SFIDAT E MODERNIZIMIT TË MËTEJSHËM TË KLSH

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 5 nëntor 2016.
Kriza e fundit financiare, ekonomike dhe buxhetore botërore dhe sfidat e kohës në përpjekjet për përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe sigurimin e mirëqeverisjes, kanë rritur pritshmërinë e qytetarëve dhe Parlamenteve lidhur me kontributin tonë si institucione supreme të auditimit publik. Këto pritshmëri vendosin përpara nesh detyra serioze për ta bërë situatën financiare të Shtetit transparente, si dhe për të dhënë rekomandime se si fondet publike mund të përdoren në mënyrë më efektive dhe eficiente dhe se si korrupsioni mund të luftohet, me qëllim që të ruhet zhvillimi i qëndrueshëm, veçanërisht qëndrueshmëria fiskale.
Një nga mjetet më të efektshme që na ka ndihmuar si SAI (realisht shumë në gjithë komunitetin e INTOSAI-t) në plotësimin e këtyre pritshmërive dhe në zhvillimin e modernizimin e auditimit të jashtëm publik gjatë viteve të fundit, ka provuar të jetë procesi i rishikimit mes kolegëve (Peer Review). Në një prezantim në mars të vitit 2015 në Parlamentin austriak, ish-Presidenti i Gjykatës Austriake të Auditimit dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, personaliteti poliedrik i auditimit suprem, Dr. Josef Moser theksonte se: Rishikimet mes kolegëve janë mjete qendrore vullnetare për të matur përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare, për t’i bërë të dukshme fuqitë dhe dobësitë e një SAI, bazuar në këto standarde, për të identifikuar fushat e veprimit të brendshëm dhe të jashtëm, për të gjetur metodat për zgjidhjet, referuar dhe shembujve të praktikave të mira, si dhe për t’ju përgjigjur pyetjes qendrore që lidhet me institucionet e pavarura “Kush e auditon audituesin dhe institucionet e pavarura mbikëqyrëse?”
Ky proces i ka ndihmuar gjerësisht si SAI-t e zhvilluara edhe ato në zhvillim e sipër që të masin performancën e tyre me praktikat e mira të institucioneve vlerësuese simotra, të identifikojnë ose kuptojnë më qartë mangësitë dhe të gjejnë zgjidhje të efektshme për t’i shmangur ato në të ardhmen.
Në bazë të ISSAI-t 5600 “Udhëzuesi i Peer Review”, një proces rishikimi mes kolegëve i ndihmon SAI-t të jenë në përputhje me standardet profesionale të pranuara ndërkombëtarisht të auditimit publik ISSAI, si dhe me ligjet dhe rregullat kombëtare që qeverisin auditimin suprem. Nga ana tjetër, shqyrtimi “Peer Review” u mundëson SAI-ve të vlerësuara të arrijnë: (a) siguri të arsyeshme për kryerjen e misionit; (b) të forcojnë qasjet e ndryshme në auditim; (c) të identifikojnë praktikat e mira të përdorura gjatë Peer Review që mund të shpërndahen më gjerësisht; (d) të përmirësojnë ose sigurojnë cilësinë e punës audituese; (e) të aplikojnë mjete efektive të auditimit; (g) të përmirësojnë ose sigurojnë cilësinë e menaxhimit dhe organizimit; (h) të identifikojnë dobësitë dhe nevojat për trajnim; (i) të konfirmojnë nëse manualet e brendshme, politikat dhe procedurat janë në përputhje me Standardet Ndërkombëtare ISSAI dhe praktikat më të mira ndërkombëtare; (j) të kursejnë burimet në punën e SAI-t; (k) të përmirësojnë efektivitetin e auditimit; (l) të rrisin numrin e raporteve të prodhuara dhe (m) të rrisë besueshmërinë e SAI-t përballë palëve të interesuara.
Një rishikim mes kolegesh ofron një mundësi unike për të shqyrtuar parimet themelore dhe qëllimet e funksionimit të një SAI dhe për t’i krahasuar ato me përvojën e SAI-ve të tjera. Dobia e procesit është e dyanshme, si për SAI-n e vlerësuar ashtu dhe për SAI-n vlerësues. Komentet e kolegëve janë përvoja të vlefshme si për ata që i japin dhe për ata SAI që shqyrtohen dhe kërkojnë të gjejnë zgjidhje për problemet që kanë. Peer Review, në këtë këndvështrim, është një proces mësimi. SAI-t në proces mësojnë shumë nga njeri-tjetri, nga qasjet që përdorin në auditim, nga strukturat që kanë ndërtuar dhe teknikat e prodhimit të raporteve dhe ndjekjes së rekomandimeve.
Gama e përfitimeve nga procesi i rishikimit mes kolegëve është kaq e gjerë, sa shumëkush në komunitetin e INTOSAI-t e ka zëvendësuar moton e organizatës sonë, duke e perifrazuar atë, me shprehjen “Peer Review benefits all” (nga “Common experience benefits all”), pra “Nga Rishikimi mes Kolegëve kemi dobi të gjithë”.
Praktika e suksesshme e deritanishme e zbatimit të Peer Review-ve ka treguar se SAI-t përfshihen në këtë proces të thellë shqyrtues për arsye të ndryshme. Disa mund të dëshirojnë të përmirësojnë procedurat dhe rezultatet e tyre, të tjera mund të dëshirojnë të japin prova të mjaftueshme të standardeve të larta që rregullojnë auditimet e tyre, të tjerët mund të dalin vullnetarë që të ketë një shqyrtim të kolegëve nga një palë e jashtme, në përgjigje të disa kritikave të marra.
Ne si KLSH, jemi përpjekur ta zbatojmë këtë proces sa transparent, të shëndetshëm aq dhe modernizues për institucionin tonë, duke e parë si vijim të natyrshëm i të gjithë punës së nisur për të zbatuar me përpikëri standardet ISSAI në veprimtarinë tonë audituese.
Falenderojmë për këtë Kuvendin e Shqipërisë, i cili me rezolutat e tij të viteve të fundit, na ka orientuar drejt zbatimit të standardeve profesionale të fushës, të pranuara ndërkombëtarisht. Një kontribut thelbësor që kemi marrë nga Kuvendi është miratimi prej tij në nëntor 2014, i Ligjit të ri integral të KLSH-së, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe me rekomandimet e Progres Raporteve të Bashkimit Europian për Shqipërinë në fushën e auditimit të jashtëm publik. Ky ligj na siguroi një mandat të gjerë auditimi dhe liri të plotë veprimi në kryerjen e funksioneve kushtetuese si SAI.
Në zbatim të orientimeve dhe rekomandimeve të Kuvendit, si dhe të strategjisë sonë të zhvillimit 2013-2017, e rishikuar, kemi përkthyer shënimet praktike të ISSAI-ve të auditimit financiar, standardet ISSAI e auditimit të performancës, të përputhshmërisë, të teknologjisë së informacionit, duke përditësuar manualet respektive të auditimit dhe duke rritur me herë numrin e ditëve të trajnimit, si dhe kontrollin mbi asimilimin e njohurive për auditues mbi standardet ISSAI, gjatë një viti.
Jemi përpjekur të modernizojmë institucionin tonë, duke përcaktuar qartë misionin dhe vizionin, si dhe objektivat strategjikë të tij, planet dhe programet e auditimit. Kemi kryer ndryshime strukturore, duke ngritur struktura që janë më funksionale përmes Departamenteve të auditimit dhe Drejtorive, me qëllim përmbushjen e misionit të KLSH-së dhe përshtatjen me kushtet dhe sfidat e reja. Kemi hartuar Rregulloren e re të institucionit në përputhje me ligjin e ri. Në bazë të Deklaratës së Limës, ISSAI 1, konsideruar ndryshe dhe si Manja Karta e SAI-ve, Neni 15, kemi rritur bashkëpunimin me marrëveshjet e partneritetit me SAI-t Europiane, mbështetja e të cilave ka pasur ndikim në realizimin e objektivave tona dhe ky prezantim i Raportit të Peer Review-së është një tjetër dëshmi e këtij ndikimi tejet të dobishëm për ne.
Miratimi i Ligjit të KLSH, hartimi i rregulloreve të reja të përshtatura me hapësirat e reja të krijuara në auditim, hartimi i manualeve sipas llojeve të auditimit, përmirësimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit, përdorimi i kompjuterëve modernë të punës dhe personalë për çdo auditues, si dhe pjesëmarrja e gjere në trajnime brenda dhe jashtë vendit, publikime të ndryshme profesionale dhe shkencore të KLSH, sollën atë që është më e rëndësishmja në zhvillimin e një institucioni suprem auditimi, ndryshimin e mendësisë dhe të qasjes në auditim, në përputhje me praktikat e mira europiane dhe me standardet e INTOSAI-t.
Dua ta theksoj edhe njëherë se hartimi i një ligji të ri të KLSH-së solli një frymë të re kryesisht në qasjen, në dokumentet zyrtare dhe në të dhënat. Hartimi i manualeve të auditimit, të tilla si Manuali i Auditimit të Ligjshmërisë, Manuali i Auditimit të Performancës, hartimi i Rregullores së re të Brendshme, i Rregullores mbi Procedurat e Auditimit dhe i dokumenteve të tjerë standard të KLSH-së, përfshirja e transparencës me publikun në materialet e auditimit, publikimi i materialeve të auditimit në faqen zyrtare të KLSH-së, publikimet në shtypin e shkruar dhe në atë elektronik kontribuan në një imazh të përmirësuar dhe të rritur të institucionit pranë palëve të interesuara kryesore të tij, qytetarëve dhe Kuvendit, shoqërisë civile dhe partnerëve vendas dhe të huaj.
Të gjitha këto ndryshime, kishin një nevojë të kthyer në domosdoshmëri tashmë, për institucionin tonë, që të ballafaqoheshin, të mateshin dhe krahasoheshin me një gjykim profesional dhe të pavarur. Mjeti më optimal që vetë komuniteti i 191 SAI-ve anëtare të INTOSAI-t ka zgjedhur, pranuar dhe promovuar, për matjen e performancës së një SAI është pikërisht rishikimi mes kolegëve.
E kemi kërkuar rishikimin mes kolegëve që në vitin 2012. Gjatë periudhës 2012-2014 u kemi shkruar pothuajse të gjitha SAI-ve anëtare të EUROSAI-t që të na asistonin me kryerjen e Peer Review-së. Ishte një kënaqësi dhe nder për ne që Gjykata e Auditimit e Austrisë, një nga SAI-t më me tradita, më të zhvilluara dhe me kontribute të patjetërsueshme në komunitetin e INTOSAI-t, pranoi vitin e kaluar që të ishte vlerësuesi ynë në procesin Peer Review, në partneritet me Gjykatën e Llogarive të Moldavisë.
Më lejoni të them dy fjalë për vlerësuesin tonë kryesor, Gjykatën e Auditimit të Austrisë. Është një SAI me tradita shumë të vjetra dhe të vyera në auditimin shtetëror, që daton që nga viti 1761. Pra 255 vite më parë. Është një SAI që ka të gërshetuar në mënyrën më perfekte vlerat e traditës me qasjet moderne në auditim. Që zhvillon auditime cilësore si të përputhshmërisë, financiare, ashtu dhe të performancës dhe të teknologjisë së informacionit. Një SAI që mban selinë e “qeverisë” së organizatës së INTOSAI-t, Sekretariatit të saj të Përgjithshëm. Presidenti i Gjykatës Austriake të Auditimit është edhe Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t. Nga gjiri i ekspertëve dhe audituesve më me eksperience të SAI-t austriak lindin shumë nisma dhe veprimtari me rëndësi parësore për komunitetin e INTOSAI-t. Gjykata e Auditimit të Austrisë është e angazhuar në një bashkëpunim intensiv dypalësh me shumë SAI partnere në Europë dhe në botë, si dhe kontribuon në grupet e punës më të rëndësishme të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t. Ajo po ashtu bashkëpunon në mënyrë të suksesshme edhe me Kooperacionin Austriak për Zhvillim (ADA), shprehur edhe në këtë Raport Rishikimi mes Kolegëve. Shpreh bindjen se bashkëpunimi ynë si KLSH me Gjykatën e Auditimit të Austrisë do të vijojë të thellohet edhe në të ardhmen.
Kryerja e një Peer Review-je, e një shqyrtimi të hollësishëm mes kolegëve është një detyrë shumë e ndërlikuar, që kërkon burime, cilësi të lartë dhe një kohë të konsiderueshme. Dua të falenderoj thellësisht dhe në emër të të gjithë audituesve të KLSH-së të dy SAI-t që pranuan dhe realizuan procesin, Gjykatën e Auditimit të Austrisë dhe Gjykatën e Llogarive të Moldavisë.
Më lejoni të vlerësoj lart po ashtu përzgjedhjen e tyre për të kryer rishikimin mes kolegëve, bazuar në tetë parimet e pavarësisë, sipas Deklaratës së Meksikës, dhe pikërisht në (1) ekzistencën e një kuadri efektiv ligjor, (2) pavarësinë e drejtuesve dhe anëtarëve të SAI-t, (3) një mandat të gjerë legjislativ dhe liri të plotë veprimi në kryerjen e funksioneve të SAI-ve; (4) qasjen e pakufizuar në informacion; (5) të drejtën dhe detyrimin për të raportuar mbi rezultatet e auditimit; (6) lirinë për të vendosur mbi përmbajtjen dhe kohën e raporteve të auditimit; (7) ekzistencën e një mekanizmi për ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve dhe (8) autonominë financiare/menaxheriale/administrative dhe burime të përshtatshme.
Kjo qasje siguroi një rishikim të plotë të vlerave dhe efektshmërisë së auditimeve dhe raportimeve të KLSH-së, transparencës, përputhshmërisë me standardet ISSAI, si dhe dobishmërisë së raporteve dhe partneriteteve të institucionit me institucione dhe organizata simotra, të fushës shkencore dhe akademike, apo të shoqërisë civile. Rekomandimet e këtij Raporti Peer Review do të përbëjnë për ne në të ardhmen e afërt një plan konkret pune, i cili do të ketë objektiva, masa që do të merren për zbatimin e rekomandimeve, afate kohore dhe kosto shumë të qarta. Këto rekomandime jo vetëm na ndihmojnë konkretisht në realizimin e objektivave tona strategjike, por shtojnë besimin dhe motivimin tonë se jemi në rrugën e drejtë dhe po ecim në përputhje me orientimet e standardeve të INTOSAI-t.
Falenderoj stafin e ekipit të Peer Review për përkushtimin dhe profesionalizmin maksimal, për dashamirësinë dhe komunikimin e ngrohtë në intervistat dhe bisedat me stafin e KLSH, të cilat ishin një vlerë e shtuar jo vetëm në planin institucional por edhe në atë individual të çdo audituesi të KLSH.
Theksoj se konkluzionet dhe rekomandimet e këtij raporti vlerësimi, duke certifikuar arritjet dhe progresin e bërë të institucionit, nuk na japin aspak të drejtën për të abuzuar me pavarësinë tonë. Kemi kërkuar disa herë që Kuvendi i Shqipërisë të na caktojë një auditues të jashtëm të pavarur, për të audituar llogaritë tona. Jemi të bindur se ky proces gjatë këtij viti po shkon drejt përfundimit.
Sikurse e ka thënë edhe Audituesi i Përgjithshëm i GAO-s Amerikane, z. Gene L.Dodaro, “ne nuk bëjmë politika, por auditojmë rezultatet e zbatimit të tyre”.
I jemi mirënjohës Kuvendit për orientimet e tij të fundit me Rezolutën e miratuar dy javë më parë për punën e KLSH-së deri tani. Jemi gati që çdo keqkuptim ose opinion të Qeverisë apo ndonjë përfaqësuesi të saj ndaj rolit dhe rekomandimeve të institucionit suprem të auditimit në vend, ta sqarojmë plotësisht dhe në bazë të standardeve ISSAI.
Rekomandimet e bëra nga Raporti i Peer Review i konsiderojmë si detyra me përparësi absolute për t’u zbatuar nga ne. Ato na bëjnë edhe më shumë përgjegjës për të ndjekur me devotshmëri rrugën e nisur të modernizimit dhe shndërrimit të audituesve të KLSH në një trupë moderne auditimi, të pajisur me vlerat më të mira të SAI-ve të zhvilluara të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe me integritetin më të lartë që na kërkojnë plotësimi i detyrave dhe mandatit kushtetues, si dhe i pritshmërive të taksapaguesve shqiptarë.