“Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009”, kontribut për historianët dhe historinë

Botuar ne gazeten shqip me 5.08.09, nga Harilla Koçi.Pak kohë më parë, politikani Bujar Leskaj solli për opinionin dhe lexuesit shqiptar librin e tij “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009”, një vëllim me rreth 400 faqe, ku përcillet e gjallë historia e trevave të këtij rrethi, ngjarjet dhe protagonistët e kësaj periudhe, që kanë luajtur një rol të rëndësishëm e vendimtar edhe në zhvillimet e gjithë vendit. Përmes një strukture krejtësisht të veçantë të ndërtuar jo vetëm në raport me kronologjinë historike, por edhe me peshën dhe rolin e personazheve, Leskaj sjell një botim me vlera të shumëfishta. Me një intuitë të admirueshme, ai ka ditur të ndërtojë një botim serioz, duke shfrytëzuar analizën historike të ngjarjeve. Ai ka ndërtuar një raport të veçantë me materialin e servirur në këtë botim. Shfaqet herë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe herë përmes vëllimit dokumentar që paraqet. Me një mjeshtëri të spikatur, shfrytëzohen efektivisht burimet, autorët, duke i vendosur ata në kontekstin e një gjykimi objektiv për gjithçka ka ndodhur në historinë 97-vjeçare të Vlorës dhe mbarë vendit. Vlora, protagoniste në gjithçka ndodh në Shqipërinë e pas shpalljes së pavarësisë kombëtare, përvijohet në këtë libër në një raport të pranueshëm me Shqipërinë. Libri përcjell mesazhe të rëndësishme, të cilat spikasin në të gjitha faqet e tij. Nëse spuntoja e botimit të tij merret nga një sentencë “historia është varreza e elitave që kanë pasur njëra-tjetrën në pushtet”, në vijimësi të trajtimit dhe shfletimit të tij, natyrshëm lexuesi përballet me pyetjen “Kush e bën historinë?”. “Disa kanë thënë se atë e bën populli, të tjerë thonë se historinë e bën individi. Por nuk e di se çfarë mund të mendojë çdo njeri kur lexon këtë libër, ku ka një përzierje të të dyjave”, citon autori. Në këtë libër, përmes personazheve, përfaqësues të trevave të Vlorës, në kuvendet e Shqipërisë përcillet jetëshkrimi i vendit dhe i momenteve kyçe të historisë, në periudhën prej shpalljes së pavarësisë kombëtare e deri sot. Janë 152 personazhe që vendosen në këtë libër, të cilët i paraqiten lexuesit me vërtetësi e realizëm. Duke u vendosur përballë dy alternativave të vlerësimit historiko-biografik, apo historiko-politik, Leskaj zgjedh rrugën e dytë në evidentimin e kontributit të deputetëve të Vlorës. Kjo rrugë për të nuk është aq e kulluar metodologjikisht, për shkak se, siç thotë ai, “natyra e veprës më ka detyruar që, nganjëherë të gjej dhe të përdor një udhë të mesme mes linjës historiko-biografike dhe historiko-politike”. Duke qenë pjesë e deputetëve vlonjatë, në një nga legjislaturat e jetës parlamentare, atë të 2005-2009, ai i ka evidentuar gjërat më shumë me syrin e politikanit. Në librin e vet, Bujar Leskaj ka vlerësuar kontekstin historik të përshkrimit të ngjarjeve dhe personazheve, por pa rënë në “historicizëm të kulluar”. “Kjo do të ishte e tepërt për mua dhe jashtë objektivave të këtij libri”, argumenton ai. Nën këtë arsyetim, autori ka zgjedhur rrugën e interferuar, për të pasqyruar veprën dhe kontributin e deputetëve vlonjatë, ashtu siç ka qenë në ato rrethana historike që kanë jetuar. Kjo ka shmangur mes të tjerash edhe rrezikun e të qenit të tij, në rolin e një biografi skrupuloz, për secilin prej atyre që pasqyrohen në këtë libër. Duke mbetur besnik në evidentimin e periudhave kryesore të jetës parlamentare në Shqipëri, që përkojnë edhe me momentet më të rëndësishme të historisë së vendit, Leskaj bën një korrelacion të natyrshëm mes tyre, përmbajtjes dhe protagonistëve individë, gjë që sjell veçori të spikatura dhe kontribute e peshë reale për fatet e vendit. Në mënyrën e konceptimit të këtij botimi, ai e përgatit thellësisht lexuesin për të kuptuar dhe perceptuar materialin dokumentar, që vjen në pjesën e dytë të librit, krijon atmosferën e nevojshme, duke e futur lexuesin brenda rrjedhës dhe kronologjisë së ngjarjeve, duke i bërë ato të kuptueshme, në veçantinë dhe tërësinë e tyre. Në këtë mënyrë, lexuesi arrin të kuptojë e të perceptojë pothuajse lehtësisht një informacion të bollshëm e të detajuar historik, që pasqyron zhvillimet e një periudhe të gjerë prej 97 vjetësh. Jo më kot dhe as rastësisht, Leskaj, që në hapje të librit, skalit një përshkrim të Rugovës të vitit 1968, përmes të cilit përvijohet vendi dhe pesha e Vlorës në shpalljen e pavarësisë kombëtare, e cila është “Vatra e kuqe e Arbrit, që ishte i zënë për atë truall si rrepat shekullorë buzë Adriatikut”. Ky element është shfrytëzuar edhe si një argument i mjaftueshëm për të realizuar atë ngjizje vlerash, që, në rastin e Vlorës dhe të bijve të saj, janë plotësisht të natyrshme. Fillimisht Ismail Qemali çel atë labirint ngjarjesh e mori personazhesh, që zbresin në shkallët e historisë njëri pas tjetrit. Plaku i Vlorës, burri i shquar i shtetit, themeluesi i shtetit shqiptar, është ndërtuar në staturën e tij, me realizëm dhe një këndvështrim që e bën atë po aq njerëzor sa edhe politikan e mjeshtër i diplomacisë. Në 14 faqe të librit, përmes një materiali të pasur dokumentar, Ismail Qemali plotësohet në të gjithë diapazonin e vet dhe me peshën e rolin e padiskutueshëm që luajti në hedhjen e themeleve e ndërtimin e shtetit shqiptar.Përmes penës së studiuesve e historianëve, Bujar Leskaj sjell të vërteta historike, bën analizë dhe nxjerr konkluzione. Ato vijnë natyrshëm. Nëse Kongresi i Lushnjës dhe lufta e Vlorës shënojnë shkëputjen përfundimtare nga Lindja dhe daljen e Shqipërisë në Europë, skena e ngjarjeve politike në vazhdimësi provonte se vendi po ecte përpara. “Përfundimi i zgjedhjeve të pranverës së vitit 1921, që shënojnë fillimin e epokës pluraliste në vendin tonë, për shkak të prirjeve individuale të udhëheqësve politikë, nuk solli stabilitetin e kërkuar politik të vendit”, skalit Leskaj një të vërtetë të madhe. Por, gjatë kësaj periudhe, spikatën dhe u konsoliduan elementë të një shteti që po zhvillohej në vazhdimësi. “Ahmet Zogu është më tepër se një mbret, ai është simboli i një epoke”, citon më tej ai, duke iu referuar një periudhe gati 19-vjeçare, ku dominoi aktiviteti politik i Ahmet Zogut, “Mbreti i shqiptarëve”, siç cilësohet ai. Por, kjo nuk mjafton, kontributi dhe protagonizmi i emrave të shquar të Vlorës shfaqet edhe në këtë periudhë, pavarësisht kushteve të caktuara historike. Megjithëse jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në vitin 1920, autori është shtyrë në kohë, duke u zhvendosur në periudhën kur u hodhën themelet e shtetit shqiptar me Ismail Qemalin. Prandaj edhe figurat e kësaj periudhe përjetësohen në këtë libër përmes një analize historike. Përfaqësuesit e Vlorës nuk morën pjesë në Kongresin e Lushnjës, për shkak të pushtimit italian, por mesazhi i popullit të këtyre krahinave ishte i fuqishëm në mbështetje të vendimeve të këtij Kongresi. Periudha 1920-1924 zë një vend të rëndësishëm në faqet e këtij libri përmes emrave të njohur të atyre që përfaqësuan Vlorën në Parlamentin e atyre viteve, ndërkohë që, periudha nga 1924 e deri në 1939 përvijohet me dimensionet e momenteve që shoqëruan konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqiptar. Autori ka ditur të përcjellë edhe periudhën 1939-1944, duke i qëndruar besnik parimit se “historia duhet pasqyruar me vërtetësi”. Ai e ndan këtë periudhë në dy momente: Asamblenë e 12 prillit 1939 dhe atë të tetorit të vitit 1943, duke veçuar personazhet me anët negative dhe ato pozitive, në funksion të kontributit ndaj çështjes kombëtare dhe në raport me ngarkesën e kohës. Leskaj, në cilësinë e një historiani, ndalet veçanërisht në Konferencën e Mukjes, e cila, sipas tij, shënoi një moment delikat dhe që shërbeu më pas si nxitëse e luftës vëllavrasëse. Emrat e Isuf Luzajt, Skënder Muços e Hysni Lepenicës, përfaqësues të Vlorës në këtë konferencë, skaliten në libër me përmasat e tyre reale, në raport me kontributin që ata dhanë për çështjen kombëtare. Por, frymëzuesit e prishjes së marrëveshjes, Enver Hoxha, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u bënë njëkohësisht edhe nismëtarë të asaj që ndodhi më pas, kur u persekutuan patriotë e nacionalistë. Leskaj nuk përjashton nga faqet e librit edhe periudhën komuniste. Duke i ndërtuar personazhet, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes vlerësimeve zyrtare, ai përcjell njëkohësisht mesazhin se “ata ishin pa personalitet dhe kukulla, në duart e diktatorit dhe të regjimit”. Por për Leskajn, një pjesë e deputetëve të periudhës 1945-1990, rrënjët e të cilës u hodhën në Kongresin e Përmetit, nuk i lyen duart me gjak dhe nuk u bënë drejtpërdrejt autorë të krimeve komuniste. Me mjaft elokuencë, autori përcjell në këtë libër edhe personazhe të njohura të diktaturës komuniste, duke shfrytëzuar burime të ndryshme. Një shembull kuptimplotë në këtë drejtim është ish-ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, i cili vjen përmes përshkrimit të dokumenteve zyrtare të kohës dhe të emrave të tillë, si Petrit Velaj, Agim Musta, prof. Ismet Elezi, duke na paraqitur në tërësi dhe në veçanti, ashtu si edhe personazhe të tjera të periudhës komuniste, mes të cilëve Haki Toska, të gjithë perversitetin dhe absurdin e diktaturës. Ai i kushton një hapësirë të konsiderueshme periudhës së pasviteve 1990, duke u ndalur te deputetët e Kuvendit të parë pluralist, apo të fushatave zgjedhore e parlamenteve të mëvonshme. Në këtë libër, Leskaj i përvijon personazhet si produkte të kohës, kur ata kanë jetuar. Deviza e tij është dashuria për Vlorën dhe kjo reflektohet qartësisht në këtë libër, ku ai, përveçse si politikan, inxhinier, jurist e ekonomist, shfaqet edhe si historian. Vetë Leskaj shprehet se për të realizuar këtë libër ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë të më shumë se 70 librave historikë e studimeve shkencore të një sërë autorësh të njohur si: Teki Selenica, Arshi Pipa, Arben Puto, Fari Shaskaj, Bardhosh Gaçe, Aurela Anastasi, Enver Lepenica, Fatos Arapi, Eqerem Bej Vlora, Mithat Frashëri, Kastriot Dervishi, Mehdi Frashëri, Uran Butka, Pjetër Arbnori, Petrit Velaj, Elez Biberaj. Leskaj thotë se, “libri është i hapur dhe mund të plotësohet në vazhdimësi”. “Shumë deputetë të Vlorës, krahas përkatësive politike, kanë pasur edhe identitet të qartë personal, që përbën vlerë dhe kontribut të personalizuar, që është ndryshe nga qëndrimi konformist, metafizikisht luajal i të tjerëve”, shkruan Leskaj, sipas të cilit kjo tendencë është shfaqur në çdo kohë, atë të pavarësisë të shtetit të parë monarkik e republikan të Zogut, në kohën e gjatë të diktaturës së Enver Hoxhës dhe tani në epokën e pluralizmit politik. “Çdo kohë politike ka njerëzit dhe politikanët e vet, të cilët në përputhje me të, kanë lënë edhe gjurmët e tyre personale për mirë apo për keq”. Në një arsyetim të tillë, përmes materialit të gjerë dokumentar që pasqyrohet në këtë libër, autori Bujar Leskaj jep një ndihmë dhe kontribut të vyer për vetë historianët dhe për historinë e Vlorës e më gjerë.