87 VJET KLSH NË 100 VJET SHTET

Shkrimi është botuar në Gazetën “Ekonomia”, datë 16 janar 2013.
Në mbyllje të vitit Jubilar të 100 vjetorit të Shtetit Shqiptar, më 28 dhjetor 2012, Kontrolli i Lartë i Shtetit organizoi Konferencën e tij të Parë Shkencore vjetore, të përqendruar në evidentimin e vlerave të historisë së institucionit dhe të punës shumë-vjeçare të të gjithë punonjësve dhe drejtuesve që kanë kontribuar me përkushtim për ngritjen dhe mbarëvajtjen e tij në periudha kohore të ndryshme.
Hedhja e shikimit nga historia na ndihmon të kuptojmë jo vetëm rrënjët nga vijmë dhe bazën e krijuar, por edhe vlerat dhe forcat që mbartim me vete në përballimin e sfidave të së ardhmes. Këto vlera ia vlen t’ia shpalosim jo vetëm vetes, por edhe opinionit dhe perceptimit qytetar, që aq shumë pret nga ne. Për këtë arsye, krahas disa botimeve të tjera profesionale, finalizuam historikun e KLSH 1925-2012, një libër që doli këto ditë nga shtypshkronja dhe i vihet në dispozicion mediave dhe qytetarit. Prezantimet në këtë konferencë ju mundësuan pjesëmarrësve, por më vonë edhe publikut të gjerë nëpërmjet historikut që po del, kohën dhe kushtet kur dhe si ka lindur KLSH, institucioni suprem i kontrollit, jetik për mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe të Kuvendit në administrimin e parasë publike. Institucioni mori forma të ndryshme në rrjedha të ndryshme të historisë së shtetit shqiptar, provoi mungesën e plotë të pavarësisë dhe deformimin gjatë diktaturës, si dhe zhvillimet e vrullshme në periudhën e tranzicionit 1992 e deri më sot. Vlen të theksohen përpjekjet e punonjësve të tij profesionistë për të realizuar një mëvetësi funksionale, pavarësisht nga kornizat e kohës.
Si institucion i pavarur, nëpërmjet këtij aktiviteti dëshirojmë të krijojmë traditën e mirë të vlerësimit institucional të veprimtarisë, duke kontribuar në kulturën e vlerave dhe të përgjegjësisë publike në vend, për t’ia kundërvënë anti-kulturës së indiferencës dhe harresës, por edhe duke shpresuar që kjo traditë të ndiqet nga institucionet e tjera publike të pavarura dhe të pasurohet vit pas viti. Krahas botimeve gjatë këtij viti të Revistës Profesionale “Auditimi Publik”, të botimit “EUROSAI”, të Standardeve ISSAI dhe të Manualit të Performancës, të Analizave Gjashtëmujore dhe Njëvjeçare të hapura të institucionit, ne shtojmë një forum të ri të përvitshëm në mozaikun e produktit tonë profesional dhe institucional.
Kontrolli i Lartë i Shtetit është në një proces reformimi dhe marrëveshjet me institucione dhe OJF të tilla si Agjencia e Prokurimit Publik, Departamenti i Administratës Publike, Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit dhe Instituti “G&G Group”, të nënshkruara po më 28 dhjetor 2012 janë thelbësore për institucionin, sepse mundësojnë kalimin e tij të natyrshëm nga veprimtari bazuar në standarde të përgjithshme në veprimtari bazuar në respektimin e plotë të standardeve profesionale INTOSAI, si dhe në bashkëpunimin me partnerë profesionalë, duke përdorur me efiçiencë, efektivitet dhe ekonomicitet burimet tona njerëzore. Këta partnerë do të na ndihmojnë për t’u orientuar më mirë në sfidën kryesore, që është modernizimi i institucionit, orientimi dhe veprimtaria e tij brenda kornizave profesioniste të standardeve ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe IFAC.
Të tillë partnerë jemi të bindur se do t’i gjejmë në Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA), në Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit apo në Agjensinë e Prokurimeve Publike, sikurse i kemi gjetur gjatë këtij viti në bashkëpunimin e frytshëm me Autoritetin e Konkurrencës apo me partnerët tanë ndërkombëtarë, institucionet supreme të auditimit të Polonisë, Sllovenisë, Turqisë, Kosovës dhe Kroacisë. Të gjithë këta, përpos të tjerash, do të jenë bashkëpunëtorët tanë në Konferencën e II-të shkencore të KLSH, që do të organizohet në vitin 2013 në muajt tetor apo nëntor dhe kumtesat e së cilës do të përqendrohen vetëm në standardet dhe metodologjinë profesionale të auditimit.
Thellimi i orientimit dhe i respektimit të standardeve të fushës është thelbësor për ne. Kjo na ka shtyrë që në fillim të kërkojmë rikthimin e vëmendjes tek auditimi i performancës, krahas konsolidimit të auditimit financiar dhe të pajtueshmërisë.
Qëllimi ynë është që të jemi një institucion modern i auditimit më të lartë publik, që mbështetet në standartet INTOSAI dhe që ecën përpara me moton e kësaj organizate, e cila është “Eksperienca e përbashkët ju shërben të gjithëve”, duke u bazuar në eksperiencat ndërkombëtare të institucioneve homologe, por pa dyshim edhe në eksperiencën shumëvjeçare të vetë Institucionit dhe në burimet e tij njerëzore cilësore në vite.
Ndajmë bindjen që dhe në kohën e teknologjisë së informacionit, kapitali njerëzor bën dallimin dhe diferencën e institucioneve të suksesshme. Prandaj dhe investimi ynë parësor dhe thelbësor është dhe mbetet rritja e kapaciteteve audituese të audituesve tanë. Brenda vitit 2012 kemi dërguar auditues për trajnim jashtë shtetit një numër të barabartë me atë që institucioni ynë ka çuar në të shtatë vitet 2004-2011 të marra së bashku. Ne arritëm një numër të konsiderueshëm të trajnimeve për çdo auditues në mesatarisht 18 ditë trajnimi në vit, nga 2 ose 3 ditë që ishte në vitet 2009, 2010 dhe 2011. Rritja e kapaciteteve profesionale dhe e integritetit të audituesit më të lartë publik do të jenë kostante të vëmendjes dhe veprimtarisë sonë në vitet që vijnë. Marrëveshjet që kemi nënshkruar gjatë këtij viti me institucionet homologe si SAI polak, slloven, turk e kroat do të vazhdojnë të jenë operacionale dhe në vitet në vijim dhe do të pasohen nga marrëveshje të tjera që do të nënshkruajmë me SAI të tjera të zhvilluara, nga ku mund të marrim eksperiencë të vyer dhe të fitojmë shprehitë që na duhen. Konferencat e ardhshme vjetore do të përqendrohen pikërisht në zbatimin e standardeve INTOSAI në punën tonë, në përqasjen e eksperiencave me homologët tanë, duke sjellë risi dhe përsiatje nga eksperiencat e huaja, por dhe duke marrë më të mirën e traditës sonë dhe të auditimeve të suksesshme që kryejmë sot.
Le t’i lejojmë kujtesës historike të KLSH-së, historikut të denjë të këtij institucioni të na drejtojë në rritjen e vetëdijes dhe përgjegjësisë ndaj rolit tonë dhe sfidave që kemi përpara dhe me vlerësimin maksimal qytetar të përkulemi përpara figurave dhe personaliteteve që kanë drejtuar këtë institucion, veçanërisht në vitet 1925-1944, si Kol Thaçi, Fejzi Alizoti, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej.
Ndërkohë që njohim dhe vlerësojmë të kaluarën e institucionit, vëmendjen e kemi të përqendruar tek e ardhmja. Raporti i Progresit të Shqipërisë i Komisonit Evropian i Tetorit të vitit 2012 ka nënvizuar se: “Auditimi i jashtëm duhet të vijë në nivel me standardet e INTOSAI” . Synimi strategjik i KLSH për vitet 2013-2016 është modernizimi i institucionit për të sjellë veprimtarinë e tij në përputhje të plotë me standardet INTOSAI dhe me objektivat strategjikë të Strategjisë së EUROSAI 2011-2017, të cilat janë: 1-ndërtimi i kapaciteteve, 2-forcimi i zbatimit të Standardeve profesionale, 3-shkëmbimi i eksperiencave në auditim dhe më gjerë dhe 4- mirëqeverisja dhe komunikimi.
Duke respektuar sensibilitetin popullor, KLSH ka si objektiv strategjik të vetin dhe luftën pa kompromis dhe në sistem ndaj korrupsionit dhe parandalimin e tij. Për këtë, institucioni do të sinergjizojë përpjekjet për luftën ndaj korrupsionit dhe për parandalimin e tij, në përputhje me Strategjinë Ndërsektoriale të Parandalimit, Luftës kundër Korrupsionit dhe Qeverisjes Transparente 2008-2013 të qeverisë Berisha, e cila kërkon një bashkëpunim më të ngushtë të institucioneve kryesore që e luftojnë korrupsionin, të bazuar në angazhime të përbashkëta të institucionalizuar, si dhe me institucionin e Prokurorisë, pa lënë jashtë vëmendjes bashkëpunimin me organizatat profesionale që janë aktive në këtë fushë.
Më në detaje, objektivat tanë strategjikë, të përpunuar dhe me mbështetjen e SIGMA-s, programit për “Përmirësim në Menaxhim dhe Qeverisje” të BE-së, janë:
1- Sjellja dhe mbajtja e bazës ligjore dhe rregullatore të KLSH në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe praktikat e mira evropiane. Zhvillimi institucional i KLSH i referohet forcimit të kapaciteteve institucionale, duke u shndërruar në një institucion model të qeverisjes së mirë në sektorin publik. KLSH synon të krijoje një model të qeverisjes së mirë brenda institucionit, nëpërmjet rritjes së transparencës së veprimtarisë së tij, pjesëmarrjes së grupeve të interesit, përdorimit me ekonomicitet, efiçience dhe efektivitet të burimeve, promovimit të përgjegjshmërisë individuale dhe institucionale, krijimit të një kulture jo tolerante ndaj konfliktit të interesit dhe mashtrimit e parregullsive. Nga ana tjetër, institucioni do të aplikoje një qasje fleksibël ndaj interesave të mjedisit të jashtëm, duke marrë në konsideratë kërkesat e faktorëve të këtij mjedisi ndaj KLSH.
2- Përmirësimi i kapaciteteve, cilësisë dhe produktivitetit të auditimit. KLSH do t’i përmirësojë kapacitetet, cilësinë dhe produktivitetin e auditimeve të saj në kushtet e një veprimtarie me burime të kufizuara dhe të angazhimit për t’ju përmbajtur standardeve profesionale ndërkombëtare INTOSAI dhe IFAC. Institucioni do të përfitojë nga potenciali i auditimit të performancës, duke realizuar rritjen e kontributit dhe të profilit të tij në menaxhimin e fondeve publike. Ai do të përballet me sfidën e detyrimit të ri për të dhënë një opinion të auditimit mbi raportin e ekzekutimit të buxhetit të konsoliduar të Shtetit.
3- Përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës. Përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës përbën një nga sfidat më madhore të KLSH. Auditimi i performancës i institucionit në vitin 2017 do të jetë një veprimtari e konsoliduar, me një vëllim të katërfishuar të numrit aktual të auditimeve të performancës(të vitit 2012), me një staf të mirëtrajnuar që ka demonstruar aftësi të spikatura në kryerjen e këtij lloji auditimi me ndikim në administratën publike shqiptare. Departamenti i Auditimit të Performancës do të jetë një nga dy departamentet më të rëndësishme në gjithë veprimtarinë e institucionit. KLSH do të ristrukturoje departamentin duke ngritur njësi të auditimit të performancës, si dhe duke përzgjedhur temat e auditimit që potencialisht kanë ndikim të madh.
4- Zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe përdorimi i T.I. në auditim.
5- Forcimi i rolit antikorrupsion të KLSH-së për sigurimin e mirëqeverisjes. Situata e korrupsionit në vendin tonë dikton nevojën e angazhimit të të gjithë institucioneve dhe shoqërisë për të krijuar një front unik kundër këtij fenomeni që kërcënon seriozisht progresin e Shqipërisë.
6- Nxitja e qeverisjes së mirë dhe menaxhimi i shëndoshë financiar. Vizioni i KLSH-së për shtimin dhe kursimin e vlerës së parave publike kërkon që institucioni të ndikojë mbi përdoruesit e parave për t’i përdorur ato me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë. Sigurisht që kjo është përgjegjësi e përdoruesve të parave, por KLSH ka një rol me rendësi për t’i ndikuar dhe këshilluar ata që të përmirësojnë përdorimin e tyre.
7- Zhvillimi i komunikimit dhe bashkëpunimi me aktorë të tjerë brenda e jashtë vendit.
KLSH realizoi gjatë vitit 2012 marrëveshje bashkëpunimi me gjashtë nga OJF-të më aktive në luftën kundër korrupsionit dhe për më shumë transparencë në administrimin publik, dhe konkretisht me Transparency Internacional në Shqipëri, me lëvizjen Alternativa Civile, me Qendrën për Transparencë dhe Informim të Lirë, me Institutin e Studimeve Bashkëkohore, me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim dhe me Lëvizjen Evropiane Shqipëri. Institucioni nënshkroi edhe me organizatën për mbrojtjen e mjedisit, Institutin “G&G Group”, si dhe me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar dhe Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit. Po gjatë vitit 2012 (deri në fund të nëntorit), KLSH mundësoi 468 editoriale, shkrime, raportime dhe njoftime në median e shkruar dhe mbi 282 sekuenca televizive. U shtuan editorialet dhe shkrimet problematike nga Kryetari i KLSH. Për herë të parë, në janar 2012 u zhvilluan analizat vjetore në nivel departamenti dhe analiza e përgjithshme me praninë e medias dhe të përfaqësuesve nga shoqëria civile.
Në zbatim të parimit 8-të të ISSAI 20 për komunikimin aktiv të një SAI nëpërmjet publikimeve, gjatë vitit 2012, institucioni përgatiti dhe botoi “KLSH-Analiza Vjetore 2011”, “KLSH në Kuvend”, “KLSH-Analiza 6-mujore 2012”, “EUROSAI dhe SAI-t Evropiane”, “Standardet ISSAI 1, 10, 11, 20, 30, 40, 100 dhe 200”, “Historiku i KLSH 1925-2012”, tre numra të revistës shkencore “Auditimi Publik” dhe në formë tërësisht të përditësuar Manualin e Auditimit të Performancës.