REVOLUCIONI DIXHITAL DHE SAI-t

Botuar në gazetën “Sot”, më 23 qershor 2017.
Në datat 31 maj deri më 2 qershor 2017, në Vjenë u mbajt Simpoziumi i 24-t i Përbashkët OKB-INTOSAI, me temë: “Dixhitalizimi, të dhënat e hapura dhe miniera e të dhënave: rëndësia dhe implikimet për punën audituese të SAI-ve dhe për rritjen e kontributeve të tyre në ndjekjen dhe vlerësimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm”.
Në epokën e dixhitalizimit të mbarë shoqërisë, gjithnjë e më shumë informata janë në dispozicion në internet. Me qeverisjen elektronike, qeveritë mund të bëhen më transparente në sytë e qytetarit, pasi mund ta vendosin informacionin menjëherë në dispozicion të tij në kohë reale dhe ta bëjnë lehtësisht të arritshëm për të.
Në të njëjtën kohë, qytetarët gjithnjë e më shumë po përfshihen në çështjet e auditimit. Ata mund të bëhen të ashtuquajturit “auditues nga kolltuku”, pra nga komoditeti i shtëpisë së tyre ose nga vendi i tyre i punës, ata mund t’u japin audituesve opinionet dhe gjetjet e tyre për një sërë çështjesh, apo edhe të veprojnë si auditues në lidhje me programe ose shërbime publike. Estonia është një vend pionier në e-qeverisjen dhe në përfshirjen elektronike (me anë të programeve kompjuterike) të qytetarëve në auditimet e SAI-t estonez.
“Të dhënat e hapura” (open data), qasja e pakufizuar elektronike në informacion, janë quajtur “vaji i ri” që lubrifikon shoqëritë moderne. Ato kanë implikime shumë të gjera për të gjitha agjencitë qeveritare, duke përfshirë institucionet supreme të auditimit (SAI-t), pasi kërkojnë prej tyre që të ndryshojnë në mënyrë drastike mënyrën se si e organizojnë punën e tyre.
Mbajtja e një simpoziumi të përbashkët të Kombeve të Bashkuara posaçërisht për pasojat e revolucionit dixhital në punën e SAI-ve dhe kontributin e tyre ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm dëshmon rëndësinë që OKB i jep rolit të institucioneve më të larta të auditimit dhe të organizatës së tyre INTOSAI, në garantimin e zhvillimit social dhe ekonomik në nivel botëror. Kjo rëndësi nuk është pakësuar, përkundrazi, është shtuar, me mundësitë e reja ta pakufishme që ofron teknologjia dixhitale edhe për qeverisjen publike dhe mbajtjen e saj të përgjegjshme e transparente.
Në kushtet e një aktiviteti si publik dhe privat, i cili po ndryshon kaq me shpejtësi në botën e internetit, SAI-t ndodhen përpara një sfide sa të vështirë aq edhe thelbësore për ta. Në pamje të parë, duket sikur ata humbasin pozicionin e tyre të privilegjuar, ngaqë pothuajse gjithkush ka një qasje pothuajse të pakufizuar në informacion. Në të vërtetë, është pikërisht tani momenti i SAI-ve për të përcaktuar rolin parësor që duhet të kenë në këtë “open data society” (shoqëri të hapur të të dhënave). Sqarimi dhe interpretimi i të dhënave dixhitale të veprimtarive publike, garantimi i sigurimit të vërtetësisë së tyre janë detyra dhe përgjegjësi që natyrshëm bien mbi strukturën kushtetuese që mbikëqyr miradministrimin e fondeve publike dhe që janë pikërisht institucionet më të larta të auditimit publik. SAI-t duhet të shfrytëzojnë plotësisht pozitën e veçantë dhe përvojën e tyre për të mbledhur dhe analizuar në mënyrë kritike informacionin. Për më tepër, atyre u është besuar ligjërisht qasja në të gjitha institucionet qeveritare, duke përfshirë ato agjenci, që, për nga natyra e punës që bëjnë, mbeten jashtë aksesit të qytetarëve.
Pjesëmarrësit në Simpoziumin e 24-t OKB-INTOSAI mirëpriten krijimin e Grupit të Punës së INTOSAI-t mbi “Të dhënat e Mëdha”(Big Data). Ata i rekomanduan INTOSAI-t dhe organizatave të saj rajonale (përfshirë EUROSAI-n) shkëmbimin intensiv të njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e dixhitalizimit, të dhënave të hapura dhe minierave të të dhënave, sikurse theksohet edhe në Strategjinë-Program të OKB-së “Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”.
Simpoziumi përcolli mesazhin e rëndësishëm se SAI-t duhet të zhvillojnë, në përputhje me kapacitetet e tyre, strategjitë dhe taktikat e tyre të brendshme në fushën e dixhitalizimit, të të dhënave të hapura dhe minierave të të dhënave, në mënyrë që të ndërtojnë burimet e duhura njerëzore, duke përfshirë trajnimin dhe rekrutimin e personelit me kapacitete në fushën e TI dhe çështjet që lidhen me analizën e të dhënave dhe dixhitalizimin, si dhe duke kryer ndryshimet e mundshme organizative (krijimin e departamenteve, drejtorive apo njësive të reja, etj.).
Sot sfida e punës audituese është sigurimi i cilësisë në përdorimin e të dhënave të hapura. Sot, një auditues nuk mund dhe nuk duhet ta konceptojë punën e tij larg përdorimit të përditshëm, në çdo kohë dhe vend-ndodhje të laptop-it të vet. Zhvillimi i metodave të reja të auditimit, mjeteve dhe teknikave të përshtatura për punën në ekip, duke përdorur në çdo hap internetin, kërkon analizë të thelluar të të dhënave, për të verifikuar vërtetësinë dhe saktësinë e tyre, duke siguruar cilësi në përdorimin e të dhënave të hapura. E gjithë kjo qasje e re do të kërkojë përshtatjen e procesit të auditimit, sqarimin e çështjeve të aksesit dhe ruajtjes së të dhënave, si dhe sigurimin që SAI i ka aftësitë të auditojë sistemet e TI ku ndodhen të dhënat.
Simpoziumi i Vjenës theksoi rëndësinë e mësimit kumulativ në dixhitalizimin e aktivitetit auditues, duke u rekomanduar SAI-ve të përpilojnë strategji për këtë dhe përshtatje të këtij lloji mësimi me standardet ndërkombëtare të fushës (ISSAI-t). Ai diskutoi aspektet ligjore dhe specifikimet e sigurisë së të dhënave, si dhe sfidat e aksesit dhe cilësisë së të dhënave të hapura, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me aksesin ndaj të dhënave të njësisë publike që auditohet mbi një bazë të përhershme. Po ashtu ai trajtoi sfidën e përdorimit të të dhënave të hapura si inpute për auditimet dhe diapazoni në të cilin të dhënat nga auditimi mund të publikohen si të dhëna të hapura, me qëllim që të merret përfitim shtesë për publikun.
Formatimi i të dhënave qeveritare në formën e të dhënave të hapura është një tjetër sfidë që lëshoi Simpoziumi i 24-t OKB-INTOSAI. Për këtë, SAI-t kanë një rol qendror në promovimin e transparencës, si dhe aksesit të qytetarit, publikut dhe shoqërisë civile në informacionin qeveritar të mund të kuptohet dhe përdoret prej tyre në formatin e të dhënave të hapura. IDI, Instituti për Zhvillim i INTOSAI-t ofroi ndihmesën e tij me programe trajnimi e publikime për të fuqizuar procesin e dixhitalizimit, të dhënave të hapura dhe minierës së të dhënave mes SAI-ve, në formën e shkëmbimit të eksperiencës dhe njohurive, duke përgatitur paketa dhe manuale trajnimi, metoda dhe module.
Ne si KLSH jemi të ndërgjegjshëm për sfidat që na presin përpara në fushën e dixhitalizimit dhe të dhënave të hapura. Në zbatim të planit strategjik 2013-2017 të institucionit, gjatë këtyre viteve mundësuam krijimin e njësisë së Teknologjisë së Informacionit dhe të Drejtorisë së Auditimit të TI, duke trajnuar auditues me përvoje dhe auditues të rinj jo vetëm në përdorimin e teknologjisë së informacionit gjatë auditimeve, por edhe duke përgatitur manualin e auditimit të TI dhe realizuar auditime pilot.
Të bindur se të dhënat e hapura kanë një potencial të jashtëzakonshëm në gjurmimin dhe analizimin e shpenzimeve qeveritare, jo vetëm nga ne audituesit, por edhe nga publiku dhe qytetaret e interesuar, si institucioni me i lartë i auditimit publik në vend, do të punojmë fort në këtë drejtim, në sinergji me partnerët e tjerë brenda dhe jashtë vendit, që të dhënat qeveritare të hapen për publikun. Këto të dhëna të hapura do të kenë një impakt të madh në rritjen e produktivitetit dhe të menaxhimit të riskut të programeve dhe fondeve qeveritare.
Që nga janari 2009 ku Qeveria Amerikane hapi për publikun me mijëra baza të dhënash të aktiviteteve të agjencive qeveritare dhe federale, kursimi në fondet publike ka qenë i niveleve të qindra miliarda dollarëve më shumë dhe është vënë re një përgjegjshmëri më e rritur ndaj publikut dhe Kongresit, nga ana e njësive publike, me të dhënat e tyre të mëdha të hapura për qytetarin. Kjo është pa dyshim edhe një sfidë e qeverisjes sonë publike, e cila shtrohet në plan të parë pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe në të cilën KLSH do të synojë të luajë rolin e vet promovues dhe nxitës, për rritjen e transparencës, besimit të qytetarit në qeverisje dhe kufizimin efektiv të korrupsionit.