund.
Por nëse do supozonim se kjo listë e përbashkët u pranua, kjo supozon se fushata do të jetë e përbashkët dhe nëse dy ditë para një kandidat i PD-së i premton në emër të koalicionit zgjidhjen p.sh. të problemit të pronësisë në një mënyrë dhe pas dy ditësh kandidati tjetër i një partie minore i premton po atyre dëgjuesve zgjidhjen e problemit në mënyrë krejt tjetër, kjo do sillte interferenca të dëmshme dhe çoroditje në elektorat.
Problemi tjetër, këtë herë etik, është se nëse gjatë rrugës një parti minore del nga koalicioni për shkaqe objektive, p.sh. mospërputhje a zbatim a programi, a thjesht subjektive, p.sh. për acarim personal të drejtuesve a drejtuesit, cilat vota do tërhiqte me vete deputeti i kësaj partie minore? Votat e PD-së për t′ia kundërvënë PD-së? Ndërkohë praktika parlamentare ka treguar se koalicionet e salduara nuk ekzistojnë.
Vlerat politike dhe etike që do prodhonte një koalicion me lista të përbashkëta deputetësh do rimbillte “filizin e Dushkut” dhe këtë herë paradoksalisht brenda një parcele, qëllimi i së cilit është eliminimi i “pemës së Dushkut”. Pranimi i presionit të partive minore të djathtë apo të qendrës së djathtë, pjesëtare të koalicionit aktual qeverisës, do të ishte një gabim për Partinë Demokratike, e cila ndërmori përsipër përgjegjësinë e ndërhyrjes në ligjin themelor të Kombit, në Kushtetutë, pikërisht për eliminimin e “Dushkut” apo ç′ka më keq do hidhte dyshime mbi qëllimin e mirë të ndryshimeve të prillit 2008.
Si epilog do ripërsëris edhe më qartë, se ne duhet të ruajmë koalicionet me lista të përbashkëta partiake, por me lista të veçuara kandidatësh brenda partive, me synim maksimizimin e votave të koalicionit të djathtë. Përveç të tjerash kjo do të bëjë që këto parti të vazhdojnë të rriten, të mësohen të luftojnë, të forcohen në strukturë dhe përmbajtje dhe të mos kthehen në organizma simbiotikë, të cilët i bashkohen si bimë kacavjerrëse trungut të pemës së PD-së për të përfituar nga lëngjet që thith me rrënjë nga toka pema e PD-së. Kjo dhe do t′i shpëtonte zhvillimet e ′hshme politike nga virtualiteti, fiktiviteti dhe shija e hidhur e lëndës së dushkut.