Në datën 9 shkurt 2006, u zhvillua në Tiranë, Takimi i Ministrave përgjegjës për Kulturën evendeve antare të Këshillit të ministrave të kulturës të vendeve të Evropës Juglindore. Çfarë është Këshilli i ministrave të kulturës të vendeve të Evropës Juglindore Këshilli i Ministrave të Kulturës të Vendeve të Evropës Juglindore, është një strukturë rajonale për bashkëpunimin kulturor dhe shkëmbime kulturore midis vendeve. Krijimi i një strukture të tillë rajonale për bashkëpunim, synon hartimin e politikave dhe strategjive të përbashkëta rajonale kulturore në funksion të integrimit kulturor evropian të vendeve të rajonit. Kjo strukturë e vendos bashkëpunimin kulturor në një nivel më të lartë politik dhe vendimmarrës në rajon dhe synon ta kthejë atë në një institucion efikas. Vendet anëtare të kësaj strukture janë: Shqipëria, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Turqia dhe Maqedonia. Objektivat e këtij Këshilli, të përcaktuara në dokumentin e themelimit të tij janë: Të promovojë një frymë bashkëpunimi, ku të mbizotërojë dialogu, mirëkuptimi , integrimi, paqja dhe politikat kulturore gjithpërfshirëse; Të përdorë potencialin e kulturës me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm në rajon; Të krijojë një forum të ri për dialog dhe ndërveprim midis Ministrave të Kulturës dhe strukturave të tjera qeveritare dhe jo qeveritare në fushën e kulturës, të ndërtojë strategji, mundësi dhe projekte kulturore të përbashkëta? si dhe të shkëmbejë përvoja dhe informacione. Si funksion drejtimi i tij: Këshilli i Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore drejtohet me sistemin e rotacionit. Çdo vend mban një vit presidencën e Këshillit për t?ja dorëzuar tjetrit në radhë, sipas rendit alfabetik. Si u krijua: Ideja fillestare është hedhur nga Shqipëria në një konferencë ministrore të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Juglindore, zhvilluar në Mostar, Bosnje gjatë vitit 2004. Ministria e Kulturës e Danimarkës dhe Këshilli Nordik i Ministrave? të Kulturës, dhanë një kontribut të madh në kristalizimin e idesë së krijimit të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore. Pas një periudhe të ngjeshur kontribuese me këshillime dhe materiale të nevojshme, në fund të viti 2004, në prani dhe të përfaqësuesve të Këshillit Nordik të Ministrave të Kulturës, ekspertët e Ministrive të Kulturës të vendeve të rajonit të EJL, u mblodhën në Tiranë dhe strukturuan e detajuan Kartën e Themelimit dhe dokumentat e tjera bazë për krijimin dhe funksionimin e këtij këshilli. Këshilli i Ministrave të kulturës të vendeve të Evropës Jug Lindore u zyrtarizua në 31 mars 2005, gjatë takimit të zhvilluar në Kopenhagë. Aty, të gjithë ministrat pjesëmarrës firmosën Kartën e Themelimit të Këshillit, duke pohuar kështu dhe një herë vullnetin e tyre për të institucionalizuar dhe intensifikuar bashkëpunimin kulturor. Presidenca e Këshillit i takonte Shqipërisë, e cila kishte detyrimin për të bashkërenduar dhe drejtuar punën dhe veprimtarinë e këshillit gjatë këtij viti (31 mars 2005-31 mars 2006) Nga 31 mars 2005, pasoi një periudhë e gjatë shkëputjeje dhe heshtjeje nga ana e MTKRS, e cila solli vështirësitë e veta në shtator 2005, për të rivendosur dhe një herë komunikimin me strukturat përgjegjëse të këtij organizmi. Që në ditët e para të punës të kabinetit të ri qeveritar të drejtuar nga Zoti Berisha, iu kushtua një rëndësi shumë e madhe rigjallërimit dhe rifunksionimit të kësaj strukture të rëndësishme . Pas përpjekjesh serioze nga ana e MTKRS, u bë e mundur që në datë 23 nëntor 2005, të mbidhen në Tiranë koordinatorët kombëtarë, përfaqësues të Ministrave të Kulturës, antarë të Këshillit të Ministrave të Kulturës të vendeve të Evropës Jug Lindore. Në këtë takim u përcaktua axhenda e takimit të Ministrave të Kulturës që do të zhvillohej në Tiranë në muajin shkurt 2006.