PËR ZBATIMIN PA KUSHTE NGA QEVERIA TË REKOMANDIMEVE TË FMN-së

Botuar në gazetat “Gazeta Shqiptare”, në anglisht në gazetat “Albania Daily News” dhe “Tirana Times”, më 1, 5 dhe 6 prill 2018.
Deklarata përmbyllëse e 20 marsit 2018 e misionit të parë të monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas dhënies së kredisë trevjeçare Shqipërisë prej 330.9 milionë euro më 28 shkurt 2014 (prej këtej, dhe kalimit të këtij institucioni prestigjioz në rolin e thjeshtë vëzhguesit, në bazë të nenit 4, të marrëveshjes së lidhur me FMN-në, dhe jo më ndikuesit të drejtpërdrejtë nëpërmjet kushteve për akordimin e transheve të kredisë për ekonominë tonë), ngre disa shqetësime thelbësore që duhet t’i lexojmë dhe adresojmë si duhet që të gjithë: Kuvendi, Qeveria, njësitë e vetëqeverisjes vendore (bashkitë), institucionet e pavarura kushtetuese, shoqëria civile dhe mediat.
Deklarata ngre alarmin se “Duke pasur parasysh nivelin e lartë të borxhit publik (71,2 % e PBB-së në fund të vitit 2017…), tronditje të tilla negative si ngadalësimi i rritjes ekonomike… apo materializimi i detyrimeve të kushtëzuara, mund të japin ndikim negativ te borxhi dhe te qëndrueshmëria e jashtme, çka do të kërkonte një korrigjim të fortë fiskal” . FMN me detyrime të kushtëzuara i referohet kryesisht pagesave të Buxhetit të Shtetit ndaj partneriteteve publik-privat të lidhura deri tani dhe që do të kontraktohen edhe në të ardhmen, si nga qeveria qendrore dhe nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
Në lidhje me partneritetet publik-privat, FMN thekson në deklaratë se “…një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pa kërkuara duhet të eliminohet” .
Në të njëjtën linjë me rekomandimet e FMN, në përshëndetjen tij gjatë prezantimit të Strategjisë sonë Kombëtare për Energjinë 2030, më 26 mars 2018, të lexuar nga drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, zj. Catherine Johnson, Ambasadori amerikan Donald Lu u shpreh: “…Më lini që t’i bëj jehonë mesazhit që është përcjellë nga FMN se Shqipëria do të përfitojë duke mos dhënë më koncesione jo konkurruese tek bizneset individuale sepse duhet të ketë një kontratë transparente standarde për të gjithë konkurrentët në sektorin e energjisë. Askush nuk duhet të marrë trajtim të posaçëm ”.
Ky cilësim i fortë vjen nga Ambasadori Lu, miku i madh i shqiptarëve, ideator dhe imponues për realizimin e reformës së domosdoshme në drejtësi, për forcimin e shtetit të së drejtës, institucioneve dhe kombit shqiptar. Në veçanti, shqetësimi i tij që askush nuk duhet të gëzojë trajtim të posaçëm në dhënien e fondeve publike, duhet të na bëjë të reflektojmë thellë. Situata është vërtetë problematike. Legjislacioni i derisotëm në fushën e koncesioneve dhe partneritetit publik-privat (PPP) përballet me një handikap, me një të metë thelbësore. Ai nuk parashikon një oponencë teknike dhe profesionale të pavarur nga Ekzekutivi, e cila të funksionojë nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Kuvendit. Neni 18 i Ligjit nr.125/2013, “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, me emërtimin “Komisioni i dhënies së koncesionit/partneritetit publik privat”, parashikon ngritjen e kësaj strukture në varësi të plotë nga Autoriteti Kontraktues (i cili është në shumicën dërrmuese të rasteve dikasteri i linjës), duke përfshirë edhe pagesën e këtij komisioni për punën e bërë. Eksperienca e deritanishme sjell shembuj të shumtë të koncesioneve të kontraktuara dhe menaxhuara keq, edhe për shkak të mungesës së një oponence profesionale dhe të pavarur nga Ekzekutivi.
Sot jemi në kushtet kur projekti 1 miliardë euro i bërë publik nga Qeveria dhe në tërësi planet për ofrimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore, nëpërmjet koncesioneve ose formulës së PPP-ve, sikurse e kanë theksuar dhe po e theksojnë me forcë edhe FMN, Banka Botërore, USAID, etj., po sjellin ekspozimin e rritur të ekonomisë sonë përballë risqeve të (i) përzgjedhjes së gabuar të një partneriteti publik-privat, pa një studim të thelluar të raportit kosto-përfitim, (ii) të natyrës afatgjatë të këtyre projekteve dhe kompleksitetit të kushteve kontraktuale të tyre, (iii) të një kuadri ligjor të munguar ose të paplotë, (iv) të transparencës dhe pjesëmarrjes së pakët të publikut në proces, si dhe (v) të dështimit të projektit, me kosto të larta dhe afatgjata mbi Buxhetin e Shtetit.
Këshillat profesionale të FMN-së duhen respektuar dhe zbatuar. Përballimi i risqeve të mësipërme, përgatitja e strategjisë dhe planit të veprimit për zbutjen e tyre janë përgjegjësi dhe detyra të menjëhershme dhe urgjente për institucionet e Shtetit tonë. Eksperienca e derisotme, e konstatuar edhe gjatë disa auditimeve tona si KLSH, ka dëshmuar se koncesionet e dhëna dhe vitet e para të zbatimit të partneriteteve të para publik-privat, në përgjithësi kanë gjeneruar problematika të shumta, ndër të cilat edhe sociale, ku si më kryesoret renditen:
1.Kontrata koncesionare tejet të favorshme për biznese të caktuara dhe jokonkurruese për shumicën dërrmuese të sipërmarrjeve private;
2.Rritje e paargumentuar e shpenzimeve prodhuese ose kostove të shërbimit për efekt të shmangies së pagesës së taksës mbi fitimin ose në rëndim të çmimit fundor mbi konsumatorin ose mbi Buxhetin e Shtetit;
3.Zgjatje të afatit të koncesioneve tej çdo limiti kohor;
4.Ndryshim i kritereve të përzgjedhjes së kompanisë fituese nga ato që i ofrohen publikut shqiptar me kriteret e shpallura në shtypin e huaj dhe në dokumentet e tenderimit;
5.Mos arkëtim i garancisë bankare nga koncesioni i dështuar;
6.Afat tejet i shkurtër i shpalljes së ftesave të projekteve koncesionare (praktika botërore e ka mesatarisht 2 vjet, tek ne ka ndodhur shpallja edhe brenda pak javëve!);
7.Mungesë e plotë dhe kronike e diskutimit paraprak publik për një koncesion ose partneritet publik-privat që do të jepet;
8.Mungesë e strategjive për sektorët specifikë ku jepet koncesioni apo partneriteti publik privat dhe përfshirje e gjerë e qeverisë qendrore në përzgjedhjen e projekteve dhe licencimin përkatës;
9.Mospërdorim i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe akteve të tjera juridike ndërkombëtare, në të cilat Shqipëria si shtet është palë, të cilat prevalojnë mbi legjislacionin vendas dhe janë një premisë e mirë për rishikimin e kontratave koncesionare problematike të dhëna më herët, të cilat cenojnë konkurrencën e lirë dhe përkeqësojnë çmimet e mallrave dhe të shërbimeve për qytetarët.
Gjykoj se disa koncesione ose PPP, për vetë rëndësinë strategjike që mbartin (p.sh. porte, aeroporte) sot dhe në të ardhmen duhen të argumentohen dhe mbrohen nga Qeveria edhe në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Në këto raste orientimi duhet të jetë drejt aleatëve tanë strategjikë si SHBA dhe Gjermania. Ndërsa kompanitë e regjistruara si “off shore”, pra me pronësi jo të qartë dhe transparente, nuk duhet të lejohen të marrin pjesë në tendera publikë.
Po më 20 mars 2018, Gjykata Europiane e Audituesve (ECA), institucioni suprem i auditimit i Bashkimit Europian, duke publikuar gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të saj Special mbi partneritetet publik-privat të koordinuara nga Komisioni Europian (të cilin do t’ia vëmë në dispozicion edhe Kuvendit dhe Ekzekutivit), shprehej se “Partneritetet Publik-Privat të bashkë financuara nga BE në Vendet Anëtare, nuk mund të konsiderohen si një opsion ekonomikisht i mundshëm për ndërtimin ose dhënien në përdorim të infrastrukturës publike ”. Sipas ECA-s, partneritetet publik-privat (PPP) të audituara prej saj paraqisnin mangësi të përhapura dhe përfitime të kufizuara, duke rezultuar në 1.5 miliardë euro shpenzime joeficiente dhe joefektive. Përveç kësaj, vlera për para dhe transparenca u dëmtuan gjerësisht nga politika dhe strategji të paqarta, nga analizat e papërshtatshme, nga regjistrimi jashtë bilancit i PPP-ve dhe mungese balancimi në ndarjen e riskut mes privatit dhe Shtetit. Na lind natyrshëm pyetja: kur në vendet e Bashkimit Europian, me një legjislacion dhe kulturë shtetare shumë më të konsoliduar se ne, PPP-të konsiderohen problematike, si duhet të jenë ato tek ne?
Në deklaratën për shtyp, ECA pohon se audituesit e saj audituan 12 partneritete publik privat të bashkë financuara nga BE në Francë, Greqi, Irlandë dhe Spanjë në fushën e transportit rrugor dhe teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, me një kosto totale prej 9.6 miliard euro dhe një kontribut të BE-së prej 2.2 miliard euro.
Institucioni suprem i auditimit i BE-së thekson me forcë se “Audituesit gjetën që PPP-të ju lejuan autoriteteve publike të siguronin infrastrukturë në shkallë të gjerë përmes një procedure të vetme, por kjo e rriti riskun e konkurrencës së pamjaftueshme dhe për këtë arsye autoritetet kontraktuese u vendosën në një pozicion negociator më të dobët. Për më tepër, shumica e PPP-ve të audituara demonstruan ineficienca të konsiderueshme gjatë ndërtimit të infrastrukturave që kishin marrë përsipër, me shtatë nga nëntë projektet e kompletuara (që korrespondojnë me 7.8 miliard euro si kosto projekti) që shkaktuan vonesa deri në 52 muaj dhe rritje të mëdha të kostos ”. Në Greqi (deri tani vendi përfitues më i madh i kontributeve të BE-së nëpërmjet PPP-ve, me 3.3 miliard euro ose 59% të totalit), kosto për kilometër e tre autostradave të audituara u rrit ndjeshëm deri në 69%, ndërkohë që niveli i rentabilitetit i këtyre projekteve u reduktua ndjeshëm, duke rënë me 55%.
ECA thekson se arsyet kryesore për këtë shpenzim joefektiv qëndronin në faktin se boshllëqet financiare të shkaktuara nga rinegocimi i kontratave të PPP-ve u lejua të mbuloheshin nga buxheti i BE dhe i shtetit investues, me projekte të përgatitura keq nga partnerët publikë dhe me kontrata me koncesionarët privatë, të nënshkruara përpara se sa çështjet e rëndësishme të ngelura pezull të ishin zgjidhur.
Të gjitha institucionet e Shtetit tonë duhet të ndërgjegjësohen në maksimum për problematikën e thellë dhe serioze të menaxhimit të partneriteteve publik-privat edhe tek ne. Risqet e lidhura me koncesionet dhe PPP-të, e bëjnë imperative dhe të domosdoshme që Kuvendi të shikojë mundësitë për krijimin e një njësie të oponencës së përhershme e profesionale ndaj gjenerimit dhe zbatimit në praktikë të këtyre kontratave, një sekretariat pranë Kuvendit, i përbërë fillimisht qoftë edhe nga dy ose tre ekspertë, personalitete të fushës së financave dhe administrimit publik, një ekip i cili të funksionojnë në vartësi të tij dhe të jetë i pavarur financiarisht nga Ekzekutivi. Kjo njësi duhet të ketë kapacitetin e mjaftueshëm financiar për të komisionuar ekspertë të fushave respektive për studimin/ oponencën sipas koncesionit apo PPP-së që shqyrtohet, në emër dhe për llogari të Kuvendit dhe Komisionit parlamentar përkatës. Krijimi i një strukture të tillë do të jepte sinjalin e parë se vërejtjet dhe sugjerimet e FMN-së, Bankës Botërore, USAID-it dhe partnereve tanë të tjerë të rëndësishëm ndërkombëtarë, ndaj risqeve që po grumbullohen mbi menaxhimin e qëndrueshëm të financave tona publike, po dëgjohen si duhet, këshillat po zbatohen dhe kundërveprimi ndaj këtyre risqeve është ai i duhuri dhe në kohë.