URDHRI “GJERGJ KASTRIOTI SKENDERBEU”

Më datë 6 dhjetor 2017, gjatë një ceremonie të veçantë në mjediset e Presidencës, ku u dekoruan me medaljen “Nderi i Kombit” Prof. Dr. Skender Osmani, një personalitet i njohur i shkencave natyrore,  me titullin “Mjeshtër i Madh”  Prof. Dr. Jorgji Bollano, personalitet i  shkencave ekonomike, me titullin “Mjeshtër i Madh” Profesor Omer Stringa, matematicien dhe aktivist i njohur, me titullin “Mjeshtër i Madh” z. Bashkim Spahia, auditues me përvojë mbi 35 vjeçare në KLSH, Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi Dr. Bujar Leskaj, Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”  me numër Dekreti 10445, datë 06.12.2017.

Presidenti i Republikes u shpreh gjate ceremonies se dekorimit, se “I fundit jo për nga rëndësia, por do të thosha për nga modestia që e karakterizon, është doktori i shkencave ekonomike zoti Bujar Leskaj, njëkohësisht edhe Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Kryetari Leskaj ka një kontribut të pamohueshëm në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës si dhe ka mundësuar me drejtimin e tij të pagabuar rritjen cilësore të KLSH-së për të qenë një nga institucionet model të shtetit shqiptar. Ai ka arritur të thellojë më tej punën e KLSH në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe abuzimeve me pronën publike, por edhe duke sjellë një përmirësim të dukshëm e të prekshëm të metodologjisë së kontrollit, në sinergji të plotë me institucione të tjera shtetërore. Mund të them me plot bindje se Kryetari Leskaj ka harmonizuar më të mirën e burimeve njerëzore të KLSH-së në partneritet të plotë me të gjithë aktorët e shoqërisë shqiptare në funksion të konsolidimit të shtetit ligjor dhe mbrojtjes së parametrave ekonomiko-financiarë. Por veçanërisht zoti Leskaj ka mundësuar e shënuar një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet homologe jo vetëm të rajonit të Ballkanit, por edhe me ato të vendeve më të përparuara evropiane, duke përafruar standardet e punës e të shërbimit cilësor me ato të Bashkimit Evropian. – merita të pamohueshme që zotit Leskaj i janë njohur edhe ndërkombëtarisht. Për disa minuta jam përpjekur të përshkruar shkurt trajektoren profesionale të 5 intelektualëve që historinë e tyre e lidhën me ekonominë dhe Kontrollin e Lartë të Shtetit. Këto simbole të Shkencave Financiare Shqiptare janë paskajshmërisht modestë për çfarë ata kanë bërë në jetën e tyre. Por do të ishte e padrejtë për mua si President i Republikës, që të mos shpalosja në emër të shtetit që më ka zgjedhur në këtë detyrë, vlerësimet më të sinqerta dhe falënderimet më të ngrohta për gjithshka që ata kanë përmbushur si personalitete të ndritura të ekonomisë sonë dhe qytetarë nga më të respektuarit që ka njohur ky vend. Për më tepër që ju jeni mbikëqyrësit dhe rojtarët më të besueshëm e të pakompromentueshëm të financave dhe parave të taksapaguesve shqiptarë” .