PËR NJË SISTEM TË INTEGRITETIT KOMBËTAR KUNDËR KORRUPSIONIT

Botuar në gazetën “Panorama”, më 27 tetor 2016.
Projekti ENIS (European National Integrity System ) është një iniciativë e Organizatës së njohur ndërkombëtare Transparency International, i cili, që nga vitet 2012-2013 kur u lançua, ka përfshirë 25 vende të Bashkimit Europian dhe me gjerë në Europë. Ky projekt ka mbështetjen e fuqishme të të gjitha strukturave të Bashkimit Europian. Projekti konkludon se në të gjithë Europën, jo vetëm në vendet në zhvillim, ka një ndjenjë të thellë frustrimi të qytetareve rreth hendekut aktual të integritetit në politikë, biznes, sektorin publik dhe në shumë fusha të tjera. Paratë e taksapaguesve shpenzohen në mënyrë opake (jo transparente) dhe vendime të rëndësishme shpesh blihen dhe tregtohen nga një oligarki personash të pasur dhe të fuqishëm, se sjellja jo etike e shumë prej drejtuesve publikë tolerohet shumë shpesh dhe veprime që dëmtojnë konkurrencën e lirë në sektorin privat kalojnë pa u vënë re. ENIS arrin në përfundimin se jo vetëm korrupsioni ekziston në vendet e BE-së, por se ai mund të marrë forma ose dinamika të ndryshme dhe ka një ndikim të madh në jetën e përditshme të qytetarëve europianë.
Një nga vendet ku vlerësimi i sistemit të integritetit kombëtar (NIS-National Integrity System) ka marrë pikavarazhin më të lartë është Gjermania . Transparency International Deutschland e.V. (Filiali i Transparency International në Gjermani, ndër strukturat me aktive dhe me influence të kësaj Organizate në Europë) punon në mënyrë efektive me të gjithë institucionet dhe veprimtarët kryesor kundër korrupsionit në këtë vend, duke formuar një koalicion të qëndrueshëm. Kjo u bë e mundur nga që strukturat dhe institucionet shtetërore, sektori privat dhe shoqëria civile janë treguar që të gjithë bashkëpunues dhe koalicionet funksionojnë.
Megjithëse vlerësimi i Transparency International Deutschland e.V. është nga pozitiv në shumë pozitiv për Sistemin Kombëtar të Integritetit, në raportin e NIS Gjermani janë dhënë 84 rekomandime të cilat po shikohen në mënyrën më serioze për t’u zbatuar, nga ana e të gjitha strukturave dhe veprimtareve të koalicionit.
Edhe tek ne në Shqipëri, të gjithë biem dakord, duke pasur parasysh shtrirjen aktuale dhe kompleksitetin e korrupsionit, se lufta kundër tij kërkon përpjekje afatgjata dhe të shtrira në shumë dimensione. Lufta kundër korrupsionit kërkon marrëveshje ligjore që shërbejnë posaçërisht për këtë qëllim, politika të përshtatshme, strategji, institucione të konsoliduara, plane dhe veprime mbi një bazë të mirë-projektuar organizative.
Korrupsioni është, nëse kujtojmë fjalët që përpara Kuvendit të Shqipërisë në vitin 2012 të 100 Vjetorit të Pavarësisë, shqiptoi ish-Sekretarja e Shtetit Hilari Klinton, sot Kandidate për President të SHBA-ve, “një kancer që gërryen besimin e qytetarëve dhe vë në pikëpyetje vetë legjitimitetin e Shtetit”.
Si kudo në botë, edhe tek ne korrupsioni është një çështje e lidhur me legjitimitetin e Shtetit për sa i përket menaxhimit publik. Ai dëmton ligjshmërinë e institucioneve bazë të Shtetit dhe ul ndjeshëm imazhin dhe besueshmërinë e sistemit shtetëror dhe politik të një vendi. Reforma në drejtësi është e mirëpritur nga të gjithë ne shqiptarët dhe forcat politike në vend. Institucionet e reja që do të dalin nga zbatimi i saj, do ta udhëheqin luftën kundër korrupsionit, si detyrim kushtetues dhe kërkesë imediate të kohës, dhe për këtë, e kanë domosdoshmëri të integrohen mirë dhe shpejt me punën e institucioneve të deritashme në front të parë kundër korrupsionit. Prej tyre ato do të marrin informacionin e nevojshëm për të konturuar rastet që do të hetojnë më vete dhe ku do të thellohen në gjetjen e provave të pakundërshtueshme për gjyqe shembullore. Francis Fukyama, studiuesi i mirënjohur amerikan i ekonomisë politike, ka thënë se “Ndërtimi i shtetit është krijimi i institucioneve të reja dhe fuqizimi i atyre ekzistuese”. Institucionet e reja të reformës në drejtësi, pa dubluar ose anashkaluar punën e institucioneve ekzistuese, duhet të jenë lokomotiva dhe strumbullari i krijimit të besimit të shqiptarëve se Shteti i së drejtës mund të ndërtohet edhe tek ne. Prandaj dhe, nën shembullin e modelit gjerman, lufta kundër korrupsionit duhet konceptuar si një lëvizje kolektive, e cila duhet të kryhet me një frymë të thellë bashkëpunimi në të gjitha nivelet, duke filluar nga individët e deri tek subjektet publike, institucionet ligj zbatuese, institucionet e pavarura dhe organizatat ndërkombëtare. Qeveria jonë ka një strategji të luftës kundër korrupsionit, por për fat të keq, kjo strategji, e shndërruar vetëm në disa konferenca, seminare, tryeza të rrumbullakëta, portale dhe mesazhe në publik, nuk ka dhënë rezultate konkrete, duke ngelur praktikisht në letër. Për mosrealizimin e saj mbajmë përgjegjësi të gjithë, si qeveria, legjislativi dhe gjyqësori, ashtu edhe ne, institucionet e pavarura. Duhet të shohim me kurajo ku qëndrojnë dobësitë tona në luftën kundër korrupsionit dhe t’i eliminojmë ato.
Efektiviteti i vetë Shtetit në luftën kundër korrupsionit është i lidhur me përpjekjet për ta bërë Shtetin dhe institucionet e tij kryesore sa më transparente dhe të përgjegjshme, nëpërmjet kontributit të institucioneve të pavarura. Edhe pse Raporti NIS për Shqipërinë i shtatorit 2016 rendit Avokatin e Popullit dhe KLSH, si ndër institucionet që kanë performuar më mirë në luftën kundër korrupsionit, jemi të vetëdijshëm se asnjë sukses i një strukture të veçuar nuk mund të ketë peshën e duhur, në rast se përpjekjet tona nuk kanalizohen në një aleancë efektive. Për shembull, Prokuroria ka në duar një numër të jashtëzakonshëm dosjesh dhe çështjesh, por ka ende pak staf profesional për të përballuar ngarkesën e marrë. ILDKPKI po bën një punë shumë të mirë, por rrezikon të izolohet nga mosveprimi i disa strukturave të tjera që duhet të trajtojnë dhe thellojnë gjetjet dhe denoncimet e Inspektoratit.
Institucionet supreme të auditimit (SAI-t) në përgjithësi konsiderohen sot në botë si një faktor sigurie brenda sistemit të menaxhimit të financave publike dhe kanë role dhe përgjegjësi të mëdha për parandalimin dhe zbulimin e mashtrimit financiar dhe korrupsionit, së bashku dhe në sinergji me institucionet e tjera ligjzbatuese të vendit. Këtë qëndrim mban edhe raporti NIS për Gjermaninë , ku rendit Gjykatën e Auditimit të Gjermanisë si ndër faktorët kryesore për frenimin dhe luftën ndaj korrupsionit ne vend. Si KLSH, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me institucionet e reja që do të dalin nga reforma në drejtësi që në ditën e parë të funksionimit të tyre. Në këto katër vite e gjysmë 2012-2016, jemi përpjekur të japim kontributin tonë modest në luftën kundër korrupsionit dhe eliminimit të antikulturës së pandëshkueshmërisë, të vlerësuar nga Progres Raportet e BE-së dhe së fundi nga Transparency International, duke kryer mbi 190 kallëzime penale për mbi 560 nëpunës të lartë e të mesëm të administratës sonë publike, të gjetur në abuzim flagrant me ligjet dhe rregullat e menaxhimit të fondeve publike.
Mirëpo roli dhe kontributi i institucioneve të pavarura, i Prokurorisë, ILDKPKI dhe vetë KLSH marrin përmasat dhe rëndësinë e duhur, kur këto institucione të pavarura funksionojnë në një sistem të mirë organizuar kombëtar të integritetit.
Sistemi Kombëtar i Integritetit në luftën kundër korrupsionit
Një luftë efektive kundër korrupsionit kërkon një marrëveshje të arritur midis të gjithë veprimtarëve kryesorë të shoqërisë. Është shumë e rëndësishme që marrëveshja të ketë për qëllim parandalimin e korrupsionit, të merret me çështjet e bashkëpunimit në sistem dhe jo me individët. Një marrëveshje të tillë mund ta sigurojë vetëm një sistem i ngritur dhe i zhvilluar integriteti, ai që në literaturë botërore të shkencave sociale dhe të luftës kundër korrupsionit u njoh në vitet 90-të, të Shekullit të kaluar si “Sistemi Kombëtar i Integritetit”. Një shembull të shkëlqyer të funksionimit të këtij sistemi e jep Gjermania dhe sot ky sistem bashkëpunimi kundër korrupsionit u mor nga Bashkimi Evropian dhe po zbatohet një projekt për vlerësimin e këtyre sistemeve në 23 vende anëtare të BE-së. Sistemet e secilit vend bashkëpunojnë ngushtësisht me OLAF, Zyra e Bashkimit Europian kundër Mashtrimit Financiar dhe Korrupsionit.
Sistemi Kombëtar i Integritetit kërkon me forcë pjesëmarrjen aktive të të gjithë subjekteve publike që kanë autoritetin dhe përgjegjësitë në fushën përkatëse, të sektorit privat, të qytetarëve dhe shoqërisë civile. Suksesi i luftës kundër korrupsionit varet nga gjerësia dhe thellësia e marrëveshjes shoqërore të arritur për ta bërë Sistemin Kombëtar të Integritetit të funksionojë. Tek ne, si dhe në modelin gjerman dhe tek 24 vendet e tjera zbatuese të Projektit ENIS, ky sistem duhet të përbëhet nga elementët e mëposhtme që kanë një funksion parësor në luftën kundër korrupsionit: Kuvendi, Gjyqësori, Ekzekutivi, Institucionet e pavarura (Prokuroria e Përgjithshme, ILDKPKI, KLSH), Shërbimi Informativ Kombëtar, Avokati i Popullit, Organet e menaxhimit zgjedhor, Partitë politike, Organizatat, Media, Biznesi, shoqatat, etj.
Sistemin Kombëtar të Integritetit është mirë ta iniciojë Kuvendi, Presidenti i Republikës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Struktura e Posaçme Antikorrupsion, ose një këshill kombëtar i shoqërisë civile, në bashkëpunim me USAID-in. Të gjithë elementet e Sistemit janë të pavarur nga njëri-tjetri, por duhet të sigurojnë një koordinim shumë efektiv dhe eficient në luftën kundër korrupsionit. Çdo mangësi në një ose disa nga elementet e përmendur më sipër, do të ulte efektivitetin e elementëve të tjerë dhe do të rrezikonte fatin e luftës kundër korrupsionit. Prandaj, të gjithë elementët e Sistemit Kombëtar të Integritetit duhet të jenë njësoj të fuqishëm, të angazhuar dhe në ekuilibër me njeri-tjetrin. Dhe duke qenë se të gjithë elementët në Sistemin Kombëtar të Integritetit janë të ndërvarur, një dobësi në një element do të mbingarkonte të tjerët. Nëse disa nga elementët kanë dobësi, sistemi ka risk të lartë që edhe mund të ndalojë së funksionuari si duhet, ose madje edhe të rrëzohet, dështojë.
Pozicioni dhe kontributi i KLSH në Sistemin Kombëtar të Integritetit do të jetë i lidhur ngushtë me konceptet e kulturës së llogaridhënies dhe transparencës, për përmirësimin e qeverisjes në mirë menaxhimin e financave publike. Duke luajtur rolin kushtetues të garantit dhe dhënësit të sigurisë mbi një menaxhim të shëndoshë financiar të Shtetit, KLSH do të përpiqet të shndërrohet në një ndër subjektet më të besuara nga qytetaret, brenda sistemit kombëtar të llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit. Jo më kot një nga kërkesat e EUROSAI-t është të udhëheqim nëpërmjet shembullit. Gjykoj se krijimi i strukturave të reja të reformës në drejtësi, të parashikuara nga paketa e miratuar në Kuvend më 21 korrik 2016, duhet të shoqërohet edhe me themelimin e Sistemit Kombëtar të Integritetit për Luftën Kundër Korrupsionit në vendin tonë.
Ndajmë bindjen se bazat e efektshme për një Sistem Kombëtar të Integritetit dhe në vendin tonë janë të gjitha aty, si dhe se vullneti politik për krijimin e këtij sistemi nuk mungon si nga pozita, ashtu dhe nga opozita në Kuvend. Duhet vetëm vetëdije e lartë dhe e plotë për organizimin si duhet dhe në kohën e duhur të këtij Sistemi. Si SAI jemi gjithnjë të gatshëm të japim maksimalisht kontributin tonë në ndërtimin e tij.