INSTITUCIONET SUPREME TË AUDITIMIT TË KOSOVËS DHE SHQIPËRISË, BASHKË PËR MIRËQEVERISJEN PUBLIKE TË DY VENDEVE

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 23 nëntor 2016.
Kriza financiare dhe ekonomike botërore e viteve 2009-2012 ka sjellë në plan të parë sfidën e përmirësimit të raportimit financiar publik në nivel global, rritjen e transparencës, plotësisë dhe standardeve të tij, në shërbim të shëndoshjes dhe qëndrueshmërisë së financave publike të çdo vendi. Duke e rrokur këtë sfidë, raporti i vitit 2013 i Komisionit Europian për aplikimin e Standardeve Europiane të Kontabilitetit të Sektorit Publik (EPSAS-të bazuara në parimin akrual) brenda BE-së, sipas Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik (IPSAS), synon pikërisht përmirësimin e ndjeshëm të raportimit financiar në vendet anëtare të Bashkimit Europian.
Standardet e kërkuara në këtë Raport duhet të na orientojnë edhe ne, vendet kandidate për anëtarësim si Shqipëria dhe aspirante për anëtarësim në BE, si Kosova, në drejtim të ngritjes së kapaciteteve të auditimit suprem publik të vendeve tona në nivel të sfidave të përsosjes dhe modernizimit të raportimit financiar publik.
Institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t), duke zbatuar Deklaratën e Limës (ISSAI 1), Neni 14 “Stafi i auditimit”, pikat 1, 2 dhe 3, si dhe standardet e tjera ndërkombëtare të fushës, janë kontrollueset dhe vlerësueset e vërtetësisë dhe plotësisë së raportimit financiar qeveritar. Është domosdoshmëri e kohës që audituesit e tyre të vihen në nivelin e kontabilistëve dhe financierëve të sektorit publik prodhues të informacionit dhe pasqyrave financiare, madje duke synuar të jenë edhe një shkallë më lart në njohuritë financiare dhe aftësitë vlerësuese e deduktuese, për të kryer me profesionalizëm detyrën kushtetuese të dhënies së sigurisë për miradministrimin e aseteve dhe financave të shtetit. Trajnimi, kurset kualifikuese, programet certifikuese janë elementë thelbësorë të përgatitjes profesionale dhe rritjes së kapaciteteve të tyre. Ato mund të kryhen nëpërmjet partneritetit me institucionet simotra të auditimit suprem, sipas motos së INTOSAI-t “Nga Eksperienca e Përbashkët fitojnë të gjithë”, por edhe nga bashkëpunimi i frytshëm me organizata profesionale brenda dhe jashtë vendit.
Pas një pune disavjeçare shumë të mirë të kryer nga Auditori i mëparshëm i Përgjithshëm i Kosovës, z. Lars Lage Olofsson, të përqendruar sidomos në ngritjen e kapaciteteve audituese nëpërmjet trajnimeve dhe marrjes së eksperiencës nga SAI-t më të zhvilluar, si, për shembull, Zyra Kombëtare e Auditimit e Suedisë, përshëndes zhvillimet e reja në trupën e audituesve më të lartë publikë të Kosovës, në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Vlerësoj lart procesin e thellë ristrukturues të ndërmarrë nga Auditori i Përgjithshëm z. Besnik Osmani, riorganizimin e departamenteve ekzistuese dhe detyrat më sfiduese të dhëna për secilin auditues, sipas metodologjive dhe kërkesave të standardeve ndërkombëtare të INTOSAI-t, në dobi të drejtpërdrejtë të një kontrolli edhe më profesional të administrimit të aseteve dhe fondeve publike në vend. Këto zhvillime synojnë modernizimin e kësaj trupe, në përputhje me proceset integruese të Kosovës për në Bashkimin Europian.
Misioni ynë si institucione supreme të auditimit është që të zhvillohemi dhe avancojmë si organizata profesionale, të cilat respektojnë në mënyrë rigoroze standardet e INTOSAI-t dhe udhëheqin nëpërmjet shembullit, duke perfeksionuar performancën përmes respektimit të rregullave etike, integritetit të plotë dhe ofrimit të ekspertizës së specializuar, duke vepruar me ndershmëri, objektivizëm dhe me përkushtim ndaj cilësisë së auditimit dhe interesit publik të qytetarëve dhe taksapaguesve. Shndërrimi ynë në organizata publike model është kolona e katërt e strategjisë së zhvillimit 2011-2016 të organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI, e cila numëron në gjirin e saj 192 institucione supreme auditimi, SAI. Sikurse e ka theksuar ish-Presidenti i INTOSAI-t, z. Terence Nombembe, një personalitet i auditimit suprem ndërkombëtar, ”Dija në auditim është arma që askush nuk do të guxojë të na e marrë, e cila na pajis me mendim dhe analizë të pavarur”.
Gjykoj se në funksion të rritjes dhe thellimit të kësaj dije në auditim po zhvillohet edhe kjo ceremoni e bukur e certifikimit të audituesve të ZKA, pas një bashkëpunimi të shkëlqyer me Shoqatën e Kontabilistëve dhe të Auditorëve të Certifikuar të Kosovës. Një aktivitet i tillë është shprehje e zhvillimit intensiv të dijës audituese brenda institucionit më të lartë auditues publik të vendit, e rritjes së kapaciteteve të audituesve të ZKA-së në dobi të plotësimit sa më të mirë të detyrave gjithnjë e më sfiduese në kuadër të procesit integrues të Kosovës për në BE. Ky proces nuk mund të mendohet pa rritjen e përgjegjshmërisë dhe të kërkesës së llogarisë në administrimin e fondeve publike, kërkesa këto të kahershme dhe të patjetërsueshme të Bashkimit Europian si për Shqipërinë, Kosovën, ashtu dhe për të gjitha vendet e tjera kandidate apo aspirante për t’u anëtarësuar në BE.
Rritjes së kapaciteteve tona profesionale, në bazë të Nenit 15 të Deklaratës së Limës, e cila është Magna Carta, Kushtetuta e institucioneve supreme të auditimit, i shërben edhe bashkëpunimi mes vetë SAI-ve, sipas motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest”.
Në zbatim të standardeve ndërkombëtare ISSAI, si dhe të dy Rezolutave të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të viteve 2011 dhe 2014, përkatësisht “Nxitja e eficiencës, përgjegjshmërisë, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke forcuar Institucionet Supreme të Auditimit” dhe “Promovimi i eficiencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke fuqizuar institucionet supreme të auditimit”, gjatë viteve të fundit, si ZKA e Kosovës dhe KLSH e Shqipërisë kanë ditur të zhvillojnë partneritete me shumë vlerë për audituesit e tyre. ZKA sidomos me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Suedisë dhe KLSH me NIK-un Polak dhe Gjykatën e Llogarive të Turqisë. Këto partneritete u kanë dhënë mundësi SAI-ve tona të kenë akses në qasjet moderne në auditim të partnerëve më të zhvilluar, në auditimet financiare, të përputhshmërisë, të performancës dhe të teknologjisë së informacionit, të njohin teknika dhe metodologji me vlerë në luftën kundër korrupsionit, në rritjen e përgjegjshmërisë së administratës publike dhe të cilësisë së informacionit financiar publik.
Për ne si KLSH, bashkëpunimi me Zyrën Kombëtare të Auditimit të Kosovës ka një domethënie dhe rëndësi të veçantë. Në muajt e parë të mandatit për institucionin që drejtoj, marrëveshja e parë e bashkëpunimit e KLSH-së me një SAI partner ka qenë ajo e shkurtit të vitit 2012 me Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm të Kosovës (ZAP-i i asaj kohe). Kemi realizuar shumë aktivitete të përbashkëta, si trajnime, konferenca e seminare pune, vizita të ndërsjella për marrje eksperience, etj. ZAP-i ka qenë pjesëtar aktiv në Analizat vjetore dhe Konferencat Shkencore të KLSH për vitet 2012, 2013, 2014 dhe 2015, duke përshëndetur dhe dhënë mendime me vlerë, sikurse dhe ne kemi marrë pjesë në Konferencat Vjetore të ZAP-it.
Këto aktivitete jo vetëm na kanë ndihmuar të njohim më mirë njeri-tjetrin, por edhe të mësojmë nga qasjet në auditim, nga mënyra se si përgatisim raportet e auditimit dhe raportet ose përmbledhjet për Parlamentet përkatëse, se si punojmë me komisione të veçanta të Parlamentit, si krijojmë partneritete me veprimtarë të interesuar brenda dhe jashtë vendit, si thithim ekspertizën e nevojshme nga jashtë institucioneve tona, për të thelluar dhe rritur cilësinë e auditimeve që kryejmë, etj..
Rinovimi i sotëm i marrëveshjes së lidhur mes dy institucioneve tona në vitin 2012, duke zgjeruar gamën e aktiviteteve të përbashkëta dhe duke përfshirë edhe Planin e Veprimit ZKA-KLSH për vitet 2017-2018, është me shumë rëndësi për ne si KLSH.
Ky program aktivitetesh të përbashkëta përfshin shkëmbimin e përvojave në nivel praktik dhe teknik për zbatimin e plotë të standardeve ndërkombëtare të auditimit publik dhe praktikave të mira europiane, vijimin e traditës së krijuar midis dy institucioneve për realizimin e seminareve, workshop-eve dhe trajnimeve të përbashkëta, të cilat synojnë forcimin e kapaciteteve të audituesve të KLSH dhe ZKA, sesione edukative dhe këshilluese me qëllim përditësimin e materialeve të metodologjisë në auditim, për fushat me interes të përbashkët, si dhe gjashtë auditime të përbashkëta në dy vitet në vijim. Qëllimi i auditimit dhe çështjet kyçe do të vendosen bashkërisht dhe raportet e auditimit do t’u dërgohen Parlamenteve respektive. Temat e përzgjedhura për t’u audituar do të kenë interes kombëtar dhe rajonal dhe do t’i shërbejnë zhvillimit të strategjive kombëtare të të dy vendeve. Auditimet e përbashkëta jo vetëm do të na lidhin edhe më shumë, por do të ndihmojnë në gjetjen e zgjidhjeve efektive dhe efeciente për një numër të konsiderueshëm çështjesh të mprehta të menaxhimit të fondeve publike, me problematika të ngjashme si në Kosovë edhe për ne në Shqipëri.
Ndajmë bindjen se ky bashkëpunim më i zgjeruar i shërben jo vetëm komunikimit efektiv dhe partneritetit të SAI-ve në rajon e më gjerë, por edhe përshpejtimit të integrimit të të dy vendeve tona në Bashkimin Europian.
Në nivel të partneritetit sa më efektiv dhe eficient të SAI-ve në rajonin tonë, më duket me mjaft vlerë ideja e krijimit të një qendre rajonale për edukimin e audituesve të SAI-ve të rajonit, e cila do të diskutohet në tryezën tematike “Sfidat e ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe njerëzore të Institucioneve Supreme të Auditimit”, tryezë që do të mbahet menjëherë pas kësaj ceremonie të certifikimit. Si KLSH jemi gati të kontribuojmë për materializimin e kësaj ideje, duke mobilizuar staf dhe vënë në dispozicion mjedise, po të jetë nevoja.
Po ashtu, mbështetja e SAI-ve tona në asistencën teknike që Bashkimi Europian ofron për vendet kandidate dhe aspirantë për anëtarësim në BE, do të ishte me mjaft interes për rritjen e kapaciteteve tona audituese. Si KLSH, kemi aplikuar që në vitin 2012 për të siguruar mbështetje nga Programet e fondeve IPA për Shqipërinë dhe në mars të këtij viti, ka nisur për KLSH-në një Projekt Binjakëzimi i financuar nga Fondet IPA për Shqipërinë, me partnerë NIK-un polak dhe Institucionin e Auditimit Shtetëror të Kroacisë. Urojmë që edhe ZKA të mund ta fitojë sa më shpejt një projekt të tillë me ndihmën e fondeve të Bashkimit Europian dhe jemi gati të ofrojmë eksperiencën tonë modeste në këtë drejtim.
Së fundi, më lejoni që në emër të të gjithë audituesve të KLSH të shpreh vlerësimin tonë maksimal për nivelin e dijeve dhe përkushtimin e integritetin e audituesve suprem publikë të Kosovës, për gatishmërinë, mirëdashjen, mirëkuptimin, bashkëpunimin vëllazëror dhe të shkëlqyer që na kanë ofruar gjatë këtyre viteve, por sidomos për projektin e ristrukturimit dhe modernizimit të mëtejshëm e të qëndrueshëm të ZKA-së, të cilin e ideoi dhe po e zbaton Auditori i Përgjithshëm i Kosovës, z. Besnik Osmani. Ky projekt jo vetëm që rrit cilësinë e punës audituese të ZKA dhe ndikimin e Zyrës në miradministrimin e financave publike të Kosovës, por kontribuon në një bashkëpunim edhe më dobiprurës për të dy SAI-t tona dhe në nivel rajonal e europian. Duke shkëmbyer eksperiencat tona në auditim dhe duke kryer auditime të përbashkëta, jo vetëm rrisim kapacitetet tona si auditues, por edhe ndihmojmë më fuqimisht në mirëqeverisjen publike të të dy vendeve tona.