Matja e standardizuar e performancës së punës së një sai garanton transparencë dhe llogaridhënie maksimale (Analiza Vjetore e vitit 2016)

E kryejmë këtë analizë vjetore të aktivitetit të KLSH-së, bazuar në moton « Institucionet supreme të auditimit(SAI-t) në shërbim të qytetarëve » të Kongresit INCOSAI XXII të organizatës botërore të institucioneve më të larta të auditimit publik, INTOSAI, të zhvilluar në dhjetor 2016 në Abu D’habi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Viti 2016 është viti i dytë i matjes së performancës sonë sipas strukturës së standardizuar të Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-t), dokument i cili u diskutua dhe u miratua si standard ISSAI në Kongresin INCOSAI XXII. Matja e standardizuar e punës së një SAI garanton një bazë objektive për të bërë transparente lidhjen e tij të vazhdueshme me Parlamentin, institucionet e tjera publike, shoqërinë civile dhe qytetarët.
Kjo analizë vjetore e përgjithshme vjen pas kryerjes së analizave vjetore të departamenteve të auditimit në disa nga univesitetet kryesore publike të vendit në Tiranë, Vlorë, Elbasan dhe Shkodër. Ajo përmbledh edhe gjetjet, sugjerimet dhe vërejtjet ndaj punës dhe qasjes sonë nga ana e profesoratit dhe e shoqërisë civilë të këtyre qyteteve, të cilët i falenderojmë për pjesëmarrjen dhe kontributin, por sidomos profesoratin dhe studentët, që na mikpritën në mjediset e tyre.
Në kushtet e një korrupsioni në rritje, të pranishëm në të gjitha poret e administratës sonë shtetërore, askush nga Ne institucionet në front të parë të luftës kundër kësaj dukurie që po gërryen furishëm besimin e qytetarit në Shtet, nuk mund dhe nuk duhet të ndihet i qetë përballë detyrës së papërmbushur, por bashkëpërgjegjës. Megjithë punën, përkushtimin ose arritjet individuale të institucioneve tona, përballë përgjegjësisë së madhe që kemi ndaj qytetarëve për t’u siguruar atyre një frenim dhe pakësim efektiv të korrupsionit dhe mashtrimit financiar me pronën, fondet dhe shërbimet publike, e ndjejmë që kemi jashtëzakonisht shumë për të bërë. Kjo është arësyeja, fakti që Ne si KLSH e organizojmë këtë analizë vjetore në këto formate, me detyrimin për një llogaridhënie të thellë dhe transparencë të plotë përpara qytetarit, lidhur me punën e bërë ose të munguar nga ne, në përmirësimin e qeverisjes publike në shërbim të qytetarit.
Dua të theksoj se ne si KLSH, besojmë fort në punën në sistem, ku përfshihen 1) Presidenti dhe Kuvendi, 2) Qeveria, 3)Opozita, 4) Institucionet e Pavarura dhe 5) Shoqëria Civile dhe Mediat, për përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Viti 2016 përfaqësoi vitin e parafundit të realizimit të Strategjisë së Zhvillimit të KLSH 2013-2017, e rishikuar. Duke përmbledhur një bilanc të zbatimit të kësaj strategjie, janë pesë vite 2012-2016 që kanë parë institucionin të ecë paralel me objektivat strategjike të organizatave të komunitetit të institucioneve supreme publike në Evrope dhe botë, EUROSAI dhe INTOSAI. Është punuar për rritjen e kapaciteteve të trupës audituese të KLSH-se, duke ndjekur qasjen «Auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare », që ka qenë moto e INTOSAI-t për periudhën 2013-2016. Duke qenë institucion agjent (watchdog) në shërbim të qytetarëve dhe Kuvendit për ruajtjen dhe mirëadministrimin e parasë dhe pronës publike, boshti, fryma dhe moto e auditimeve tona gjatë vitit të fundit ka evoluar natyrshëm nga auditimi kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare në auditim në shërbim të qytetarëve, çka është moto e INTOSAI-t për vitin 2017 e në vazhdim deri në 2020.
Gjatë rrugëtimit tonë pesëvjeçar, kemi ndjerë dhe patur gjithnjë mirëkuptimin, vlerësimin dhe mbështetjen e Institucionit të Presidentit të Republikës, të Cilin, në emër të të gjithë audituesve të KLSH-së, e falenderoj me mirënjohje të madhe për suportin, për pjesëmarrjen dhe kontributin e lartë të dhënë në disa nga analizat vjetore dhe aktivitetet e tjera themelore të institucionit, me idetë, gjykimet dhe sygjerimet e Tij.
Vlerësojmë lart Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarin e tij, Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, në veçanti Kryetarin e tij, për mirëkuptimin dhe mbështetjen e gjerë që na i kanë dhënë KLSH-së. Për vitin 2016, veçoj pjesëmarrjen e anëtarëve të Komisionit në aktivitetet e EUROSAI-t dhe pjesëmarrjen në Konferencën e Katërt Shkencore të KLSH-së. Përgjatë viteve kjo marrëdhënie ka evoluar në një bashkëpunim frytdhënës, të kulmuar në miratimin e ligjit integral të institucionit nga Kuvendi në nëntor 2014, e që po vijon me ritme të kënaqshme, për të njohur një tjetër kulm në mars të këtij viti me Konferencën e përbashkët « SAI dhe Parlamenti ».
Vlerësojmë po ashtu përkrahjen e përhershme të Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, i cili na ka ofruar suportin e tij për kallëzimet tona penale, që kane ecur me një ritëm një kallëzim në jave, si dhe bashkëpunimin me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, në veçanti me Inspektorin e Përgjithshëm.
2016: VITI I QASJES PRO QYTETARIT
Po pse gjykojmë dhe themi se KLSH për vitin 2016 ka zbatuar moton e INCOSAI XXII që institucionet supreme të auditimit, SAI-t të vihen në shërbim të qytetarëve?
Së pari, kemi përmbushur detyrën dhe mandatin tonë kushtetues, duke realizuar 154 auditime nga 154 të planifikuara, nga të cilat:
118 auditime përputhshmërie, ligjshmërie dhe rregullshmërie financiare
7 auditime financiare;
14 auditime tematike;
13 auditime performance dhe
2 auditime të Teknologjisë së Informacionit.
Shpërndarja e llojeve të auditimeve pasqyron zhvillimin dhe modernizimin e institucionit, duke shfrytëzuar maksimalisht burimet njerëzore dhe kapacitetet që aktualisht KLSH ka në dispozion. Auditimet kanë mbuluar të gjitha fushat e veprimtarisë shtetërore, të shpenzimit apo gjenerimit të fondeve publike, duke u përqëndruar në institucionet e shpenzimeve më të mëdha ose të një rëndësie parësore për ekonominë dhe shërbimet publike të vendit.
Auditimet e performancës janë rritur ndjeshëm në numër dhe cilësi, mbulueshmëri institucionesh dhe fushash veprimi të administratës shtetërore, jo vetëm përgjatë 2016-s, por qysh nga nisja e implementimit të Planit Strategjik 2013-2017. Ndonëse simotrat perëndimore të KLSh-së kanë dekada që ushtrojnë auditime të tilla, ku fillesat e tij i gjejmë në Suedinë, Hollandën apo Shtetet e Bashkuara të viteve ’70, institucioni ynë, me themelimin e dept. si strukturë e veçantë më 2012 dhe mandatimin e auditimit permes Ligjit organik të vitit 2014 po avancon ngadalë, por bindshëm drejt këtyre modeleve progresiste të auditimit suprem.
Potenciali i këtij auditimi brenda dhe jashtë KLSH-së është i shumëfishtë. I konceptuar, dizenjuar dhe implementuar si instrument integral, bashkëpunues, këshillues e problemor auditimi, ai tashmë është shtylla moderne e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Vetëm në 2016-n, KLSH realizoi 13 auditime performance, duke tejkaluar brenda një viti me afro 20% numrin e auditimeve të tilla të kryera për krejt periudhën 2008-2011. Auditimet e performancës të vitit 2016 mbuluan çështje të reformave ekonomike, sociale e kulturore, problematika energjetike e mjedisore, aspekte makro dhe mikro të realitetit shqiptar, duke i shërbyer në këtë mënyrë krejt zinxhirit të vlerës, që nga nevoja e qytetarit, deri tek vendim-marrja e ekzekutivit e më pas tek implementimi i strukturave përkatëse.
Auditimet e performancës janë aktualisht dritarja profesionale me të cilën KLSh bashkëpunon më së shumti me SAI-t partnere për auditime paralele apo pilot. Bashkëpunimi me Zyrën Suedeze të Auditimit ka rezultuar mjaft i frytshëm këto 3 vitet e fundit, ku vlen të përmendet që viti 2016 konsolidoi më tej bashkëpunimin, përmes auditimit paralel në çështje të Prokurimit Publik. Po kështu nisi auditimi pilot me kolegët kroatë të projektit IPA për strategjinë e zhvillimit të turizmit, sikurse u hodhën hapat e parë për një auditim mjedisor me Gjykatën Hollandeze të Auditimit.
Auditimi i performancës do të vazhdojë të mbetet prioritet i punës sonë, si një auditim që parandalon, përpara se të penalizojë, që studion analitikisht përpara së të krahasojë mekanikisht, që rekomandon zgjidhje optimale duke synuar më së pari të ndryshojë sjelljen dhe mendësinë e zyrtarit publik përmes komunikimit të hapur e konstruktiv, pa cënuar në asnjë rast vendim-marrjen apo politikë-bërjen.
Gjatë vitit 2016, e kemi shtrire dhënien e opinionit për pasqyrat financiare të institucioneve publike në disa institucione qendrore(aparatin e Ministrisë së Financave, aparatin e Këshillit të Ministrave, etj.), duke punuar njëkohësisht për ngritjen e kapaciteteve të brendshme në këtë lloj të ri auditimi, i cili përbën një vlerë të shtuar në rritjen e përgjegjësisë financiare dhe në përmirësimin e informacionit financiar.
Së dyti, nga auditimet e vitit 2016, KLSH ka zbuluar:
Dëm ekonomik, parregullsi dhe shkelje financiare(në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin e 25.5 miliardë lekë (saktësisht 25,475,854 lekë), ose rreth 188 milionë euro, duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin e këtyre parave në Buxhetin e Shtetit në masën mbi 97 përqind të tyre.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, si në të ardhura dhe në shpenzime, në vlerën prej 46,8 miliardë lekë, ose rreth 346 milionë euro. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 72,3 miliardë lekë, ose afërsisht 534 milionë euro.
Këto janë shifra që së pari duhet të shqetësojnë Qeveritarët tanë dhe së dyti, Ne si auditues të na ndërgjegjësojnë për sfidat e mëdha që na presin në disiplinimin e financave publike dhe harxhimin me ekonomicitet, efektshmëri dhe efiçiencë të parasë së taksapaguesve shqiptarë, për të shërbyer si agjentë/shërbestarë të qytetarëve shqiptarë dhe të Kuvendit.
Së treti, Gjetjet e auditimeve të KLSH gjatë vitit 2016 kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, një tregues ky qendror i Kuadrit të Matjes së Performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, që vendos në raport sasinë e dëmit të kërkuar për zhdëmtim në Buxhetin e Shtetit, me sa i kushton taksapaguesve një SAI, i përdorur gjerësisht nga institucionet moderne evropiane të auditimit suprem dhe nga GAO amerikane. Për vitin 2016, për një lek të harxhuar nga KLSH, institucioni ka kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik për 78 lekë, e barabarte kjo me kater vite të marra së bashku, 2008, 2009, 2010 dhe 2011. Për pesëvjeçarin 2012-2016, mesatarja e dëmit të kërkuar për dëmshpërblim ishte 127 lekë, ose mbi 6 herë më shumë se mesatarja e pesëvjeçarit 2007-2011(20.6 lekë). Shifrat flasin vetë
GJETJET DHE REKOMANDIMET KRYESORE 2016
Ndërkohë, Deklarata e Kongresit INCOSAI XXII në Abu D’habi cilëson se: “Qytetarët e vendeve tona janë përfituesit përfundimtarë të punës sonë si SAI. Është detyra jonë për të kryer auditime të cilësisë sa më të lartë dhe për t’u siguruar atyre gjetje dhe raporte auditimi që mbështesin transparencën, përgjegjshmërinë ne administrimin e fondeve publike dhe promovojnë besimin në qeverisjen e mirë”.
Me këndvështrimin e shërbimit ndaj qytetarit në kontrollin e zbatimit të politikave qeveritare, ndër gjetjet dhe rekomandimet kryesore të vitit të kaluar, rendisim:
Për t’i qëndruar sa më pranë qytetarëve shqiptarë në interesat e tyre vitale për zbatimin e reformës në drejtësi, koshientë se efektshmëria e kësaj reforme lidhet ngushtë me nivelin e përgjegjshmërisë së administratës sonë publike, për të katërtin vit rradhazi, duke filluar nga viti 2012 e deri në vitin 2016 e sot, i kemi rekomanduar Kuvendit që Qeveria të mundësojë ngritjen e një grupi pune me specialiste dhe përfaqësues të legjislativit, për hartimin e projekt-Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale të nëpunësit publik”. Ky ligj është i domosdoshëm për të trajtuar përgjegjësinë financiare të punonjësve të institucioneve shtetërore (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare. Gjykojmë se asnjë reformë apo proces në Shqipëri, përfshirë procesin i vetingut (të cilin Ne e mbështesim plotësisht) nuk do të arrijë të zbatohet plotësisht dhe reforma në drejtësi të luftojë me efektivitet dhe efiçiencë korrupsionin, në rast se nuk materializohet përgjegjësia e shkelësve dhe abuzuesve të pronës publike. Deri tani, si KLSH jemi përpjekur të përcaktojmë përgjegjësitë materiale të nëpunësve publikë në keqpërdorimet e fondeve publike, duke propozuar masa në formën e sanksioneve, kundrejt parregullsive financiare të shkaktuara prej tyre dhe të konstatuara, në kushtet e mungesës totale të një baze ligjore për vlerësimin dhe matjen e dëmit shkaktuar Buxhetit të Shtetit dhe adresimin, me procedura më konkrete e të detajuara, të përgjegjësisë materiale. Mendojmë se sot ka ardhur koha më shumë se kurrë që Kuvendi ta ndërmarrë këtë nismë, që do të sigurojë nje mjet efektiv dhe efiçient në përmirësimin e qeverisjes publike, rritjen e përgjegjshmërisë dhe kufizimin e korrupsionit. Për këtë ligj ne po përpiqemi të sensibilizojmë dhe partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar në përgatitjen e tij.
Nga ana tjetër, si KLSH kemi propozuar ngritjen e një Sistemi Kombëtar të Integritetit dhe të Luftës Kundër Korrupsionit, duke pozicionuar qartë elementët përbërës të këtij sistemi dhe kontributin e seicilit faktor (Kuvendi, qeveria, opozita, institucionet e pavarura, shoqëria civile dhe mediat, donatorët, etj.). Kemi rekomanduar që ky sistem të udhëhiqet nga shoqëria civile ose donatorë si USAID-i.
Kongresi i INTOSAI-t në Abu D’Habi në dhjetor 2016, nënvizoi me forcë se sistemet e Menaxhimit të Financave Publike, të shendetshme dhe që funksionojnë mirë janë thelbësore për suksesin e objektivave të zhvillimit të qendrueshëm.
Në raportet e zbatimit të Buxhetit Faktik të Shtetit, në vijimësi gjatë këtyre viteve, si KLSH kemi vlerësuar dhe inkurajuar çdo reformë strukturore, përpjekjet për të përafruar kornizat rregullative buxhetore me praktikat e Komunitetit Europian, sidomos për krijimin e një sistemi efiçient në menaxhimin e financave publike, por konstatojmë se jemi akoma larg objektivave të Strategjise për një stabilitet dhe qëndrueshmëri financiare dhe ekonomike. Prandaj dhe kemi rekomanduar të përshpejtohet puna e vendosjes dhe monitorimit të indikatorëve të performancës në financat publike dhe ecurinë e treguesve sipas shtyllave prioritare të planifikuara në Strategjisë se Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020. Kemi kërkuar që objektivat fiskalë të jenë të qartë dhe të verifikueshëm dhe t’u lehtësohet njerëzve të kuptuarit e politikave fiskale dhe financiare në të gjithë ciklin ekonomik, pra buxhetimi afatmesëm dhe ai vjetor të jenë një urë lidhëse për llogaridhënie ndaj qytetarëve.
Të ndërgjegjshëm për sfidat e zbatimit të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, duke vlerësuar gjithsesi punën e Ministrit Ahmetaj, kemi theksuar që përgjegjësia në realizimin e kësaj strategjie të mos i mbetet Ministrisë dhe Ministrit të Financave, por të ndahet mes ministrive të tjera të linjës dhe Ne, institucioneve të pavarura.
KLSH ka kërkuar në Kuvend që procesi i programimit të Buxhetit te Shtetit të realizojë garantimin e kredibilitetit të tij nëpërmjet një politikë fiskale të qëndrueshme, në respekt të plotë të objektivave fiskalë afat-mesëm dhe të shërbejë si një instrument efiçient për ta mbajtur qeverinë të përgjegjshme në arritjen e objektivave të Strategjisë. Qëndrueshmëria makro-fiskale dhe stabiliteti i sektorit financiar, konsiderohen ndër përparësitë kryesore, për shkak të ndikimit thelbësor që kanë mbi aftësinë e vendit për të kaluar në një model rritjeje të qëndrueshme. Për të tretin vit rradhazi, i kemi kërkuar Kuvendit krijimin e Këshillit të Pavarur Fiskal, si një nismë ligjore prioritare dhe një strukturë që të funksionojë e pavarur nga qeveria dhe t’i raportojë vetëm Kuvendit dhe qytetarëve.
KLSH ka rekomanduar që konsultimi për Buxhetin vjetor me grupet e punës në fazën përgatitore të mos jetë një proces formal dhe në letra, por një ushtrim efektiv për të kuptuar nevojat dhe vlerësuar burimet në dispozicion, duke kaluar drejt një buxheti kredibël. Bashkëpunimi me shoqërinë civile do t’i jepte një vlerë të shtuar këtij procesi të rëndësishëm.
Për borxhin publik, si një tregues i rëndësishëm, por dhe me ndikim të lartë në qëndrueshmërinë e financave publike dhe projeksionet ekonomike të së ardhmes, në vijimësi kemi rekomanduar vendosjen e kufirit tavan të këtij borxhi në Kushtetutë(propozim i paraqitur Kuvendit që në vitin 2012), në masën 60 përqind të Produktit të Brendshëm Bruto të vendit dhe arritjen e këtij niveli të shtrirë në kohë, në terma afatgjatë. KLSH ka kërkuar monitorim të kujdesshëm të disa aktiviteteve të parashikuara në Strategjitë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020, të lidhura me borxhin publik, duke vendosur indikatorët kryesorë të borxhit, të cilët të jenë të qëndrueshëm, të publikueshëm dhe të kuptueshem nga qytetari. Njëlloj si në vitin 2012, ku në raportimin e Buxhetit faktik të vitit 2011 kemi qenë të parët që kërkuam në Kuvend shlyerjen e detyrimeve të prapambetura dhe të akumuluara ndër vite ndaj sipërmarrjes private, për vitin e kaluar rekomanduam(në simultanitet me shqetësimin e ngritur edhe nga FMN) marrjen e masave të shpejta për të identifikuar plotësisht dhe shlyer borxhin e akumuluar dhe në rritje të shpejtë të njësive të qeverisjes vendore.
KLSH ka kërkuar që si instrument i domosdoshëm për analizimin e të dhënave të borxhit dhe parashikimin e treguesve të riskut, të hartohet dhe zbatohet një Manual i detajuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Borxhit Publik, duke krijuar një bazë të dhënash të integruara që të përfshijnë borxhin e brendshëm dhe të jashtëm, të nevojshme për thellimin dhe përmirësimin e analizave që lidhen me monitorimin e riskut sistemik në sistemin financiar.
Per investimet kapitale publike, kemi theksuar se mungon një vlerësim i plotë i procesit vendimmarrës në planifikimin e niveleve të qëndrueshme të investimeve në të gjithë sektorin publik, në shpërndarjen e investimeve në sektorët dhe projektet e duhura, në zbatimin e projekteve në kohë dhe brenda buxhetit të parashikuar. KLSH ka konstatuar mungesen e një veprim konkret për forcimin e kapaciteteve të administratës publike për vlerësimin ekonomik (jo vetëm vlerësim teknik dhe financiar) të projekteve të investimeve kapitale, pra në çmasë përfitimet sociale dhe në nivel të qytetarit nga projekti respektiv do të tejkalojnë kostot e projektit. Këto kapacitete do të përdoren edhe për të vlerësuar, pas realizimit, kthimin social-ekonomik në projektet e realizuara të investimeve. Tendenca për përqëndrim të investimeve kapitale kryesisht tek financimi i huaj (në programim rreth 50% e tyre janë financim i huaj), ngre problematikën e realizimit të investimeve jashtë procedurave të prokurimit publik shqiptar. KLSH ka kërkuar ekspertizë brënda strukturave shtetërore për të vlerësuar me kujdes kontratat të cilat nuk rregullohen me legjislacionin shqiptar.
Tendenca në rënie e investimeve kapitale tregon se borxhi publik përgjithësisht nuk është përdorur për rritjen e investimeve. Ritmi vjetor i rritjes së borxhit është më i lartë se ritmi vjetor i rritjes ekonomike, duke reflektuar sinjale risku për stabilitetin makroekonomik dhe zhvillimet ekonomike në të ardhmen.
Nga auditimi i sistemit të financave publike, kemi konstatuar se vëmendja e pakët për kontabilitetin dhe raportimin financiar në sektorin publik, duke trashëguar një mungesë të theksuar të standardeve kontabël për këtë sektor dhe nivel të ulët të përgatitjes së punonjësve që mbulojnë kontabilitetin(e theksuar kjo veçanërisht në njësitë vendore), ka reflektuar një risk të lartë që ndikon në manaxhimin e financave publike. KLSH ka vërejtur se nuk hartohen pasqyrat financiare të konsolidura (aparat plus njësi varësie), ose ka raste kur konsolidimi i pasqyrave financiare të njësive të varësisë është një proces mekanik formal dhe nuk jep siguri për pasqyrimin e drejtë dhe të saktë të transaksioneve financiare. Të gjithë kemi shumë për të bërë në këtë drejtim.
**
Për të dytin vit rradhazi, në raportimin e tij në Kuvend në vitin 2016 për zbatimin e buxhetit faktik 2015, KLSH ka shpalosur hartën e risqeve fiskale dhe financiare më të rëndësishme të vendit, si risku i kostove të larta të menaxhimit të borxhit publik, i mosrespektimit të pragut të defiçitit buxhetor, i ndërhyrjeve nëpërmjet akteve normative në deformimin e treguesve të buxhetit, i planifikimit tejet mase optimist të të ardhurave buxhetore, që sjell moskryerjen në nivelin e planifikuar të investimeve kapitale, i defiçitit të sigurimeve shoqërore, etj. Ndërsa që ka kerkuar me forcë që qëveria të marrë masa për përgatitjen dhe zbatimin e një plani konkret për zbutjen deri në eliminim të këtyre risqeve, ka propozuar edhe vetë disa masa thelbësore, një pjesë të të cilave i renditëm më lart, duke kontribuar në plotësimin e kërkesave të Kapitullit 32 ”Kontrolli Financiar” dhe Kapitullit 33 “Dispozitat Financiare dhe Buxhetore” të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian. Ky veprim është në linjë të plotë me Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t që rekomandon se “SAI-t duhet të realizojnë një kuptim të përbashkët të sistemeve të Menaxhimit Financiar, pikat e forta dhe dobësitë e tyre, faktorët kryesore të riskut dhe implikimet për arritjen e objektivave te zhvillimit te qendrueshem. Ky kuptim do të ishte thelbësor për realizimin e auditimit të buxhetit të qeverisë në një mënyrë gjithëpërfshirëse, për identifikimin e shkaqeve të dështimeve në Buxhet, duke çuar në raporte më të mira auditimi dhe në rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të SAI-t dhe, prej këtej, në shëndoshjen efektive të financave publike të një vendi”.
Si gjetje kryesore nga auditimet tona, theksojmë mosrespektimin e Marrëveshjes Hidrokarbure me ndarje prodhimi me kompaninë që shfrytëzon rreth 95% të prodhimit të naftës ekzistuese në rang vendi dhe shtrihet në zonën e vendburimit naftëmbajtës Patos-Marinëz. Ky vendburim nafte ka qenë ekzistues dhe kompania nuk ka rënduar kostot hidrokarbure me shpenzime kërkimi, por ka filluar direkt prodhimin e naftës. Për këtë arsye pritshmëria në lidhje me fitimin që do të vinte nga shfrytëzimi i kësaj pasurie kombëtare në dobi të qytetarëve ka qenë shumë e madhe. AKBN si struktura përgjegjëse kryesore, por edhe Albpetrol dhe Ministria e Energjitikes, në kundërshtim me marrëveshjen hidrokarbure, nuk kanë monitoruar dhe mbikëqyrur shpenzimet për operacionet hidrokarbure, por e kanë lejuar kompaninë që të kryejë shpenzime, mbi çmimet e tregut dhe mbi normativat dhe referencat ligjore në fuqi. Kështu që të ardhurat e realizuara nga shitja e naftës së prodhuar nuk kanë mbuluar kostot hidrokarbure. Për këtë arsye, kompania shtetërore Albpetrol, nuk ka marrë sasinë e hidrokarburit, naftës së premtuar në planin e zhvillimit, si dhe Buxheti i Shtetit nuk ka marrë tatimin mbi fitimin. Mosrealizimi i mbikëqyrjes ka sjellë humbje të mëdha në Buxhetin e Shtetit.
Nuk duam kurrsesi të godasim investuesit e huaj, përkundrazi, i mbështesim ata. Mirëpo mungesa e një kuadri rregullator të përditësuar sipas modeleve më të mira bashkëkohore dhe mospërcaktimi i saktë dhe i qartë i të drejtave, detyrimeve dhe penalizimeve në marrëveshjet hidrokarbure, si dhe perfomanca e dobët e veprimtarisë së institucioneve publike në këtë fushë, e shoqëruar me një mungesë bashkëpunimi dhe bashkërendimi të veprimtarisë ndërmjet tyre në lidhje me monitorimin, inspektimin, kontrollin dhe auditimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, ka ndikuar negativisht në arritjen e përfitueshmërisë ekonomike dhe financiare të Shtetit shqiptar, duke rrezikuar përdorimin racional të burimeve nëntokësore të naftës, si dhe duke kërcënuar mjedisin
Vlen të theksojmë, se, së paku që nga viti 2013 e në vazhdimësi, si KLSH nga auditimet e ushtruara në Ministrinë e Energjisë(MEI), në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore(AKBN) dhe në Albpetrol Sha, kemi ngritur shqetësimin e keqshfrytëzimit të burimeve naftëmbajtëse dhe për pasojë kemi denoncuar humbje dhe mungesa të konsiderueshme ekonomike dhe financiare për buxhetin e shtetit, duke rekomanduar marrjen e masave për përmirësimin e situatës në sektorin hidrokarbur.
Po ashtu, kemi kërkuar si KLSH një zgjidhje të shpejtë të problematikës së banorëve të fshatit Zharrëz, shumë më përpara ngjarjes së lëkundjeve sizmike në zonën e Marinzës dhe protestës së tyre, me kontribute të menjëhershme nga Buxheti i Shtetit dhe nga kompania që mban koncesionin hidrokarbur në zonë, në investime për dëmshpërblimin e dëmeve materiale ndaj familjeve dhe rikthimin e parametrave normalë mjedisorë në fshat. Në Projekt-raportin e Auditimit të nisur AKBN-së dhe MEI-t me shkresën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit , nr.850/7 datë 09.03.2015, kemi konstatuar se “…një dëm tjetër i pa rekuperueshëm me pasoja subsidencë (fundosje) të sipërfaqes do të ndodhë për shkak të prishjes së ekulibrit të forcave të brendshme në njësinë e kolektorit. çka do të çojë në shkatërrimin e shtresave litologjike, për rrjedhojë nuk kemi ruajtje të nëntokës, një nga kriteret bazë që qeveria duhet ta monitoroj në mënyrë skrupuloze, mbasi n.q.s. nuk do të mbahet qëndrim i menjëhershëm, do të kemi subsidencë (fundosje) të sipërfaqes së tokës në zonën përkatëse, e shoqëruar në vazhdimësi me lëkundje sismike. Kjo është e sigurtë nga ana shkencore ku nuk shtrohet pyetja: A do të ndodhë? Por, kur do të ndodhë?
E njëjta linje qëndrimi në favor të qytetarëve, banues të fshatit Zharrëz, u përcoll edhe në Vendimin e Kryetarit të KLSH me Nr. 850/11 të Prot ( Nr.34) datë 30.04.2015 për auditimin në AKBN dhe MEI, në Vendimin me Nr. 179 dt. 31.12.2016 për auditimin në AlbPeptrol Sha., si dhe në Vendimin e djeshëm për Auditimin e fundit në AKBN.
Theksojmë me forcë se një nga kërcënimet serioze ndaj financave publike është niveli i ulët i efektivitetit në prokurimet publike të mallrave, shërbimeve dhe realizimit të punimeve, kryesisht në infrastrukturën rrugore. Ajo që nuk po arrihet të sigurohet përmes sistemit elektronik të prokurimit është vlera për paranë e shpenzuar, një tregues i rëndësishëm për një sistem efiçient prokurimi publik. Çka kërkohet nga një sistem modern prokurimi është plotësimi i parimeve kryesore të konkurencës së lirë dhe efektivitetit në prokurim. Nga një auditim i teknologjisë së informacionit, duke përpunuar të dhënat e siguruara nga sistemi i prokurimit elektronik, kemi konstatuar që prokurimi i fondeve sipas llojit të procedurës është realizuar me procedura të cilat nuk garantojnë konkurencën e hapur (negocimi i kontratave është lloji më i përhapur i procedurave të përdorura, referuar atyre me vlera të konsiderueshme) dhe normalisht efektiviteti i fondeve është cënuar rëndë.
Nga auditimi në Autoritetin Rrugor Shqiptar, kemi konstatuar se institucioni reflekton një nivel të ulët përgjegjshmërie me pasoja negative në efektivitetin e përdorimit të fondeve buxhetore në këtë sektor strategjik. Dëmi i konstatuar eshte i konsiderueshem, i ardhur kryesisht nga mungesa e mbikqyrjes gjatë zbatimit të projekteve në infrastrukturën rrugore. Më konkretisht, ka rezultuar:
Mungesa e një politike të kujdesshme për realizimin e projekteve, të cilat janë të mbivendosura dhe të paharmonizuara me politikat e zhvillimit në sektorin e transportit.
Kryerja e një numri të konsiderueshëm prokurimesh me objekt “konsulence, studime dhe projektime për projekte investimi”, ndërkohë që mungojnë fondet e programuara për realizimin e këtyre projekteve. Kjo praktikë e cila ka sjellë kosto shtesë në kontratat e lidhura për zbatimin e punimeve si pasojë e shkëputjes në kohë ndërmjet projektimit dhe zbatimit të projekteve, si dhe shume mungesa te tjera.
Kemi rekomanduar hartimin e një strategjie kombëtare afatmesme dhe afatgjatë të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, duke e konsideruar si domosdoshmëri harmonizimin e investimeve në infrastrukturen rrugore, në përputhje me këtë strategji dhe projektbuxhetet afatmesme të miratuara.
**
LUFTA KUNDËR ANTIKULTURËS SË PANDËSHKUESHMËRISË
Kongresi i XXII-të i INTOSAI-t nënvizoi se “SAI-t kanë nevojë të mbledhin dhe promovojne gjeresisht ne publik rezultatet e auditimeve të kryera prej tyre, duke theksuar risqet e mundshme ne zbatimin e politikave dhe programeve të qeverisë, risqe të cilat mund të minojnë një menaxhim të shëndetshëm të Financave Publike”.
Ndërsa shprehemi të kënaqur me nivelin e zbatimit nga administrata shtetërore të masave organizative dhe administrative të propozuara nga KLSH( i cili është në nivelin e zbatueshmërisë së rekomandimeve të SAI-ve të zhvilluara evropiane), konstatojmë me shqetësim se në masat me karakter displinor për largimin nga puna të nëpunësve të lartë të Shtetit, të kapur në abuzim flagrant me pronën dhe fondet publike, përqindja e zbatueshmërisë është më e ulta. Moszbatimi nga qeveria i rekomandimeve të KLSH për largimin nga shërbimi civil apo nga puna të nëpunësve të tillë ushqen çdo ditë antikulturën e pandëshkueshmërisë, të përhapur gjerësisht në vend, si dhe pengon ose bllokon shqyrtimin nga ana e Prokurorisë të dosjeve penale të dorëzuara nga KLSH për këta funksionarë të lartë. Ndërsa mospranimi nga subjektet e audituara i dëmeve ekonomike të konstatuara nga KLSH dhe i rekomandimeve për shdëmtim dëmton jo vetëm KLSH-në, por edhe financimet publike, ekonominë shqiptare dhe qytetarët shqiptarë.
Në përputhje me objektivin e tij strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, institucioni gjatë vitit 2016, për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, KLSH ka bërë 49 kallëzime penale ndaj 176 punonjësve publikë, kryesisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës. Nga një analizë në vite, numri i kallzimeve penale gjatë pese viteve 2012-2016 është rreth 4.5 herë më shumë se kallzimet penale në pesëvjeçarin 2007-2011, ose në pesevjeçarin e fundit kemi ecur me një ritëm gjithsejt 219 kallëzime ose një kallzim penal në javë.
Si dëshmi të vullnetit të saj për të luftuar anti-kulturën e pandëshkueshmërisë, i kemi kërkuar në vijimësi Qeverisë që të nxjerrë një urdhër për zbatimin e rekomandimeve të KLSH-së nga ana e institucioneve në varësi të saj, por kjo nuk ka ndodhur. Nxjerrja e urdhërit do të kishte kontribuar jo vetëm në rritjen e zbatueshmërisë së rekomandimeve të institucionit, por edhe në shtimin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së administratës sonë publike. Nga ana tjetër, Qëveria do të kishte mundur të siguronte nëpërmjet KLSH-së, ashtu sikundër çdo qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian e ka SAI-n vendas: një pasqyrë transparente dhe profesionale ku të shihte veten, të identifikonte me përgjegjësi gabimet dhe të orientohej për korrigjimin e tyre, duke forcuar imazhin e saj në publik dhe rritur besimin e qytetarit ndaj qëllimeve, politikave dhe programeve të qeverisë.
**
Kongresi i XXII-të i INTOSAI-t u kërkoi SAI-ve të ishin:”Një zë publik që bën thirrje për profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë të administratës shtetërore”. Lind pyetja: si do të arrijmë t’i shërbejmë më mirë qytetarit? Mesazhi dhe motoja e dytë qendrore e Kongresit të dhjetorit 2016 të INTOSAI-t ishte «Të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri». Në përputhje me këtë moto, ambicja jonë si SAI, si KLSH, duke zbatuar orientimin themelor strategjik të INTOSAI-t për të qenë një organizatë model, është të udhëheqim nëpërmjet shembullit. Vetingu ynë, transparenca e plotë në sytë e qytetarit e pozicionit dhe qëndrimit moral, etik dhe e mungesës së konfliktit të interesit për audituesin suprem publik shqiptar është kryerja e thellë dhe me integritet e procesit të vetëvlerësimit të një SAI, i quajtur ndryshe paketa INTOSAINT. Kjo paketë, e përgatitur nga Gjykata Hollandeze e Auditimit dhe e lansuar nga INTOSAI në vitin 2012, u njoh nga audituesit tanë dhe u adoptua zyrtarisht nga KLSH gjatë vitit 2013 dhe viti 2016 përfaqëson vitin e tretë rradhazi të përdorimit të procesit INTOSAINT të vetëvlerësimit të integritetit, duke shikuar thellë brenda vetes sonë, për të zbuluar mangësitë dhe dobësitë që kemi dhe për t’i shmangur ato në të ardhmen. Jemi të ndërgjegjshëm se ngelet shumë punë për të realizuar integritetin e plotë në institucion. Gjatë këtyre pesë viteve 2012-2016, jemi përpjekur me mbikëqyrje dhe monitorim, që në institucion të mos rezultojnë incidente të karakterit korruptiv apo shkelje ndaj integritetit. Kjo praktikë është ndjekur rigorozisht nga ne, pasi mosndëshkueshmëria sjell dëme të pariparueshme për institucionin e KLSH-së dhe humbjen e kredibilitetit institucional në përgjithësi dhe të besimit të qytetarit në veçanti.
Në analizën vjetore të KLSH-së për vitin 2015, një vit më parë, Presidenti i Republikës, SH.T.Z. Bujar Nishani gjatë fjalës së tij përshëndetëse u shpreh: “Nuk nguroj të them që keni arritur një standard më të arrirë, më të përparuar, dhe ndoshta jeni ndër institucionet më të para që keni ngritur në një shkallë më të lartë çështjen e asaj që përbën sfidën më të madhe të shoqërisë sonë besimin”. Gjykojmë se çdo institucion publik duhet ta kryejë procesin e vetëvlerësimit të integritetit, si një mjet efektiv për të promovuar vlerat etike të tij dhe për të luftuar korrupsionin dhe konfliktin e interesit.
Realizimin me sukses të “vetingut” të KLSH, përputhshmërisë së integritetit të institucionit, e konfirmoi në nëntor 2016 Drejtori i Përgjithshëm i Gjykatës së Auditimit të Austrisë, z. Robert Sattler, me prezantimin e Raportit “Peer Review (Rishikim mes Kolegëve)” për Kontrollin e Lartë të Shtetit, duke vlerësuar pavarësinë e lartë të institucionit, të fituar nëpërmjet zbatimit me përpikmëri të standardeve ndërkombëtare të auditimit të jashtëm publik, ISSAI, si dhe ligjin e ri integral të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë në nëntor 2014.
Partneritetet
Tema e Dytë themelore e Kongresit INCOSAI XXII ishte Profesionalizmi dhe çfarë mund të nxisë besueshmërinë për ta bërë INTOSAI-n një organizatë më të shquar ndërkombëtare. Në harkun kohor 2012-2016, jemi involvuar në aktivitetet e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t ,që na japin mundësi të krahasojmë dijet tona profesionale me eksperiencat më të mira evropiane, si dhe t’i shtojmë ato. Përgjatë vitit 2016, KLSH, nëpërmjet të gjithë drejtuesve dhe audituesve, ka marre pjese në 53 aktivitete të rëndësishme si Kongrese, Konferenca, Takime, seminare, trajnime, (këto të fundit edhe në kuadrin e zbatimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me SAI-et homologe). Ndër kryesoret përmend pjesëmarrjet ne Kongresin e XXII-te te INTOSAI-t në Abu Dhabi, ne Takimin e Grupit të Punës së INTOSAI-t për Rishikimin e ISSAI 30- Kodit të Etikës; Takimi i Komitetit të Kontaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit të BE-së (dy takime), etj. Ky standart i besueshmërisë nuk mund të sigurohet pa ngritjen e kapaciteteve audituese nëpërmjet trajnimit dhe shkëmbimit të eksperiencave. Gjatë vitit 2016, 153 auditues të KLSH-së kanë marrë pjesë në aktivitetet jashtë vendit, ose 765 ditë/njerëz në total. Thënë ndryshe, pothuajse të gjithë punonjësit e institucionit kanë qenë të paktën një herë jashtë vendit në trajnime.
KLSH ka forcuar kapaciteteve audituese, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm kualifikimi, kryerjes se trajnimeve të thelluara dhe gërshetimit të ngritjes arsimore me veprimtarinë praktike audituese. Struktura e punonjësve ka vijuar të ndryshojë në favor të stafit auditues me kualifikime profesionale, akademike dhe grada shkencore, si dhe me kualifikim në fusha të dyta ekspertize. Janë promovuar drejtues departamenti në institucion auditues me mbi 10 vjet eksperiencë dhe/ose me grada shkencore. Gjatë vitit të kaluar, çdo auditues i KLSH u trajnua për 29 ditë, ose sa njëzetfishti i vitit 2011. Në 5 vitet 2012-2016, ne kemi mesatarisht 25 ditë trajnimi për auditues, nga vetëm 2.1 ditë trajnimi në vitet 2007-2011.
Në modernizimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit po japin një kontribut të çmuar Gjykata Europiane e Audituesve (ECA), nëpërmjet internshipeve te saj, si dhe Zyra e Auditimit Qeveritar të SHBA-së (GAO), përmes fellowship-eve. Falë kësaj asistencë, në KLSH po krijohet një gjenerate e re audituesish me parametrat e kolegëve të tyre perendimore. Në vitin 2016, 4 auditues të Kontrollit të Lartë të Shtetit u trajnuan pranё ECA-s për një periudhë 5 mujore. Në total janë 9 auditues të KLSH-së që kanë fituar internship-et tek ECA. Po aq produktiv për KLSH-në ka rezultuar edhe bashkëpunimi me GAO-n amerikane, ku gjatë vitit 2016 një audituese e KLSH-së mori pjesë në një fellowship 4 mujor pranë kësaj zyre dhe gjatë ketij viti dy auditues te tjere do të ndjekin këtë fellowship
Viti 2016 shënoi vitin e parë të nisjes së zbatimit të Projektit të Binjakëzimit IPA 2013 mes KLSH-së dhe dy SAI-ve partnere nga vende të BE-së, NIK-ut polak dhe Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kroacisë, me vlerë 2, 1 milion euro. Për realizimin e këtij projekti do të kryhen 92 misione, me qëllim përmirësimin e kornizës ligjore të auditimint, zhvillimin e metodologjive të auditimit dhe kapaciteteve të raportimit, forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e impaktit të rezultateve të auditimit. Gjate vitit te kaluar u kryhen 36 misione nga ekspertët polakë dhe kroatë.
Transparenca dhe Komunikimi
Gjatë vitit 2016, shtypi shqiptar ka pasqyruar raportet dhe njoftimet për shtyp të KLSH-së me 931 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 922 gjithsej përgjatë vitit 2015. Gazetarët u janë përgjigjur prononcimeve të institucionit dhe problematikave të dala nga auditimet e ushtruara. Audituesit tanë gjatë vitit të kaluar kanë qenë të pranishëm pothuajse në të gjitha gazetat me 135 shkrime, të shkruara nga 72 auditues. Gjatë katër viteve, 2013-2016 audituesit e KLSH kanë botuar 396 artikuj në shtypin shqiptar.
Qasja e re në transmetimin e informacionit tek publiku në këto pese vite 2012-2016, ka ndryshuar pozitivisht mënyrën e perceptimit të qytetarit për veprimtarinë audituese (e më gjerë) të KLSH-së, duke rritur si besimin e publikut ndaj institucionit ashtu edhe vetëbesimin e audituesve në punën e tyre. Në kuadër të Projektit të Binjakëzimit, jemi duke hartuar një strategji të re komunikimi, në bashkëpunim me SAI-n e Polonisë dhe partnerë vendas gazetarë të njohur.
Me qëllim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, KLSH organizoi Javën e Hapur për Qytetarët ne datat 28 Tetor-04 Nëntor 2016.
Gjatë vitit 2016, kemi vijuar të trajtojmë me korrektësi dhe profesionalizëm letrat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët në çdo rast kanë marrë përgjigje, edhe kur çështja e ngritur prej tyre ka qenë jashtë kompetencave të institucionit. Megjithatë, edhe në këto raste KLSH i ka orientuar qytetarët, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se cilit institucion duhet t’i drejtohen për të marrë përgjigje për shqetësimet e tyre. Gjatë vitit te kaluar, kemi trajtuar 660 letra dhe ankesa, nga të cilat 318 jashtë kompetencës dhe juridiksionit të institucionit. Nga 342 ankesa në kompetencë të KLSH, 209 prej tyre janë verifikuar dhe u është dhënën përgjigje, ndërsa 133 janë në proces verifikimi. U kërkojmë ndjesë të gjithë atyre qytetarëve që nuk kemi patur mundësi, për shkak të mungesës së kompetencave tona si institucion, t’i ndihmojmë në zgjidhjen e problemeve që na kanë parashtruar. Faqja në internet e KLSH-së është një dritare për informacion të shumtë dhe të mirëstrukturuar. Qytetaret mund të gjejnë informacione të shumta për aktivitetin e institucionit, por veçanërisht për raportet e auditimeve. Gjatë vitit 2016, kemi vendosur në internet vendimet e plota për 152 auditime, nga 154 të realizuara gjithsej, pra në masën 98.7 përqind. Duke jetësuar drejtimin strategjik të INTOSAI dhe EUROSAI për menaxhim në përputhje me parimet e komunikimit transparent, KLSH ka intensifikuar marrëdhëniet me mediat, publikun dhe qytetarët. Ky vit është i pestë rradhazi, ku analizat vjetore në nivel departamenti auditimi zhvillohen krejtësisht të hapura, në mjedise universitare, në prani të përfaqësuesve të medias.
Publikimet
KLSH vjen në pesë vitet e fundit 2012-2016 me një kolanë botimesh prej 67 tituj librash profesionale, udhezuesish auditimi, si dhe me karakter informativ dhe historik. Çdo vit dinamika e botimeve të institucionit rritet me 10 përqind dhe përçon drejtimet strategjike të reformimit të institucionit. Botimet e KLSH-së janë zbatim i detyrimeve ndërkombëtare të angazhimit të institucioneve të auditimit edhe në fushën e botimeve të dokumentacionit për t’i mundësuar qytetarëve një akses më të gjerë. Kolana e botimeve pasurohet nga viti në vit. Gjatë vitit 2016, të 51 botimeve të viteve 2012-2015 ju shtuan 16 botime të reja, si Audituesit e KLSH-së në Shtypin e përditshëm, Volumet V dhe VI, Analiza vjetore, 2015, Revista “Auditimi publik”, numrat 12, 13 dhe 14, Botimi i ISSAI-ve, 1- 400, Direktivat e BE-së mbi Prokurimin Publik dhe Kontratat Koncesionare, Auditimet e Performancës në KLSH 2012-2015; Projekti i Binjakëzimit, IPA 2013, Raporti Vjetor i Performancës, KLSH 2015, në shqip dhe anglisht, Konferenca e IV-t Shkencore e KLSH-së, volumi i I-rë dhe i II-te, Eksperienca e vendeve evropiane ne auditimin e jashtëm publik dhe 4 vjet Auditim i jashtëm Publik 2012-2015. Botimet kanë ndihmuar, duke e bërë më transparente të gjithë veprimtarinë e institucionit dhe duke ndikuar në rritjen e kapaciteteve audituese
**
Kryekontrollori i Përgjithshëm i SHBA-ve, z. Gene L. Dodaro, mik i shqiptarëve dhe i KLSH, në leksionin e tij në Konferencën Vjetore 2013 të Shoqatës Amerikane të Administratës Publike “Elliot Richardson”, thekson: “”Si dikush që e ka kaluar karrierën e tij si një auditues federal, mund të them pa hezitim: puna solide audituese, e bazuar në integritetin dhe parimet e tjera etike është e domosdoshme për një mbikëqyrje efektive të qeverisë dhe mbajtjen e njerëzve përgjegjës. Puna e GAO-s nxjerr në drite mangësitë qeveritare, inkurajon sjelljen e duhur nga ana e zyrtarëve publikë dhe e kontraktorëve privatë, si dhe ndihmon për të penguar sjelljen e diskutueshme. Puna solide audituese gjithashtu kontribon në rezultate më të mira të politikave publike dhe në përmirësimin e performancës së qeverisë”.
Ju faleminderit!