(Fjala në aktivitetin e organizuar me rastin e vizitës së Znj. Janet St. Laurent, Drejtoreshë e Qendrës së Ekselencës në Auditim të GAO-s, 24 mars 2017. Akademia e Shkencave)
Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare
E nderuar zj. St. Laurent,
Duke ju falënderuar perzemersisht qe pranuat te vinit ne Shqiperi per te marre pjese ne Seminarin “SAI dhe Parlamenti”, te organizuar ne kuadër te projektit IPA 2013 nga institucioni i auditimit suprem te Polonise(NIK) dhe nga SAI i Kroacise, te dy partnere te KLSH-se ne kete projekt per ngritjen e kapaciteteve tona audituese, si dhe per kumtesen Tuaj aq te vlefshme dhe te thelle per bashkëpunimin e frytshem qe Zyra Amerikane e Llogaridhënies Qeveritare (GAO) ka me Kongresin Amerikan, me lejoni qe ne emer te audituesve shqiptare dhe per dije te tyre, përpara paraqitjes para Jush te institucionit tone, te them disa fjale per historikun, filozofine e punes dhe zhvillimin e nje prej institucioneve supreme te auditimit me te fuqishem dhe me profesionalë ne komunitetin INTOSAI, GAO-n.
Ç’eshte GAO?
Në fillesat e saj, Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit e Shteteve të Bashkuara(keshtu quhej fillimisht) ishte një organ mbikëqyrës i aktiviteteve financiare të qeverisë. Pra ishte një organ që i përkiste pushtetit legjislativ dhe vepronte në shërbim të Kongresit dhe qytetarëve, duke mbikëqyrur çdo program financiar, si edhe çdo aktivitet dhe funksion të qeverisë federale. Stafit të këtij institucioni i ishte besuar kontrolli financiar i çdo aspekti të qeverisjes. Falë punës së këtij insititucioni tashmë aprovohen ligje, përmirësohet aktiviteti i qeverisjes, si dhe krijohen perfitime financiare ne miliarda dollarë në favor të taksapaguesve amerikanë.
Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit u krijua me Ligjin e Buxhetimit dhe te Kontabilitetit me 1 korrik te vitit 1921. Ligji kishte për qëllim përmirësimin e menaxhimit financiar federal, pasi shpenzimet e Luftës së Parë Botërore kishin rritur borxhin kombëtar. Për këtë arsye, ligjvënësve amerikane u nevojitej informacion i qartë dhe i saktë mbi shpenzimet e qeverisë dhe kontrollin mbi to.
Kongresi miratoi Ligjin e Buxhetimit dhe Kontabilitetit, i cili i kërkonte pushtetit ekzekutiv përgatitjen e buxhetit vjetor të qeverisë federale me qëllim përmirësimin e llogaridhënies. Ky ligj transferoi funksionet e auditimit dhe te kontabilitetit nga Departamenti i Thesarit tek GAO. Falë këtij ligji GAO u vendos si një organ i pavarur nga ekzekutivi, me një mandat të gjerë për të kontrolluar se si shpenzoheshin fondet federale. Me kalimin e viteve, legjislacioni i aprovuar nga Kongresi ka sqaruar dhe/ose zgjeruar kompetencat e GAOs, por Ligji i Buxhetimit dhe Kontabilitetit vazhdon ende të shërbejë si bazë për aktivitetet e këtij institucioni.
Veshtrim i shkurter historik per GAO-n
Gjatë viteve 1920-te deri më 1930-te, GAO u orientua drejt një qasjeje kontrolluese. Kryesisht institucioni u fokusua në përcaktimin nëse shpenzimet qeveritare ishin kryer në përputhje me legjislacionin dhe rregullat financiare në fuqi. Pjesa më e madhe e punës së agjencisë përqëndrohej në shqyrtimin e faturave financiare (nga ku shpjegohet edhe emërtimi i institucionit si Zyra e Përgjithshme e Kontabilitetit). Këto fatura ishin formati i përdorur nga zyrtarët e ekzekutivit, administratës qeveritare dhe zyrtarët e ndryshëm për të regjistruar informacionet mbi shpenzimet. Në atë kohë, disbursimet qeveritare kryheshin përmes pagesave me letra me vlerë. Mbasi këto pagesa ekzekutoheshin, të gjitha praktikat dërgoheshin pranë GAOs për tu kontrolluar. Kjo periudhë e hershme e historisë së GAOs shpesh quhet epoka e kontrollit të faturave finaciare.
Pas Luftës së Dytë Botërore, vemendja e institucionit u zhvendos nga kontrolli i faturave për të kaluar në kontrolle më të plota të shpenzimeve federale. Ky ndryshim drejt shqyrtimit të ekonomicitetit dhe efikasitetin të operacioneve qeveritare në epokën e pasluftës shënoi ndryshimin e parë të madh evolucionar për GAOn.
Në fund të viteve 1950-te dhe 1960-te, GAO u fokusua në punësimin e kontabilistëve, në zgjerimin e profesionalizimit të stafit dhe zgjerimin e hapësirave të zyrave. Periudha 1960 – 1970 solli një tjetër ndryshim të madh, pasi GAO zgjeroi punën audituese duke kaluar në vlerësimin e programeve federale.
Gjatë viteve 1980 dhe fillim të viteve 1990-te, GAO u perqendrua në shqyrtimin e fushave me risk të lartë në aktivitetet qeveritare, duke i kushtuar vëmendje të vecantë çështjeve buxhetore dhe përmirësimit të menaxhimin financiar federal.
Sot GAO shërben kombin duke kryer auditime përformance dhe financiare të programeve qeveritare.
GAO nuk është thjesht komuniteti i mbi 2900 punonjësve me integritet, përgatitje të lartë profesionale dhe të mirëtrajnuar. Institucioni nxjerr çdo vit me qindra raporte auditimi dhe dëshmi, për t’i siguruar Kongresit dhe drejtuesve të agjencive të pavarura informacion të saktë mbi aktivitetet e qeverisë. Raportet e tij për Risqet e Larta dhe për mbivendosjet, dublimet apo fragmentimin e punës së qeverisë federale janë shembull për cilindo institucion auditimi në botë. Institucioni jep kontributin e tij si lider në auditim, nëpërmjet standardeve që zbaton, të bazuara mbi rregullat e etikës dhe integritetit, ku janë reflektuar praktikat më të mira të marra nga standardet ISSAI.
Institucioni funksionon tërësisht si një agjenci e pavarur nga Qeveria. Edhe pse GAO nuk ka tagër të detyrojë Qeverinë që të zbatojë përfundimet dhe rekomandimet e auditimeve të saj, institucioni imponohet me vlerat e tij, duke i bindur veprimtarët e tjerë për të vepruar. Pjesëmarrja në seancat e Komisioneve të Kongresit Amerikan është një element veçanërisht i vlefshëm bindës dhe stafi i GAO-s lë çdo detyrë tjetër për ta kryer këtë. Por jo vetëm kaq. Pothuajse të gjitha raportet e auditimit janë dokumente publike dhe vihen në dispozicion për mediat. Vëmendja e mediave ndaj një raporti auditimi mund të jetë një nxitje e fuqishme për veprim korrigjues në Qeveri, kështu që GAO bashkëpunon me përfaqësues të mediave të ndryshme. GAO vetë nuk mban konferenca për shtyp, por merr pjesë, nëse i kërkohet, në konferencat për shtyp të mbajtura nga një organ tjetër (mund të jetë dhe një anëtar i Kongresit), i cili e ka kërkuar raportin e auditimit. Në këto konferenca, stafi GAO-s i përgjigjet pyetjeve nga gazetarët.
GAO përbën një model për të gjitha institucionet supreme të auditimit në botë, për pavarësinë, profesionalizmin, transparencën dhe integritetin, vlera këto të përmbajtura në standardet ISSAI të INTOSAI-t.
GAO punon shumë ngushtë me Kongresin Amerikan. Lidhjet janë të shumta dhe të gjera, sidomos ato me disa Komisione të përhershme të Kongresit dhe Senatit. Në rrethana të tjera, lidhje të tilla të ngushta midis një SAI dhe Parlamentit mund të jenë një kërcënim për pavarësinë e SAI-t. Mirëpo ka disa arsye pse GAO ka qenë në gjendje që të ruajë pavarësinë e saj në këtë mjedis. Po përmend dy kryesoret prej tyre. Së pari, angazhimi institucional për pavarësinë dhe objektivitetin e institucionit (i përforcuar nga personalitetet në krye të GAO-s që prej krijimit të organizatës në vitin 1921) është themelor për kulturën organizative të SAI-t amerikan. Stafi i tij instinktivisht dhe fuqimisht i reziston çdo përpjekjeje që synon të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm në drejtimin apo përmbajtjen e punës së institucionit, madje edhe për rastet kur rrezikohet tjetërsimi i punës nga Senatorë apo Anëtarë me ndikim të fortë të Dhomës së Përfaqësuesve. Së dyti, një mbrojtje dhe garanci akoma më e rëndësishme për pavarësinë e GAO-s qëndron në natyrën e Kongresit Amerikan, në ndarjen e shumtë të pushtetit të tij dhe disiplinën e dobët të brendshme partiake. Karakteristika këto që janë ndoshta të natyrshme në historinë politike dhe në demokracinë amerikane, duke bërë që të ketë shumë pak gjasa që Kongresi të mund të ushtrojë një presion të tillë të qëndrueshëm mbi GAO-n, që të arrijë të kërcënojë seriozisht pavarësinë e saj. Për më tepër, ka një bindje të fortë në Kongres – së paku në mesin e shumë nga anëtarët e tij më me ndikim – që kredibiliteti publik i mirëkrijuar i GAO-s është shumë i vlefshëm dhe një aset i Kongresit, si institucion, dhe se Kongresi e ka të pamundur të lejojë qe ky kredibilitet të zvogëlohet nga pakënaqësi politike afatshkurtra ose implikime politike të ndonjë auditimi të veçantë ose një serie auditimesh.
Qendra e Ekselencës në Auditim e GAO-s, qe Ju zj. St. Laurent drejtoni, është një strukturë qendrore e GAO-s, që punon me të gjitha institucionet e auditimit dhe llogaridhënies qeveritare në botë, për të përmirësuar dhe shtuar, nëpërmjet trajnimeve të saj, kapacitetetet e tyre në auditim. Qendra ndihmon institucionet supreme të auditimit publik (SAI-t) të zhvillojnë dhe zbatojnë korniza të shëndosha të sigurimit të cilësisë në auditim dhe plane strategjike e strategji të zhvillimit të burimeve të tyre njerëzore, duke rritur njohuritë për standardet ndërkombëtare të INTOSAI-t.
Mbështetur në këto tradita dhe vlera të patjetërsueshme të kontributit të një SAI si GAO në mbajtjen të përgjegjëshme të administratës së shtetit më të fuqishëm dhe demokratik në botë, por dhe në zhvillimin e auditimit suprem publik, ne si KLSH përkthyem në shqip dhe botuam në vitin 2015 standardet e auditimit të GAO-s, «Yellow Book(Libri i Verdhë”. Leximi dhe përvetësimi i këtyre standardeve nga audituesit e KLSH-së po i ndihmon ata në punën e tyre të përditshme për të realizuar auditime cilësore.
Në këto vitet e fundit, marrëdhënia jonë si KLSH me GAO-n po forcohet dhe po merr trajta konkrete bashkëpunimi. I jemi mirënjohës GAO-s dhe në veçanti z. Dodaro, drejtuesit të saj, që në harkun kohor të dy viteve 2016-2017 mundësuan dhe po realizojnë trajnimin e tre audituesve tanë për rreth 4 muaj pranë zyrave të GAO-s në Uashington D.C. Kjo eksperiencë që po merret është e një vlere të jashtëzakonshme për ne.
Më datën 30 janar 2017, kur Ju takova në Uashington D.C., se bashku me z. James-Christian Blockwood, Drejtor i Planifikimit Strategjik ne GAO, në vijim të çështjeve të diskutuara në takimin e punës që pata me Krye-Kontrollorin e SHBA-ve z. Dodaro në Abu D’habi në dhjetor 2016, ne biseduam për fushat e bashkëpunimit me Ju si Qendrën e Ekselencës në trajnime afatgjata e afatshkurtra të audituesve shqiptarë, veçanërisht për Auditimin e Performancës, të IT, në fushën e etikës dhe integritetit në auditim, si dhe në procesin e Planifikimit Strategjik 2018-2022. Jemi gati te presim auditues te GAO-s në Shqipëri për trajnime në fushat e mësipërme. Sfida jonë është të implementojmë standardet e GAO-s, pra të përgatisim “The Albanian Yellow Book”, standardet e auditimit suprem publik të Shqipërisë.
Per keto bashkëpunime dhe per shume fusha te tjera te shkëmbimit te eksperiences mes dy SAI-ve tona, jemi gati te nenshkruajme nje marrëveshje me Ju si Qender, e cila do te mundësonte dergimin e nje grupi audituesish te KLSH per trajnim prane Qendres se Ekselences ne Uashington D.C., ç’ka do te perbente nje investim thelbësor në të ardhmen e kualifikimit profesional te audituesve tane.
E nderuar zj. St Laurent,
Qytetaret shqiptare ushqejne ndjenjat me miqesore dhe te simpatise ndaj popullit amerikan dhe ne Evrope renditen si populli me amerikan-dashes i kontinentit.
Ne baze te motos se INTOSAI-t « Experentia mutua Omnibus Prodest” dhe te motos se dyte qendrore te Kongresit te Abu D’habit “Te bashkuar ne ambicie dhe vendosmeri”, ne emer te audituesve te KLSH, e konsideroj bashkepunimin e ardhshem me Ju Qendren e Ekselences ne Auditim dhe me GAO-n ne teresi, si tejet te rendesishem dhe me vlere te shtuar per audituesit shqiptare. Ai mund te konkretizohet ne formen e nje marreveshjeje bashkepunimi ose ne forma te tjera, per realizimin e te cilave, ju lutem te jeni e bindur per angazhimin tone maksimal.
Ju faleminderit !