RISKU I RRITUR I FINANCAVE PUBLIKE

Botuar në gazetën “Panorama”, më 13 gusht 2018.
Më 30 korrik 2018, Departamenti Amerikan i Shtetit, në deklaratën e tij vjetore për klimën e investimeve në Shqipëri, ngrinte shqetësimin se “Investuesit e huaj e shohin klimën e investimeve si problematike dhe shprehen se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes…Raportet e korrupsionit në prokurimet e qeverisë janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik-privat(PPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investuesit e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPP janë shqetësime të vazhdueshme ”
Më 3 gusht 2018, Agjencia e mirënjohur ndërkombëtare e vlerësimit të ekonomive dhe kompanive shumëkombëshe në botë, “Standard&Poor’s”, në cilësimin e saj të tanishëm për Shqipërinë, megjithëse e vlerësoi pozitivisht “B+B me perspektivë qëndrueshëm” ekonominë tonë, ngriti shqetësimin se ”Pavarësisht ritmeve të larta të rritjes, nivelet e të ardhurave të Shqipërisë janë ende më të ulëta se në shumë vende të ngjashme me të dhe mbeten të kufizuara nga një ekonomi e madhe informale dhe një sektor domethënës i paligjshëm ”. Agjencia, të cilës në botë i peshon çdo fjalë e cilësimeve që jep, e përfundon vlerësimin për vendin tonë, duke paralajmëruar: “Ne mund të ndërmarrim një veprim negativ të vlerësimit, nëse vëzhgojmë rrëshqitje fiskale materiale, që rezultojnë nga defiçite më të larta fiskale ose materializim të detyrimeve kontingjente nga projektet PPP ose borxhet e prapambetura ”.
Të njëjtën problematikë ngriti më 20 mars 2018 misioni i monitorimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pas përfundimit të marrëveshjes trevjeçare shkurt 2014-shkurt 2018 të kredisë dhënë qeverisë sonë. “Një prioritet kyç është pakësimi i vendimmarrjeve të fragmentuara dhe fuqizimi i proceseve të vlerësimit të riskut brenda Ministrisë së Financave. Këto procese janë me rëndësi kritike, po të kemi parasysh detyrimet e mëdha të kushtëzuara që shpesh janë pjesë e kontratave të PPP-ve me një horizont kohor afatgjatë. Praktika aktuale e propozimeve të pakërkuara duhet të eleminohet ”, shprehej FMN.
**
Mbi bazën e eksperiencës së grumbulluar nga disa auditime tona si KLSH mbi performancën e koncesioneve të dhëna dhe të viteve të para të zbatimit të disa partneriteteve publik-privat, si dhe në të njëjtën linjë mendimi dhe gjetjesh nga auditimet, si dhe konkluzionet e FMN-se, apo edhe ato të Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA), në muajin prill 2018 iu drejtuam qeverisë (Kryeministrit dhe Ministrit të Financave), duke informuar edhe Kuvendin, duke i kërkuar të ndërpriste përkohësisht praktikën e dhënies së koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat (PPP-ve), me synim përmirësimet e domosdoshme në kuadrin ligjor të tyre. Që të jemi të qartë, KLSH nuk është parimisht kundër partneritetit të shtetit me privatin, por ky bashkëpunim duhet të jetë i kornizuar korrekt ligjërisht dhe i implementuar me përfitime të drejta dypalëshe, me taksapaguesin në fokus.
Theksonim se, në një situatë kur investimet e mëdha të drejtpërdrejta të huaja (TAP, 2 hidrocentralet mbi lumin Devoll) janë në përfundim e sipër, mirëkuptonim planet e qeverisë (sidomos Programi i Investimeve Publike 1 miliardë euro për këtë vit) për të kompensuar, duke nxitur ekonominë dhe për ofrimin gjithnjë e më të madh të shërbimeve publike në nivel të qeverisjes qendrore dhe vendore, nëpërmjet koncesioneve ose partneriteteve publik-privat (PPP). Por nga ana tjetër, këmbëngulnim se ndërprerja e përkohshme do t’i hapte rrugë një analize të hollësishme kosto/përfitim të koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat të ardhshme, si dhe një diskutimi të gjerë dhe publik të tyre.
Pasi të ishin përcaktuar qartë ndërhyrjet në legjislacion, si dhe strategjia dhe planet e veprimit për zbutjen e risqeve të shumta dhe serioze që shoqërojnë kontratat koncesionare dhe të PPP-ve, mund të rifillonte procesi, i cili, pas kësaj faze, do të ishte shumë më kredibël, si në sytë e opinionit publik dhe qytetarëve, ashtu edhe të komunitetit ndërkombëtar dhe partnerëve tanë.
Qeveria zgjodhi që të mos dëgjonte sugjerimet e FMN-së, eksperiencën e ECA-s dhe kërkesat e auditimit të jashtëm publik të vendit. Mbi 7/10-at e fondeve të paketës së investimeve publike prej 1 miliardë euro janë dhënë tashmë për katër akse rrugore, me kontrata 13 vjeçare jo në nivelin e duhur të transparencës, ku parimi themelor(dhe morali) i zbatimit të kontratës koncesionare dhe PPP-së, për angazhimin masiv të kapitalit privat në ekonomi, po ashtu nuk zbatohet si duhet. Kjo, për arësye se kompanitë fituese të tenderave të infrastrukturës të Paketës 1 miliardë euro kanë vënë në dispozicion të projekteve kapitale minimale, ndërkohë që qeveria ka premtuar se do të japë “garanci sovrane” për kompanitë fituese, që këto të fundit të mund të marrin kredi në banka të nivelit te dyte. Pyesim, si mund të jepen garanci, si mund të rrezikohen vetëm paratë e taksapaguesve shqiptare? Ashtu sikurse ka konkluduar edhe Gjykata Evropiane e Audituesve(ECA) në auditimin e saj për Vendet Anëtare të BE-se, gjykojmë se në këtë rast ka një mungesë të plotë balancimi në ndarjen e riskut mes privatit dhe Shtetit, duke rënduar me pa të drejtë pozitën e Buxhetit të Shtetit dhe të parave të të gjithë qytetarëve, në këto kontrata.
Kujtoj se më 20 mars 2018, Gjykata Evropiane e Audituesve(ECA), institucioni suprem i auditimit i Bashkimit Evropian, duke publikuar gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të saj Special mbi partneritetet publik-privat të koordinuara nga Komisioni Evropian, theksonte se “Partneritetet Publik-Privat të bashkëfinancuara nga BE në Vendet Anëtare, nuk mund të konsiderohen si një opsion ekonomikisht i mundshëm për ndërtimin ose dhënien në përdorim të infrastrukturës publike ”. Sipas ECA-s, partneritetet publik-privat(PPP) të audituara prej saj paraqisnin mangësi të përhapura dhe përfitime të kufizuara, duke rezultuar në 1.5 miliardë euro shpenzime joefiçiente dhe joefektive. Përveç kësaj, vlera për para dhe transparenca u dëmtuan gjerësisht nga politika dhe strategji të paqarta, nga analizat e papërshtatshme, nga regjistrimi jashtë bilancit i PPP-ve dhe mungesë balancimi në ndarjen e riskut mes privatit dhe Shtetit.
Duke mos patur ende informacion të mjaftueshëm për këto kontrata të reja të lidhura, e kemi të pamundur të shprehim një opinion si KLSH, nëse në tenderimin e tyre ka patur garë korrekte dhe mundësitë për konkurrim të kompanive ndërkombëtare, sidomos të atyre nga aletatët tanë strategjikë, si SHBA dhe Gjermani, kanë qenë të plota. Ruajmë dyshime të arësyeshme se, sikunder shpreh shqetësimin Departmenti Amerikan i Shtetit(DASH), këto mundësi janë ngushtuar për investuesit e huaj në konkurrimin e tyre në garat publike të kohëve të fundit për projekte në infrastrukturë.
Përmend se dy nga kompanitë fituese ose të projektuara fituese në tenderat e koncesioneve kanë rezultuar nga auditimet e KLSH që kanë detyrime të pashlyera ndaj Buxhetit të Shtetit. Disa nga kompanitë kanë patur probleme me komunitetin ku investojnë. Është mirë që në të ardhmen të garantojmë se nuk do të ketë fituese tenderash publike ndër kompanitë me probleme me Buxhetin e Shtetit dhe me sjelljen e tyre sociale.
**
Pavarësisht se një dëm jo i pakët është bërë me akordimin e kontratave koncesionare, ende jemi në kohë të nisë procesi i rishqyrtimit të tyre(edhe pse disa sapo janë nënshkruar), për të mbrojtur më mirë interesat e taksapaguesve shqiptarë. Në paralel me këtë proces, duhet të nisë edhe rishikimi urgjent i legjislacionit të deritanishëm në fushën e koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat. Si KLSH, vërejmë me shqetësim se legjislacioni i derisotëm në këto fusha nuk parashikon një oponencë teknike dhe profesionale të pavarur, nën mbikqyrjen e drejtpërdrejtë të Kuvendit, e cila të çertifikojë zbatimin e kritereve të forta dhe transparente. Nenet 9 dhe 18 të Ligjit të sotëm bazë me nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, si dhe Neni 7 i Ligjit me nr. 77/2015 “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 125/2013“Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”, të ndryshuar”, parashikojnë ngritjen e strukturave si Komisioni i Dhënies së Koncesionit/Partneritetit Publik Privat apo Njësia e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private, në varësi të plotë nga Autoriteti Kontraktues(Këshilli i Ministrave apo Ministri i linjës). Struktura të tilla nuk mund kurrsesi të luajnë rolin e një oponence të pavarur.
Kemi kërkuar dhe do të vijojmë ta kërkojmë me forcë përgatitjen e projekt-ligjit për krijimin e një Njësie të Oponencës së Përheshme dhe Profesionale ndaj koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat, e cila të funksionojë pranë Kuvendit dhe të jetë e pavarur financiarisht nga Ekzekutivi. Kjo Njësi duhet të ketë kapacitetin e mjaftueshëm financiar për të komisionuar ekspertë të fushës respektive për studimin/oponencën sipas koncesionit apo PPP-së që shqyrtohet, në emër dhe për llogari të Kuvendit dhe Komisionit parlamentar përkatës.
Gjykojmë se, në rast se këto ndryshime nuk kryhen urgjent në legjislacionin tonë për koncesionet dhe PPP-të, fatura e rëndë financiare e këtyre kontratave, duke ju bashkuar problematikave të koncesioneve dhe partneriteteve aktuale publik-privat, do të jetë e jashtëzakonshme, duke rrezikuar stabilitetin e brishtë(vulnerabilitetin, sikurse shprehet Standard&Poor’s) të financave tona publike dhe fatet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit për vitet e afërta të ardhshme.