Shënime rreth librit “Rikthimi tek etërit tanë” të autorit Ndriçim Kulla

Tirane me 21.09.2010 ( Botuar ne Gazeten Panorama )

Një libër dhe misioni që i ka paraprirë.Nga BUJAR LESKAJ.Kultura i tregon realisht udhën çdo shoqërie për të ndryshuar. Përherë gjatë ecjes dhe kërkimit për të gjetur forcë dhe burim tek ajo, ndodh që njeriu të ndeshet me bashkudhëtarë që ja bëjnë më të lehtë dhe ja ndriçojnë mundimin. Ndodh që të gjejë tek ata gjëra që i ka njohur ose jo, por që tashmë i duken të goditura si udhërrëfyese. Ndodh që të pranojë shumë gjëra të tyre dhe të ndjejë kënaqësi që ka njerëz që punojnë e luftojnë për po të njëjtat ideale. Ndodh gjithashtu, edhe të zbulojë një burim të tërë dije dhe erudicioni, që edhe pse befasues, i duket i afërt, i lirshëm, i gatshëm për t′i afruar shoqërisë shqiptare atë dorë ndihme që ajo po e kërkon prej kohësh. Një pjesë të mirë e të dobishme të të gjitha këtyre ndjesive, provon kur shfleton librin e fundit, të sapo dalë në treg me titull “Rikthimi tek etërit tanë”, të autorit Ndriçim Kulla, botues, publicist, kulturolog erudit. Që në titull të duket sikur ke të bësh me një evokim të një Rilindje të dytë shqiptare. Pse jo! Ndoshta në një kuptim krejt tjetër me Rilindjen kombëtare të Pavarësisë, por gjithsesi me përmbajtje sfidash të mprehta që në thelb kërkojnë po atë zjarr patriotizmi dhe po atë thellësi e dije intelektuale të po asaj shkalle. E kjo është vërtet një risi befasuese, që shtron përpara lexuesve shqiptarë një shoshitje të gjerë e të shëndoshë mendimesh, sidomos për dy pikat më themelore të referimit që ka ky libër: sfidat e sotme të mëdha të globalizmit dhe identitetit tonë kombëtar. Libri është i bazuar në katër ide – ngulitje kryesore, siç i quan autori, të cilat të shtrira në kapituj të veçantë japin një strukturë integrale të mendimit, të edukimit dhe arsimimit shqiptarë apo dhe profile të spikatura të kulturës tonë kombëtare. Sipas autorit, në këtë “mare magnum” që globalizmi dhe përshpejtimi i ritmit të ndryshimeve dhe epokave kanë arritur të formësojnë është shumë e rëndësishme të mos e humbasim orientimin. Anija jonë e identitetit dhe kulturës nuk duhet ta humbas busullën edhe pse pështjellim dhe turbulencë akoma dhe më e shpeshtë do të karakterizojnë kohën tonë. Nuk duhet të dalim kundra rrymës, pasi nuk mundemi, por edhe s′duhet ta lëmë veten që “të na marrë rrjedha”. Ky është thelbi i shqyrtimeve të autorit të cilat na japin drejtimin kah duhet të shkojmë. Në këtë rrugë, ne, pa tjetër duhet të kemi yjet tanë polar, etërit tanë themelues, korifenjtë e mendimit shqiptar, që do na shërbejnë si udhërrëfyes. Për këtë arsye kontribute të tilla mund të quhen vërtet dhe realisht të dobishëm në rrugën tonë të gjatë e të mundimshme të emancipimit mendor, në raport me nd′himin kaq të shpejtë që po pëson koha, e bashkë me të edhe ekonomia, teknologjia, e drejta dhe komunitetet. Sot, si asnjëherë tjetër ndihet e nevojshme që trashëgimia jonë mendore, sidomos ajo e viteve 30-të, e shkëputur në mënyrë të dhunshme nga regjimi komunist, duhet të rikthehet te ne dhe te pasardhësit tanë ashtu siç është dhe me ato përmasa që ka, me vlerat dokumentare, me vlerat shkencore, albanologjike, filozofike, psikologjike dhe sociologjike që ajo mbart. Kjo është thirrje-sfida e autorit, tashmë e hedhur nëpërmjet një argumentimi social dhe kulturor të gjendjes së ambientit politik, civil, arsimor dhe edukativ të Shqipërisë. Kjo vepër nuk duhet parë e veçuar nga veprat e tjera të autorit. Ajo është paraprirë nga një koleksion i tërë monografish dhe studimesh të mirëfillta për shumë nga korifenjtë e mendimit shqiptar e deri dhe një antologji dhe dy libra të posaçëm për përdorimin e saj në ciklin 9-vjeçar dhe atë të mesëm të shkollës sonë. Ky libër studimor kurorëzon tashmë në profile, sprova dhe skicë-ide, të gjithë veprimtarinë 15-vjeçare që ka arritur të realizojë autori gjatë gjithë këtyre viteve. Kështu, kulturologu dhe studiuesi, gazetari, publicisti dhe botuesi, Ndriçim Kulla prezent në shtypin e përditshëm shqiptar me shkrimet iluministe, ka dhënë dhe vazhdon të japë, në mënyrë të pandërprerë një rol dhe kontribut të veçantë, për gjallërimin, hulumtimin e studimin, botimin dhe promovimin e këtyre vlerave identitare, kulturore dhe etnike, të qytetërimit tonë. Nëpërmjet një pune të mençur dhe sistematike, ai ka arritur të sensibilizojë dhe ndërgjegjësojë gjallërimin e Shkollës Shqiptare të studimeve albanologjike. Në këtë kuadër, ka ideuar dhe drejtuar me sukses kolanën e njohur të “Mendimit shqiptar” dhe “Mendimit historik dhe albanologjik” të cilin po e vazhdon më tej me të tjera vepra, të panjohura nga publiku. Është iniciatori dhe vazhdues i projektit të rivlerësimit të elitës së ndaluar shqiptare dhe i mendimit′qiptar duke dhënë një kontribut të pa zëvendësueshëm në kulturën dhe arsimin shqiptar për hulumtimin, botimin por dhe afirmimin e kësaj literature dhe njohjen e lartësimin e kësaj elite. Ka drejtuar për mbi 15 vjet me radhë punën për mbledhjen dhe strukturimin për botim “Misioni shek. XX” të Tajar Zavalanit, “Në udhën e shqiptarizmës” të Vangjel Koçës, “Orientalizëm apo bizantinizëm” të Krist Malokit, “Vepra” të Branko Merxhanit, Veprat e shumta të shkrimtarit te burgosur politik Astrit Delvina dhe disa intelektualëve të tjerë të përndjekur, por ajo që është më e rëndësishmja është se ka drejtuar punën tekstologjike dhe hulumtuese të gjithë serisë prej nëntë vëllimesh të veprës së albanologut dhe albanofilit të jashtëzakonshëm At Giuseppe (Zef ) Valentinit, botuar nga Shtëpia Botuese “Plejad”. Në këtë sfond, e duke i përthyer idetë e librit me realitetin shqiptar, dhe duke u bashkuar me përpjekjet atdhetare të autorit, a s′duhet të evokojmë vallë edhe thirrjen: jemi në kohën e duhur për nga domosdoshmëria historike dhe kushtet gjeopolitike për një ringjallje të albanologjisë dhe ekspansion të kulturës shqiptare. Është koha e të tilla prioriteteve. Debatet e shumta mbi identitetin kombëtar, mbi historinë e Skënderbeut, madje edhe të Nënë Terezës, theksimi i personalitetit të Ismail Qemalit, si themeluesi i Shtetit Shqiptar, kontributi i A. Zogut e kështu me radhë për kohë të caktuara të historisë, por sidomos fytyra, vlerat dhe karakteri shqiptar me të cilin duam të paraqitemi në Evropë, na e kërkon urgjentisht një gjë të tillë. Edhe autori e spikat në mënyrë t&′l; veçantë këtë ide. Ai ka ndikuar edhe vetë praktikisht me edukimin aq të domosdoshëm filozofik, psikologjik e sociologjik të gjithë sistemit tonë, me kolanën e parë të filozofisë, duke nisur me Platonin, për të vazhduar me atë të psikologjisë, duke nisur me Jungun e Adlerin, e kështu me radhë edhe të sociologjisë e pedagogjisë, me korifenj të tillë si Maks Ueber, Durkheim, Ortega y Gasset, etj. Pjesa e dytë e studimit në fjalë të befason dhe të lumturon me ese-t brilante, mendimet e idetë e theksuara në to, në veçanti për personalitetet e kulturës dhe politikës kombëtare shqiptare si: Mit′hat Frashri, Ibrahim Rugova, At Zef Pllumi dhe Ismail Kadare. Esetë: “Mit′hat Frashri dhe elita shqiptare në një proces rivlerësimi”, “Rugova: Një autoritet post-mortum po kaq i madh sa në gjallje”, “At Zef Pllumi dhe kultura e imazhit përpara realitetit”, “Kompleksi i superioritetit që lind nga inferioriteti”, mendoj se janë të vlefshme dhe të dobishme jo vetëm për lexuesit por në veçanti për studiuesit dhe njohësit e thellë të jetës dhe veprimtarisë së këtyre personaliteteve. Po i njëjti nivel i lartë trajtese intelektuale ndihet dhe në shkrimet për Alcide de Gasprin, John Maynard Keynes. Mirëpo, çështja e madhe që i shtrohet shoqërisë e veçanërisht politikës shqiptare, përballë një korpusi të tillë mendimi, është përthithja e tij nëpër dejet e damarët e arsimit dhe shkollës shqiptare. Ky është dhe shqetësimi kryesor i autorit, prandaj vazhdimisht në shkrimet e tij ai insiston se është vitale për të ardhmen e bazës së saj kombëtare, por edhe për konkretësinë dhe aktualitetin e problemeve të sotme, që ky mendim të jetë pjesë e pandarë e bibliotekave dhe kurrikulave të saj. Përmasa e madhe e vlerave që ato përmbajnë dikton urgjencën me të cilën duhet të përçohen nga çdo nxënës dhe student shqiptar, konturet ku duhet të shtrihet edukimi dhe arsimimi shqiptar është qëllimi i shkrimeve të pjesës së tretë të studimit në fjalë. E megjithatë, nuk mund të themi se deri këtu i kemi spikatur të gjitha risitë që i ofron ky libër jo vetëm lexuesit, por edhe të gjithë faktorëve kulturë-formues. Të veçantë në llojin e tyre janë edhe skicë-idetë, siç i quan autori, por që në të vërtetë janë projekt-plane të vërteta emancipuese dhe rindërtuese të raporteve me edukimin në shkollë, me modelin edukues që shkolla shqiptare duhet të zgjedhë, me mënyrën se si duhet ta përballë integrimin shkolla jonë, nëpërmjet projektesh të veçantë të njohjes së Evropës për të gjitha nivelet, për raportet që shkolla dhe shoqëria duhet të ketë me teknologjinë, me mënyrën se si duhet të ndryshojë pedagogjia përballë saj, e deri tek ndërtimi i një platforme të tërë për një qasje sociologjike dhe etike të brezit të ri ndaj teknologjisë. Janë probleme kapitale që shtypi dhe studiuesit tanë deri tani ose i kanë prekur sipërfaqësisht ose i kanë anashkaluar. Kjo sprovë e autorit na zgjon tu rikthehemi e ti përballim ndryshe dhe me vëmendje të thellë, për rëndësinë e kësaj problematike, këto probleme kruciale të shoqërisë tonë. Në pikëprerjen (pikëtakimin) e individit me shoqërinë gjendet homo sociologicus, ose njeriu si bartës i roleve të paraformuara brenda shoqërisë në mënyrë sociale – shkruan autori. Ja, këtë njeri të duket sikur takon, dhe ndjen të kuvendojë me ty, gjatë shfletimit të rubrikave të librit. Aq më tepër tani, ne kemi nevojë t&eu′ domosdoshme të dëgjojmë zëra të tillë, pak nga pak, çdo ditë, për të pësuar atë transformim rrënjësor që kërkojmë të arrijmë. E ky libër, ta ofron konkretisht e në mënyrë argëtuese dhe diturore bazën e një transformimi të tillë, me idenë për të vepruar në çdo ind të shoqërisë shqiptare me rrezatimin e tij erudit dhe kulturë-ndërtues. Së fundmi në këndvështrimin tim, autori është për t′u vlerësuar për përpjekjet origjinale dhe risinë në mendimin kulturor shqiptar të këtyre viteve, për faktin se siç shprehet vet ai “Është pjekur koha dhe interesi i lexuesve, në të gjitha nivelet, për botime më të plota, më përfaqësuese, sa më të shtrira e të strukturuara në lëndë, të ndërtuara mbi një shtrat logjik e të pajisura me sprova shqyrtuese mbi veprën e korifenjve të mendimit shqiptar.” Kur po mbyllja shkrimin media njoftoi se Presidenti i Republikës vlerësoi shkrimtarin dhe intelektualin e shquar, Mitrush Kuteli me dekoratën e lartë, Nderi i Kombit. Vërtet u gëzova shumë! Besoj se Presidenti i Republikës do të vlerësojë propozimin e ardhur nga një grup intelektualësh dhe Ministria e Kulturës për të nderuar dhe vlerësuar eruditin Ndriçim Kulla, punën, jetën, kontributi′he veprimtarinë e tij, në dobi të kulturë-formimit, edukimi′he identitetit tonë kombëtar, me dekorata të tilla, të larta, të shtetit shqiptar.