Kujtesa historike është një nga përbërësit më të fuqishëm në krijimin e identitetit të qëndrueshëm jo vetëm të një kombi, por edhe të një institucioni kryesor shtetëror. Një botim mbi historikun e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili u krijua si strukturë e plotë vetëm 13 vjet pas lindjes së shtetit shqiptar, ashtu si çdo botim tjetër për kujtesën e institucioneve të ngjashme përcaktuese në funksionimin e demokracisë dhe te shtetit ligjor në një vend, ofron avantazhe në disa rrafshe. Së pari, ndërgjegjëson punonjësit e tij për vlerat e institucionit të shtrira në vite dhe të vyera për rolin kushtetues që ai ka, por edhe për përgjegjësinë që çdo auditues mbart kur përfaqëson institucionin me punën, sjelljen dhe rezultatet e tij. Së dyti, si copëz historie, historiku jo vetëm shfaqet mjaft i dobishëm për cilindo qytetar që kërkon të njohë evoluimin në vite të institucioneve tona, por edhe për ata që duan të kontribuojnë në rritjen e cilësisë dhe efikasitetit të këtyre institucioneve. Njëlloj, kujtesa historike i shërben po ashtu pasurimit të dijeve të brezit të ri, të përqëndruar në këtë drejtim falë interesave didaktiko-shkollore apo studimore. Së fundmi, ajo kontribuon në pasurimin e asaj kulture ligjore dhe institucionale që duhet të kenë së pari vendim-marrësit publikë, por edhe çdo qytetar shqiptar i përgjegjshëm, i interesuar për shtetin dhe mënyrën e funksionimit të tij. Formësimi i kulturës së institucioneve tona shteterore me vlerat dhe përgjegjësitë e tyre përbën një prej objektivave të rëndësishëm të projektit të evropianizimit të administratës shqiptare, të forcimit të shtetit ligjor dhe punës për një qeverisje të mirë. Baza nga ku ngjizet kjo kulturë e domosdoshme është rrafshi njohës dhe historik i institucioneve përgjegjëse për konkretizimin e reformave të vendosjes së shtetit ligjor. Historiku i KLSH mundëson të shikohen fillesat e këtij institucioni suprem të auditimit, jetik për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të Kuvendit në administrimin e parasë publike. Shikohen format që ai ka marrë në rrjedha të ndryshme të historisë së shtetit shqiptar, mungesa 6 Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit e plotë të pavarësisë dhe deformimi gjatë diktaturës, zhvillimet e vrullshme në periudhën e tranzicionit 1992 e deri më sot, si dhe përpjekjet e punonjësve të tij profesioniste për të realizuar një mëvetësi funksionale, pavarësisht nga kornizat e kohës. Me vlerësimin maksimal qytetar, stafi i sotëm i KLSH përulet përpara figurave dhe personaliteteve që kanë drejtuar këtë institucion, veçanërisht në vitet 1925-1944, si Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Fejzi Alizoti, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej. Vlerësojmë po ashtu punën reformuese të kryer nga Dr. Blerim Çela, ish-Kryetar i KLSH në vitet 1992-1997 dhe Mustafa Kërçuku ish-Kryetar në vitet 1997-2004, si dhe kontributin e ish-kryetarëve Zydi Pepa, Ylli Memisha, Alfred Karamuço e Robert Çeku, ish-kryetar deri në vitin 2011. Në veçanti për mua ky libër vjen si një respekt dhe vlerësim për të gjithë ata punonjës e auditues punëtorë, të ndershëm, korrektë dhe të aftë profesionalisht që kanë shërbyer në Institucionin më të Lartë të Auditimit Publik në Shqipëri nga viti 1925 e deri më sot. Si institucion i pavarur, nëpërmjet këtij botimi dëshirojmë të krijojmë traditën e mirë të vlerësimit institucional të veprimtarisë, duke kontribuar në kulturën e vlerave dhe të përgjegjësisë publike në vend, për t’ia kundërvënë “kulturës” së harresës. Bujar Leskaj