Gazeta panorama, date 19/05/2009.Nga Prof.Dr.Aurela Anastasi
Me diçiturën e mësipërme është titulluar punimi më i fundit i autorit Bujar Leskaj, i botuar rishtazi për publikun, i cili evokon përfaqësuesit e popullit të Vlorës ndër vite, duke shpalosur …edhe njëherë etapat kryesore të historisë së kësaj krahine dhe të vetë qytetit. Kohët e fundit, autorë të ndryshëm, përmes botimeve gjeo-historike, kanë pasqyruar me përkushtim e dashuri, historinë dhe tiparet e qytetit apo krahinës së tyre. Por, punimi në fjalë, edhe pse i dedikohet deputetëve vlonjatë në organet përfaqësuese, ruan vlera për të gjithë kombin. Kjo ndodh sepse, si rrallë në ndonjë rast tjetër, mund të gjesh një histori të një zone, të lidhur aq ngushtë me historinë kombëtare, sa ajo e Vlorës me historinë e gjithë kombit shqiptar.
Mesazhet më të rëndësishme nga ky botim, burojnë nga trajtimi i përfaqësimit popullor, si një nga aspektet më të mëdha të ushtrimit të sovranitetit. Aty mund të gjesh të ndërthurura figura përfaqësuese nga më të larmishmet, të epokave të ndryshme historike, si dhe shtresave e grupimeve me ideologji të ndryshme. Asnjë përjashtim nuk ka në pasqyrimin e figurave të vërteta, pavarësisht nga ideologjitë apo partitë politike që ato kanë përfaqësuar. Por, as autori dhe as lexuesi nuk mund të mos dallojnë diferencat në kontributin e tyre përfaqësues. Krahas jetëshkrimit, autori jep shpjegime për rastet më të spikatura gjatë historisë. Kështu, është e qartë se në të njëjtin libër shquajmë baballarët e Kombit si përfaqësues të Vlorës, në Kuvendet kombëtare e parlamentet e kohës. Midis tyre ndodhen ata, të cilët përfaqësuan popullin e Vlorës në Kuvendin historik që shpalli Shqipërinë, të lirë e të mosvarur, si Ismail Qemali, Eqerem Vlora etj… Më tej, ndodhen patriotë të tjerë të shquar vlonjatë, të shmangur nga evokimi historik gjatë viteve të diktaturës, si Osman Haxhiu. Deputetë të tjerë, figura të njohura historike, të cilat nuk u bashkuan me Frontin Antifashist Nacionalçlirimtar dhe prandaj nuk u përmendën më kurrë, ose u përndoqën gjatë regjimit komunist. Nuk i mungojnë punimit edhe përfaqësuesit gjatë periudhës së pushtimit. Gjithashtu, një vend të rëndësishëm kanë zënë përfaqësuesit në Kuvendin Popullor gjatë periudhës komuniste, duke përfshirë aktorët kryesorë të atij regjimi, si Hysni Kapo, Manush Myftiu e Kadri Hazbiu, dhe deri tek njerëzit e thjeshtë të punës, të zgjidheshin formalisht nga zonat njëemërore të caktuara me orientimin e partisë së vetme udhëheqëse të kohës.
Nuk është harruar asnjë, porse përfaqësimi e kontributet e tyre janë të ndryshme. Megjithatë, i bashkon një vlerë e vetme, shpirti atdhetar vlonjat. Të mos harrojmë se, ky shpirt patriotik u mbrujt me idenë e evropianizimit që në fjalimet e para të Ismail Qemalit dhe programin e Qeverisë së parë të Shtetit të pavarur shqiptar. Është ky shpirt që e bashkon edhe autorin, i cili është deputeti i fundit që mbyll punimin. Si qytetar vlonjat, autori ruan një ndjesi të veçantë për ditën e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe aty ka filluar rrëfimin e tij, si për të treguar edhe njëherë se ç′ditë e shënuar ishte ajo për kombin tonë.
Mesazhet dhe refleksionet burojnë nga shumë pikëvështrime. Gjatë leximit mëson se si një përfaqësues i popullit, në situata të rënda pushtimi, edhe pse nuk del nga votimet e drejtpërdrejta popullore, bëhet më i dashur për të, për shkak të dedikimit dhe heroizmit që dëften si përfaqësues i tij. Ky punim është i aftë të tregojë se pluralizmi politik garanton një përfaqësim më të mirë popullor. Duket qartë gjithashtu, se përfaqësimi popullor edhe nga gratë, është paraqitur fillimisht, vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, dhe për fat të keq, pas viteve ′90 ka pësuar një ulje të ndjeshme.
Sidoqoftë, le të përballen figurat në këtë tekst, duke na dhënë në radhë të parë mesazhin e tolerancës dhe të sigurisë për të vazhduar rrugën e nisur drejt Evropës.