16 prill 2012.
Të nderuar miq dhe partnerë,
Gjatë këtyre javëve të fundit jam takuar me secilin prej jush dhe ju falënderoj për gatishmërinë për t’u takuar, por mbi të gjitha pse kam marrë shumë ide dhe sugjerime me vlerë nga ju.
Ju kërkoj ndjesë, nëse disa prej këtyre ideve dhe sugjerimeve po i përdor në këtë diskutim, por ne na lidhin shumë gjëra të përbashkëta: përgjegjësia si qytetarë dhe ndjeshmëria për pritshmëritë e publikut, misioni për t’i kontribuar realisht shoqërisë, duke luftuar korrupsionin dhe rritur transparencën.
E shoh bashkëpunimin me ju si thelbësor për institucionin që përfaqësoj. Kjo që po organizojmë sot nuk është as sprovë për show mediatik, as kërkesë për të sublimuar institucionin për vlerat që ai kërkon të promovojë. Ne jemi të gatshëm t’u vëmë në dispozicion organizatave tuaja raportet paraprake të kontrolleve, auditimeve tona.
E kemi nisur në janar të këtij viti, duke i kryer ndoshta për herë të parë në institucion, analizat vjetore të departamenteve të tij në prani të medias dhe duke ju ftuar edhe ju(me aq sa ju njihnim në atë kohë) në analizën tërësore që zhvilluam në Pallatin e Kongreseve në 20 janar. Duam ta vazhdojmë duke ju patur partnerë të përhershëm dhe të plotë.
Neni 15 i ligjit tonë organik na i jep të plota mundësitë ligjore që në ekipet tona të kontrollit të përfshihen edhe ekspertë të përkohshëm, të angazhuar nga organizatat tuaja. Për fat të keq, për këtë vit na mungon fondi nga Buxheti i Shtetit për ekspertët e jashtëm, por ndoshta nëpërmjet projekteve të përbashkëta do të mundësojmë kontributin tuaj dhe të ekspertëve që ju keni.
Ushqej bindjen se ne si KLSH nuk mund të gjejmë njohës më të mirë se sa ju vetë dhe ekspertët që ju angazhoni, kur bëhet fjalë për rritjen e transparencës së institucioneve publike, luftën ndaj korrupsionit dhe parandalimin efikas të tij në gjirin e këtyre institucioneve. Për këtë, në platformën strategjike të institucionit, që paraqita si kandidat për Kryetar në dhjetor të vitit të kaluar përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, theksova përmirësimin e transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me organizatat jo-fitimprurëse që luftojnë korrupsionin dhe me median.
KLSH dhe përditësimi i standardeve INTOSAI
Ju them me shumë sinqeritet se deri në janar të këtij viti në KLSH nuk njihej motoja e INTOSAI-t “Experentia mutual ominibus prodest” (Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve). Unë vlerësoj lart punën e paraardhësve të mi, personaliteteve të jetës politike dhe ekonomike të vendit, si të ndjerin Alfred Karamuço, zotërinjtë Ylli Memisha, Blerim Çela, Mustafa Kërçuku dhe Robert Çeku.
Por sfidat e kohës që jetojmë, prania e krizës në eurozonë dhe kërkesat për një disiplinë të hekurt financiare dhe mbajtjen nën kontroll të defiçitit buxhetor të Shtetit, kërkojnë me forcë një institucion modern, të aftë të përdorë me ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë burimet e tij. Pritshmëritë e qytetarëve janë të larta, pse KLSH, në rolin e tij kushtetues si institucioni më i lartë i kontrollit është avokat i interesave të qytetarit për mirëadministrimin e pronës publike, për performancën e duhur të administratës shtetërore dhe për luftën efikase kundër korrupsionit.
Këtë mision dhe këto detyra institucioni mund t’i realizojë me sukses vetëm duke zbatuar me përkushtim e profesionalizëm standardet e përditësuara të INTOSAI-t, organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit.
Përgjegjësitë themelore të këtyre institucioneve(mes tyre edhe KLSH), sipas Deklaratës së Limës, të miratuar në Kongresin e 9-të të INTOSAI-t, në vitin 1977 janë sigurimi i përputhshmërisë me ligjet dhe rregulloret, sigurimi i përdorimit me ekonomi, efiçiencë dhe efektivitet të burimeve financiare, informimi i Parlamentit dhe publikut mbi ligjshmërinë e përdorimit të burimeve buxhetore dhe mbi menaxhimin financiar të qeverisë, monitorimi i zbatimit të rregullave mbi fondet publike dhe nxitja për përditësimin e rregulloreve përkatëse.
KLSH po përfundon këto ditë, në programin e 100 ditëve të para, përditësimin e rregullores së tij të brendshme dhe është në proces të përditësimeve të manualeve të auditimit financiar dhe të performancës. Institucioni po respekton rigorozisht nivelet 2,3 dhe 4 të standardeve të INTOSAI-t, përkatësisht kodet, parimet dhe standardet për menaxhimin e institucioneve supreme të auditimit, si Kodin e Pavarësisë të tyre(të përcaktuar në Kongresin dhe Deklaratën e Meksikos në vitin 2007), Kodin e Transparencës dhe Përgjegjshmërisë, si dhe Kodin e Etikës.
KLSH dhe rritja e përdorimit të 3 E-ve
Zbatim i parimeve dhe standardeve të mësipërme na vendos përpara një sfide të mirëfilltë, asaj të përdorimit me sa më shumë ekonomi të burimeve tona të kufizuara, për të arritur maksimumin e impaktit. Rezoluta e 22 dhjetorit 2011 e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara njeh rolin e rëndësishëm të institucioneve supreme të kontrollit në promovimin e efiçiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike.
Sigurimi i tre E-ve, ekonomi, efektivitet dhe efiçiencë është përparësia jonë. Po synojmë futjen e gjerë të teknologjisë së informacionit në kontrolle, për të kursyer kohën dhe burimet njerëzore në përdorim, si dhe për të rritur shkallën e saktësisë së gjetjeve dhe rekomandimeve tona. Do të ndërtojmë punën e auditimeve financiare, duke ngritur formate të standartizuara në mënyrë elektronike dhe do t’i vendosim në dispozicion për të gjithë kontrollorët. Përdorimi i dokumenteve standarde, krahas kursimit të kohës së punës, do të na sigurojë qëndrueshmëri të auditimeve financiare.
KLSH dhe përsosja e kontrollit mbi metodën e bazuar në risk
Po synojmë realizimin e një metode auditimi të bazuar gjithnjë e më shumë në vlerësimin e riskut. Kjo do të na rrisë efiçiencën dhe do të na kursejë burime që aktualisht shpenzohen gjatë auditimeve tradicionale.
KLSH po zhvendoset gradualisht drejt një metode të përbashkët të kontrollit financiar, kur përzgjedhja e subjekteve për kontroll do të bëhet vetëm dhe eskluzivisht mbi të dhënat e riskut, të marra nga burime të ndryshme (jo vetëm nga kontrollet e mëparshme, statistikat, studimet e burimet shkresore formale, por edhe nga denoncimet e qytetarëve të thjeshtë, nga denoncimet e medias dhe tuajat, si organizata të shoqërisë civile).
Përfitimet kryesore nga aplikimi i metodës së kontrollit bazuar tek risku janë planifikimi më i mirë i punës së auditimit, si dhe përdorimi me ekonomi i burimeve audituese, duke u përqendruar tek institucionet dhe programet shtetërore me risk më të lartë për praninë e mashtrimit financiar dhe korrupsionit.
Një tregues shumë të përshtatshëm në analizën tonë të riskut e përbën shkalla e transparencës së institucioneve dhe programeve publike që kontrollojmë. Prandaj dhe çdo element apo informacion për një shkallë të ulët transparence të institucionit apo aktivitetit shtetëror që ju mund të konstatoni në projektet dhe vrojtimet tuaja, është i vyer për ne, për të përcaktuar riskun dhe ndërhyrë me kontrollet tona.
KLSH dhe lufta për parandalimin e korrupsionit
Gjykoj se tashmë, institucioni ka një vizion të qartë për të ardhmen e punës së tij dhe sfida qëndron në rritjen e aftësive të tij për zbulimin e rasteve të mashtrimit financiar dhe të korrupsionit. Sikurse e përmenda më lart, që në dhjetor të vitit të kaluar përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, theksova nevojën e thellimit të realizimit të misionit kushtetues të KLSH në parandalimin e korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike.
Për këtë, kemi lidhur në muajin shkurt të këtij viti marrëveshje bashkëpunimi me ILDKP dhe në mars marrëveshje me Autoritetin e Konkurrencës, për të shkëmbyer eksperienca në parandalimin e konfliktit të interesit dhe abuzimeve me tenderat shtetërore. Po përpiqemi për bashkëpunim konkret me Prokurorinë e Përgjithshme, me Drejtorinë Anti-korrupsion pranë Kryeministrisë, me Avokaturën e Shtetit dhe me të gjitha institucionet e tjera shtetërore që luftojnë korrupsionin.
Kemi shumë besim tek bashkëpunimi me ju për ta kufizuar dhe parandaluar këtë fenomen. Besoj me të gjitha forcat se korrupsioni luftohet dhe mposhtet me punë në sistem, në një rrjet aleancash të sinqerta, me struktura që punojnë kokulur dhe nuk prodhojnë vetëm fjalë dhe deklarata. Ju ftoj të angazhohemi në projekte të përbashkëta, në punë të përbashkët.
KLSH dhe transparenca
Transparenca është sot në fokus të punës së përditshme të KLSH me mediat dhe me organizatat jo-fitimprurëse. KLSH ka nevojë të fitojë akses te rritur në publik dhe për këtë po transformon faqen e saj në internet, duke vendosur lidhje (links) me strukturat e tjera shtetërore që luftojnë korrupsionin dhe edhe me OJF-të aktive në këtë fushë. Ajo po furnizon periodikisht me informacion rrjetet e mediave elektronike dhe të shtypit të përditshëm, të interesuara për mirëmenaxhimin e pronës publike.
Mendoj se një parakusht thelbësor për të kufizuar korrupsionin dhe për ta parandaluar atë e përbën të qenit tërësisht transparent në aktivitetin tënd si institucion shtetëror.
Për t’i dhënë një impuls, përmbajtje dhe formë krejtësisht të re marrëdhënieve të KLSH me publikun, brenda programit të 100 ditëve te para miratuam një udhëzues të veçantë për mënyrën e administrimit të kërkesë/ankesave të publikut, që nga momenti i mbërritjes së tyre dhe deri në dhënien e zgjidhjeve të mundshme brenda kuadrit ligjor në fuqi dhe burimeve njerëzore që disponon institucioni. Këto muaj të parë të këtij viti, raportet tona përfundimtare të kontrolleve tek ALUZNI dhe Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave ua kemi shpërndarë mediave me njoftime tërësisht transparente.
Synimi është përcjellja sa më e shpejtë dhe me vërtetësi e të gjithë veprimtarisë kontrolluese të KLSH tek aleatët dhe partnerët tanë të natyrshëm në radhë të parë (Kuvendi, institucionet e tjera shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, analistët e njohur, etj.), si dhe tek publiku i gjerë, duke shërbyer si një mjet efikas denoncimi dhe parandalimi të korrupsionit.
KLSH dhe OJF-të që luftojnë korrupsionin. 7. Pikat e përbashkëta. 8. Ku mund të operojmë së bashku
Sikurse e përmenda në fillim, ne si KLSH dhe ju kemi shumë pika të përbashkëta dhe prej këtej lind mundësia e bashkëpunimit në shumë nivele. Ju do të merrni të parët raportet tona paraprake të auditimit. Do të ndajmë me ju kalendarin e kontrolleve tona të shtrira gjatë vitit, për të marrë nga ju feedback, vërejtje me vlerë.
KLSH është e gatshme t’ju rekomandojë pranë niveleve më të larta të qeverisjes për projektet që ju do të keni për rritjen e transparencës dhe thellimin e luftës kundër korrupsionit, që të mundësohet mbështetja nga Fondi Shtetëror për OJF-të. Jemi gati të ndajmë me ju ide dhe përgatitje për projekte të përbashkëta në këto fusha. Të kërkojmë së bashku donatorë. T’ju rekomandojmë pranë donatorëve që keni ose atyre potencialë.
Në të kaluarën nuk kanë munguar, edhe pse shumë të pakta, rastet kur në marrëveshje me ne dhe mbi baza projekti, nga raportimet apo indikacionet tona ju ndërmerrnit investigimet tuaja të pavarura dhe ja përcillnit medias në formën e shkrimeve apo denoncimeve. Këtë mënyrë bashkëveprimi mund ta rivitalizojmë. Jemi gati të shkruajmë një projekt të ri të përbashkët për këtë, me cilëndo nga organizatat tuaja që mund të jetë e interesuar.
Nga ana tjetër, ju kryeni shumë vrojtime, ese dhe studime dhe përfshirja në to e audituesve tanë të rinj dhe me mundësi zhvillimi mund të jetë dobiprurëse për të dyja palët. Ne kemi krijuar në shkurt 2012 departamentin e Kërkimit Shkencor dhe Zhvillimit në KLSH dhe së bashku me punonjësit e rinj të këtij departamenti, me ju mund të realizojmë vrojtime, prognoza dhe studime të përbashkëta.
Jemi duke ngritur një revistë shkencore të auditimit të lartë publik dhe aty mund të prezantojmë rezultatet e vrojtimeve dhe nismave tuaja, si dhe të atyre të përbashkëta. Ju do të ftoheni në çdo aktivitet publik tonin, workshop, simpozium, konferencë, etj dhe shpresojmë që të kemi ftesat tuaja që edhe ne të marrim pjesë në aktivitetet që ju organizoni.
Mund të kemi ide për themelimin e një buletini anti-korrupsion (disa institucione homologe në Evropë e kanë si mjet informimi dhe ndërgjegjësimi), që të shërbejë si forum i ideve, opinioneve dhe sugjerimeve tuaja dhe tonave. Mund ta ngremë fillimisht në mënyrë vullnetare, ose të aplikojmë në formën e një projekti të përbashkët pranë donatorëve të interesuar.
Dobia reciproke
Mendoj se dobia reciproke nga partneriteti ynë është e qartë. OJF-të fitojnë me praninë e një partneri serioz shtetëror, kurse KLSH merr shumë inpute për analizën e saj të riskut dhe orientimin e auditimeve në të ardhmen. Feedback-u i marrë nga OJF-të i shërben KLSH të korrigjojë dhe përmirësojë veten.
KLSH dhe e ardhmja e këtij bashkëpunimi
Vetëm puna jonë konkrete e përbashkët mund ta bëjë të funksionojë partneritetin që duam të krijojmë. E shoh me shumë besim të ardhmen e tij. Ne kemi gati një draft në formën e një marrëveshjeje tip bashkëpunimi me ju. Këtë po jua vëmë në dispozicion sot. Për të respektuar specifikat e gjithsecilit prej jush dhe organizatave që përfaqësoni, ndoshta mund të nënshkruajmë në një kohë të dytë marrëveshje të veçanta me secilën nga organizatat tuaja, ku të profilizohet bashkëpunimi. Ose mund të lidhim një marrëveshje me rrjetin tuaj. Bashkëpunimi institucional mund të jetë edhe duke formuar një sekretariat të përbashkët. Ju si ta vendosni vetë. Ne jemi të gatshëm dhe të hapur për çdo formë bashkëveprimi që për ju është më e përshtatshme.
Ju faleminderit!