INTOSAI NGA LIMA NË ABU DHABI. MOMENTE KYÇE TË VEPRIMTARISË SË INTOSAI-T DHE 35 STANDARDET NDËRKOMBËTARE TË ISSAI-VE PËR MIRËQEVERISJEN

Botuar në gazetën “Telegraf ”, më 6 dhjetor 2016.
Ky studim është përgatitur nga Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj për organizatën botërore të institucioneve supreme të auditimit, INTOSAI dhe përshkruan arritjet, kongreset dhe dokumentet themelore të saj.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun, më 22 tetor në Pekin, në përshëndetjen e tij drejtuar Kongresit të XXI-të, të INTOSAI, ka theksuar se: Institucionet supreme të auditimit janë “watchdog”, roje besnike që ndihmojnë për të nxitur përdorimin efikas dhe efektiv të burimeve publike. Ato do të luajnë një rol kritik në mbështetje të zbatimit të axhendës së re të Kombeve të Bashkuara për zhvillim të qëndrueshëm, që mbështetet mbi qeverisjen e mirë, transparencën, përgjegjshmërinë dhe financat inovative.
Dua të pohoj se institucionet supreme të auditimit (SAI), që në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kanë qenë të ndërgjegjshme për rolin dhe misionin e tyre në shoqëri dhe në zhvillimin ekonomik të vendeve përkatëse. Duke ndjerë nevojën e një mjedisi dhe strukture të përbashkët, ku të paraqisnin dhe debatonin mendimet e tyre, në vitin 1953, 34 SAI u mblodhën në Kubë dhe në Kongresin e parë themeluan organizatën e tyre profesionale, INTOSAI. Historia e INTOSAI-t fillon këtu dhe është një histori 63 vjeçare suksesi dhe rritjeje e institucioneve supreme të auditimit.
Profili i INTOSAI
Organizata Ndërkombëtare e Institucioneve Supreme të Auditimit (INTOSAI) sot përfaqëson komunitetin e 192 SAI-ve anëtare me të drejta të plota dhe 5 SAI anëtare të asociuara. Ka pësuar një zhvillim të paprecedent me organizata të ngjashme ndërkombëtare, me një rritje anëtarësie nga 34 në 192 në vetëm 6 dekada. Është ndër organizatat ndërkombëtare me aktive, me 7 struktura rajonale (ku përfshihet edhe EUROSAI), me 4 komitete zhvillimi, ku spikasin Komiteti i Standardeve Profesionale, Komiteti i Ndërtimit të Kapaciteteve dhe Komiteti i Shpërndarjes së Njohurive, krahas Iniciativës për Zhvillimit (IDI). INTOSAI ka me dhjetëra grupe pune dhe task forca në të gjitha fushat e auditimit publik suprem.
Që prej vitit të themelimit 1953, organizata ka punuar me vitalitet dhe inovacion, në përputhje me moton e saj “Mutual experience benefits all (nga eksperienca e përbashkët, përfitojnë të gjithë)”, duke përhapur ide dhe standarde kombëtare të auditimit, nëpërmjet shkëmbimit të ideve dhe bashkëpunimit në komunitetin ndërkombëtar të auditimit.
Si një organizatë jo politike, profesionale, e pavarur dhe autonome, INTOSAI u ka dhënë mbështetje konkrete SAI-ve, ka nxitur shkëmbimin e ideve, njohurisë dhe eksperiencave, ka vepruar si një zë i njohur i institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) në komunitetin ndërkombëtar dhe ka promovuar vazhdimisht përmirësimin midis SAI-ve anëtare. Që prej themelimit në vitin 1953 deri tek Kongresi i XXI-të në Kinë në vitin 2013, INTOSAI ka pasur zhvillime pozitive të shumëfishta, si edhe ndryshime dhe progres të konsiderueshëm. Puna e organizatës është bazuar në përkushtimin vullnetar të domosdoshëm dhe kontributin e çdo SAI anëtar. Shtatë Grupet e Punës Rajonale të INTOSAI-t – AFROSAI, ARABOSAI, ASOSAI, CAROSAI, EUROSAI, OLACEFS dhe PASAI janë tërësisht operacionale, duke marrë parasysh diferencat rajonale dhe nevojat heterogjene.
Profili i EUROSAI
EUROSAI (Organizata Europiane e Institucioneve Supreme të Auditimit) është një nga grupet rajonale, pjesë e Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve të Larta të Auditimit (INTOSAI). Institucionet Supreme të Auditimit (SAI) të 190 vendeve anëtare të plota dhe katër vendeve anëtare të asociuara të INTOSAI-t, pjesë e një organizatë mbështetëse të Kombeve të Bashkuara. Gupet e tjera rajonale të INTOSAI-t janë OLACEFS, AFROSAI, ARABOSAI, ASOSAI, PASAI dhe CAROSAI. Edhe pse EUROSAI është institucioni më i ri nga shtatë grupet rajonale të INTOSAI-t, ideja e një organizate europiane të SAI-ve daton që nga themelimi i INTOSAI në vitin 1953. Hapat e para aktive në drejtim të krijimit të EUROSAI-t u zhvilluan në vitin 1974 gjatë Kongresit të VIII të INTOSAI-t në Madrid (1974). Ndërmjet viteve 1975 dhe 1989, SAI-t e Italisë dhe Spanjës me mbështetjen e Komiteti të Kontaktit të Kryetarëve të SAI-ve, të vendeve të Komunitetit Ekonomik Europian hapën rrugën për krijimin e EUROSAI-t, duke përgatitur projektet fillestare për statutin e EUROSAI-t. Në qershor të 1989, në Kongresin e XIII-të të INTOSAI-t, mbajtur në Berlin, u miratua “Deklarata e Berlinit” për krijimin e Organizatës Europiane të SAI-ve. Në nëntor të vitit 1990, në Madrid u zhvillua Konferenca Themeluese dhe Kongresi i EUROSAI-t. EUROSAI u themelua nga 30 anëtarë (SAI-t e 29 shteteve europiane dhe Gjykata Europiane e Audituesve). Tani numri i vendeve të anëtarësuara është 50 (SAI-t e 49 shteteve europiane dhe Gjykata Europiane e Audituesve). Objektivat e organizatës, të përcaktuara në nenin 1 të statutit të saj, kanë të bëjnë me nxitjen e bashkëpunimit profesional midis vendeve anëtare të EUROSAI-t, për të inkurajuar shkëmbimin e informacionit dhe dokumentacionit. Kjo gjë çoi në zhvillimin e auditimit të sektorit publik dhe stimuloi krijimin e një partneriteti me akademikët e universiteteve, në lidhje me këtë temë, për të punuar në drejtim të harmonizimit të terminologjisë në fushën e auditimit publik. KLSH, në vitin 2012 ka publikuar botimin “EUROSAI” (Institucionet Supreme Europiane të Auditimit), seria “Botime KLSH”, nr.07/2012, ku jep një historik dhe përshkrim të detajuar te organizatës.
INTOSAI– së bashku me Komisionet, Grupet e Punës, Task Force dhe Grupet e Punës Rajonale – përfaqëson forumin botëror për shkëmbimin ndërkombëtar të njohurive në fushën e auditimit publik suprem; është organizata që vendos Standardet e Auditimit në sektorin publik dhe zëri ndërkombëtar i auditimit publik suprem. Ndërtimi i kapacitete ka qenë dhe mbetet një nga fushat më të rëndësishme të INTOSAI-t. Kjo fushë përfshin zhvillimin e strukturave të reja për përfitimin e njohurive dhe trajnimin profesional dhe zhvillimin organizativ për SAI-t. Organizata ka pesë gjuhë zyrtare: arabisht, anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe spanjisht. INTOSAI është një grup vullnetar, suksesi i të cilit varet nga mbështetja e vazhdueshme profesionale dhe financiare e anëtarëve të tij. Pika më e fortë e tij qëndron në diversitetin kulturor, gjuhësor dhe në vullnetin e anëtarëve së tij. Organizata respekton një përfaqësim të balancuar të rajoneve dhe sistemeve të auditimit. INTOSAI operon nëpërmjet konsultimeve dhe konsensusit, pavarësisht nga madhësia gjeografike apo fuqitë ekonomike, si dhe e ka të shenjtë respektin për sovranitetin kombëtar dhe për barazinë e anëtarëve të tij. INCOSAI, kongresi që mbahet çdo 3 vjet në vende të ndryshme, është organi më i lartë i INTOSAI-t, i cili përfshin të gjithë anëtarësinë. Çdo vend ka një votë, dhe asnjë prej tyre nuk ka të drejtën e vetos. Bordi Drejtues, i përbërë nga 18 SAI-anëtare, është përgjegjës për anëtarësinë. Aktiviteti i INTOSAI-t në periudhën mes dy kongrese të tij, drejtohet nga Bordi Drejtues i INTOSAI dhe nga Sekretariati i Përgjithshëm. Sipas Statutit të INTOSAI-t, Sekretari i Përgjithshëm i tij është Audituesi i Përgjithshëm i Austrisë dhe selia e tij është në Vjenë. Detyrat kryesore të Sekretariatit të Përgjithshëm janë të veprojë si një urë lidhëse, si brenda INTOSAI-t, ashtu dhe me partnerët e jashtëm, për të vënë në dukje punën dhe cilësinë e INTOSAI-t dhe anëtarëve të tij. Gjithashtu, Sekretariati i Përgjithshëm, punon për të rritur rolin e INTOSAI-t dhe anëtarëve të tij, si institucione auditimi të pavarur, kompetentë dhe efektivë, duke rritur transparencën, përgjegjshmërinë dhe besueshmërinë për të mirën e të gjithëve.
Organizimi
INTOSAI e realizon misionin e tij përmes një shumëllojshmërie organesh, programesh dhe aktivitetesh. Organet kryesore janë: Kongresi; Bordi Drejtues; Sekretariati i Përgjithshëm dhe Grupet rajonale të punës. Komisioni i Administrimit dhe Financave, përgatit vendimet të cilat miratohen nga Bordi Drejtues. Drejtori i Planifikimit Strategjik, siguron koordinim efektiv dhe zbatimin e Planit Strategjik.
Bordi Drejtues
Bordi Drejtues i INTOSAI-t përbëhet nga 18 anëtarë. Si rregull, ai mblidhet çdo vit, mes Kongreseve. Nisma për Zhvillimin e INTOSAI-t dhe Gazeta Ndërkombëtare e Auditimit të Qeverisë, gjithashtu janë të përfaqësuara në Bordin Drejtues. Kryetari i Bordit është kreu i SAI-t që organizon kongresin e fundit.
KLSH dhe INTOSAI
Delegacione të KLSH-së të kryesuara nga Kryetari kanë marrë pjesë në të gjithë kongreset e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, duke filluar nga Kongresi i XIV-të i organizatës në Uashington në tetor të vitit 1992, në Kongresin e XVI-të në Montevideo, Uruguai, në Nëntor 1998; Kongresi i XVII-të i INTOSAI-t në Seul të Koresë së Jugut zhvilluar në Tetor 2001 dhe Kongresi i XVIII-të i INTOSAI-t në Budapest të Hungarisë, Tetor 2004. Gjithashtu KLSH-së mori pjesë në Kongresin e IV-t të EUROSAI-t në Paris, në vitin 1999 dhe Kongresin e V-të EUROSAI-t të zhvilluar në Moskë, Rusi në vitin 2002.
Në vitin 2005, një delegacion i KLSH prej 3 vetash, kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm mori pjesë në Kongresin e VI-të EUROSAI-t, në Bon të Gjermanisë. Në vitin 2006, KLSH mori pjesë në Konferencën e EUROSAI-t me temë “Roli i SAI-ve në luftën kundër korrupsionit”. Në nëntor 2007, një delegacion i KLSH-së merr pjesë në Kongresin e XIX të INTOSAI-t, të zhvilluar në Meksikë. Në qershor 2008, KLSH merr pjesë në Kongresin VII të EUROSAI-t, në Krakov, Poloni. Për fat të keq, KLSH nuk mori pjesë në punimet e Kongresit të XX-të, të INTOSAI në Afrikën e Jugut. Gjithashtu, është i vetmi institucion i auditimit suprem në Europë që, megjithëse i ftuar, nuk mori pjesë në Kongresin e VIII të EUROSAI-t, mbajtur në Lisbonë në vitin 2011.
Në Tetor 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit mori pjesë në punimet e Kongresit të XXI të INTOSAI-t në Pekin, Kinë. Gjatë punimeve të Kongresit, Kryetari i KLSH-së zhvilloi biseda pune dhe takime me homologë të SAI-ve partnere dhe të SAI-ve të tjerë pjesëmarrës në Kongres. U realizuan biseda pune me Dr. Josef Moser, President i ACA-s, njëkohësisht edhe Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t, me me z.Liu Jiayi, Kryetar i SAI-t të Kinës, njëkohësisht edhe Kryetari i ri i Bordit Drejtues të INTOSAI-t, me z. Gene Dodaro, Auditues i Përgjithshëm i GAO-s së SHBA, me z.Recai Akyel, President i TCA-së, me z.Krzysztof Kwiatkowski, President i NIK-ut të Polonisë, me z. Ioannis Karavokiris, President i SAI-t të Greqisë, si dhe me z. Magnus Lindell, zv/Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Suedisë. Kryetari i KLSH zhvilloi takime pune edhe me homologë të tjetër partnerë të KLSH-së, me të cilët janë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, si z.Ivan Klesic, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Kroacisë, z. Milenko Sego, Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Bosnje dhe Hercegovinës, z. Milan Dabovic, President i SAI-t të Malit të Zi, zj.Tanja Tanevska, Audituese e Përgjithshme e SAI-t të Maqedonisë dhe z. Naser Ademi, zv/Auditues i Përgjithshëm i SAI-t të Maqedonisë, etj. Gjatë bisedave me homologët, u theksua bashkëpunimi i suksesshëm i deritanishëm në fushat e trajnimit dhe shkëmbimit të informacionit si dhe u shpreh vullneti i përgjithshëm për t’i konkretizuar edhe më tej në të ardhmen e afërt këto marrëdhënie, duke u drejtuar edhe në fusha të tjera, si auditime të përbashkëta, etj.
Aktiviteti i INTOSAI
Reputacioni ndërkombëtar i INTOSAI-t është themeluar mbi disa gurë kilometrikë në rrugën e tij dhe arritjet përfshijnë kryesisht:
• Njohjen e rëndësisë së SAI-ve nga Kombet e Bashkuara;
• Përcaktimin e një kuadri gjithëpërfshirës të standardeve profesionale bazuar në procesin auditues;
• Ndërtimin e një marrëdhënie produktive me donatorët ndërkombëtarë, për të promovuar ngritjen e kapaciteteve në SAI-et anëtare;
• Ndërtimin e një rrjeti efektiv global për përhapjen e njohurive dhe praktikave më të mira;
• Bashkëpunimin e mëtejshëm me organizatat ndërkombëtare dhe rajonale;
• Përmirësimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve publike përmes statusit të modelit të organizatës ndërkombëtare.
Standardet INTOSAI
Një nga arritjet më të mëdha të INTOSAI-t dhe ndihmesa me konkrete e tij për audituesit është përgatitja e standardeve ISSAI të auditimit publik suprem. Këto standarde janë përgatitur dhe botuar në vijimësi nga Komiteti i Standardeve të Auditimit i INTOSAI, duke filluar nga qershori 1992. Kodi i Etikës i INTOSAI është miratuar në Kongresin e XVI-të mbajtur në Montevideo në vitin 1998, ndërsa standardet ISSAI 3000 dhe ISSAI 3100 të Auditimit të Performances janë miratuar në vitin 2004. Çdo kongres INCOSAI i INTOSAI-t miraton standarde të reja auditimi, të cilat në periudhën mes dy kongreseve janë në proces të përgatitjes dhe marrjes se komenteve nga të gjitha SAI-t anëtare të INTOSAI. Standardet e Auditimit ISSAI përmbajnë postulatet themelore dhe parimet për kryerjen e punës së auditimit nga institucionet supreme të auditimit. Është përgjegjësi e secilit SAI për të gjykuar shkallën në të cilën standardet janë në përputhje me arritjen e mandatit të tij, duke konsideruar rrethanat kushtetuese ligjore dhe të tjera të SAI-t.
Partnerët e INTOSAI
INTOSAI ka partneritet me shumë organizata të tjera: Bashkimi NdërParlamentar (IPU), Federata Ndërkombëtare e Kontabilistëve (IFAC), Instituti i Audituesve të Brendshëm (IIA), Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), si dhe Banka Botërore dhe komunitete të tjerë donatorësh. Gjithashtu, INTOSAI bashkëpunon edhe me OKB-në, në promovimin e mirëqeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit. Bashkëpunimi i INTOSAI-t, veçanërisht me Kombet e Bashkuara dhe me organizata ndërkombëtare si Banka Botërore, OECD, IPU, IFAC dhe IIA, ka rritur në mënyrë të konsiderueshme reputacionin, dukshmërinë globale dhe vlerësimin ndaj saj si një organizatë profesionale e nivelit të lartë. Që prej vitit 1970, të 22 Simpoziumet dhe Seminaret UN–INTOSAI janë organizuar në mënyrë të përbashkët nga INTOSAI dhe Kombet e Bashkuara. Këto përhapën njohuri dhe materiale për trajnime mbi një sërë temash të interesit të lartë, në lidhje me auditimin e jashtëm suprem. INTOSAI ka firmosur një Memorandum Mirëkuptimi me 21 donatorë. Kjo marrëveshje historike me 15 organizata, duke përfshirë institucionet ndërkombëtare të donatorëve dhe agjencitë ndërkombëtare te zhvillimit, u përgatit për të rritur kapacitetin e zhvillimit të SAI-ve në botë. Organizata ka kryer një seri aktivitetesh bashkëpunuese me komunitetin e donatorëve, nëpërmjet të cilave janë arritur qëllimet e përbashkëta të deklaruara, është siguruar zbatimi i Suksesshëm i Kornizës së Standardeve Profesionale të INTOSAI-t (ISSAI-t) dhe i Udhëzimeve të INTOSAI-t për Qeverisjen e Mirë (INTOSAI GOVs), si edhe është rritur njohja e rëndësisë së SAI-ve dhe të INTOSAI-t në komunitetin e zhvillimit global.
MOMENTET KYÇE TË VEPRIMTARISË SË INTOSAI
• Kongresi INCOSAI i Havanës, Kubë, 1953.
INTOSAI është përballur me shumë sfida në këtë skenar kompleks pas Kongresit të Parë Ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit (INCOSAI) të mbajtur në nëntor të vitit 1953 në Havanë, Kubë. Në takimin themelues merrnin pjesë 34 SAI. Angazhimi i INTOSAI-t që në fillesat e tij, për të nxitur pjesëmarrjen aktive të SAI-ve në kontrollin e burimeve publike, duke promovuar integritetin e punonjësve të qeverisë, për të ndihmuar shoqëritë tona në përmirësimin e performancës dhe efikasitetin e veprimeve të kryera nga qeveritë, është provë e kapacitetit të admirueshëm të organizatës.
• Kongresi INCOSAI IX në Lima, Peru 1977.
INCOSAI i 9-të, i mbajtur në Lima, në tetor 1977, mblodhi së bashku 235 përfaqësues nga 95 SAI të botës dhe nga të gjitha kontinentet. Kongresi njihet në veçanti për shkak të nënshkrimit të Deklaratës së Limës, e cila sot konsiderohet si Kushtetuta e SAI-ve dhe përmban udhëzimet themelore mbi parimet e auditimit.
• Kongresi INCOSAI VIV në Uashington, 1992.
Në tetor 1992, Zyra Amerikane e Llogarive Qeveritare (GAO) organizoi kongresin e katërmbëdhjetë në Uashington, DC. Në këtë kongres pati seminare, takime dhe seanca plenare të shumta, të cilat u ndoqën nga rreth 400 delegatë nga 120 SAI anëtare dhe 10 organizata ndërkombëtare. Temat e këtij kongresi ishin auditimi i një mjedisi në ndryshim, roli i SAI-ve dhe përmirësimi i menaxhimit financiar përmes komisioneve të ngritura nga INTOSAI. Kongresi miratoi Standardet dhe udhëzimet për auditimin dhe kontrollin e brendshëm, si dhe punën e tre komiteteve të INTOSAI-t në lidhje me kontabilitetin, borxhin publik dhe mirëqeverisjen e financave publike.
Pjesëmarrja e një numri të madh anëtarësh në këtë Kongres, ishte një arritje shumë e madhe për INTOSAI-n. Takimi i 37-të i Bordit drejtues menjëherë pas kongresit, prezantoi një numër të madh tiparesh të reja në formatin dhe projektimin e kongresit. Programi zyrtar u mbyll me sukses pas një jave dhe u pasua nga një simpozium praktik 3-ditor mbi teknologjinë, i cili ofroi një shkëmbim shtesë të pikëpamjeve dhe informatave.
• Kongresi INCOSAI XVII në Seul, 2001.
Nën moton e INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë”, Kongresi i shtatëmbëdhjetë i organizuar në Seul në tetor 2001, shënoi një pjesëmarrje prej 471 delegatësh nga 152 SAI dhe shume institucione ndërkombëtare. Pjesëmarrja e plotë e delegatëve menjëherë pas ngjarjeve tragjike të 11 shtatorit, ishte prova më e qartë e angazhimit të anëtarëve të INTOSAI-t për sukses. Në këtë kongres u diskutuan dy tema të rëndësishme:
Auditimi i institucioneve ndërkombëtare dhe multinacionale.
Kontributet e SAI-ve për reformën administrative dhe qeveritare.
• Kongresi INCOSAI XVII në Meksiko, 2007.
INCOSAI i nëntëmbëdhjetë u mbajt në Meksiko, më nëntor 2007. Mblodhi 480 delegatë nga 145 SAI, si dhe 21 vëzhgues nga 10 institucione ndërkombëtare. Edhe në Meksikë, motoja e INTOSAI-it, “Experientia Mutua omnibus prodest”, ishte sërish tema kryesore e diskutimit, që ka të bëjë me shkëmbimin e njohurive, përvojës, gjetjeve dhe praktikave më të mira mes anëtarëve të INTOSAI-it. Numri i vendeve anëtare të INTOSAI-t shkoi në 188.
Në këtë kongres u miratuan tetëmbëdhjetë dokumente zyrtare të INTOSAI-t, duke përfshirë edhe Deklaratën e Meksikos mbi Pavarësinë e SAI-ve, dokumenti më i rëndësishëm nga i cili njihet ky Kongres, si dhe standardet, udhëzimet dhe praktikat më të mira në fusha të tilla si auditimi financiar dhe i performancës, auditimi mjedisor, si dhe auditimi i borxhit publik.
• Kongresi INCOSAI XX në Johanesburg, Afrika e Jugut, 2010.
INCOSAI i XX u mbajt në Johanesburg të Afrikës së Jugut në nëntor 2010. U prezantua Plani Strategjik 2011-2016, i cili u miratua nga kongresi. INTOSAI identifikoi prioritetet strategjike të mëposhtme për vitet e ardhshme: duke ndihmuar në sigurimin e pavarësisë së SAI-t, zbatimin e Standardeve Ndërkombëtare për Institucioneve Supreme të Auditimit (ISSAI), duke forcuar ndërtimin e kapaciteteve të SAI-ve, komunikimin e vlerave dhe përfitimeve të SAI-ve, si dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë kongres u miratua Marrëveshja e Johanesburgut. Marrëveshja mbuloi diskutimet, përfundimet dhe rekomandimet e temës së parë (Vlerat dhe përfitimet e SAI-ve) dhe të temës së dytë (Auditimi mjedisor dhe zhvillimi i qëndrueshëm).
• Kongresi XXI i INTOSAI-t në Pekin, Kinë 2013.
Në datat 22-26 tetor 2013,në Pekin u zhvillua Kongresi i INTOSAI-t, INCOSAI XXI, me pjesëmarrjen e 192 institucioneve supreme të auditimit, përfaqësuar nga më shumë se 600 delegatë nga të gjithë SAI-t anëtare të INTOSAI-t, të drejtuar nga Kryetaret e SAI-ve. Delegatët në Pekin rikujtuan zhvillimin e INTOSAI-t në gjashtë dekadat e fundit dhe duke përmbledhur eksperiencën praktike të anëtarëve të saj, deklaruan se:
Në shoqërinë e shekullit të 21-të, informacioni dhe globalizimi janë transformuar në një dallgë të madhe, me SAI-t që përballojnë sfida të reja për të përmirësuar qeverisjen kombëtare dhe me INTOSAI-n që përballet me mundësi të reja për të trajtuar tematika globale. SAI-t pranojnë se qeverisja kombëtare efektive është kryesore për ruajtjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe progresit social, për përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe ata janë të gatshëm të kontribuojnë në përmbushjen e përgjegjësive të përcaktuara në Deklaratën e Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara. Kjo Deklarate thekson për vendet anëtarë të OKB-së se: “Ne nuk do të kursejmë asnjë përpjekje për të liruar shokët tanë burra, gra dhe fëmijë nga kushtet e mjerueshme dhe jo humane të varfërisë ekstreme, në të cilat ndodhen aktualisht më shumë se një miliardë prej tyre… Ne vendosim për këtë arsye të krijojmë një mjedis, në nivel kombëtar dhe global, i cili të jetë i favorshëm për zhvillim dhe për eliminimin e varfërisë. Suksesi në përmbushjen e këtyre objektivave varet tërësisht nga qeverisja e mirë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, si dhe nga transparenca në sistemet financiare, monetare dhe tregtare”.
Kongresi i INTOSAI-t, INCOSAI XXI, në Pekin në tetor 2013 është ndër kongreset më të rëndësishëm të INTOSAI-t, duke pasur parasysh kushtet e vështira ekonomike të pasojave të krizës botërore ekonomike dhe financiare. Kongresi rishikoi progresin e Planit Strategjik të INTOSAI-t për vitet 2011-2016. Ai prezantoi dy tema kryesore, “Auditimi Kombëtar dhe Qeverisja Kombëtare”, si dhe “Roli i SAI-ve në Ruajtjen e Qëndrueshmërisë së Politikave Financiare”.
Tema I: Promovimi i Qeverisjes së Mirë Kombëtare nga SAI-t
Që në krijimin e tij, qëllimi kryesor i INTOSAI-t ishte promovimi i qeverisjes së mirë. SAI-t mund të kryejnë mirë këtë detyrë vetëm nëse ata janë të pavarur nga agjencitë që ata auditojnë dhe janë të mbrojtur nga influencat e jashtme të çdo forme. INTOSAI njeh se është e rëndësishme që metodat e auditimit të SAI-ve të bazohen në njohuritë teknike dhe shkencore aktuale dhe që audituesit të kenë kualifikime të përshtatshme profesionale, si edhe integritet moral. Për këto arsye, në vitin 1977, INTOSAI aprovoi Deklaratën e Limës dhe me Deklaratën e Meksikës të vitit 2007, vendosi tetë parimet e pavarësisë të auditimit suprem publik në aspektet e tij metodologjike dhe profesionale.
Gjatë viteve të fundit, eksperienca e pa precedent, komplekse dhe e pasigurt në ekonominë globale ka sjellë sfida të reja për çdo shtet në përpjekjen e tyre për të promovuar një qeverisje më të mirë kombëtare.
Promovimi i mirë qeverisjes në sektorin publik ka qenë një nga prioritetet kryesore të komunitetit INTOSAI për një kohë të gjatë. Takimi i 62-të i Bordit Qeverisës të INTOSAI-t, i mbajtur në tetor 2011, aprovoi në mënyrë unanime propozimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kinës (CNAO) për të pasur “Auditim Kombëtar dhe Qeverisje Kombëtare” si tema e parë për diskutim në INCOSAI-n e XXI.
Lidhja mes auditimit kombëtar dhe qeverisjes kombëtare
Auditimi kombëtar luan një rol të rëndësishëm, si dhe i bën qeveritë të japin llogari. Shumë SAI e përshkruajnë funksionin kryesor të auditimit kombëtar si një funksion sigurimi, i kryer nga një institucion i pavarur dhe i specializuar, si dhe kjo gjë është e përcaktuar me ligj. Roli i një SAI në sistemin e qeverisjes kombëtare është i ngjashëm me “sistemin imunitar” të trupit të njeriut. Shumë shtete në botë kanë pranuar nevojën për një institucion të pavarur auditimi me autoritetin/fuqinë e nevojshme konform kushtetutës së tyre. Megjithatë, duhet të pranohet që ekzistenca e institucioneve të pavarura të auditimit varet shumë nga një qeverisje e mirë. Në këtë kongres u theksua:
Roli i rëndësishëm i auditimit kombëtar në përmirësimin e qeverisjes kombëtare;
Auditimi kombëtar si një forcë e rëndësishme në demokraci dhe në shtetin e së drejtës;
Roli i Auditimit kombëtar në promovimin e performancës së qeverisë ;
Roli i Auditimit kombëtar në promovimin e një administrate të pastër dhe të ndershme;
Roli i Auditimit kombëtar në promovimin e përmirësimit të jetës së qytetarëve;
Sfidat që ndeshin SAI-t dhe përgjigjet e mundshme;
Kryerja e auditimeve me vizionin e auditimit kombëtar që shërben ndaj qeverisjes kombëtare;
Vazhdimësia e përpjekjeve që SAI-t të jenë të pavaruar;
Krijimi i një mjedisi profesional dhe kushteve për auditim financiar;
Forcimi i kapaciteteve të institucioneve të auditimit;
Komunikimi dhe bashkëpunimi me grupet e interest.
Rekomandimet për Temën I
Së fundi, Anëtarët e Kongresit:
Njohin rolin e rëndësishëm që SAI-t mund të luajnë në forcimin e qeverisjes kombëtare, duke krijuar kështu bazat për zhvillimin e qëndrueshëm dhe siguruar “një jetë dinjitoze” për qytetarët;
Përsërisin vlerën e pavarësisë të përcaktuar në Deklaratën e Limës dhe të Meksikos, pa të cilat, SAI-t do të ishin të kufizuar në kontributin e tyre ndaj qeverisjes kombëtare.
Konfirmojnë se në plotësimin e përgjegjësive të tyre, SAI-t kanë nevojë të kontribuojnë në:
Promovimin e ndershëm dhe të pastër të qeverisjes dhe administratës;
Rritjen e efektivitetit, eficiencës dhe ekonomicitetit të qeverisjes si dhe të kenë një përdorim të njëtrajtshëm të burimeve publike;
Rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë në sektorin publik;
Krijimin e vetëdijes për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit ligjor;
Mbrojtjen e interesave publikë, dhe
Promovimin e përmirësimit të jetesës së njerëzve.
Konfirmojnë, vlerat në vazhdim, të komunikimit të strukturuar dhe angazhimit me grupet e interest për t’i dhënë rëndësi të kuptuarit të nevojave të qytetarëve në terma të qeverisjes kombëtare,
Propozojnë që proceset e vendosjes së standardeve të INTOSAI-t:
T’i japin prioritet zhvillimit të mëtejshëm të standardeve dhe udhëzuesve për çështje lidhur me auditimin në sektorin publik dhe qeverisjes kombëtare;
Të rishikojnë kuadrin ekzistues të ISSAI-ve dhe INTOSAI GOV për të siguruar që metodologjia e auditimit të kontribuojë në qeverisjen kombëtare, dhe
Të bien dakort mbi një përcaktim të unifikuar të INTOSAI-t për mashtrimin dhe korrupsionin.
Inkurajojnë, miratimin pro-aktiv dhe të gjithanshëm të kuadrit të ISSAI-ve nga të gjithë anëtarët e INTOSAI-t.
Kërkojnë, vazhdimësi dhe aktivitete të ngritjes së kapaciteteve të mirë-koordinuara në INTOSAI, duke e vënë theksin në krijimin e “komuniteteve të praktikave të mira” për të forcuar pavarësinë, profesionalizimin e zyrave të auditimit dhe shkëmbimit të eksperiencave dhe njohurive, për të mundësuar të gjitha SAI-t të japin një kontribut domethënës në qeverisjen kombëtare të vendeve të tyre.
Kërkojnë, finalizimin urgjent të Kuadrit të Matshmërisë së Performancës së SAI-ve, për të lejuar SAI-t të masin funksionimin e tyre, si dhe të fokusohen në proceset strategjike të kontributit në qeverisjen kombëtare.
Njohin rolin e rëndësishëm të komunitetit të donatorëve në mundësimin dhe mbështetjen e proceseve të vazhdueshme të ngritjes së kapaciteteve dhe inovacionit.
Njohin vlerën e punës së bërë në nivel nën-komitetesh të INTOSAI-t, grupeve të punës dhe task forcave për të siguruar që SAI-t të mbeten të rëndësishëm, përdorin parimet kryesore të zhvilluara së fundi të auditimit në fushat e auditimeve financiare, të përputhshmërisë dhe performancës (ISSAI 100-400) për të forcuar më tej këto praktika auditimi dhe nxisin zhvillimin e mëtejshmë të mekanizmave të përgjigjes ndaj mjedisit gjithnjë e në ndryshim të auditimit dhe nevojave të qytetarëve.
Kongresi i INTOSAI-t, INCOSAI XXI, në Pekin në tetor 2013 zhvilloi një temë të dytë qendrore, e cila ishte: “Roli i SAI-ve në Ruajtjen e Qëndrueshmërisë së Politikave Financiare”.
Tema II: Ruajtja e Qëndrueshmërisë Afatgjatë të Financave Publike
Siç thuhet gjerësisht, financat publike të qëndrueshme janë ato që plotësojnë detyrimet aktuale dhe të ardhshme pa kaluar në nivele të tejkaluara të borxhit ndaj brezave të ardhshëm.
Qëndrueshmëria afat-gjatë e politikave financiare është e nevojshme për të çuar më tej zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendeve.
Diskutimi mbi Temën, në mënyrë të përmbledhur trajton rëndësinë e kombeve për të ruajtur financa publike të shëndosha, për të ruajtur dhe shtuar rritjen ekonomike, punësimin dhe standardet e jetesës. Më tej, duke parë globalizimin ekonomik, qëndrueshmëria e financave publike nëpërmjet miratimit të politikave të shëndosha nga qeveria, është gjithashtu e rëndësishme në të gjithë botën.
Masa dhe struktura si e borxhit publik ashtu edhe e deficitit publik, si edhe niveli dhe struktura e të ardhurave dhe shpenzimeve, kanë një ndikim të rëndësishëm në rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë.
Mësimet që dalin nga kriza globale financiare dhe ekonomike në fillim të shekullit XXI, kanë theksuar rëndësinë strategjike të mbajtjes nga qeveritë të financave publike të shëndosha, në mënyrë që të krijohen kushtet për rritjen ekonomike, punësimin dhe mirëqenien shoqërore.
Nëpërmjet auditimeve të pavarura dhe të shëndosha, SAI-t kontribuojnë në mbajtjen e qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, në mbrojtje të interesit publik dhe forcimit të qeverisjes kombëtare në çdo vend. Duke pranuar mandatin e çdo SAI anëtar të INTOSAI-t për të përcaktuar qasjen e tij në përputhje me legjislacionin kombëtar përkatës, aspektet për tu marrë në konsideratë kur trajtohet çështja e qëndrueshmërisë financiare janë:
Forcimi i auditimeve të deklaratave financiare qeveritare;
Përmirësimi i auditimeve publike të performancës;
Përforcimi i auditimeve për borxhin publik;
Të rritet numri i auditimeve të përputhshmërisë me rregullat fiskale, rregulloret financiare dhe standardet e pranuara, etj.
Rëndësia e Deklaratës së Limës dhe Meksikos, rezolutës së OKB-së për të forcuar rolin e SAI-ve, si dhe mbështetja e secili shtet u përshëndet. Kur duhet të kryhen auditime në lidhje me qëndrueshmërinë e politikave financiare, duhet të rritet roli i mandatit të SAI-t.
Gjatë vendosjes nëse duhet të ndërmerren auditime të politikave financiare të qëndrueshme, SAI-t njohin nevojën që kanë për të marrë në konsideratë mundësinë e aftësive të duhura dhe burimeve brenda institucioneve. Për rrjedhojë, njihet që risqet për këto auditime, mund të jenë më të larta dhe kërkojnë menaxhim më nga afër.
Nëpërmjet auditimeve të sakta dhe të pavarura, SAI-t kontribuojnë në arritjen e qëndrueshmërisë afat-mesme dhe afat-gjata të politikave financiare, ruajtjes së interesit publik dhe rritjes së qeverisjes kombëtare sipas mandateve të tyre dhe situatave të tyre praktike. Vitet e ardhshme do të ofrojnë mundësinë për INTOSAI-n dhe grupet e tij rajonalë, të forcojnë kontributet e tyre në zhvillimin e qëllimeve dhe prioriteteve kombëtare dhe ndërkombëtare duke theksuar kontributet dhe inkurajuar perspektivën e SAI-ve nga Qëndrueshmërisë Publike Financiare. Më tej, u theksua rëndësia e qeverive transparente dhe të përgjegjshme dhe në këtë kontekst, u njoh edhe roli i SAI-ve. Më tej, INTOSAI u inkurajua të përdorë influencën e tij për të vazhduar të promovojë zhvillimin e kuadrit të raportimit financiar të harmonizuar brenda sektorit publik për të dhënë transparencë më të madhe në respekt të veprimeve të qeverisë, veçanërisht në lidhje me borxhin e qeverisë.
Rekomandimet për Temën II
Kongresi pati konsensus se, vendimet e SAI-ve në ndërmarrjen e auditimeve të fokusuara në qëndrueshmërinë e financave të qeverisë, do të ndikoheshin nga pozita financiare dhe ekonomike e secilit vend si dhe nga prioritetet fiskale, nga çdo risk domethënës apo ekspozim në qeverisjen kombëtare dhe nga prioritetet dhe kapaciteti i SAI-ve.
Kur adresojnë çështjet mbi qëndrueshmërinë financiare, SAI-t duhet të marrin në konsideratë sa vijon:
Ngritjen e aftësive për të audituar fazën e planifikimit të financave publike;
Vlerësimin e parashikimeve të qeverive lidhur me ekonominë, financat publike dhe borxhin publik;
Rritjen e rregullave të përputhshmërisë me ato fiskale, rregulloret financiare dhe standartet e pranuara;
Rritjen e vlerësimit të politikave financiare publike;
Forcimin e auditimeve të pasqyrave financiare të qeverisë;
Përmirësimi i auditimeve të performancës për financat publike;
Forcimi i auditimeve të borxhit publik.
Në përfundim të INCOSAI XXI, Organizata dhe anëtarët e tij riafirmuan ambicien për ta shndërruar INTOSAI-n në një organizatë model, që paraqet programe cilësore, të cilat përforcohen nga standardet profesionale dhe nga idetë humanitare.
• Kongresi XXII i INTOSAI-t: Abu Dhabi 2016
Në datat 5-11 dhjetor 2016, në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe zhvillohet Kongresi INCOSAI XXII i INTOSAI-t. Kongresi organizohet një herë në çdo tre vjet dhe është aktiviteti më i rëndësishëm i INTOSAI-t, Organizatës Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit(SAI-t), e cila përmbledh 192 SAI anëtare dhe 5 vëzhguese.
Temat e Kongresit të XXII-të janë:
Si INTOSAI mund të kontribuojë në Axhendën 2030 të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm, duke përfshirë qeverisjen e mirë dhe forcimin e luftës kundër korrupsionit?
Profesionalizmi: çfarë mund të nxisë besueshmërinë e INTOSAI-t për ta bërë një organizatë më të shquar ndërkombëtare?
Këto tema janë shumë të rëndësishme për të ardhmen e INTOSAI-t dhe shndërrimin e tij në një organizate model që drejton nëpërmjet shembullit. Progresi i ardhshëm i saj në drejtimet e mësipërme është i mirëpritur nga të gjitha SAI-t, pasi kontributi i INTOSAI-t dhe i strukturave të tij rajonale në forcimin e pavarësisë dhe në modernizimin e mëtejshëm të SAI-ve konsiderohet si parësor.
Kongresi do të diskutojë dhe miratojë strategjinë e re të zhvillimit të INTOSAI-t 2017-2022, përditësimin e plotë të standardit ndërkombëtar ISSAI 30, “Kodit të Etikës”, si dhe ISSAI të tjera të reja që kanë dalë nga praktikat e mira të punës audituese në të gjithë botën.
Ne si KLSH kemi përgatitur dhe po realizojmë një plan strategjik 2013-2017, në linjë me misionin, vizionin, qëllimet strategjike dhe vlerat e Planit të Zhvillimit strategjik të INTOSAI-t. Misioni ynë është: Informimi i publikut dhe i Kuvendit të Shqipërisë në lidhje me përdorimin e burimeve me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë nga pushteti qendror dhe lokal dhe nga njësi të tjera publike, si dhe nxitja e përgjegjshmërisë në të gjithë sektorin publik, në përputhje me praktikat me të mira të BE dhe me standardet ndërkombëtare të INTOSAI, duke kontribuar për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.
Vizioni ynë është: Të jemi një trupë profesionale që i kontribuon shtimit dhe kursimit të vlerës së parave publike, duke dhënë siguri mbi llogaritë financiare të përdoruesve të tyre dhe duke ndihmuar në përmirësimin e menaxhimit të Qeverisë e të enteve të tjera publike nëpërmjet auditimit, duke fituar ne këtë mënyrë besim të plotë tek qytetarët shqiptarë dhe të audituarit.
Ky studim ishte një udhëtim në kohë, duke përshkruar momentet kryesore të themelimit dhe zhvillimit të INTOSAI-t. Dua ta mbyll me fjalët e Dr. Jozef Mozer, ish-Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe ish-President i Gjykatës Austriake të Auditimit, një nga personalitetet më të spikatura të auditimit suprem publik në botë, të thëna në Simpoziumin e 21-të, të OKB dhe INTOSAI mbi Auditimin Suprem në Vjenë: Si SAI, puna jonë do të njihet, vetëm nëse arrijmë të komunikojmë qartë tek qytetarët se çfarë ne bëjmë dhe cila është vlera e shtuar që gjenerojmë për Shtetin dhe shoqërinë, në mënyrë që ne të perceptohemi si institucione të domosdoshme strategjike që u shërbejmë interesave të qytetarëve. Për të arritur këtë objektiv, SAI duhet të marrin parasysh shqetësimet e qytetarëve në punën e tyre dhe t’i komunikojnë këto në përputhje me rrethanat. Për më tepër, auditimet dhe gjetjet e auditimit duhet t’i komunikohen publikut, në mënyrë që qytetarët të aftësohen të kërkojnë zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve të auditimit. Për të qenë në gjendje për ta bërë këtë, qytetarët duhet të marrin pjesë aktivisht në debatin politik dhe të kontribuojnë në zbatimin e rekomandimeve të auditimit. Është e një rëndësie kritike që t’u sigurojmë qytetarëve platformën e duhur për një angazhim të tillë. Kur qytetarët të kuptojnë se ata nuk janë të pafuqishëm, por mund të luajnë një rol aktiv dhe të mbrojnë interesat e tyre, ata do të jenë të gatshëm të angazhohen plotësisht.