EUROSAI NË TESTIN E KOHËS

Botuar në gazetën “Panorama”, më 30 maj 2017.
Në datat 22-25 maj 2017, u zhvillua në Stamboll Kongresi i X-të i EUROSAI-t, organizatës së institucioneve evropiane të auditimit më të lartë publik (SAI-t). Ai u mbajt në një kohë kur globalizmi, zvogëlimi i të ardhurave publike nga një rritje ekonomike poshtë potencialit për shumë vende evropiane, kredibiliteti në rënie i institucioneve publike, instabiliteti financiar dhe politik, si dhe shtrëngimi i vazhdueshëm i imponuar nga pasojat e krizës botërore financiare dhe ekonomike 2008-2012, paraqesin sfida të rëndësishme për Evropën dhe kërkojnë një qëndrim më të përgjegjshëm dhe një angazhim më të madh të institucioneve themelore të Shtetit në çdo vend europian.
Kongresi i X-të shënoi një moment të rëndësishëm të zhvillimit të organizatës rajonale evropiane të INTOSAI-t. EUROSAI u formua në vitin 1990, si një forum rajonal, i konceptuar nga delegacionet e 30 SAI-ve europiane. Qëllimi i EUROSAI-t ishte të shërbente si një platformë për shkëmbimin e njohurive audituese midis SAI-ve anëtare të saj, për të promovuar pasurimin reciprok të dijeve në auditim dhe për të përmirësuar auditimin e fondeve publike. Këto qëllime u kanë qëndruar sprovave të kohës dhe vazhdojnë t’i drejtojnë aktivitetet e organizatës edhe sot.
Si një nga organizatat rajonale të INTOSAI-t, EUROSAI shpreh nevojat, pikëpamjet dhe përvojat e SAI-ve europiane, duke orientuar strategjinë e veprimit drejt qëllimeve, objektivave dhe prioriteteve të INTOSAI-t, por duke u fokusuar në nevojat specifike të anëtarëve të saj si një organizatë në nivel evropian.
Sot, pas 27 vitesh funksionimi, EUROSAI u shërben 50 SAI-ve anëtare. Përfaqëson një rajon të larmishëm, me SAI me modele të ndryshme organizative, me mandate, nevoja dhe prioritete të ndryshme. EUROSAI vepron në 5 gjuhë zyrtare. Plani i tij i parë strategjik mbuloi periudhën 2011-2017 dhe aktivitetet u realizuan në masë të madhe përmes një përqasjeje të fuqishme gjithëpërfshirëse. Në këtë organizatë, të gjitha SAI-t ndihen të barabarta, të afta të shprehin lirisht mendimin e tyre dhe, kryesorja, perceptojnë se shqetësimi apo kërkesa e tyre merr vëmendjen dhe vlerësimin e duhur.
Një vetëvlerësim i kryer në 2015-2016, ka konfirmuar se roli i EUROSAI-t si një platformë për shkëmbimin e njohurive dhe ngritjen e kapaciteteve audituese, cilësohet si parësor nga SAI-t anëtare.
SAI-t jo vetëm në Europë, por në të gjithë botën, janë të thirrura në testin e kohës për të dëshmuar se kanë aftësinë të rrisin besimin qytetar në qeverisjen publike, nëpërmjet auditimeve të tyre gjithnjë e më cilësore, të guximshme dhe parandaluese ndaj risqeve për abuzim me paranë publike. Këtë ato mund ta bëjnë vetëm duke zbatuar me rigorozitet standardet e tyre të fushës, ISSAI-t. Prandaj dhe, ndërsa Kongresi i IX-të, i zhvilluar në Hagë në vitin 2014 u quajt kongresi i inovacionit, me moton “Kur ka qenë hera e fundit që kam bërë diçka për herë të parë?”, moto e Kongresit të Stambollit ishte “Zbatimi i ISSAI-ve: Sfida dhe zgjidhje për zhvillim të mëtejshëm”.
Kongresi i X-të do të hyjë në historinë e EUROSAI-t edhe si kongresi i lançimit të Strategjisë së dytë 2017-2023 të zhvillimit të organizatës. Ky plan i dytë strategjik përfshin rezultatet më të rëndësishme të vetëvlerësimit, duke marrë parasysh një botë që ndryshon, ku mundësitë për bashkëpunim midis SAI-ve janë rritur në masë të madhe nga disponueshmëria e internetit, mediave sociale dhe nga qasja pakufi në të dhënat elektronike.
Sot SAI-t europiane auditojnë çështje komplekse ndërkufitare dhe ndërthurëse, të tilla si ndryshimet klimatike, migracioni apo çështjet e sigurisë. Sfida më e fortë dhe sprova e mirëfilltë e SAI-ve europiane (dhe jo vetëm atyre) përmblidhet me pyetjen: Si mund të ndihmojnë SAI-t në rikthimin e besimit të qytetarëve në qeverisjen publike?
Këto çështje dhe sfida kanë pasoja për EUROSAI-n. Për të mbetur e rëndësishme dhe realisht orientuese dhe ndihmuese për anëtarët e saj në një mjedis që ndryshon me shpejtësi, EUROSAI duhet të përshtatë mënyrat e punës dhe të transformohet në një organizatë të zhdërvjellët dhe të orientuar nga projekti. Në këtë drejtim, Kongresi i Stambollit dha mesazhin e provoi se EUROSAI është e angazhuar të përmbushë kërkesat dhe pritshmëritë e anëtarëve të saj, duke u zhvilluar në një organizatë rrjeti, në të cilin aktivitetet mund të krijohen me shpejtësi dhe në mënyrë të fuqishme dhe pastaj të shpërndahen po në kohe reale tek anëtarët, pasi nevojat dhe kërkesat ndryshojnë. Qëllimi është që EUROSAI të jetë më i përgjegjshëm ndaj nevojave specifike dhe të larmishme të SAI-ve ose grupeve të SAI-ve ne kontinent. Organizata synon të udhëheqë duke dhënë shembullin e saj, një orientim strategjik i kahershëm i INTOSAI-t. Për të mbetur i suksesshëm dhe i rëndësishëm si një organizatë, ajo duhet të përmirësojë vazhdimisht mënyrën e funksionimit të saj, merr vendime dhe përputhet me burimet e saj të disponueshme me nevojat dhe pritjet konkrete të anëtarëve të saj.
Në Stamboll, grupet e punës së EUROSAI-t (ai mbi auditimin e teknologjisë së informacionit dhe ai mbi auditimin e mjedisit), si dhe njësitë e detyrave speciale-task forcat (për auditimin dhe etikën, si dhe për auditimin e njësive vendore) paraqiten raportet e tyre të punës 2014-2017 dhe planin e veprimit për tre vitet e ardhshme. Si KLSH jemi anëtarësuar në grupin e punës për auditimin mjedisor, si dhe në task forcën për auditimin dhe etikën, duke dhënë kontributin tonë modest, por konstant në kohë dhe aktiv.
Deri në vitin 2023, EUROSAI synon të ketë bërë kalimin drejt një ndërmjetësi dhe lehtësuesi të njohurive audituese, të shtyrë nga kërkesa, i cili i përgjigjet nevojave specifike të zhvillimit të anëtarëve të tij, konteksteve të ndryshme sociale dhe administrative në të cilat SAI-t veprojnë dhe burimeve që janë në dispozicion të tyre. Në një botë në ndryshim ky tranzicion është i domosdoshëm për EUROSAI-n, që të mbetet organizatë relevante dhe tërheqëse për anëtarët e saj, tani dhe në të ardhmen.
Zbatimi i këtij Plani do të përmbushë dy qëllime strategjike dhe do të lehtësohet nga përmirësimet në qeverisjen e EUROSAI-t, nga ndryshimet në strukturën e organizatës. Për të forcuar SAI-t dhe për t’i ndihmuar ata të merren me çështjet dhe sfidat në zhvillim, EUROSAI do të përqendrohet në gjashtë vitet e ardhshme në: 1) Përkrahjen e auditimeve efektive, inovative dhe të rëndësishme përmes promovimit dhe ndërmjetësimit të bashkëpunimit profesional; 2) Ndihmën ndaj SAI-ve për të përballuar sfidat e reja, duke mbështetur dhe lehtësuar zhvillimin e kapaciteteve të tyre institucionale.
Duke punuar për këto qëllime, EUROSAI do të mbështesë SAI-t e saj anëtare në kryerjen e auditimeve të cilësisë së lartë dhe forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të qeverisë dhe entiteteve të sektorit publik në vendet e tyre përkatëse.
Me Kongresin e X-të në Stamboll, organizata pan-evropiane e institucioneve supreme të auditimit hyri në një fazë të re edhe më cilësore të zhvillimit të saj. Ajo dha garancitë e duhura për SAI-t anëtare, përfshirë edhe KLSH-në, në realizimin e objektivit të saj për të qenë një platformë ndihmuese dhe kontribuese ndaj kërkesave dhe nevojave konkrete të tyre, duke u bazuar fort në Deklaratat e Limës dhe të Meksikos, si dhe në të gjitha ISSAI-t e tjera. Me një kontribut të tillë të garantuar, ne si SAI europiane e shohim më me optimizëm plotësimin e sfidës sonë themelore për rritjen e besimit të qytetarëve tek qeverisja publike dhe institucionet e Shtetit.