GAO, LIDER I KOMUNITETIT TË SAI-ve

Botuar në gazetën “Panorama”, më 20 shkurt 2017.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë vetëm shteti më demokratik dhe i fuqishëm në botë. Institucioni suprem i auditimit publik të këtij vendi është një institucion lider i INTOSAI-t, i organizatës botërore të institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve), jo vetëm për vlerat që mbart, por edhe për kontributin historik që ka dhënë. Rreth 25 vjet më parë, në vitin 1992, SAI i SHBA-ve, Zyra Amerikane e Llogarive Qeveritare (GAO), organizoi Kongresin INCOSAI XIV të INTOSAI-t në Uashington D.C. Eveniment ky që shënoi zhvillimin më të rëndësishëm në komunitetin e SAI-ve deri në atë kohë, pas Kongresit INCOSAI IX të INTOSAI-t në Lima të Perusë në vitin 1977. Kongresi i Uashingtonit u përqendrua në Standardet dhe udhëzimet për auditimin suprem publik. Nga Uashingtoni nisi rrugëtimin saga e produktit kryesor të auditimit publik në botë (që më pas tërhoqi edhe vëmendjen e OKB-se dhe sot përbën bazën e monitorimit të Axhendës së saj të Zhvillimit 2030), standardet ISSAI të pranuara ndërkombëtarisht të auditimit suprem. Në kryeqytetin amerikan mori formën e qartë dhe të plotë moto e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”.
Me kalimin e viteve, vitaliteti i fituar nga standardet profesionale u ndërthur me përcaktimin e drejtimeve strategjike të INTOSAI-t. GAO mori kryesinë e Grupit të Punës së organizatës për përgatitjen e strategjisë së zhvillimit të auditimit suprem në nivel botëror. Kontributi i GAO-s në këtë Grup ndihmoi edhe strategjinë e zhvillimit 2013-2017 të Kontrollit të Lartë të Shtetit, pasi në themel të saj kjo strategji ka objektivat kryesore të përcaktuara në strategjinë e zhvillimit 2011-2016 të INTOSAI-t, sidomos Objektivi i dytë i ndërtimit të kapaciteteve institucionale dhe Objektivi i katërt i zhvillimit drejt një organizate model.
GAO ishte po ashtu në boshtin e përgatitjeve të Planit të ri Strategjik të Zhvillimit 2017-2022 të INTOSAI-t, të miratuar në Kongresin e fundit të organizatës, INCOSAI XXII, zhvilluar në Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe më datat 5-11 dhjetor 2016. Kryetar i Grupit të Punës për hartimin e Planit Strategjik të INTOSAI-t ishte drejtuesi i GAO-s dhe KryeKontrollori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro, mik i shqiptarëve dhe i KLSH.
Z. Dodaro, në leksionin e tij në Konferencën Vjetore 2013 të Shoqatës Amerikane të Administratës Publike “Elliot Richardson”, e ndan kontributin e organizatës që drejton në katër shtylla. Së pari, ai thekson se etika dhe integriteti formojnë bazën për auditimin. Së dyti, nënvizon rëndësinë që GAO i kushton etikës dhe integritetit në punën e saj. Së treti, nxjerr në pah rolin e organizatës për të zbuluar dhe deklaruar hapur në publik të vërtetat e vështira në qeverisjen publike. Dhe së katërti, ndihmën që institucioni i tij jep në promovimin e etikës dhe integritetit në auditimin publik në të gjithë botën. Në këtë leksion, Dodaro shprehet se “Si dikush që e ka kaluar karrierën e tij si një auditues federal, mund të them pa hezitim: puna solide audituese, e bazuar në integritetin dhe parimet e tjera etike është e domosdoshme për një mbikëqyrje efektive të qeverisë dhe mbajtjen e njerëzve përgjegjës. Puna e GAO-s nxjerr në dritë mangësitë qeveritare, inkurajon sjelljen e duhur nga ana e zyrtarëve publikë dhe e kontraktorëve privatë, si dhe ndihmon për të penguar sjelljen e diskutueshme. Puna solide audituese gjithashtu kontribon në rezultate më të mira të politikave publike dhe në përmirësimin e performancës së qeverisë… Besueshmëria e GAO-s varet nga perceptimi – dhe realiteti – se puna jonë është kryer me integritet dhe sipas parimeve etike…Pa besueshmërinë, një auditim nuk ka shumë vlerë”.
GAO nuk është thjesht komuniteti i mbi 3200 punonjësve me integritet, përgatitje të lartë profesionale dhe të mirëtrajnuar. Institucioni nxjerr çdo vit me qindra raporte auditimi dhe dëshmi, për t’i siguruar Kongresit dhe drejtuesve të agjencive të pavarura informacion të saktë mbi aktivitetet e qeverisë. Raportet e tij për Risqet e Larta dhe për mbivendosjet, dublimet apo fragmentimin e punës së qeverisë federale janë shembull për cilindo institucion auditimi në botë. Institucioni jep kontributin e tij si lider në auditim, nëpërmjet standardeve që zbaton, të quajtura “Libri i Verdhë”, të bazuara mbi rregullat e etikës dhe integritetit, ku janë reflektuar praktikat më të mira të marra nga standardet ISSAI.
Institucioni funksionon tërësisht si një agjenci e pavarur nga Qeveria. Edhe pse GAO nuk ka tagër të detyrojë Qeverinë që të zbatojë përfundimet dhe rekomandimet e auditimeve të saj, institucioni imponohet me vlerat e tij, duke i bindur veprimtarët e tjerë për të vepruar. Pjesëmarrja në seancat e Komisioneve të Kongresit Amerikan është një element veçanërisht i vlefshëm bindës dhe stafi i GAO-s lë çdo detyrë tjetër për ta kryer këtë. Por jo vetëm kaq, pothuajse të gjitha raportet e auditimit janë dokumente publike dhe vihen në dispozicion për mediat. Vëmendja e mediave ndaj një raporti auditimi mund të jetë një nxitje e fuqishme për veprim korrigjues në Qeveri, kështu që GAO bashkëpunon me përfaqësues të mediave të ndryshme. GAO vetë nuk mban konferenca për shtyp, por merr pjesë, nëse i kërkohet, në konferencat për shtyp të mbajtura nga një organ tjetër (mund të jetë dhe një anëtar i Kongresit), i cili e ka kërkuar raportin e auditimit. Në këto konferenca, stafi GAO-s i përgjigjet pyetjeve nga gazetarët.
GAO përbën një model për të gjitha institucionet supreme të auditimit në botë, për pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe integritetin, vlera këto të përmbajtura në standardet ISSAI të INTOSAI-t. Në leksionin e tij, përmendur më sipër, në lidhje me ISSAI-t, Dodaro shprehet se “Këto standarde kanë aplikime reale në punën e GAO-s dhe në audituesit tanë. GAO parashikon shpërblim karriere për etikën dhe integritetin. Në fakt, integriteti është një nga tre vlerat bazë të GAO-s. Të tjerat janë llogaridhënia dhe besueshmëria. Këto vlera themelore janë skalitur me krenari mbi dyert e para të ndërtesës së GAO-s në Uashington”.
GAO punon shumë ngushtë me Kongresin Amerikan. Lidhjet janë të shumta dhe të gjera, sidomos ato me disa Komisione të përhershme të Kongresit dhe Senatit. Në rrethana të tjera, lidhje të tilla të ngushta midis një SAI dhe Parlamentit mund të jenë një kërcënim për pavarësinë e SAI-t. Mirëpo ka disa arsye pse GAO ka qenë në gjendje që të ruajë pavarësinë e saj në këtë mjedis. Po përmend dy kryesoret prej tyre. Së pari, angazhimi institucional për pavarësinë dhe objektivitetin e institucionit (i përforcuar nga personalitetet në krye të GAO-s që prej krijimit të organizatës në vitin 1921) është themelor për kulturën organizative të SAI-t amerikan. Stafi i tij instinktivisht dhe fuqimisht i reziston çdo përpjekjeje që synon të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm në drejtimin apo përmbajtjen e punës së institucionit, madje edhe për rastet kur rrezikohet tjetërsimi i punës nga Senatorë apo Anëtarë me ndikim të fortë të Dhomës së Përfaqësuesve. Së dyti, një mbrojtje dhe garanci akoma më e rëndësishme për pavarësinë e GAO-s qëndron në natyrën e Kongresit Amerikan, në ndarjen e shumtë të pushtetit të tij dhe disiplinën e dobët të brendshme partiake. Karakteristika këto që janë ndoshta të natyrshme në historinë politike dhe në demokracinë amerikane, duke bërë që të ketë shumë pak gjasa që Kongresi të mund të ushtrojë një presion të tillë të qëndrueshëm mbi GAO-n, që të arrijë të kërcënojë seriozisht pavarësinë e saj. Për më tepër, ka një bindje të fortë në Kongres – së paku në mesin e shumë nga anëtarët e tij më me ndikim që “kredibiliteti publik i mirëkrijuar i GAO-s është shumë i vlefshëm dhe një aset i Kongresit, si institucion, dhe se Kongresi e ka të pamundur të lejojë qe ky kredibilitet të zvogëlohet nga pakënaqësi politike afatshkurtra ose implikime politike të ndonjë auditimi të veçantë ose një serie auditimesh”.
Kryekontrollori i SHBA-ve në leksionin e tij të vitit 2013 përmend se “Ne në GAO nuk bëjmë politika, as marrim vendime politike. Kjo i takon Kongresit. Por ne besojmë se duke u bazuar në të dhëna të shëndosha, zyrtarët publikë kanë më shumë gjasa të marrin vendime të informuara dhe të bëjnë gjënë e duhur. Ky informacion i besueshëm dhe objektiv është i nevojshëm urgjentisht sot, për shkak të shumë sfidave fiskale, sociale dhe të sigurisë me të cilat përballet kombi ynë.
GAO është gjithashtu e angazhuar për ta informuar plotësisht publikun për punën e saj. Ne fuqimisht besojmë në transparencën, në idenë se qytetarët amerikanë duhet të jenë sa më të informuar që të jetë e mundur në lidhje me performancën dhe rezultatet e qeverisë. Sipas mendimit tim, të kuptuarit dhe mbështetja publike do të jenë jetike në adresimin e çështjeve të vështira politike që shtrihen përpara. Për këtë qëllim, GAO e raporton publikisht atë që bën. Nëse ju shkoni në internet, ju do të gjeni se pothuajse çdo raport i GAO-s dhe dëshmi në Kongres është në faqen tonë të internetit në ditën që është bërë publike”.
Qendra e Ekselencës në Auditim është një strukturë qendrore e GAO-s, që punon me të gjitha institucionet e auditimit dhe llogaridhënies qeveritare në botë, për të përmirësuar dhe shtuar, nëpërmjet trajnimeve të saj, kapacitetetet e tyre në auditim. Qendra ndihmon institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t) të zhvillojnë dhe zbatojnë korniza të shëndosha të sigurimit të cilësisë në auditim dhe plane strategjike e strategji të zhvillimit të burimeve të tyre njerëzore, duke rritur njohuritë për standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t.
Mbështetur në këto tradita dhe vlera të patjetërsueshme të kontributit të një SAI si GAO në mbajtjen të përgjegjëshme të administratës së shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë, por dhe në zhvillimin e auditimit suprem publik, ne si KLSH përkthyem në shqip dhe botuam në vitin 2015 standardet e auditimit të GAO-s, “Yellow Book” (Libri i Verdhë). Leximi dhe përvetësimi i këtyre standardeve nga audituesit e KLSH-së po i ndihmon ata në punën e tyre të përditshme për të realizuar auditime cilësore.
Në këto vitet e fundit, marrëdhënia jonë si KLSH me GAO-n po forcohet dhe po merr trajta konkrete bashkëpunimi. I jemi mirënjohës GAO-s dhe në veçanti z. Dodaro, drejtuesit të saj, që në harkun kohor të dy viteve 2016-2017 mundësuan dhe po realizojnë trajnimin e tre audituesve tanë për rreth 4 muaj pranë zyrave të GAO-s në Uashington D.C. Kjo eksperiencë që po merret është e një vlere të jashtëzakonshme për ne.
Më datën 30 janar 2017, takova në Uashington D.C. z. James-Christian Blockwood, Drejtor i Planifikimit Strategjik dhe zj. Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim, në vijim të çështjeve të diskutuara në takimin e punës që pata me Kryekontrollorin e SHBA-ve z. Dodaro në Abu Dhabi në dhjetor 2016. Biseduam për fushat e bashkëpunimit me Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës, të IT, në fushën e etikës dhe integritetit në auditim, si dhe në procesin e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Të dy menaxherët e lartë të GAO-s konfirmuan se do të sjellin auditues amerikanë në Shqipëri për trajnime në fushat e mësipërme. Sfida jonë është të implementojmë standardet e GAO-s, pra të përgatisim “The Albanian Yellow Book”, standardet e auditimit suprem publik të Shqipërisë.
Dëshiroj ta mbyll këtë shkrim me mesazhin që Kontrollori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro i përcolli KLSH-së në 90 Vjetorin e krijimit të tij në maj 2015 “Si drejtues i GAO-s, unë kam mësuar mjaft nga eksperiencat tona të shumta në INTOSAI, duke përfshirë angazhimin tonë në zhvillimin e planeve strategjikë të INTOSAI-t. … Është e rëndësishme për ne të reflektojmë mbi diversitetin e INTOSAI-t si një prej pikave të tij më të forta dhe si një burim vlere për secilin SAI… Institucionet Supreme të auditimit sot janë pozicionuar si kurrë më parë, për të bërë diferencën, jo vetëm për vendet e tyre, por në tërësi për të gjithë botën. Në nivel kombëtar, SAI-t ndihmojnë në përmirësimin e shërbimeve publike dhe ndihmojnë drejtuesit publikë të planifikojnë për të ardhmen. Në nivel ndërkombëtar, puna me homologët e tyre, i ndihmon të zgjidhin problemet e hasura. Dëshiroj të shpreh urimet e mia më të mira për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe për vazhdimësinë e përpjekjeve tuaja në shërbim të mirëqeverisjes. Pres të punoj me ju për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve tona”.