Gazeta “Panorama”, 20 nentor 2011, nga Fatos Çoçoli.
Zoti Leskaj ka qenë bashkëpunëtor i vjetër i Kryeministrit të sotëm, si në pozitë dhe në opozitë, si anëtar Parlamenti dhe i kabinetit qeveritar. Sot, ai, krahas kontributit në publicistikën ekonomike, është profesor i përkushtuar i ekonomisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Dhe ka qenë për vite me radhë mbrojtës i interesave të ekonomisë sonë në Parlamentin shqiptar në vitet 2005-2009. Ky ish-deputet i Vlorës, më i votuari si intelektual vlonjat nga një sondazh i gazetës “Vlora Imperial”, është promotori i ligjit të parë integral për turizmin, ligj i përgatitur në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Turizmit dhe organizatën holandeze të zhvillimit “SNV”. Bashkëpunim që e ideoi pikërisht ekonomisti nga Vlora. Ligji u miratua, mes debatesh të shumta, nga qeveria në janar 2007 dhe pastaj nga Parlamenti në maj të po atij viti. Leskaj ka vënë po ashtu vulën e tij në strategjinë kombëtare për zhvillimin e turizmit kulturor, që lidhi përfundimisht pasuritë e trashëgiminë tonë kulturore me industrinë e turizmit. Dhe nëse në këto pesë vitet e fundit ka ndodhur shndërrimi i turizmit shqiptar në industrinë e parë të vendit, për kontributin në Prodhimin e Brendshëm Bruto (jep mbi 1.2 miliardë euro), kjo në një pjesë i dedikohet edhe kuadrit nxitës dhe garantues ligjor, të draftuar nga Leskaj. Ligji integral për turizmin nuk është si çdo ligj tjetër. Në të garantohet siguria e shërbimeve ndaj turistit vendas dhe të huaj dhe promovohet informacioni tërësor dhe strukturat e tij për turistin. Pakkush e di, por Leskaj ka dhënë kontributin e tij dhe për ligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, apo për ligjin për dëmshpërblimet e të përndjekurve politikë, nëpërmjet diskutimeve pa anësi dhe materialeve të përgatitura shumë seriozisht në Parlament. Këto diskutime i mbajnë mend shumë përfaqësues të atëhershëm të Ministrisë së Financave, madje sot disa syresh janë deputetë të shumicës. Njëri prej tyre është shprehur se “kur vinim në Kuvend ishin pyetjet e z. Leskaj që na bënin të djersinim”, në kuptimin e thellësisë dhe paanshmërisë së tyre. Një diskutim tjetër për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë të administratës dhe të të zgjedhurve ka kaluar po ashtu jo pa gjurmë në Kuvend. Janë këto vlera qytetarie dhe një punë e palodhur intelektuale që bënë që z. Leskaj vitet e fundit t’i japë jo vetëm lexuesit shqiptar, por edhe kujtesës sonë kombëtare dy libra hulumtues, “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë, 1912-2009” dhe “Brenda dhe jashtë… Parlamentit”. Njëkohësisht, në profesionin e pedagogut, Leskaj thellon udhëtimin e tij në botën financiare nëpërmjet përkthimit “Leksione në financë”, të përshtatur sipas tekstit të nobelistëve të njohur të ekonomisë, Zvi Bodie dhe Robert C. Merton, si dhe botimit “Paraja dhe banka”. Ishministri dhe deputeti i Vlorës është i njohur nga të gjithë për nervin polemizues për t2 i shkuar së vërtetës deri në fund. Është pikërisht një personalitet i tillë, i cilësuar nga prof. Omer Stringa si “me kurajë karakteri dhe mprehtësi të pashoqe vëzhgimi”, që i duhet Kontrollit tonë të Shtetit. Kjo strukturë deri tani na ka zhgënjyer, lodhur dhe mërzitur me histori të grupeve të caktuara që bëjnë presion e kontrolle selektive, të paramenduara për të zhvatur para për vetë kontrolluesit, apo “ndere” të tilla si futja e njerëzve të tyre në punë etj. Një kurajoz që nuk bën kompromis me askënd, në emër të interesave të shoqërisë dhe ekonomisë shqiptare është garancia më e mirë që mund të kemi për të pasur një KLSH të pavarur realisht, profesionale dhe me forcë karakteri. Dhe pikërisht kemi më shumë nevojë për këtë të fundit, anën e “të paparashikueshmes” në kontrollet dhe punën e saj nga interesat okulte të pushtetit dhe politikës. Ka ardhur mirëfilli koha që ky institucion të rinovohet pikërisht drejt kësaj përqasjeje që është një shërbim i pastër për qytetarin e këtij vendi që paguan taksat dhe kërkon rikthim publik të kontributit të vet. Ky shërbim përkthehet shumë mirë edhe në para publike, ngaqë një kontroll i fortë parandalues shmang abuzime e humbje për buxhetin e shtetit në nivele të dhjetëra miliona eurove. Pse nuk mjaftojnë deklarimet e deritanishme, me të cilat na ka mësuar KLSH-ja, për humbje të gjetura apo dyshuara prej saj? Kërkohet një dorë e fortë për të evituar raste të ngjashme në të ardhmen. Për këto arsye, dekretimi i zotit Bujar Leskaj, kjo përzgjedhje e dytë e Presidentit Topi është shumë e gjetur dhe do të ishte në të mirë të vendit që forcat tona politike ta përkrahnin. Kjo, pse sa më parë kjo strukturë shumë delikate, por dhe jetike për mirëmenaxhimin financiar të miliarda eurove publike gjen drejtuesin e vet të duhur, aq më mirë është për ne të gjithë.