SAMITI ANTIKORRUPSION I LONDRËS DHE SHQIPËRIA

Botuar në gazetën “Panorama”, më 19 qershor 2016.
Takimi i nivelit të lartë mbajtur në Londër në datën 12 Maj 2016 “Mbi Anti-korrupsionin”, me pjesëmarrjen e liderëve nga 44 vende të botës (ndër të cilët edhe Sekretari Amerikan i Shtetit Jon Kerry), organizuar nga Kryeministri Britanik David Cameron, përbën nismën më të rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në mbarë botën, në këto vitet e fundit. Kryeministri Cameron në ditën e Samitit tha: ”E keqja e korrupsionit arrin në çdo cep të botës. Ajo shtrihet në zemër të problemeve më urgjente me të cilat përballemi – nga pasiguria ekonomike, në varfërinë endemike, si dhe në kërcënimin gjithnjë të pranishëm të radikalizmit dhe ekstremizmit. Një problem i tille global ka nevojë për një zgjidhje të vërtetë globale. Ai ka nevojë për një angazhim të pashoq dhe të guximshëm nga udhëheqësit e botës që të qëndrojnë të bashkuar, të flasin në mes të heshtjes dhe të kërkojnë ndryshim. Sot është vetëm fillimi i një përpjekjeje më të koordinuar, ambicioze dhe globale për të mposhtur korrupsionin” .
Ndërsa Rezoluta (Deklarata Globale) e Samitit, e nënshkruar nga vendet pjesëmarrëse, theksonte se:”Korrupsioni është në zemër të kaq shumë prej problemeve të botës. Ne duhet ta mposhtim atë, në rast se duam që përpjekjet tona për t’i dhënë fund varfërisë, për të nxitur prosperitetin dhe shkatërruar terrorizmin dhe ekstremizmin të kenë sukses. Samiti i sotëm demonstroi përkushtimin e thellë të një numri të madh të vendeve, bizneseve dhe anëtarëve të shoqërisë civile që të punojnë së bashku për të trajtuar këtë murtajë. Për ta bërë këtë, ne do të bazohemi jo vetëm mbi zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese ndërkombëtare – por do të shkojmë shumë më tej, duke e bërë këtë luftë një përparësi kryesore në vend dhe jashtë vendit tonë, si dhe duke ngritur kapacitetet për të trajtuar problemin. Ne angazhohemi për ta zbuluar dhe denoncuar korrupsionin kudo që ai ndodhet, për të ndjekur dhe për të ndëshkuar ata që e kryejnë, e lehtësojnë ose janë të përfshirë në të, për të mbështetur komunitetet që kanë vuajtur prej tij, si dhe për të siguruar që ai nuk do të qelbësohet më në institucionet qeveritare, bizneset dhe komunitetet tona. Ne do të përmbushim angazhimin tonë të përbashkët për të reduktuar ndjeshëm korrupsionin dhe ryshfetin në të gjitha format e tyre ”
Samiti Antikorrupsion i Londrës solli një koalicion ndërkombëtar unikal qeverish, agjencish ligjzbatuese, organizatash ndërkombëtare, shoqatash të shoqërisë civile dhe kompanish të angazhuara në një veprim global për të zbuluar, ndëshkuar dhe eliminuar korrupsionin kudo ku ai ekziston. Gjatë këtij muaji (qershor 2016), Britania e Madhe do të publikojë Regjistrin e vet Publik, i pari i këtij lloji në botë, i cili do të regjistrojë pronarët e vërtetë të kompanive të huaja që zotërojnë prona në Britani, si dhe do të bëjë që çdo kompani e huaj që dëshiron të blejë prona në Mbretërinë e Bashkuar apo të marrë pjesë në tenderat publike të qeverisë angleze, të deklarojë cilët janë pronarët e saj përpara se sa të blejë pronën apo të marrë pjesë në ankandin shtetëror. Deri tani, kompanitë e huaja zotërojnë rreth 100 mijë prona në Angli dhe Wells, ndërkohë që 44 mijë prej tyre janë në Londër. Regjistri i ri për kompanitë e huaja do të thotë qe individët e korruptuar dhe shtetet e tilla nuk do të jetë në gjendje për të futur, pastruar dhe fshehur fonde të paligjshme në tregun e pronës në Londër dhe në të gjithë Britaninë e Madhe dhe nuk do të përfitojnë nga fondet publike të këtij vendi. Britania e Madhe do të krijojë Qendrën e parë botërore të Koordinimit Ndërkombëtar Antikorrupsion në Londër, në partneritet me SHBA, Kanadanë, Australinë, Zelandën e Re, Gjermaninë, Zvicrën dhe Interpolin. Ekspertët, duke përfshirë edhe ata nga Agjencia Kombëtare Britanike e Krimit, do të sigurojnë koordinimin ndërkombëtar dhe përkrahjen për të ndihmuar agjencitë e zbatimit të ligjit dhe prokurorët, që të punojnë së bashku përtej kufijve, për të hetuar dhe ndëshkuar elitat e korruptuara dhe për të kthyer pranë buxheteve publike përkatës pasuritë e vjedhura.
Samiti i Londrës i 12 majit 2016 njohu dhe vlerësoi rolin e rëndësishëm të Institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) në luftën kundër korrupsionit. Liderët e nivelit të lartë në këtë Takim, u bënë thirrje qeverive në mbarë botën të forcojnë “…kapacitetet e institucioneve supreme të auditimit”. Vendet pjesëmarrëse në Samit bien dakord që “Të punojnë së bashku për të forcuar transparencën e shpenzimeve buxhetore, duke përfshirë dhe mbikëqyrjen nga ligjvënësit të procedurave buxhetore dhe forcimin e kapaciteteve të institucioneve supreme të auditimit. Samiti përkrah pavarësinë e institucioneve supreme të auditimit, si dhe publikimin e raporteve të auditimit”.
Deklarata e Londrës nuk duhet të kalojë në heshtje tek ne. Në portalin e Ministrit të Shtetit për Çështjet Vendore, njëkohësisht Koordinator Kombëtar kundër Korrupsionit nuk ka asnjë referencë për Deklaratën. Deklarata e Londrës është vendosur vetëm në faqen në internet të KLSH dhe ka një shkrim nga një auditues me përvojë i KLSH-së në një të përditshme shqiptare. Shumë pak për një nismë madhore të komunitetit ndërkombëtar. Gjithsesi nuk dua të paragjykoj për mungesën në këto portale të rëndësishme, as të ul punën e tyre. Mendoj që është harresë, e cila mund të ndodhte edhe tek Institucioni që unë drejtoj. Do të kishte qenë më mirë për ne që qeveria jonë të merrte pjesë në Samit dhe të ishte nënshkruese, në emër të të gjithë shqiptarëve, e Deklaratës Globale Anti-Korrupsion. Por asgjë nuk është e humbur, sepse mund të bëjmë shumë më tepër si vend, nëse e përqafojmë Nismën Britanike dhe angazhohemi edhe ne ashtu si Vendet Pjesëmarrëse në Samit, në Deklarata individuale Qeveritare. Ne mund të krijojmë Regjistrin tonë Publik të pronarëve të kompanive që marrin pjesë në tenderat tona publike apo përfitojnë koncensione apo partneritete publike-private, të bëjmë transparencë të plotë në prokurimet publike, në industritë nxjerrëse, sidomos të kompanive që përfitojnë nga Marrëveshjet Hidrokarbure, në pronat e patundshme me origjinë të dyshimtë të financimit, në taksat e korporatave, të hartojmë Ligjin Mbi Përgjegjësinë Materiale, etj. Dhe finalizimi me sukses i Reformës në Drejtësi do të jetë tregues domethënës, produkt konkret i angazhimit të Shtetit tonë në Aleancën Ndërkombëtare Antikorrupsion.
Simpoziumi i 20-të i OKB me INTOSAI-n, organizatën botërore të institucioneve supreme të auditimit (këto simpoziume organizohen çdo dy vjet në Vjenë, Austri), i dedikuar tërësisht luftës kundër korrupsionit, cilësonte se: “Bashkëpunimi i ngushtë global i të gjithë aktorëve shtetërorë dhe publikë është i domosdoshëm dhe është mënyra më e mirë e mundshme për të zgjidhur problemin e korrupsionit në të gjithë vendet dhe institucionet. Të gjitha institucionet publike duhet të jenë të përfshira për të kryer përgjegjësitë e tyre në mënyrë sa më efektive si pjesë e një shkëmbimi informacioni dhe koordinimi veprimesh që funksionon në kuadër të kushteve të Konventës së Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit” .
Si KLSH, me keqardhje konstatojmë se aleanca anti-korrupsion tek ne, si dhe Strategjia e Luftës kundër Korrupsionit, kanë ngelur vetëm në letër. Për to flitet nëpër media vetëm kur një herë në vit apo në disa muaj harxhohen fonde programesh të donatorëve apo edhe fonde qeveritare me ndonjë tryezë të rrumbullaket, seminar apo konferencë qoftë edhe rajonale, por nuk ka një raportim të përhershëm, progresiv dhe periodik të rezultateve konkrete të veprimit anti-korrupsion. Nuk ka një furnizim të përhershëm të qytetarit me çka është bërë realisht për të luftuar dukurinë më të dëmshme të shoqërisë shqiptare. Është pikërisht kjo mungesë e raportimit të masave konkrete anti-korrupsion që ka shteruar besimin e qytetarëve tanë ndaj reagimit shtetëror, në një nivel të pakrahasueshëm me vendet e tjera europiane, qofte edhe të rajonit. Sipas
Studimit të Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, i realizuar në të gjithë vendin në fillim të vitit 2016, 4 në 5 shqiptarë nuk besojnë se korrupsioni mund të pakësohet ndjeshëm në vend. Ky tregues përfaqëson nivelin më të ulët të besimit të qytetarëve tek politikat shtetërore antikorrupsion në 15 vitet e fundit. Përpara kësaj situate, duhet ta themi pa dorashka se kemi dështuar me luftën me efektshmëri të korrupsionit galopant dhe për këtë duhet të ndihemi përgjegjës të gjithë Ne, drejtuesit kryesorë të Shtetit, Qeveria, institucionet e pavarura, Kuvendi. Këtu, natyrisht, nuk përjashtoj institucionin që unë drejtoj, KLSH-në.
Në përcjelljen që ju bë Samitit dhe Deklaratës Globale Anti-Korrupsion nga organizata botërore e institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI, theksohet që: “Të gjitha vendet dhe anëtarët e INTOSAI duhet të publikojnë raportet e auditimit dhe zbatimin e rekomandimeve brenda një kohë të pranueshme. Aty ku raportet e auditimit kanë evidentuar raste të korrupsionit dhe mashtrimit, ndjekja e këtyre gjetjeve duhet të bëhet me përparësi”.
Duhet ta kemi të gjithë të qartë se edhe për ne nevojitet një qasje e re dhe për këtë, bazat e nisjes për një veprim konkret antikorrupsion, në përputhje dhe me orientimet e Deklaratës Globale të Londrës, nuk mungojnë. Sipas OLAF (Zyra Europiane kundër Mashtrimit Financiar), struktura në qeverinë e Bashkimit Europian, në Komisionin Europian, e cila lufton korrupsionin, “Ne, duke u mbështetur në njohuritë e fituara dhe përvojën e akumuluar, ndihmojmë autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e fondeve të BE-së, brenda dhe jashtë BE-së, për të kuptuar llojet e mashtrimit financiar, tendencat, kërcënimet dhe rreziqet, si dhe për të mbrojtur interesat financiare të BE-së, duke parandaluar mashtrimin e të gjitha llojeve” .
Ky është misioni i OLAF dhe si KLSH ndajmë bindjen e plotë se edhe këtu në Shqipëri mund të gjejmë një pikënisje efektive për të luftuar korrupsionin, duke punuar seriozisht, në sinergji me të gjitha institucionet kryesore të Shtetit dhe në transparencë të plotë me qytetarin dhe opinionin publik. Për këtë duhet t’i njohim në thellësi dukuritë korruptive, sidomos ato që sot ndërthuren me teknologjinë e informacionit. Kemi nevojë të trajnohemi në këto fusha dhe të shikojmë si vepron OLAF. Qendra Antikorrupsion që do të ngrihet tek ne duhet të bashkëpunojë gjerësisht me Qendrën Botërore të Koordinimit Ndërkombëtar Antikorrupsion në Londër. Nëse kemi një strategji të luftës kundër korrupsionit, nuk ka pse të na mungojë brenda saj ose edhe si strategji më vete, ajo e parandalimit të korrupsionit. Simpoziumi i 20-të OKB-INTOSAI shprehet qartë kur thekson “…domosdoshmërinë për të zhvilluar reciprokisht masat parandaluese dhe zbuluese të korrupsionit, për t’u angazhuar në veprimtari efektive të trajnimit dhe të mbështetjes për të luftuar këtë dukuri gërryese të demokracisë ”. Reforma në drejtësi është thelbësore për ne si shtet demokratik dhe duhet miratuar patjetër. Por duhet ta kuptojmë të gjithë se ajo nuk ka me vete ilaçin magjik të mposhtjes së korrupsionit. Nevojitet një mobilizim global, real dhe efektiv i gjithsecilit prej Nesh, si institucione qendrore të Shtetit, në linjë dhe unison me Aleancën Globale Anti-Korrupsion të krijuar nga Samiti i Londrës i 12 majit 2016. Si KLSH shpresojmë dhe kërkojmë që reforma e plotë në drejtësinë shqiptare të nisë sa më shpejt, por edhe nëse kjo gjë arrihet, korrupsioni nuk dobësohet dhe goditet ndjeshëm brenda ditës. Do të kalojë jo pak kohë që të shihen rezultatet e para konkrete të reformës në drejtësi. Ndërsa presim që kjo reformë të miratohet dhe të bëhet efektive, le ta nisim me përpjekjet tona serioze, në linjë të plotë me Deklaratën Globale Antikorrupsion të Londrës dhe me strukturat e reja ndërkombëtare që po ngrihen, duke përfshirë nga ana jonë, të gjitha institucionet shtetërore si të qeverisjes qendrore dhe asaj vendore, për etikë dhe integritet. Është për t’u vlerësuar që edhe në këto situata debatesh të nxehta politike, Institucionet tona, të tilla si Prokuroria, ILDKPI, Autoriteti i Konkurrencës dhe Avokati i Popullit, me profesionalizëm po vazhdojnë luftën kundër korrupsionit.
Qasja e re me Samitin e Londrës, por edhe Rezoluta e SHBA-ve për angazhimet e shtetit më të madh dhe demokratik në botë ndaj luftës kundër korrupsionit, me rastin e Samitit dhe Deklaratës Antikorrupsion të Londrës, ku përfshihet një betejë totale e SHBA ndaj korrupsionit nëpërmjet transparencës së korporatave, transparencës financiare, partneriteteve publik-privat, prokurimeve publike, etj., na bëjnë thirrje për një aleancë funksionuese të Kuvendit, Qeverisë, Institucioneve të pavarura kushtetuese, shoqërisë civile dhe Opozitës për Masat Parandaluese ndaj Korrupsionit dhe Mashtrimit Financiar. Nëse biem dakord për këtë qasje, do të ishte mirë që kjo strukturë e re të mos drejtohej nga Ne, institucionet e Shtetit, por ndoshta të drejtohet nga shoqëria civile, për të shmangur çdo konflikt interesi dhe dëshirë për butafori apo protagonizëm politik. Një produkt i menjëhershëm i kësaj Aleance do të mund të ishte, krahas Regjistrit Publik të pronarëve të kompanive që marrin pjesë në tenderat tona publike apo përfitojnë koncensione apo partneritete publike-private, veçanërisht transparenca mbi marrëveshjet hidrokarbure dhe përfituesit e tyre, edhe Ligji për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Shtetëror. Vendosja e përgjegjësisë materiale në veprimet e atyre që kanë në dorë menaxhimin e fondeve publike do ta rriste llogaridhënien në një nivel shumë të shëndetshëm për financat tona publike. Kemi të gjithë eksperiencën e institucioneve të BE-së dhe të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe të strukturës ku ne aderojmë si KLSH, INTOSAI-t, për të na ndihmuar në hedhjen e hapave konkrete për të pasur sukses në parandalimin e korrupsionit dhe në luftën kundër korrupsionit në përgatitjen dhe zbatimin e kontratave koncensionare dhe partneriteteve publik-privat. Në bazë të eksperiencës 15 vjeçare të OLAF, mposhtja e korrupsionit dhe mashtrimit financiar në BE ka ardhur vetëm nëpërmjet masave parandaluese dhe krijimit të klimës së integritetit dhe normave të etikës.
Më mirë se çdo formulim, mbyllja e këtij shkrimi modest për një temë shumë të rëndësishme do të ishte citimi i Pikës së Parë të Deklaratës Globale të Anti-Korrupsionit të Samitit të Londrës me 12 maj 2016: “1. Korrupsioni duhet të zbulohet dhe denoncohet – duke u siguruar që nuk ka vend ku të fshihet:
•Duke i dhënë fund keqpërdorimit të shoqërive anonime për të fshehur të ardhurat e korrupsionit.
•Duke i dëbuar ata avokatë, agjentë të pasurive të patundshme dhe kontabilistë të cilët lehtësojnë ose janë të përfshirë në korrupsion, si dhe duke ua mohuar të korruptuarve përdorimin e kanaleve të ligjshme të biznesit.
•Duke rritur transparencën e buxheteve qeveritare, informacionit tatimor dhe prokurimit publik, për të penguar evazionin fiskal dhe për të vënë në dukje vjedhjen ose keqpërdorimin e parave të taksapaguesve.
•Duke e bërë më të lehtë për njerëzit për të raportuar korrupsionin, pa pasur frikë nga hakmarrja e të korruptuarve”.