“Brenda dhe jashtë parlamentit” një libër elitar për politikën ekonomike institucionale

Nga Laureta PetoshatiLibri “Brenda dhe jashtë parlamentit” i intelektualit dhe ish Ministrit të Kulturës zotit Bujar Leskaj, që ka dalë në qarkullim së fundmi, më shumë se një autobiografi personale, është një pjesë e historisë së politikës shqiptare në vitet 2007 deri në vitin 2009, është dëshmi e gjallë e panoramës politike në Parlament dhe jashtë tij, pasi edhe vetë ish deputeti i Vlorës është pjesë e politikës shqiptare të këtyre viteve. Për të, kanë folur përpjekjet e tij politike dhe njerëzore, diskutimet e radhës dhe jashtë radhës në seancat plenare apo grupet parlamentare, mënyra se si ai ka interpretuar me anë të ligjeve nevojat, hallet, ngutjet, apo dhe dëshirat e publikut ose të elektoratit të vet. Shkruar me kritere akademike, me përgjegjësi etike dhe politike, marrëdhënia midis kujtesës së tij personale dhe asaj kolektive parlamentare, apo të medieve të ndryshme, në faqet e këtij libri, na japin një dokument me vërtetësi të madhe dhe tejet të besueshëm, përderisa personazhet e tij janë të gjallë dhe nuk ka vend për kontestime. Më shumë se një autobiografi konvencionale është një libër i thellë në mendime, për të gjithë ata që duan të kuptojnë personalitetin e zotit Bujar Leskaj, i cili me gjurmët e tij në foltoren e kuvendit, tregon edhe rrënjët sociale, kulturore, etike dhe politike të një deputeti të ri demokrat të mbas viteve dymijë, në harkun e tranzicionit shqiptar, ku, përtej diferencave politike dhe ideologjike në një parlament pluralist, koeficienti midis tij dhe deputetëve e politikanëve të tjerë, është demokracia. Pa këtë të fundit, nuk ka as shkëmbim e as transferim idesh, pasi demokracia është themeli ku mbahet ngrehina e ideve të tij si intelektual. Duke lexuar librin “Brenda dhe jashtë parlamentit”, nëpër faqet e tij, vagëllimthi mu kujtua libri “Kushtetuta e lirisë” i botuar në vitin 1960, me autor  ekonomistin dhe filozofin austriak Friedrich A. Hayek, i cili në vitin 1974 mori çmimin Nobel në ekonomi. E mendoj pikërisht kështu, pasi zoti Leskaj, në të gjitha diskutimet e tij parlamentare, të cilat i ka botuar në këtë libër, për çështjet ekonomike, shfaqet me koncepte të mirëpërpunuara. Ai është ndikuar nga mendjet më të ndritura të mendimit ekonomik sidomos të atyre bashkëkohore si: sociologu politiko-ekonomik, fitues i çmimit Nobel amerikani Seymour Martin Lipset, ekonomisti, statisti, dhe intelektuali publicist, fitues i çmimit Nobel në ekonomi amerikani Milton Friedman, filozofi i ekonomisë politike, japonezo -amerikani Yoshihiro Francis Fukuyama që prodhoi “fabrikën e ideve” dhe parashikoi triumfin e liberalizmit ekonomik, apo analisti indiano-amerikan, gazetar i CNN, Fareed Rafiq Zakaria, autori i librave të famshëm “E ardhmja e Lirisë”, “Ndërtimi i shtetit”,  ku flet për konceptin e “liberalizmit konstitucional”. Ja, pse zoti Bujar Leskaj, vjen me një analizë të thellë, me metoda hipotetike e deduktive për të zbërthyer sa më mirë fenomenet ekonomike të Shqipërisë në ditët tona, në krahasim me vendet e tjera. Ashtu si tek ata që ai i merr si pika referimi, në këtë libër të politikanit Bujar Leskaj, shfaqet liberalizmi i tij klasik dhe besimi tek tregu i lirë ekonomik, i cili ligjëson lirinë, ashtu siç e thotë dhe John Locke, themelues i filozofisë moderne të liberalizmit ku askush nuk ka të drejtë të cenojë jetën, shëndetin, lirinë, dhe pasurinë e tjetrit, apo siç thonë ekonomistë – politologët e kohës sonë se shpjegimi më i mirë për suksesin politik të një demokracie të shëndoshë është suksesi ekonomik i saj që vjen nga një treg i lirë ku shteti luan rolin e rregullatorit.  Zoti Bujar Leskaj, si intelektual i mirëfilltë, njohës i shkencave inxhinierike, juridike dhe ekonomike, përdor njohuritë e tij në dobi të shoqërisë ku zhvillimin ekonomik të Shqipërisë e kupton si një liri të saj. Angazhimi i tij politik do të thotë angazhim ekonomik, pasi në fund të fundit, politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë. Rizgjimi i ekonomisë së tregut në atdheun e tij është edhe një rizgjim politik i Shqipërisë si edhe një konsolidim i demokracisë së vërtetë. Të bien në sy diskutimet e tij në seancat plenare për miratimin e buxhetit, për një treg funksional, huamarrjen e qeverisë vendore, autoritetin e konkurrencës, shpronësimet korrekte të qytetarëve në rastet e ndërtimeve të veprave publike, privatizimin e ARMO-s, Bankën e Shqipërisë, Institucionet Financiare, shërbimet e produktet bankare, nxitjen e licencimit të bankave lokale si një mënyrë për ti shërbyer shpërndarjes së zhvillimit nga qendra në  rrethe të tjera të Shqipërisë, “faktoringun”,  procedurat tatimore, luftën për parandalimin e pastrimit të parave, etj. Ajo, që e bën analizën e zotit Leskaj mjaft efikase, është krahasimi i institucioneve, ligjeve, ekonomive apo sipërmarrjeve shqiptare me entet e huaja analoge perëndimore. “Ata që thonë se njohin një vend nuk njohin asnjë vend” – thotë sociologu politiko-ekonomik Seymour Martin Lipset, një nga mendjet më të ndritura të shekullit të njëzetë. Ja pse krahasimet e zotit Bujar Leskaj tregojnë njohje dhe mirinformim për vendet e tjera të demokracisë perëndimore, ku Shqipëria e ka objektiv dhe ëndërr të shkojë. Interesant është fakti i krahasimit të disa kompanive të naftës në Amerikë, të quajtura si “shtatë motrat” që rregullohen me “dorën e padukshme” të Smith – it, me për koincidencë të “shtatë motrave shqiptare”, të cilat abuzojnë në treg me naftën nëpërmjet veprimit të “dorës së pandershme”, ku zoti Leskaj nxjerr faktet dhe faktorët e këtij spekulimi në seancën plenare. Por krahasimet nuk mbarojnë këtu. Ato vazhdojnë edhe me diskutime në lëmi të tjera, përpos atyre ekonomike. Në diskutimin për depolitizimin e prokurorisë, ai, i kujton miqësisht kreut të saj që të lexojë romanin “Jeta dhe vdekja e Lul Mazrekut” të shkrimtarit Ismail Kadare, apo krahason shprehjen e nacionalistit Ndue Pali para pushkatimit “Rrnoftë Shqipnia edhe pa ne”, me shprehjen “Rroftë prokuroria edhe pa ne”, që duhet ta thonë deputetët demokratë kur nuk kalojnë dot ligjin mbi prokurorinë.  Për ligjin e pastrimit të figurave perifrazon Shekspirin, ndërsa në diskutimin në seancën plenare jashtë rendit të ditës, ku ligjëron se “një demokraci pa kujtesë e sheh veten në vuajtje” bën krahasime tejet sarkastike me shprehjet e shumë figurave të shquara shqiptare që nga At Zef Pllumi e deri me shprehje të librit “Absurdi” të shkrimtarit Koço Kosta. Madje, në diskutimet dhe shkrimet e tij, ku nuk mungojnë edhe mendimet mbi artin dhe letërsinë, si “Mirushi dhe Muhameti i tij”, “Absurdi”, etj, sikur të kishte qenë një estet i vërtetë, ai përdor edhe paronomasinë, jo më tepër si lojë fjalësh, por si mënyrë retorike, metaforike dhe polisematike, për të nxjerrë në pah mjaft çështje shoqërore, për shembull kur përdor fjalët “bole-bobole”, ku krahason ca politikanë me misrin e zier, apo emrat “Mirush-Moisi, Momo, Muhamet”, për metamorfozën e njeriut. Po ti shikosh me kujdes diskutimet në seancat plenare për At Zef Pllumin, të cilin e quan “frat i dëshmive historike”, për dëmshpërblimin e ish të burgosurve dhe të pushkatuarve politikë, për poetët e vrarë si Genc Leka, Vilson Blloshmi dhe Havzi Nela, për ligjin e spiunëve, diskutime që kanë të bëjnë jo vetëm me lirinë, por edhe me drejtësinë shoqërore sipas mendjes së klerikut të ndritur Luigi Taparelli D′Azeglio, vëren se zoti Leskaj u kujton të gjithëve se shpërndarja e të mirave materiale duhet të bëhet në radhë të parë për këta njerëz që humbën gjithçka për hir të lirisë dhe jo për inkuizitorët e saj. Por ai është edhe për shanse të barabarta kur thotë se janë mbi 600 të rinj që kanë mbaruar shkollën e lartë për drejtësi, që duhet të punësohen në sistemin e atrofizuar gjyqësor, që të mos ketë padrejtësi në një sistem demokratik. Po ashtu, në kuadrin e lirisë dhe drejtësisë shoqërore, zoti Leskaj nënkupton edhe çështjen e Kosovës, Çamërisë, mban qëndrim atdhetar dhe njerëzor për viktimat e gjenocideve në të gjitha anët e kufirit shtetëror, kontribuon brenda integrimeve shqiptare me shumë nisma dhe ide të spikatura. Duket sikur zoti Leskaj të ketë lexuar Vangjelin, i cili thotë se : “Dinjiteti i barabartë  i njerëzve kërkon që të ketë edhe kushte më njerëzore dhe të drejta jetese. Në fakt, pabarazitë e mëdha ekonomike dhe shoqërore, ndërmjet anëtarëve dhe ndërmjet popujve të së njëjtës familje njerëzore, krijojnë skandale dhe janë të kundërta me drejtësinë shoqërore, me barazinë, me dinjitetin e njeriut, si dhe me paqen sociale dhe ndërkombëtare.”  Këtu është dhe çelësi se përse At Zef Pllumi, i shkruan se “me folë të drejtën kam ndjekë me vëmendje të madhe veprimtarinë tuaj njëvjeçare si titullar i ksaj ministrie, e cila mue m′intereson shum, dhe simbas mendimit tim, pa mëdyshje, jeni Ministri ma i suksesshëm  i periudhës poskomuniste për Kulturën Shqiptare, ashtu edhe ma properëndimori.” At Zef Pllumi, “Nder i Kombit”, e pa me sytë e mendjes dhe të shpirtit njeriun dhe intelektualin Bujar Leskaj. Po gazetarët si e kanë parë? Po ta shikosh me vëmendje të madhe këtë pjesë të librit, konstaton se një pjesë e medieve të drejtuara nga vektorë të ndryshëm interesash, nisen më shumë jo mbas thelbit, por mbas karizmës, apo dhe mbas anekdotave që zoti Leskaj është i aftë të bëjë në ligjërimet e tij, duke shprehur në një farë mënyre jo vetëm anën e humorit të zgjuar të tij, por edhe atë që është në fakt e vërteta ku ai do që të godasë. Ai nuk bie në grackën e pyetjeve të medieve që kërkojnë dikotominë e qëndrimeve të tij kur nuk bie dakord me sjellje apo ligje të miratuara nga shumica parlamentare, të cilës ai i përket. “Di të mendoj i lirë, nga njëra anë dhe të respektoj rregullat konsensuale nga ana tjetër”- është përgjigja e zotit Leskaj. Mendim i tij i lirë dhe personaliteti i tij i vendosur në të njëjtin plan politik, ekonomik, etik, atdhetar dhe perëndimor, shihen diellandritas brenda parlamentit dhe në të gjitha veprimtaritë e organizuar prej tij edhe jashtë foltores së parlamentit. Ai, kudo di të paraqitet me inteligjencën relative sipas rastit, di të ndikojë me qëndrimet e tij, ashtu siç di të bëhet dhe misionar i asaj që beson duke u mbështetur në ligje të drejta si dhe tek të drejtat dhe liritë e njeriut. Në këtë mision ai ka një pikë të fortë referimi: Ismail Qemalin, i cili besonte në përlindjen e Shqipërisë sipas ligjeve të drejta evropiane. Ja, përse instituti që drejton intelektuali vlonjat Bujar Leskaj, quhet Instituti i Studimeve Politike “Ismail Qemali” dhe libri i tij “Brenda dhe jashtë parlamentit” mban vulën e këtij enti. Në këtë libër, si një kronikë me përsiatje të thella, Bujar Leskaj, duket si një njeri që kërkon gjurmët e vetvetes, heton çdo veprim të tij me anë të shkrimeve të veta apo dhe të gazetarëve që e kanë shoqëruar në atë udhëtim dyvjeçar. Duket se për një moment, ai është ulur në stol, si një lojtar që ka rendur shumë. Ulja e tij në stol është një reflektim, jo vetëm i tij, por i të gjithë shoqërisë shqiptare. Ai i përket politikës ekonomike institucionale, një fushë që e lëvrojnë vetëm elitat. Kur Bill Clinton u zgjodh president, ai duhej të punonte për të ndryshuar mentalitetin dhe ta bindte publikun amerikan se duheshin lejuar elitat ekonomike që të drejtonin vendin. E njëjta gjë duhet të vlejë edhe për krerët tanë, që duhet t′i japin zotit Leskaj vendin që i tako′sepse politika shqiptare, fatkeqësisht, në vend të elitave, po mbushet me mediokër, të cilët lozin në fusha të panjohura jo vetëm me fatin tonë por edhe me të ardhmen e demokracisë.