Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare

Te degjohet me shume zeri i profesionisteve te kontabilitetit dhe te finances
(Fjala ne Kongresin e Tretë të Shoqatës së Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë. 15 Nentor 2014)
Të nderuar miq,
Të respektuar kolegë!
E prita me shumë kënaqësi ftesën për të marrë pjesë në punimet e Kongresit tuaj të tretë. Kontrolli i Lartë i Shtetit që drejtoj, e sheh bashkëpunimin me profesionistët e kontabilitetit dhe të financës, të sektorit publik dhe privat, si domosdoshmërinë e plotësimit të misionit të tij ligjor dhe si një partneritet të vazhdueshëm.
Materia e misionit tonë buron nga duart dhe nga angazhimet tuaja. Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë është një zë i fuqishëm në mjedisin shqiptar. Unë konstatoj me kënaqësi se në këtë mjedis, profesionistët flasin me respekt dhe me vlerësime të larta për shoqatën tuaj, për organizimin dhe funksionimin e saj. Me gjithë vështirësitë që kemi si shoqëri dhe si ekonomi, me gjithë vështirësitë që konstatojmë në zbatimin e ligjeve të ndryshme për administrimin ekonomik dhe financiar, me gjithë mungesën shpesh herë të kulturës së punës në drejtim dhe në vendimmarrje, më duhet të nënvizoj se veprimtarinë e Shoqatës së Kontabilistëve dhe të Financierëve të Shqipërisë e shoh me shumë optimizëm, për tre arsye kryesore:
Së pari, sepse shoqata juaj është e hapur, ka spektër të gjerë anëtarësie dhe u jep shans për karrierë profesionale të gjithë profesionistëve, në radhë të parë të rinjve që janë të talentuar. E kam parë dhe ndjerë këtë prirje gjatë kohës kur punoja si pedagog i financave në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës. Kultivimi tek të rinjtë i disiplinës dhe etikës profesionale, i korrektesës dhe pasionit për profesionin e bukur të financierit dhe të kontabilistit është një premisë e shëndetshme për të pasur në të ardhmen ekspertë, kontabilistë, por edhe njerëz të aftë që do të marrin përsipër fatet e vendit, të ekonomisë, të shtetit dhe të biznesit. Nga njëra anë shoqatat janë një motor i fuqishëm profesional, por nga ana tjetër edhe një trampolinë nga ku kërcejnë dhe promovohen të talentuarit. Nuk mund të ketë shtetarë të mirë, pa pasur profesionistë të mirë. Shifra që mësova sot për anëtarësinë tuaj në Shoqatë, është mbresëlënëse.
Sinqerisht, komplimentet e mia për punën e palodhur që bëjnë drejtuesit dhe profesionistët që e drejtojnë këtë shoqatë, në veçanti personalitetit të financave publike në vend, Prof. Dr. Sherif Bundo.
Së dyti, shoqata është burim i pashtershëm i mundësive të trajnimit dhe rritjes profesionale. Ka një diferencë të madhe midis kontabilitetit të aplikuar dhe kontabilitetit të librave. Praktika sjell me dhjetëra shembuj që tregojnë se të njëjtat ligje interpretohen dhe zbatohen në mënyra të ndryshme, ndonjëherë me diferenca të mëdha. Po kështu, duhet pranuar se në fushën e zbatimit të ligjeve fiskale ka mjaft për të dëshiruar. Në shumë ndërmarrje gjen probleme serioze lidhur me evidencën kontabël të aktiveve afatgjata, të rezervave materiale dhe inventarëve, të respektimit dhe ekzekutimit të rregullave të përgjegjësisë materiale dhe monetare. Praktikat dhe standardet kontabël kanë një dinamizëm të madh dhe po kështu shumë shpejt ndryshojnë edhe procedurat dhe shkallët tatimore. Në këtë mori informacioni të shpejtë, një profesionist i mirë është i përditësuar vetëm kur është në kontakte të vazhdueshme me Shoqatën. Stafi trajnues i shoqatës suaj është pjesë edhe e bashkëpunëtorëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit. E shoh shoqatën si një Akademi profesionale. Sigurisht që mund të bëhet edhe më shumë.
Së treti, në vendin tonë është bërë e modës që njerëzit të vrapojnë pas interesit, pas parasë, pas miqësive. Shoqata kultivon solidaritetin, bashkëpunimin, mirëkuptimin dhe predispozicionin për ta parë kolegun si konsulent, si këshilltar. Kemi nevojë edhe për vlera të tilla.
Të dashur kolegë,
Ndihem shumë mirë midis Jush. Jam i gatshëm, si Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ta angazhojë KLSH-në si institucion, në mënyrë që të rritet aktiviteti i Shoqatave të Kontabilistëve, të shtohet veprimtaria dhe të dëgjohet më shumë zëri i profesionistëve të kontabilitetit dhe të financës. Njerëzit punëtorë nuk bërtasin, nuk shkelin rregullin, zbatojnë më mirë ligjin, respektojnë më mirë shoqërinë.
Me lejoni t’ju bëj me dije se si KLSH, në bazë të standardeve ndërkombëtare të auditimit suprem të INTOSAI-t dhe të praktikave të mira evropiane, kemi marrë nismën të zhvillojmë auditimin e integritetit, që bazohet në rregullat dhe kodin e etikës, si për institucionet që auditojmë, ashtu dhe për veten tonë. Këtë e bëjmë për të rritur përgjegjshmërinë dhe transparencën e qeverisjes publike dhe besoj se kjo shkon në një linjë me orientimet e Kongresit tuaj për rritjen e përgjegjshmërisë dhe rolit të kontabilistit në ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Jemi gati të ndajmë eksperiencat e kësaj qasjeje që kemi zgjedhur, me eksperiencën e aktiviteteve dhe ekspertëve të Shoqatës suaj, mbi bazën e motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest – Eksperienca e përbashkët u shërben të gjithëve”.
Me këtë rast, ju ftoj Ju si Shoqatë që të lidhim një marrëveshje bashkëpunimi me ne si KLSH. Dua të theksoj se marrëveshjet e partneritetit dhe bashkëpunimit me struktura të tjera profesionale të fushës, si me Institutin e Ekspertëve Kontabël të Autorizuar (IEKA) dhe me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit po ecin mjaft mirë, me kontribute reciproke dhe aktivitete të përbashkëta.
Jam i bindur se marrëveshja e KLSH-së me Shoqatën e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë do t’i ndihmojë të dyja institucionet tona të fitojnë në eksperienca dhe qasje të reja në raportimin financiar dhe në auditim.
Ftoj ekspertet e Shoqatës suaj të japin mendimet dhe gjetjet e tyre të vlefshme në faqet e revistës tonë shkencore “Auditimi Publik”, një forum ku bashkëpunojnë shumë personalitete të auditimit dhe kontabilitetit të vendit dhe të huaja.
Duke ju uruar suksese në punët e Kongresit dhe në performancën në vijimësi të Shoqatës suaj,
Ju faleminderit!