(Fjala në Tryezën e Rrumbullakët Ndërinstitucionale “Fuqizimi i transparencës institucionale dhe angazhimit qytetar për përmirësimin e cilësisë në sistemin shëndetësorsfida dhe mundësi bashkëpunimi”, organizuar nga USAID, Tiranë, 14 nëntor 2018)
Te nderuar pjesëmarrës,
Kontributi i agjencisë USAID të qeverisë amerikane, në emër të popullit amerikan, në më shumë se një çerek shekulli aktivitet në Shqipëri është sa unikal aq edhe i rëndësishëm. Ai ka ndihmuar emancipimin e shoqërisë shqiptare, fuqizimin e institucioneve të pavarura të Shtetit Shqiptar, ndërtimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale të administratës sonë publike, fuqizimin e organizatave të shoqërisë sonë civile, zhvillimin e sektorit privat, sidomos të nismave të biznesit të vogël në bujqësi, agro-përpunim dhe turizëm, reformën zgjedhore, reformën administrative e territoriale dhe së fundi, reformën në drejtësi.
Projekti “Transparenca në sistemin shëndetësor” 2017-2019, i financuar nga USAID, i drejtuar nga nje profesioniste e spikatur si zj. Darcie Nilsen erdhi ne momentin e duhur. Shërbimet në spitalet tona publike dhe shërbimi parësor shëndetësor publik janë në vëmendjen e qytetarëve tanë dhe në qendër të ankesave të tyre për mosfunksionim të Shtetit tonë, krahas denoncimeve dhe raportimeve të shumta nëpër media. Qytetarët presin përmirësim rrënjësor në efektivitetin dhe cilësinë e këtyre shërbimeve.
Projekti i USAID ka punuar me efektivitet për krijimin e një mjedisi më të përgjegjshëm për përdorimin e parave publike ne sektorin e shendetesise publike, duke forcuar institucionet mbikëqyrëse Avokati i Popullit, ILDKPKI dhe ne, si dhe duke rritur bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe median.
Në kuadër të zbatimit te Memorandumit të Mirëkuptimit qe nenshkruam me 3 tetor 2017 si Kontroll i Lartë i Shtetit me USAID-in, projekti “Transparenca në Sistemin Shëndetësor” na mundesoi perdorimin e gjere te kater instrumenteve (tools) te teknologjise se informacionit si me poshte:
1.Red flags
Duke qenë se puna audituese përfshin auditimin dhe vlerësimin e procedurave të prokurimit publik, algoritmi “red flag” po na ndihmon në analizimin e bazës së të dhënave ku vendosen procedurat e tenderimit dhe në klasifikimin automatik në tendera problematikë ose jo. Instrumenti po ndihmon audituesit tanë, duke mundësuar indicie në kohë reale mbi procedurat me probabilitet për sjellje të papajtueshme me ligjin.
Instrumenti i zhvilluar në kuadër të Projektit “mundëson filtrim të detajuar të procedurave në bazë të fushave të ndryshme si: Autoriteti Prokurues, Institucion Tenderues, Operator Ekonomik Kontraktues, Vlera/Fondi Limit, Statusi i Tenderit, Lloji i Kontratës Publike, Lloji i Procedurës, Data e Njoftimit të Tenderit, Data e Mbajtjes së Tenderit etj.
Baza e të dhënave që përdor instrumenti “red flags” në rastin e Kontrollit të Lartë të Shtetit përfshin procedura tenderimi të fushës së shëndetësisë publike, të shpallura që nga data 1 Janar 2016. Ajo vazhdon të përditësohet me procedura të reja.
2.Trajtimi dixhital i Ankesave të qytetarëve
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vijuar të trajtojë me korrektësi dhe profesionalizëm letrat dhe ankesat e qytetarëve, të cilët në çdo rast kanë marrë përgjigje, edhe kur çështja e ngritur prej tyre ka qenë jashtë kompetencave të institucionit. Megjithatë, edhe në këto raste KLSH i ka orientuar qytetarët, nëpërmjet përgjigjeve zyrtare se cilit institucion duhet t’i drejtohen, për të marrë përgjigje për shqetësimet e tyre.
Duke marrë në konsideratë numrin e lartë të ankesave drejtuar Kontrollit të Lartë të Shtetit, jo vetëm me postë zyrtare por edhe nëpërmjet portalit zyrtar, në kuadër të Projektit, u dakordësua zhvillimi i mekanizmit të ankesave. Ky mekanizëm pranon ankesa nga qytetarët, me kusht që ata të plotësojnë të gjitha fushat e informacionit. Në këtë mënyrë shmangen ankesat anonime, të cilat mund të jenë pa përmbajtje ose mund të përmbajnë supozime të përgjithshme të pabaza për t’u shqyrtuar më tej.
Ky mekanizëm është implementuar dhe testuar në faqen zyrtare të KLSH
Ne mendojmë që ky mekanizem (tool) po na ndihmon si ne dhe qytetarin të jemi më transparentë në këtë proces. Qytetari mund të marrë informacion në portalin tonë mbi statusin e ankesës së tij, nëse ajo është nën shqyrtim, është jashtë kompetencës së institucionit apo është zgjidhur.
Instrumenti për publikimin e raporteve në formatin “Open Data”
Aktualisht vendimet dhe raportet e auditimit të institucionit publikohen në portalin zyrtar www.klsh.org.al në format pdf . Nëpërmjet instrumentit të Open Data mundësohet një paraqitje më koncize dhe më e lexueshme e objektivave dhe konkluzioneve të auditimeve për qytetarët apo media-n. Nga ky instrument ne kërkuam që krahas publikimit të raporteve sipas llojit: auditim performance, përputhshmërie dhe rregullshmërie, Teknologjie Informacioni apo raporte vjetore, këto raporte të klasifikohen sipas fushave shëndetësi, arsim, financë, etj. Gjithashtu, që informacioni të jetë më i detajuar, po vendosim raporti e auditimit dhe vendimin përkatës të Kryetarit në formë të aksesueshme nga publiku. Ne e mbështesim tranparencën përmes të dhënave të hapura (open data), e cila arrin t`i përpunojë dhe publikojë këto të dhëna, bazuar në teknologjitë më të fundit të informacionit.
Instrumenti “Data Mining”
Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të tij shumëpërmasor. Qasjen e komunikimit të pandërprerë me qytetaret, KLSH e ka parë në këto shtatë vjet, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe me media-n, si dhe nëpërmjet përgjigjeve ndaj letrave të qytetarëve. Instrumenti Data Mining mundëson nxjerrjen e të dhënave të ndryshme nga baza të dhënash të jashtme. Ne jemi gjithmonë në media me artikuj të përgatitur nga audituesit tanë, me raporte auditimi, artikuj në gazeta apo portale të ndryshme. Ky proces mundëson nxjerrjen e të dhënave të ndryshme nga mediat online, si artikuj:
• të përgatitur nga stafi i KLSH;
• që citojnë gjetje të auditimeve të KLSH-së, që përmbajnë fjalë kyçe në fokus të KLSH si ekonomicitet, dëm ekonomik, auditim, eficiencë, të ardhura të munguara, përmirësime ligjore etj.
Ky instrument është vendosur në portalin zyrtar www.klsh.org.al dhe do të aksesohet për një afat të papërcaktuar, pavarësisht së çfarë zgjedhin të bëjnë mediat online me artikujt origjinalë.
E them me bindje se asistenca teknike që projekti “Transparenca në sistemin shëndetësor” i USAID i ka ofruar institucionit tone ka sjellë përmirësimin e auditimeve të performancës në sektorin e shëndetësisë, rritjen e aksesit të qytetareve tek informacioni, futjen e disa zgjidhjeve teknologjike për sistemin e ankesave nga qytetarët, si dhe përdorimin me efektivitet të të dhënave të hapura dhe treguesve të alarmit “red flags” për fusha me risk te larte për korrupsion.
Qeveria e SHBA-ve dhe institucioni zbatues i parave të taksapaguesve amerikanë për asistencë dhe zhvillim, USAID-i janë të investuar fuqishëm në të ardhmen e integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo e ardhme mund të realizohet me sukses vetëm nëpërmjet zbatimit të reformës në drejtësi dhe reformimit rrënjësor të administratës publike. Si reforma në drejtësi dhe reforma e thellë në administratën publike janë dy anë të së njëjtës gjë, të ndërtimit të Shtetit të së Drejtës në Shqipëri. Ka shumë vlerë që ky ndërtim të fillojë edhe në një nga bazat e shërbimeve publike, sikurse janë shërbimet shëndetësore Ne besojmë fort se qeverisja e përgjegjshme në sektorin e shëndetësisë, si kudo në shërbimet publike dhe në administrimin e parave të takspaguesve shqiptarë, mund të sigurohet vetëm nga një bashkëpunim i sinqertë i Qeverisë dhe Ministrisë përkatëse, duke pranuar kontributin e institucioneve të pavarura si mbikqyrës kushtetues, të shoqërisë civile, te medias dhe të donatorëve e partnerëve tanë Perëndimorë, si dhe duke zbatuar rekomandimet nga gjetjet e tyre.
Prania dhe aktiviteti i gjerë i USAID-it në Shqipëri, i kulmuar në dy vitet e fundit me projektin “Drejtësi për të gjithë” (2016-2021), me vlerë 9 milion dollarë, por edhe me projektet në fushën e bujqësisë si AgroCapital, si dhe Fondi për investimet dhe financimin në turizëm, përbën garanci për këtë kërkesë llogarie.
Ju faleminderit!