Strategji për trashëgimninë botërore që strehon Europa Juglindore

Varna, Bullgari 23-24? Qershor 2006.
Fjala e ministrit te Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Këshillin e Ministrave të Kulturës, të Europës Juglindore
Është një kënaqësi e veçantë për mua qe jam i pranishëm në këtë takim të dytë të Ministrave te EJL, të organizuar nga kolegët bullgarë. Falenderoj kolegun tim bullgar dhe stafin e tij që na dha mundësinë të mblidhemi në Varna, në këtë qytet të bukur plot vlera turistike, kulturore dhe historike i cili është një model shumë i mirë i zhvillimit të turizmit kulturor në rajon.Ndihem gjithashtu tepër i kënaqur që sot në këtë tryezë është i pranishëm dhe merr pjesë Ministri i Kulturës i Kosovës, miku dhe kolegu im Zoti Haraçia, duke dëshmuar edhe njëherë se me vullnet politik të shëndoshë kultura bëhet element dialogu, përafrimi dhe komunikimi mbi bazën e miqësisë dhe respektimit, duke bërë kështu që rajoni ynë të perceptohet si një hapësirë ku bashkëpunohet dhe bashkëjetohet normalisht. Në cilësinë e ministrit të kulturës të vendit që sapo ka dorëzuar presidencën e radhës, dëshiroj t’ju përshëndes për bashkëpunimin tuaj, i cili ka bërë të mundur jetësimin e këtij forumi dhe konkretizimin me sukses të punës njëvjeçare të presidencës së Shqipërisë. Kontributi juaj i vlefshëm dhe vullneti për bashkëpunim bëri që ne t’i kapërcenim vështirësitë e presidencës së parë dhe të fillonim një fazë të re të zhvillimit të këtij forumi. Duke qenë të ndërgjegjshëm për vështirësitë e konkretizimit të punës tonë të fazës fillestare,? jemi të bindur se ky ka qenë vetëm fillimi i një procesi të gjatë dhe kompleks i cili ka si synim forcimin e bashkëpunimit kulturor mes vendeve tona dhe krijimin e një atmosfere miqësore bashkëpunimi.Ne jemi të bindur se në përfundim të këtij procesi, mozaiku kulturor i rajonit me identitetet, ngjashmëritë dhe diversitetet e tij do të shndërrohet në një element përfaqësues të popujve tanë në Evropë dhe në botën globale.Rajoni ynë është një nga rajonet ku janë përqendruar disa nga vlerat më të rëndësishme dhe unikale të trashëgimisë kulturore botërore. Por kjo trashëgimi pasurohet me vlerat natyrore të pazëvendësueshme të vendeve tona. Për shkak të rrethanave historike dhe politike këto vlera nuk janë shfrytëzuar si duhet. Proceset integruese evropiane përveç të tjerash bëjnë të mundur edhe një integrim kulturor, politik, ekonomik dhe rajonal. Të gjithë ne jemi përfshirë në një projekt të madh e të përbashkët integrues: integrimin në Evropë. Në këtë proces disa vende janë më përpara dhe disa më prapa por e rëndësishme është se në fund të këtij procesi të gjithë së bashku do të ndjehemi pjesë e rëndësishme e strukturave europiane, politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Për këtë arsye ne si vendimmarrësit më të lartë politikë në kulturë, na duhet të gjejmë dhe mbështesim pa asnjë dyshim mekanizmin e duhur për përshpejtimin e këtyre proceseve. Mendoj se forumi ynë është një nga strukturat e rëndësishme dhe më të përshtatshme për ta bërë efikas vullnetin tonë politik dhe një model të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal, duke synuar dhe lehtësuar transmetimin e drejtpërdrejtë të vlerave kulturore të vendeve të rajonit tonë.Ministria që unë drejtoj me të gjithë komponentët e saj përbërës ka si prioritet të vetin zhvillimin e turizmit kulturor. Ne e vlerësojmë përvojën e turizmit kulturor të vendeve të rajonit dhe mirëpresim çdo projekt të përbashkët në këtë drejtim. Një vëmendje të veçantë i kemi kushtuar “Programit rajonal të Këshillit të Evropës dhe Komsionit Europian për pasurinë kulturore dhe natyrore të Europës Juglindore dhe në mënyrë veçantë projektit-pilot në bakëpunim me palën malazeze mbi Liqenin e Shkodrës, projekti i quajtur projekti i “Liqenit të Miqësisë”. Ky synim përputhet katërcipërisht me një nga objektivat e Bashkimit Europian, sipas të cilit “prioritet i Bashkësisë Evropiane për mijëvjeçarin e ri është edukimi nëpërmjet kulturës, veçanërisht? turizmi kulturor i cili paraqet pasuri të jashtëzakonshme me anë të së cilës mund të korren të ardhura tejet të rëndësishme si në nivel mikro ashtu edhe në nivel makro”. Besoj se ndaj të njëjtin opinion me ju të nderuar miq dhe kolegë që itinetaret e turizmit kulturor gjenerojnë mirëqenie, mirëkuptim, miqësi.