Demonstrimi nga SAI-t i lidhjeve të vazhdueshme me shoqërinë, përmes kryerjes së auditimeve të bazuara në risk

(Fjala në konferencën ndërkombëtare tematike “Roli i impaktit të Institucioneve Supreme të Auditimit në rikthimin e besimit publik ndaj sektorit publik”, me rastin e kremtimit të 15 Vjetorit të krijimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës, Prishtinë, 4 tetor 2018)
Te nderuar pjesemarres,
Domosdoshmëria për KLSH-në e të qënit i rëndësishëm për shoqërinë
Për KLSH-në të qënit vazhdimisht përgjegjës ndaj pritshmërive, nevojave dhe problemeve të shoqërisë nuk është thjesht çështje parimore, por vetë filozofia e menaxhimit dhe e veprimtarisë audituese të KLSH-së.
Rëndësia e marrëdhënieve dhe kontributit të vazhdueshëm që KLSH dëshiron të japë në shoqëri evidentohet fare qartë në misionin, vizionin dhe 8 parimet që udhëheqin veprimtarinë e këtij institucioni dhe më konkretisht:
Misioni:
KLSH është institucion i pavarur kushtetues, i ndërtuar që ti shërbejë qytetarit shqiptar, të jetë “agjent” i Kuvendit dhe palëve të interesit duke i informuar në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë, mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në përdorimin e kontributit të taksapaguesve shqiptarë e duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet luftës kundër korrupsionit.
Vizioni:
KLSH është një institucion model që udhëheq nëpërmjet shembullit, që nxit rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës, dhe përdorimit me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të pasurisë publike, duke forcuar integritetin dhe besimin e publikut tek institucioni, për të qenë vlerë e shtuar për shoqërinë dhe të sjellë ndryshim në jetën e qytetarëve.
Parimet e veprimtarisë
Pavarësia
Profesionalizmi
Bashkëpunimi
Përgjegjshmëria
Integriteti
Objektiviteti
Interesi Publik
Transparenca
Auditimet e bazuara në analizën e riskut – një parakusht i domosdoshem në zbatimin e ISSAI-eve
Kontributi i SAI-eve në rritjen e transparencës dhe përgjegjshmërisë së administratës publike ndaj qytetarëve realizohet kryesisht përmes auditimeve, të cilat natyrshëm bazohen në standardet ndërkombëtare të auditimit. Referuar: (i) ISSAI 100 – Parimet themelore të Auditimit të Sektorit Publik, (ii) ISSAI – 200 – Parimet themelore të Auditimit Financiar, (iii) ISSAI 300 – Parimet themelore të Auditimit të Performancës dhe (iv) ISSAI 400 – Parimet themelore të Auditimit të Përputhshmërisë, çdo auditim duhet të bazohet në analizën e risku. Në të katërta këto ISSAI-e, analiza e riskut trajtohet më vete në një seksion të veçantë.
Për rrjedhojë, është e paimagjinueshme që një SAI që pretendon se zhvillon auditimet e tij në respektim të standardeve ndërkombëtare të auditimit, të mos zhvillojë auditime të bazuara në analizën e riskut.
Kryerja e analizave të riskut sa më cilësore
Tashmë për SAI-et nuk shtrohet më çështja nëse duhet apo jo që të përdorin një analizë risku në auditimet e tyre por si mund të përmirësojnë analizat e tyre të riskut në mënyrë që ato jo vetëm të rrisin performancën e tre e-ve në auditim por edhe të përafrojnë sa më shumë auditimet me pritshmëritë, problemet dhe nevojat e shoqërisë.
Në funksion të kryerjes së analizave sa më cilësore të riskut, KLSH përgjatë viteve 2012-2018 ka miratuar një Strategji dhe Plan-Veprimi për Menaxhimin e Riskut, duke hartuar Manualin përkatës dhe caktuar Koordinatorin e Riskut. Për të minimizuar risqet, institucioni është përpjekur të rrisë treguesit e performancës institucionale në disa drejtime:
Komunikimi me median
KLSH e konsideron median e shkruar dhe atë audio-vizive si partnerin kryesor në realizimin e misionit të tij si “watchdog” për mirëadministrimin e fondeve dhe pasurisë publike, si dhe për të thelluar luftën ndaj korrupsionit. Transparenca e aktivitetit të institucionit ka rritur besimin e qytetarëve në punën e institucionit. Gjatë viteve 2012-2017, shtypi i shkruar ka përcjellë raportet dhe deklaratat tona për shtyp në një numër të madh artikujsh, njoftimesh, editorialesh dhe komentesh analitike. Mediat i janë përgjigjur njoftimeve tona institucionale, problematikave të dala nga veprimtaria audituese dhe aktiviteteve të ndryshme të institucionit.
Më konkretisht prezenca e KLSH-së në median e shkruar dhe atë audio-vizive pasqyrohet në tabelën e mëposhtme:
Prania e audituesve të KLSH-së në shtypin e shkruar
Vetëm gjatë vitit 2017, KLSH ka qenë prezente pothuajse në të gjitha gazetat me 125 shkrime, të shkruara nga auditues të KLSH-së. Gjatë pesë viteve, 2013-2017 audituesit e KLSH kanë botuar 521 artikuj.
Trajtimi i letrave të qytetarëve
Hapja e institucionit karshi shqetësimeve, problemeve dhe nevojave të qytetarëve kërkon domosdoshmërish një angazhim të madh mbarë institucional. Letrat e sjella nga qytetarët në KLSH janë matësi më i mirë i shqetësimeve të tyre të përditshme dhe një faktor i rëndësishëm i analizës së riskut përsa i përket korrupsionit dhe keq menaxhimit të financave dhe aseteve publike. Ndërkohë që në vitet 2010, 2011 trajtoheshin mesatarisht 65 letra në vit, në vitin 2017 janë trajtuar në total 623 letra.
Krijimi i traditës së muajit të hapur për qytetarët
Në zbatim të Strategjisë së Komunikimit KLSH organizon çdo vit, që nga viti 2016, Muajin e Hapur për Qytetarët gjatë të cilit zhvillohen një sërë aktivitete të ndryshme si takime me gazetarët, prezantime të botimeve të KLSH-së, pjesëmarrje në panairin e librit, takime dhe leksione me akademikë, profesorë, të fushave të ndryshme; leksione nga kolegë të SAI-ve partnere.
Bashkëpunimi me shoqërinë civile
Përgjatë viteve 2012-2017 KLSH ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me 27 OJF me të cilat përgjatë këtyre viteve KLSH ka realizuar disa mini-projekte të përbashkëta, ku KLSH ka kontribuar me dhënien e informacioneve, raporteve të auditimit, analizave, etj.
Organizimi i konferencave shkencore në lidhje me riskun
Në Dhjetor 2017, KLSH organizoi konferencën e katërt shkencore institucionale me temë “Analiza e riskut”.
Konferenca tërhoqi vëmendjen edhe të Parlamentit Evropian, përfaqësuar nga eurodeputeti Dr. Igor Šoltes, zv/Kryetar i Komitetit për Kontrollin e Buxhetit në PE. Në të morën pjesë 150 përfaqësues nga SAI-t partnere të Polonisë, Turqisë, Kroacisë, Kosovës dhe Malit të Zi, personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit dhe EUROSAI, akademikë, profesorë dhe ekspertë të fushave të ndryshme.
Rezultatet e një analize cilësore të riskut në auditim
Përgjatë viteve 2012-2017, KLSH ka zhvilluar mesatarisht rreth 157 auditime në vit, ku një fokus i veçantë i është kushtuar rritjes graduale të numrit të auditimeve të performancës.
Pritshmëritë e shoqërisë në lidhje me: (i) uljen e pranisë së një niveli të lartë korrupsioni në administratën publike, (ii) uljen e nivelit të lartë të keqmenaxhimit të financave dhe aseteve publike, si dhe (iii) pakësimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që lënë hapësira për korrupsion dhe shmangin përgjegjësinë e zyrtarëve publikë, evidentohen fare qartë në statistikat përkatëse në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e auditimeve të KLSH-së.
Kështu në total përgjatë viteve 2012 -2017 KLSH ka rekomanduar rreth 400 përmirësime ligjore, rreth 14 mijë masa organizative, rreth 6 mijë masa disiplinore dhe rreth 2 mijë masa administrative.
Gjithashtu, pritshmëritë e shoqërisë në lidhje me uljen e nivelit të lartë të keqmenaxhimit të financave dhe aseteve publike përkojnë edhe me nivelin e lartë të dëmit ekonomik të zbuluar nga auditimet e KLSH-së, ku për periudhën 2012-2017, dëmi ekonomik që i është shkaktuar buxhetit të shtetit arrin në vlerën 202.6 miliardë lekë.
Ndërkohë, nëse do t’i referoheshim çështjeve penale, përgjatë viteve 2012-2017, KLSH ka depozituar në organin e Prokurorisë 266 kallëzime penale për 847 persona. Mesatarisht 1 kallëzim penal në javë.
Këta tregues statistikorë të veprimtarisë audituese të KLSH-së janë rezultat i analizës së riskut që institucioni zhvillon para dhe gjatë procesit të auditimit. Kjo ka bërë të mundur që KLSH të jetë vazhdimisht në koherencë me pritshmëritë, perceptimin, problemet dhe nevojat aktuale të shoqërisë.
Konkluzione
Zhvillimi i analizave të riskut në funksion të procesit të auditimit është një domosdoshmëri e cila evidentohet edhe në standardet ndërkombëtare të auditimit të INTOSAI-it.
Në funksion të kryerjes së analizave sa më cilësore të riskut SAI-et duhet të angazhohen seriozisht në një hapje dhe bashkëpunim intensiv dhe konstant me median, publikun e gjerë dhe shoqërinë civile. Vetëm në këtë mënyrë SAI-et mund të qëndrojnë në koherencë me shqetësimet, problemet dhe nevojat e tyre.
Forcimi i këtij bashkëpunimi ka një impakt të drejtpërdrejtë jo vetëm në cilësinë e analizave të riskut, por në vetë gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e auditimeve.
Në zhvillimin e këtij bashkëpunimi, SAI-et duhet të ndërtojnë një strategji të vërtetë komunikimi, duke synuar krijimin e një tradite institucionale dhe forcimin e imazhit të një institucioni që kryen misionet e tij kushtetuese dhe ligjore, duke udhëhequr përmes shembullit.
Ju faleminderit!