SË BASHKU PËR KULTURËN E LLOGARIDHËNIES, TRANSPARENCËS DHE INTEGRITETIT

Botuar në gazetën “Telegraf”, më 14 korrik 2017.
Është nder i veçantë dhe kënaqësi për mua të përshëndes Konferencën e Nëntë Vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, të kthyer tashmë në një traditë të bukur, e cila shërben për të vlerësuar performancën e këtij institucioni kushtetues gjatë një viti dhe për të gjetur mënyrat dhe qasjet më efektive dhe efiçiente për të përmirësuar punën audituese në të ardhmen.
Tema që keni zgjedhur për këtë vit, Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, nëpërmjet zbatimit të rekomandimeve të SAI-t, qëndron në themel të të gjithë filozofisë, rolit dhe misionit të punës sonë audituese si SAI.
Puna jonë si auditues nuk mund të kuptohet e pavarur dhe profesionale, pa standardet e fushës ISSAI të organizatës sonë INTOSAI. Ato janë udhërrëfyesi ynë i pagabueshëm dhe garancia e efektivitetit dhe efiçiencës së gjetjeve dhe rekomandimeve tona.
Sikurse theksohet në preambulen e ISSAI-t 12 “Vlerat dhe dobitë e SAI-ve: të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve” , Parimet 2, 3 dhe 4, “Për të siguruar që zyrtarët e zgjedhur veprojnë në interesin më të mirë të qytetarëve që ata përfaqësojnë, qeveritë dhe subjektet e sektorit publik duhet të mbahen përgjegjës për administrimin dhe përdorimin e burimeve publike. SAI-t forcojnë llogaridhënien, transparencën dhe integritetin e këtyre zyrtareve dhe institucioneve publike duke audituar në mënyrë te pavarur sektorin publik dhe duke raportuar mbi gjetjet e tyre. Kjo u mundëson atyre të ngarkuar me qeverisjen e sektorit publik që të përmbushin përgjegjësitë e tyre, duke iu përgjigjur gjetjeve dhe rekomandimeve nga auditimet, nëpërmjet ndërmarrjes së veprimeve korrigjuese të përshtatshme, duke plotësuar kështu ciklin e përgjegjshmërisë”.
Edhe ne, SAI-t e Kosovës dhe të Shqipërisë, jemi të vendosur që të instalojmë në administratat tona publike kulturën e përgjegjshmërisë, llogaridhënies, transparencës dhe integritetit. Kjo kërkon një punë të gjatë, metodike dhe të përkushtuar, por jemi të bindur në garancinë e suksesit të kësaj qasjeje dhe përpjekjeje të përbashkët, pse ajo përputhet me objektivat e Planit të ri Strategjik të INTOSAI-t 2017-2022, të miratuar në Kongresin INCOSAI XXII në Abu d’Habi të Emirateve të Bashkuara Arabe në dhjetor 2016, si dhe me përparësitë e Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2023, të miratuar në Kongresin e X-të të Organizatës në Stamboll të Turqisë në maj 2017.
Në nivel të rritjes së llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë të institucioneve që auditojmë, si KLSH i kemi kërkuar Kuvendit të Shqipërisë për të tretin vit radhazi (do t’ia kërkojmë edhe Parlamentit të ri të dale nga zgjedhjet e 25 qershorit) ngritjen e një grupi pune me ekspertë të Ministrisë së Financave, për draftimin dhe miratimin e Ligjit mbi Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, si një mjet shumë efektiv për të zvogëluar dukurinë e korrupsionit dhe të mashtrimit financiar me fondet dhe asetet publike.
Në nivel të rritjes së integritetit në institucionet që auditojmë, si KLSH jemi përpjekur të ndikojmë dhe udhëheqim nëpërmjet shembullit, duke realizuar procesin e vetëvlerësimit të integritetit në institucionin tonë, në përputhje me kërkesat e Paketës IntoSAINT, të përgatitur nga Gjykata Hollandeze e Auditimit dhe të promovuar nga INTOSAI në këto pesë vitet e fundit ne një pjesë të konsiderueshme të komunitetit tonë kudo në botë. Mbi bazën e kërkesave të këtij procesi kemi kryer analizat tona vjetore të periudhës 2013-2016, duke zbatuar INTOSAINT menjëherë sapo u njohëm me këtë Paketë në vitin 2013. Rritjes së përgjegjshmërisë dhe njëkohësisht integritetit të të audituarve tanë i shërben edhe kontrolli mbi zbatueshmërinë e rekomandimeve të lëna nga KLSH gjatë auditimit të fundit në institucion, kontroll të cilin ne e kryejmë si rregull në fillim të çdo auditimi të ri mbi institucionet publike.
Dua të flas për punën në rritjen e transparencës së institucioneve që auditojmë, duke ndjekur sërish qasjen e INTOSAI-t për të qenë një Organizatë model që udhëheq nëpërmjet shembullit. Si KLSH, transparencën dhe komunikimin e plotë e të hapur me qytetarin dhe publikun e kemi synuar dhe konsideruar si një nga boshtet kryesore të punës sonë. Kemi arritur që në vitin 2016 të publikojmë në faqen tonë në internet 98 përqind të Vendimeve të Kryetarit për auditimet e kryera.
Gjatë viteve 2012-2017, institucioni, krahas rritjes së kanaleve të komunikimit me publikun, përmirësoi përmbajtjen dhe cilësinë e mesazheve në njoftimet e tij për shtyp. Gjetjet dhe rekomandimet nga auditimet, të komunikuara nëpërmjet njoftimeve për shtyp, janë kthyer në këto 6 vite në lajm të ditës për televizionet, radiot dhe gazetat kryesore të vendit.
Që në analizën vjetore të KLSH-së të zhvilluar në janar 2012 dhe më tej rregullisht çdo vit, mediat dhe përfaqësuesit më në zë të organizatave jo-qeveritare që luftojnë korrupsionin janë ftuar të marrin pjesë dhe të diskutojnë në analizat në nivel departamenti auditimi dhe në analizën e përgjithshme. Transparenca e aktivitetit të institucionit ka përbërë një nga treguesit kryesorë të modernizimit të tij dhe ka rritur besimin e publikut dhe qytetarëve ndaj KLSH-së.
Në fund të vitit 2016, institucioni ka qenë i pranishëm 6.7 herë më shumë me informacione dhe mesazhe në median e shkruar dhe ka gjashtëfishuar praninë e tij në mediat audiovizive, krahasuar me vitin 2010. Me 2016, media e shkruar ka pasqyruar raportet e auditimit dhe njoftimet për shtyp të KLSH-së me 931 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, përkundrejt 922 përgjatë vitit 2015.
Duke vijuar një traditë pozitive dhe risi absolute të nisur në vitin 2013, 72 drejtues dhe auditues të KLSH-së kanë qenë të pranishëm në vitin 2016 me 135 shkrime në pothuaj të gjitha gazetat me qarkullim kombëtar të vendit, duke trajtuar me gjuhë të kuptueshme për lexuesin e thjeshtë temat dhe mesazhet kryesore nga auditimet e kryera. Për katër vite 2013-2016, audituesit e KLSH-së kanë botuar 396 artikuj, ese, editoriale, analiza e profile në median e shkruar.
Transparencën dhe komunikimin e hapur me të gjithë aktorët dhe partnerët, duke e nisur nga qytetari i thjeshtë, e kemi kërkuar dhe vijojmë ta kërkojmë me këmbëngulje tek çdo institucion që auditojmë, në përputhje me kërkesat e ligjit për informimin publik në Republikën e Shqipërisë.
Ndajmë bindjen se në këtë drejtim, ashtu si dhe në forcimin e llogaridhënies, përgjegjshmërisë dhe integritetit, si ne si KLSH ashtu dhe Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e Kosovës, kemi ende shumë punë për të bërë. Punë e cila, po ashtu, jemi tërësisht të bindur se duhet kryer në sinergji dhe në partneritet të plotë me institucionet e Kuvendit të Kosovës dhe të Shqipërisë, si dhe me qytetarin kosovar dhe atë të Shqipërisë, në përputhje me moton e Kongresit INCOSAI XXII të INTOSAI-t “SAI-t në shërbim të qytetarit, të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri!”.
Kjo Konferencë është një moment reflektimi dhe mundësi më shumë për të rritur bashkëveprimin mes audituesve të KLSH dhe ZKA të Kosovës, për të kryer auditime të përbashkëta, sidomos auditime të performances. Rruga e përbashkët e integrimit evropian të të dy vendeve tona është e hapur dhe ajo na stimulon, në bazë të standardeve tona ISSAI, që të shtojmë kontaktet, shkëmbimin e eksperiencës dhe punët e përbashkëta.