VETËM LLOGARIDHËNIA DHE TRANSPARENCA KTHEJNË BESIMIN E QYTETARËVE

Botuar në gazetën “Panorama”më 25 mars 2018 dhe në anglisht në gazetën “Tirana Times”, më 31 mars 2018.
Në harkun kohor të më pak se dy muajve (shkurt-mars 2018), tre burime prestigjioze dhe të besueshme ndërkombëtare kanë vlerësuar nivelin e korrupsionit tek ne dhe problemet me reformën në administratën tonë publike. Që në fillim më duhet të pohoj se këto klasifikime na turpërojnë të gjithëve Ne, drejtuesve të Qeverisë shqiptare dhe të institucioneve të tjera të Shtetit (të varura dhe të pavarura), përfshirë edhe autorin e këtij shkrimi modest.
Më datën 14 mars 2018, publikohet sondazhi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i realizuar nëpërmjet kompanisë prestigjioze ndërkombëtare të sondazheve Gallup International për Indeksin e Lumturisë në 157 shtete . Ky indeks përmban nën-indeksin e perceptimit të korrupsionit nga qytetarët, si ndër treguesit kryesorë të tij. Sipas të dhënave, Shqipëria rezulton të jetë vendi i 19-të më i korruptuar në botë, ku gati nëntë në dhjetë shqiptarë besojnë se korrupsioni në administratën shtetërore është gjerësisht i përhapur, Sipas të dhënave, krahasuar me 5 vjet më parë perceptimi për korrupsionin në Shqipëri është përkeqësuar, nga 84.7%që ishte, në 88.6% aktualisht. Gallup e mat korrupsionin duke pyetur direkt nga 1 mijë qytetarë për secilin nga të 157 shtete të botës. Ndër dy pyetjet që u drejtohen atyre për korrupsionin, njëra formulohet: “A është korrupsioni i përhapur në qeveri, apo jo?”.
Po në muajin mars, SIGMA, një iniciativë e përbashkët e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) dhe Bashkimit Europian (BE) për Mbështetje në Qeverisje dhe Menaxhim, publikoi Raportin e Monitorimit për vitin 2017, për ecurinë e reformës në administratën publike për 6 vendet kandidate në BE, përfshirë dhe Shqipërinë. Raporti “Parimet e Administratës Publike: Shqipëria ”, ndër të tjera thekson se “…mungesa e rregullave specifike për të siguruar rekrutimin e bazuar në meritë, integritet dhe procedurë disiplinore, për disa grupe punonjësish që ushtrojnë autoritet publik dhe që nuk mbulohet nga Ligji për Shërbimin Civil pas ndryshimeve të miratuar në vitin 2014, mbetet një çështje shqetësuese”. Raporti gjithashtu konstaton se “është përmirësuar përqindja e vendeve të lira të punës të plotësuara, por ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e kandidatëve pjesëmarrës ”, çfarë nënkupton se ka më pak kandidatë që aplikojnë për një pozicion të hapur, rezultat i drejtpërdrejtë i përshtypjes së qytetarëve se është e pamundur të fitosh punë në një institucion të administratës publike, pa pasur lidhje a njohje me drejtuesit e lartë. Në shumicën e pozicioneve më të larta në qeveri, cilëson raporti i SIGMA-s, nëpunësit janë emëruar përmes përdorimit të procedurës së jashtëzakonshme.
Më 21 shkurt 2018, organizata jofitimprurese e mirënjohur botërore “Transparency International (Transparenca Ndërkombëtare)”, ndër më të besueshmet në matjen e korrupsionit në 180 vende të botës, e rendit Shqipërinë në vendin e 91-të ndër këto 180 vende, ose tetë vende më poshtë se një vit më parë. Treguesi i kësaj organizate konsiderohet botërisht si indikatori më i saktë i përhapjes së fenomenit të korrupsionit në një shoqëri të caktuar, pasi i referohet perceptimit, ndijimit të tij nga vetë qytetarët. Ideja e qarkulluar në disa segmente të administratës sonë publike se “korrupsioni është pakësuar por perceptimi i qytetareve ka ngelur prapa” nuk qëndron, për arsye se qytetari ndeshet përditë me administratën shtetërore dhe ai është në gjendje ta vlerësojë sjelljen e saj më mirë se të gjitha institucionet tona shtetërore. Prandaj edhe “Transparency International” e mat korrupsionin kudo në botë nga përgjigjet e qytetarëve ndaj anketave të saj. Indikatori i saj është treguesi më i njohur dhe i pranuar ndërkombëtarisht sot.
Po kjo organizatë përmend në vlerësimin e saj për Shqipërinë se rruga e vendit tonë për anëtarësim në BE është vështirësuar nga progresi i ngadaltë në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Renditje, konsiderata dhe cilësime të tilla duhet të na bëjnë të gjithëve më të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm, pasi nuk po gjejmë rrugëdaljen madhore për ta luftuar me efektivitet dukurinë më gërryese të besimit të qytetarit tek Shteti, KORRUPSIONIN. Kujtojmë sa larg jemi nga plotësimi i 17 objektivave të Axhendës 2030 të Kombeve të Bashkuara (uljen e ndjeshme të varfërisë, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, prodhim dhe konsum të përgjegjshëm, zhvillim të përgjegjshëm të qyteteve dhe të komuniteteve të tyre, arsim cilësor, uljen e pabarazive shoqërore, etj.) dhe detyrat që kemi marrë përsipër të realizojmë, si shtet anëtar i OKB-së, në kuadër të Axhendës së saj.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit, më 9 dhjetor 2017, dha këtë mesazh: “Ne mund ta realizojmë Axhendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm, vetëm nëse çdo vend ka institucione të forta, transparente dhe gjithëpërfshirëse, të bazuara në sundimin e ligjit dhe të mbështetura nga publiku” .
Gjykoj se rruga më e mirë është krijimi i sinergjive nga bashkëpunimi real mes institucioneve kryesore të Shtetit, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Në këtë aspekt duhet të reflektojmë të gjithë. Për shembull, marrëveshjet e bashkëpunimit, të nënshkruara mes KLSH dhe Ministrisë së Financave që në vitin 2012 dhe me Prokurorinë e Shtetit po në atë vit, duhet të rigjallërohen dhe të synojnë një bashkëveprim të pandërprerë, si me strukturat e auditimit të brendshëm dhe Drejtorisë së Inspektimit Financiar në Ministrinë e Financave, ashtu dhe me prokurorët që trajtojnë dosjet e dërguara nga KLSH, në Prokurorinë e Shtetit, pse jo dhe duke krijuar një task-forcë për të ndjekur kallëzimet e KLSH-se dhe të institucioneve të tjera të pavarura nga Qeveria.
Si KLSH, si institucion suprem auditimi, roli ynë shtrihet në dhënien e rekomandimeve për ndryshime dhe përmirësime të akteve ligjore dhe nënligjore, duke synuar minimizimin e riskut të abuzimit me detyrën dhe fondet buxhetore, minimizimin e korrupsionit dhe tolerancës ndaj tij, shmangien e rasteve të konfliktit të interesit, etj.
Qeveria duhet të nxjerrë Urdhrin për zbatimin e rekomandimeve tona nga ana e institucioneve në varësi të saj. Që nga viti 2013, kjo nismë mungon dhe ka kontribuar në fuqizimin e antikulturës së pandëshkueshmërisë në radhët e administratës shtetërore
Sikurse e kam përmendur edhe në shkrime të mëparshme, korrupsioni ndjek formulën e studiuesit të mirënjohur me famë botërore, Robert Klitgaard :
K = M + S – P
ku K është korrupsioni, M monopoli, S sasia që mund të përfitohet nga korrupsioni(e quajtur ndryshe fuqia diskrecionale e korrupsionit, liria e veprimit të tij) dhe P përgjegjshmëria, llogaridhënia.
Korrupsioni është i barabartë me monopolin, plus liri veprimi, minus llogaridhënien. Nëse aktiviteti është publik, privat apo jo-fitimprurës, kudo korrupsioni do të jetë shumë i mundshëm, kur dikush ka fuqinë e monopolit mbi një mall apo shërbim, ka fuqinë për të vendosur nëse do ta përfitosh atë dhe sa do të përfitosh, si dhe nuk është i përgjegjshëm.
Sot në të gjithë botën, institucionet supreme të auditimit të jashtëm publik (SAI-t) po përpiqen ta bëjnë sa më transparente llogaridhënien dhe aktivitetin e qeverisjes, praktikisht duke e rishkruar ekuacionin e Klitgaard në
K = M + S – (P+T),
ku elementi i ri “T”, pra transparenca, së bashku me rritjen/fuqizimin e llogaridhënies, kontribuojnë fuqimisht në frenimin dhe më tej mposhtjen e korrupsionit në aktivitetet shtetërore.
Në këtë këndvështrim, edhe ne si KLSH e kemi pare misionin dhe rolin e sotëm të audituesve tanë, pasi duke mbikëqyrur nga afër procesin e menaxhimit financiar, audituesi publik ka mundësi të zbulojë anomalitë dhe deviacionet nga procedurat standard të menaxhimit të parasë shtetërore, duke identifikuar kështu edhe ato parregullsi të cilat ngjizin korrupsionin.
Ndonëse si institucion suprem auditimi, natyrshëm kemi më pak fuqi investigative se organet e Prokurorisë apo të Policisë së Shtetit, vlera e shtuar e punës sonë në gjetjen e indicieve për korrupsion qëndron në dijet e fituara të audituesve tanë për të vlerësuar të dhënat dhe pasqyrat financiare të entit publik me risk të lartë për akte abuzimi me pronën dhe fondet shtetërore, në aftësinë profesionale, njohuritë dhe ekspertizën financiare që ata kanë, duke dhënë dhe indicie për institucione të tjera. Gjatë mbi 900 auditime që kemi kryer në periudhën 2012-2017, këto vlera të trupës audituese të KLSH i kemi vënë tërësisht në shërbim të zbulimit të mashtrimit financiar dhe korrupsionit, krahas rolit parësor të këshillimit dhe ndikimit në përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të pronës dhe parasë publike. Numri i kallëzimeve penale gjatë kësaj periudhe 6-vjeçare ka qenë tregues i punës sonë, duke dërguar 266 kallëzime penale apo indicie për 847 nëpunës të Shtetit, kryesisht zyrtarë të lartë dhe të mesëm, me një ritëm një kallëzim në javë apo një kallëzim afërsisht çdo tre auditime. Besojmë se këto kallëzime, si dhe në tërësi dosjet e auditimeve të realizuara nga KLSH, do të jenë indicie dhe materiale të vlefshme për institucionet e reja të reformës në drejtësi, të cilat tashmë kanë filluar nga funksionimi, për thellimin e luftës kundër korrupsionit(dhe ky është lajm i mirë për të gjitha institucionet dhe qytetarët).
Si institucion i auditimit të jashtëm publik, në këto gjashtë vite 2012-2017, e kemi orientuar aktivitetin auditues drejt sfidave të mirëqeverisjes, duke synuar të fitojmë besimin e qytetarit përmes një roli aktiv në forcimin e llogaridhënies dhe transparencës, si dhe në thellimin e luftës ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet e qeverisjes. Edhe pse standardet ndërkombëtare te INTOSAI-t, të cilat po i zbatojmë gjerësisht në punën tone, theksojnë rolin këshillues dhe rekomandues të institucioneve supreme të auditimit në drejtim të parandalimit të sjelljeve korruptive dhe abuzimeve me fondet publike, mjedisi në të cilin operojmë si dhe nivelet e larta të korrupsionit në çdo qelizë të qeverisjes së vendit, na kanë bërë të zgjedhim me vetëdije të plotë një qëndrim të balancuar ndërmjet rolit këshillues dhe parandalues me rolin zbulues dhe denoncues të institucionit.
Rastet e fundit të veprimeve të Prokurorisë ndaj ish-zyrtarëve të Shtetit të denoncuar prej kohësh nga KLSH, si në fushën e ndërtimit dhe mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare dhe në miradministrimin e pronave shtetërore në zyrat e hipotekave, dëshmojnë drejtësinë e kallëzimeve penale, gjetjeve dhe rekomandimeve tona. Por jemi tërësisht të ndërgjegjshëm që asnjë veprim ose rezultat pjesor qoftë i Prokurorisë, ILDKPKI apo KLSH nuk do të arrijë ta luftojë me efektivitet korrupsionin, pa krijimin jo thjesht formal të një fronti kombëtar anti-korrupsion, ku theksi të vihet pikërisht në forcimin e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve publike. Veprimi i parë i këtij fronti duhet të jetë largimi nga Qeveria i dhjetëra drejtuesve të lartë të evidentuar dhe denoncuar penalisht nga KLSH në abuzim flagrant me pronën dhe fondet shtetërore, duke mos pritur vetëm nga Prokuroria e Shtetit.
Nisur dhe nga raportet e fundit të Komisionit Europian, Departamentit Amerikan të Shtetit dhe nga tre indikatorët e Gallup, SIGMA dhe Transparency International për nivelin shqetësues të korrupsionit tek ne, ka ardhur koha ta ngremë stekën në luftën kundër tij. Veçmas, asnjë nga institucionet tona nuk e maksimizon dot punën e vet. Edhe reforma në drejtësi, e cila është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për të qenë efektive në luftën ndaj korrupsionit, edhe ekspertiza e vyer dhe kontributi i institucioneve donatore ndërkombëtare nuk do të arrijnë të maksimizohen, pa sinergjizimin dhe koordinimin e përpjekjeve të institucioneve shtetërore mes tyre dhe me shoqërinë civile të vendit, në dobi të të gjithë qytetarëve, dhe jo thjesht dëgjesa publike për fasadë. Në këto momente nuk nevojiten më projekte dhe strategji më vete të çdo institucioni, por një projekt kombëtar i njëjësuar, një strategji kombëtare dhe krijimi i një fronti unik gjithëpërfshirës në luftën kundër korrupsionit, ku të sinergjizohen dhe konkretizohen kontributet e secilit institucion. Vetëm kështu ndikimi i qytetarit shqiptar, i matur dhe i provuar shkencërisht nga organizata si Gallup apo Transparency International, do të arrijë të ulet në lidhje me korrupsionin e administratës sonë publike, duke forcuar funksionimin e Shtetit ligjor tek ne.