Abuzime me tendera, shpenzime të pa-argumentuara e të ardhura të munguara, abuzime me pronat publike e zyrtarë të korruptuar. Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet dhe shkeljet gjatë procedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 645 miliardë lekësh në dy vite, 2018-2019. Përkatësisht, në sektorin publik në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në menaxhimin e financave publike, dëmi total për dy vitet e fundit arrin në shumën 363 miliardë lekë. Problematikat e shumta në procedurat e prokurimit në periudhën 2018-2019 kanë regjistruar dëm ekonomik në vlerën 2.8 miliardë lekë. Ndërsa në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit i kalon 280 miliardë lekë. Të dhënat janë bërë të ditura nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, në një intervistë për gazetën “Fjala”. Leskaj vë theksin në faktin se korrupsioni në radhët e administratës është rritur dhe është cenuar drejtpërdrejt mirëqenia e qytetarëve. Intervistoi: Bardhi Quku
Z. Leskaj, Transparency International e ka renditur Shqipërinë në vendin e 106-të për luftën kundër korrupsionit, duke shënuar një përkeqësim të ndjeshëm. Si mendoni, përse Shqipëria nga viti në vit është përkeqësuar në luftën ndaj korrupsionit?
Duhet theksuar që në fillim se përkeqësimi i ndjeshëm në luftën ndaj korrupsionit mbetet një nga problemet më serioze në zhvillimet demokratike të vendit, i cili gërryen besimin publik dhe cenon drejtpërdrejt mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve shqiptarë. Prirja negative në këtë rast është edhe më shqetësuese, pasi fatkeqësisht një fenomen i tillë po perceptohet me të drejtë në rritje këto vitet e fundit.
Veç kësaj, ky tregues shpreh nevojën dhe domosdoshmërinë e implementimit sa më parë të reformës në drejtësi, përfshirë institucionet e reja kundër korrupsionit. Ashtu siç vëren dhe Transparency International, një nga shkaqet e mundshme të këtij përkeqësimi është ngërçi politik në vend prej afër dy vite, i cili gjykoj se ka çuar në dobësimin e luftës kundër korrupsionit. Meqenëse, përgjithësisht perceptimi i korrupsionit, i cili shërben edhe në klasifikimin për luftën ndaj tij, është kontakti i qytetarëve në marrjen e shërbimeve në kohë dhe cilësore dhe në radhë të parë atyre që kanë të bëjnë me drejtësinë, përkeqësimit të këtij treguesi mendoj se i ka shërbyer edhe vonesa në krijimin e strukturave kyçë të reformës në drejtësi, si SPAK-u dhe Byroja e Hetimit.
Veç sa më sipër, gjykoj se te përkeqësimi i indeksit të korrupsionit kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, të perceptuar në rritje nga qytetarët, si përqendrimi i pushtetit dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies; krijimi i barrierave oligopolistike në ekonomi; ngathtësia dhe paaftësia burokratike; niveli i lartë i papunësisë dhe përpjekje fiktive për ta zvogëluar atë nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës; niveli i përgjithshëm i çmimeve i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa niveli i pagave i krahasueshëm me vendet e pazhvilluara aziatike; potenciali ende i papërmbushur i shoqërisë civile etj.
Të gjitha këtyre shkaqeve u duhet shtuar edhe fakti i krijimit të klimës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të inkriminuar në praktika mashtruese dhe korruptive. Dënimet penale të parashikuara në legjislacionin tonë për korrupsionin nga zyrtarët publikë janë të përgjithshme dhe krijojnë hapësira për shmangie. Pikërisht për të eliminuar këto hapësira, ne si KLSH prej më se 7 vitesh i kemi propozuar qeverisë dhe Kuvendit të kalojnë ligjin “Mbi përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të lartë dhe të mesëm publikë”, i cili do të intensifikonte më tej luftën ndaj korrupsionit. Thënë ndryshe “do të vendoste pikat mbi ‘i’”.
Duhet theksuar se sfidat për realizimin e proceseve integruese dhe angazhimeve të Agjendës së vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (në këtë proces ne si Shqipëri jemi shumë mbrapa), kërkojnë bashkëpunim efektiv të të gjithë aktorëve dhe faktorëve kryesore në vend, me objektiv zhvillimin e qëndrueshëm të vendit përmes mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe sinergjizimit të politikave dhe aksioneve kombëtare.
Si mendoni, përse kanë dështuar strategjitë e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe nuk janë implementuar as këshillat e organizmave ndërkombëtarë?
Në këndvështrimin tim, shkaku kryesor është cektësia dhe sipërfaqshmëria e institucioneve tona në trajtimin e luftës kundër korrupsionit. Kultura jonë në marrëdhënie me ligjin është një kulturë sloganesh, ku ligjet janë të mira në letër, por zbatimi i tyre reduktohet eksponencialisht, sa më lart të ngjitesh në piramidën shtetërore.
Aleatet tanë strategjikë, SHBA dhe Komisioni Evropian, për Shqipërinë, pothuajse në mënyrë të vazhdueshme kanë theksuar se korrupsioni është i përhapur dhe nevojiten më shumë përpjekje për të bërë përparim, me qëllim krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet.
KLSH, gjatë punës së vet, ka pasur dhe ka gjithnjë në vëmendje thellimin e transparencës, llogaridhënies dhe luftës ndaj korrupsionit, duke adresuar specifikisht dimensione të këtyre çështjeve, siç ishte rasti i auditimit të performancës mbi zbatimin e “Strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”. Auditimi ka arritur në konkluzionin se kjo strategji dhe plani i saj i veprimit janë krijuar për të qenë në linjë me një nga 5 rekomandimet e BE-së dhe rezultati final i tyre duhet të reduktonte ndjeshëm korrupsionin në vend, me anë të përfshirjes së të gjitha palëve të interesit. Auditimi gjeti se institucionet e përfshira në hartimin, implementimin dhe monitorimin e Strategjise ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe të planit të saj të veprimit nuk kanë zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një strategji të pazbatuar, të pa-monitoruar dhe rrjedhimisht të pa-raportuar për arritjet dhe mosarritjet.
Nga ana tjetër, edhe pse shoqërisë civile i janë lëvruar fonde nga buxheti i shtetit lidhur me çështjen antikorrupsion dhe specifikisht për këtë Strategji, roli i saj është pothuaj inekzistent. Ajo rezulton të mos jetë e përfshirë në procesin e hartimit të SNKK-së dhe atë të luftimit të këtij fenomeni dhe për rrjedhojë, nuk ka kontribuar si vlerë e shtuar e kësaj Strategjie. KLSH ka rekomanduar krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion, e cila të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për ri-hartimin, ri-zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një ligji të posaçëm.
Cilët janë sektorët më të prekur nga korrupsioni në vendin tonë?
Meqenëse korrupsioni nga pjesa më e madhe e qytetarëve perceptohet si devijim nga detyra, ligji, rregulli ose normat etike të zyrtarit apo institucionit publik në favor të përfituesit të kësaj sjelljeje, i cili është ndikuar nga një shpërblim, premtim, trajtim preferencial, i ofruar, i dhënë, i kërkuar apo i pranuar, me pasojë dëmtimin e interesave publike në kurriz të interesave të individëve apo trajtimin preferencial të një grupi individësh të caktuar, është më se e kuptueshme që në radhë të parë të jetë sektori i administratës publike. Në këtë kuadër, KLSH në përmbushje të misionit të saj është përpjekur vazhdimisht që t’i shërbejë qytetarit shqiptar, të jetë “agjent” i Kuvendit dhe palëve të interesit, duke i informuar në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në përdorimin e kontributit të taksapaguesve shqiptarë e duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet luftës kundër korrupsionit. Kështu, në periudhën 2018-2019, KLSH ka depozituar pranë prokurorive 70 kallëzime dhe indicie penale. Në këto kallëzime dhe indicie penale të hartuara nga KLSH-ja, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 147 persona titullarë institucionesh, nëpunës të nivelit drejtues të tjerë, 4 subjekte private dhe nëpunës të tjerë. Veprat kryesore penale për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por nuk mungojnë edhe akuza për “Falsifikim dokumentesh”. Veç këtyre, janë rekomanduar 861 masa disiplinore prej “Largim nga puna” dhe deri në “Vërejtje”, si për drejtues ashtu edhe për zyrtarë ekzekutiv.
Ambienti dhe niveli i zhvillimit në sektorin publik në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në menaxhimin e financave publike vijon të shfaqë në mënyrë të dukshme riskun e mashtrimit dhe korrupsionit. Referuar aktivitetit auditues në periudhën 2018-2019, niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive apo me efekte negative në buxhetin e shtetit, vazhdon të mbetet i lartë. Në total, për këtë periudhë të 2 viteve të fundit janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 363 miliardë lekë ose afërsisht 2,9 miliardë euro:
– Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 51.4 miliardë lekë;
– Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 311.6 miliardë lekë, nga të cilat mbi 60% në fushën e të ardhurave dhe pjesa e tjetër në atë të shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.
KLSH ka evidentuar problematika të shumta në procedurat e prokurimit, që nga llojet e procedurave me tendencë drejt atyre me negocim të drejtpërdrejtë, përcaktimin e kritereve të veçanta për kualifikim dhe specifikimeve teknike të ekzagjeruara jo në raport me objektin e kontratës, të vepruarit e zyrtarëve të prokurimit me dy standarde etj., duke sjellë për pasojë mungesën e konkurrencës së nevojshme për të arritur rezultate të dëshirueshme në menaxhimin me eficiencë të përdorimit të fondeve publike. Mjafton të cilësojmë se në periudhën 2018-2019, nga auditimet ka rezultuar dëm ekonomik në fushën e prokurimeve 2.8 miliardë lekë dhe mungesë efektiviteti të këtij fondi për vlerën prej 55.1 miliardë lekësh (Kujtojmë këtu se për një pjesë të konsiderueshme të prokurimeve me prokurim direkt ose me një ofertues, nuk është metodologjikisht dhe praktikisht e mundur të përcaktohet dëmi ekonomik.). Për shkeljet e konstatuara në zbatim të nenit 13 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, vetëm në vitin 2018 dhe vetëm nga Departamenti i Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik vlerësimin e tyre dhe kjo e fundit në 21 bashki ka vendosur vendime me gjobë për 210 persona në vlerën prej 31 milionë lekë.
Edhe në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, KLSH ka evidentuar problematika të konsiderueshme, të cilat për periudhën 2018-2019 i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 27.5 miliard lekë, si dhe mungesë efektiviteti, eficiencë dhe ekonomiciteti në administrimin dhe menaxhimin e saj, duke sjellë një humbje prej mbi 280 miliardë lekë.
Gjithashtu, KLSH ka evidentuar regjistrime në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme veprime këto që kanë sjellë si pasojë lindjen e bashkëpronësisë së paligjshme, pengesa e regjistrimit të pasurive nga pamundësia e lëshimit të certifikatave të pronësisë qytetarëve kërkues me cenim të së drejtës së pronësisë, në mënyrë të panevojshme, çuarjen e zgjidhjes së problemit në gjykata, në vend të zgjidhjes në rrugë administrative nga institucionet shtetërore; pra humbje e kohës dhe shpenzime për qytetarët pa shkak ligjor, rritjen e praktikave në proces, shteg për veprime të paligjshme korruptive mbi pasuritë e patundshme.
Dëshiroj të theksoj se një fushë me risk në rritje këto vitet e fundit janë edhe kontratat koncensionare/PPP në të tria dimensionet e zhvillimit të tyre. Autoritetet kontraktore duhet të jenë shumë të kujdesshme në planifikimin, studimin e fizibilitetit, vlerësimin financiar si edhe implementimin e tyre. Por, për këto kontrata mund të shprehemi më gjatë në një kohë të dytë. Faleminderit dhe suksese për gazetën tuaj “Fjala”, me urimin “të shërbejë për qytetarët dhe shoqërinë shqiptare si tribunë e fjalës se lirë!”