Fjala e mbajtur në Konferencën e III-të Ndërkombëtare mbi Kontabilitetin, Auditimin dhe Raportimin Financiar, organizuar nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, më 16 tetor 2016, Tiranë
Organizimi i Konferencës së 3-të Ndërkombëtare mbi Kontabilitetin, Auditimin dhe Raportimin Financiar në Shqipëri, në kushtet kur raportimi financiar dhe auditimi ndërkombëtar janë bërë gjithnjë e më kompleksë dhe rigorozë, është pa dyshim një ngjarje shumë e rëndësishmë edhe për operatorët në financat publike të vendit dhe të auditimit më të lartë të Shtetit, krahas trupës së ekspertëve kontabël, kontabilistëve dhe financierëve të sektorit privat.
Kontabiliteti dhe raportimi financiar janë të lidhura në mënyrë shumë të ngushtë me auditimin shtetëror, si atë të brendshëm dhe të jashtëm. Zhvillimi i kontabilitetit dhe raportimit financiar shqiptar kontribuon dhe në rritjen e cilësisë dhe pritshmërive nga auditimi më i lartë shtetëror.
Në vitet e fundit, në saje edhe të kontributit të qenësishëm të Këshillit Kombëtar të Kontabilitetit, vendi ynë ka arritur të vërë në zbatim një sërë elementesh të rëndësishëm të kuadrit modern institucional dhe ligjor të kontabilitetit dhe raportimit financiar. Standardet e përmirësuara kombëtare të kontabilitetit reflektojnë direktivat e Komisionit Evropian dhe legjislacionin e plotë të Bashkimin Evropian në fushën e kontabilitetit dhe raportimit financiar, por njekohësisht kanë realizuar përshtatjen me realitetin tonë, duke sjellë si kategori të standardeve tona kombëtare kategorinë e standardeve ndërkombëtare për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.
Kjo është një zgjedhje për t’u vlerësuar e Këshillit tonë Kombëtar të Kontabilitetit. Nga ana tjetër, standardet e përmirësuara, krahas rritjes së lirisë profesionale te kontabilistëve në qasjet e tyre për dhënien e informacionit, kanë sjellë që raportimi financiar te jetë i përafërt, me i qartë, i drejtpërdrejtë dhe i thjeshtë. Ato po ndihmojnë edhe institucionet dhe ndërmarrjet publike në sfidën e unifikimit të informacionit dhe raportimit financiar dhe atë të hartimit të pasqyrave financiare të njëjësuara. Unifikimin e gjuhës dhe treguesve të informacionit financiar dhe të pasqyrave financiare të njesive buxhetore publike e kemi kërkuar me forcë gjatë këtyre tri viteve te fundit, në raportimet tona si KLSH përpara Kuvendit për zbatimin e Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin paraardhës.
Në tetor 2015, përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit, kemi kërkuar implementimin e standardeve të harmonizuara të kontabilitetit rritës (akrual). Është fakt që, standardet IPSAS janë përkthyer në shqip që në vitin 2006, por vijojnë të mos përfshihen në legjislacionin tonë dhe nga ana tjetër në gjithë këtë periudhë nuk është punuar për njohjen dhe përvetësimin e tyre nga punonjësit e administratës publike.
Në këtë kontekst, e kemi kerkuar si të domosdoshme që të publikohen menjëherë Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të shtetit. Kemi kerkuar të ngrihet një drejtori e veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit në Ministrine e Financave, që do të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Kjo drejtori duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për të vënë nën monitorim këtë proces të rëndësishëm.
Nga kjo Konferencë kemi shumë pritshmëri si institucioni më i lartë i auditimit publik në vend. Ndajmë bindjen se konkluzionet dhe rekomandimet e saj do të ndihmojnë vendimmarrësit në qeverinë tonë që Shqipëria të ndërrmarrë hapa të mëtejshme për një kuadër të fuqishëm raportimi financiar, në përputhje me nevojat qe ka ekonomia shqiptare dhe ne linje me Legjislacionin e BE-se dhe standartet e praktikat ndërkombëtare. Kuadri ekzistues nuk është gjithmonë konsistent dhe i plotë, dhe burimet e pakta teknike dhe financiare kontribojnë në dobësinë institucionale në disa fusha, nderkohe qe kuadri legjislativ i BE-së mbi raportimin financiar dhe auditimin ka evoluar në mënyrë domethënëse në vitet e fundit.
Në një mjedis ndërkombëtar rregullator kaq dinamik, kërkesat për raportimin kombëtar financiar janë të shumta. Është e nevojshme të forcohen kapacitetet institucionale dhe profesionale në monitorimin e zbatimit të standardeve kombetare të përmirësuara të kontabilitetit, si dhe ne auditimin e pasqyrave financiare.
Si Kontroll i Larte i Shtetit, pas miratimit të ligjit tonë integral në nentor 2014 tërësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare të auditimit më të lartë publik ISSAI, gjatë vitit 2015 kemi ndërmarrë çertifikimet e para pilot të pasqyrave financiare, fillimisht për institucione publike jo qëndrore, për të ulur riskun e eksperiencave të para në këtë fushë. Rritja e kërkesave të raportimit financiar dhe auditimit duhet të mbështetet paralelisht nga forcimi i kapaciteteve institucionale dhe profesionale në mënyrë që të sigurohet dhe të mbahet një raportim financiar i besueshëm dhe cilësor.
Me qëllim edhe rritjen e cilësisë dhe profesionalizmit në përgatitjen dhe dhënien e informacionit financiar dhe fiskal, duke synuar uljen e risqeve fiskale, kemi kërkuar pranë Komisionit të Ekonomisë dhe Financave të Kuvendit po në tetor 2015 ngritjen e një Këshilli të pavarur Fiskal, i cili t’i raportojë vetëm Parlamentit. Po punojmë të rrisim kapacitetet e audituesve tanë për çertifikimin e pasqyrave financiare të institucioneve qendrore publike dhe në këtë sfidë do të mirëprisnim çdo bashkëpunim me Këshillin Kombëtar të Kontabilitetit dhe me Shoqatën e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë, në kuadër të marrëveshjeve që kemi nënshkruar dhe mbi bazën e një tradite bashkëpunimi konkret dhe produktiv në këto vitet e fundit.
Ju faleminderit!