Gazeta Panorama date 22 korrik 2020
Nga Bujar leskaj
Në parathënien e librit “100 Simbolet Polake”, theksohet se “Rruga e Polonisë drejt Europës ka qenë e gjatë, me barriera dhe ka zgjatur më shumë se dhjetë shekuj. Në një moment të historisë, Polonia u fshi nga harta botërore, por kombi polak ishte i fortë dhe këmbëngulës për të rivendosur Poloninë në kufijtë e saj tradicionalë në zemër të Europës”.Zgjedhjet presidenciale në Poloni, më 12 korrik 2020, vulosën stabilitetin e këtij vendi potent, me ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Europian dhe influencë të spikatur në vendimmarrjen e strukturave të BE-së. Presidenti Andrzej Duda, një figurë mbartëse e traditave të shpirtit polak, si krenaria kombëtare, integriteti dhe ndershmëria, fitoi një mandat të dytë 5-vjeçar, pas një gare të ngushtë, në balotazh me Kryetarin e Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski.Andrzej Duda, kandidati i partisë së krahut të djathtë, “Ligj dhe Drejtësi”, e cila qeveris Poloninë, mori 51.03% të votave, kundrejt 48.97% të fituara nga sfiduesi i tij, i mbështetur nga Koalicioni Qytetar, një parti e qendrës së djathtë.Polakët iu përgjigjën si asnjëherë tjetër thirrjes për të shkuar në kutitë e votimit gjatë balotazhit, edhe pse në kohë të pandemisë. Pjesëmarrja në votime ishte 68 për qind, më e larta e regjistruar ndonjëherë. Presidenti Duda, një aleat i Presidentit amerikan Trump, është i pari që ka marrë më shumë se 10 milionë vota që nga viti 1990, kur laureati i çmimit “Nobel” për Paqen, Lech Walesa, u bë Presidenti i parë i vendit, i zgjedhur në mënyrë demokratike.Në nivel të politikës europiane në Parlamentin Europian, kjo garë e fituar, pas asaj të vitit 2015, u jep më shumë zë dhe influencë deputetëve polakë të grupuar në Partinë Europiane të Konservatorëve dhe Reformistëve, duke forcuar pozicionin e qeverisë polake brenda BE-së.Sipas analizave të gazetave “Washington Post”, “New Jork Times”, “The Guardian”, si dhe rrjeteve informatike, BBC, Bloomberg, Reuters, etj., fitorja e dytë e Dudës do të fuqizojë vizionin konservator të Polonisë. Sfidat polake në nivel të politikës komunitare janë negociatat mbi fondin e rimëkëmbjes dhe planin e buxhetit shtatëvjeçar, si dhe gatishmëria e vendit për të rënë dakord me qëllimet e Programit 2050 të BE-së, lidhur me neutralitetin e karbonit (politika e përbashkët mjedisore)Në planin e brendshëm, me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2023 dhe me Presidentin Duda në detyrë deri në vitin 2025, Jaros³aw Kaczyñski, udhëheqësi i partisë “Ligj dhe Drejtësi”, pritet të realizojë përfundimisht vizionin e tij për Poloninë si një vend konservator, katolik, me një theks të fortë social dhe me fondet buxhetore në ndihmë të zonave të pazhvilluara si duhet dhe të qytetarëve më në nevojë. Partia Ligj dhe Drejtësi do të bëjë çdo përpjekje për të rifituar shumicën në Senat (dhoma e sipërme e Parlamentit Polak), i cili luan një rol kryesor në ndjekjen e shpejtë të legjislacionit. Që nga tetori 2019, Senati është një bastion i brishtë i opozitës, i cili vetëm vonon ligjet më të diskutueshme të qeverisë.Në planin e aleancave me jashtë, politika e sigurisë e Polonisë do të vazhdojë të përqendrohet në forcimin e partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Andrzej Duda ishte personaliteti i parë i huaj që u prit nga Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 24 qershor 2020, pas shkurtit të këtij viti, kur vizitat ndërkombëtare u pezulluan nga pandemia. Sfida më e fortë për Dudën dhe partinë në pushtet “Ligj dhe Drejtësi” vjen nga kriza globale ekonomike, e shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Sipas analistëve të huaj, kjo sfidë do të shënojë mandatin e dytë të Dudës, duke i dhënë fund periudhës së të qenit në fushatë të përhershme zgjedhore dhe duke vendosur theks më të madh në themelet e trashëgimisë së tij politike, që është mirëqenia dhe trajtimi shtetëror me përparësi i shtresave me të ardhura modeste dhe të pakta.Në fjalimin e tij të fitores, të hënën më 13 korrik, Duda synoi të ulte tonet e fushatës zgjedhore, duke e ftuar Kryetarin e Bashkisë së Varshavës, Rafal Trzaskowski, rivalin e tij, në një takim në pallatin presidencial. “Le të flasim me njëri-tjetrin dhe të mos ofendojmë të tjerët. Të shohim me respekt polakun tjetër, i cili ka dinjitet dhe mendimi i të cilit duhet të respektohet”, u shpreh Presidenti. “Nëse dikush ndihet i fyer nga veprimet e mia, ju lutem pranoni faljen time”, përfundoi ai. Veprimet e Presidentit Duda në politikë kanë sjellë gjithnjë një atmosferë shtensionimi dhe konstruktiviteti.DUDA- PASARDHËS I LEH VALESA DHE LEH KAÇINSKI.Kush është Andrzej Duda? Ai u lind në 16 maj 1972 në Krakov, bir pedagogësh të Universitetit të Shkencës dhe Teknologjisë AGH. Në vitet 1987-1991, Duda ndoqi Shkollën e Mesme “Jan Sobieski III” në Krakov, ku shkëlqeu në shkencat humane. Më pas, ai studioi drejtësi në universitetin e njohur polak Jagiellonian, ndër më të vjetrit dhe me emër në Europë. Në tetor 2001, mori gradën Master në Drejtësi dhe u emërua asistent i kërkimit shkencor në Departamentin e së Drejtës Administrative të Fakultetit të Drejtësisë dhe Administrimit të Universitetit Jagiellonian. Në janar 2005, fitoi titullin Doktor i Drejtësisë (LL.D.) në Universitetin Jagiellonian.Në vitin 2002, Andrzej Duda hapi studion e tij ligjore dhe u bë ekspert ligjor i Partisë Ligj dhe Drejtësi. Në karrierën politike, Duda u frymëzua nga idealet demokratike të Leh Vales-ës, udhëheqësit të Lëvizjes Solidarnos, që solli pranverën evropiane të vendeve të Europës Lindore. Me fitoren nga Partia Ligj dhe Drejtësi të zgjedhjeve parlamentare në shtator 2005, Duda merr postin e zëvendësministrit të Drejtësisë dhe pastaj bëhet ndihmës i Presidentit Lech Kaçinski, ideatorit të integrimit polak në BE dhe, disa vite më parë, reformatorit të Zyrës Shtetërore të Auditimit të Polonisë (NIK). Ishte një karrierë e spikatur dhe premtuese politike nën drejtimin e Kaçinskit dhe e frymëzuar nga personaliteti i këtij reformatori të madh.Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, Duda mori 79.981 vota për zonën e Krakovit dhe u zgjodh deputet, anëtar i Sejm-it (Dhomës së Ulët të Parlamentit polak). Në shtator 2013, revista e njohur polake, “Polityka”, e cilësonte Dudën një nga anëtarët më aktivë të Parlamentit, duke e përshkruar atë si të hapur ndaj argumenteve të opozitës dhe që nuk përdorte sulme personale në ligjëratën e tij politike. Andrzej Duda mbeti anëtar i Sejm-it derisa u zgjodh deputet në Parlamentin Evropian në vitin 2014.Në fund të vitit 2014, vëllai binjak i ishPresidentit Leh Kaçinski, Jaroslav Kaçinski, Kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, lider i së djathtës dhe personaliteti më i spikatur në jetën politike polake në këto vitet e fundit, propozoi Andrzej Dudën si kandidatin presidencial për partinë e tij. Partia Ligj dhe Drejtësi, e cila ka qenë partia më e fuqishme e opozitës në Poloni që nga viti 2007, u themelua nga vëllezërit Kaczynski në vitin 2001. Partia e pozicionoi veten si mbrojtëse e Polonisë dhe përfaqësuese e qytetarit të thjeshtë polak, në luftën kundër klaneve dhe ndikimit të kompanive të mëdha, si mbrojtëse e vlerave të krishtera demokratike, të tilla si ndershmëria, dashuria për vendin, por edhe internacionalizmi. Partia qëndron fort për “tri shtyllat e shoqërisë së shëndetshme” – familja, vendet e punës dhe siguria. Ato janë pikërisht edhe vlerat, mbi bazë të të cilave Duda zhvilloi të dyja fushatat e tij të suksesshme zgjedhore në korrik 2015 dhe 2020. Për qytetarin polak, sidomos fermerin dhe njeriun pak të konsideruar nga elitat polake, Duda është shtetari që përpiqet të sjellë subvencionet dhe ndihmën shtetërore më pranë familjes së thjeshtë polake.Në CV-në e Presidentit Andrzej Duda, shkruhet: “Në vitin 1984, iu bashkua bojskautëve në Krakov dhe pas disa vitesh u bë udhëheqës grupi”. Duda shpesh u referohet viteve të tij me bojskautët me krenari të dukshme. Në Poloni dhe jo vetëm në qarqet konservatore të vendit, termi “bojskaut” është i lidhur me një madhështi historike, gati mitike. Është sinonim i karakteristikave të tilla si patriotizmi, ndershmëria dhe vetëflijimi. Shumë bojskautë ishin ende fëmijë kur luftuan dhe dhanë jetën gjatë Kryengritjes së Varshavës në vitin 1944 kundër pushtuesve naziste – një moment përcaktues për patriotizmin polak. Aurora e heroizmit jeton edhe sot në këtë vend të madh europian, ku krenaria për historinë kombëtare dhe patriotizmi janë ndjenja të ditës dhe jo zakone të perënduara. Për Andrzej Dudën, këto vlera ishin kuajt e tij të betejës politike dhe fitoreve në garat presidenciale në korrik 2015 dhe 2020. Votuesit donin një patriot që të kujdesej për ta dhe e gjetën dhe rigjetën këtë figurë te Duda.Garancia e vetme e Presidentit Duda është imazhi i tij si një njeri që e mban fjalën. Ai nuk ngurron që, në emër të idealeve dhe vizionit të tij, të mbështesë ide që sjellin edhe bjerrje votash, si qëndrimin kundër ndaj martesave të të njëjtit seks të komunitetit LGBT.“Fjala ime është gjithçka”, deklaronte ai, ndërsa mbyllte fushatën e tij në mandatin e parë presidencial 2015-2020. Duda premtoi çerdhe falas për fëmijët e familjeve me të ardhura modeste dhe e mbajti. Ai premtoi dhe mbajti gjithashtu heqjen e tarifave për programet e radios dhe televizionit publik. Në planin e integrimit ekonomik në Europën e Bashkuar, Duda deklaroi se euro do të bëhet monedha e vendit “…vetëm kur të gjithë polakët do të fitojnë po aq sa njerëzit në Perëndim”.I përkushtuar ndaj prosperitetit ekonomik, kulturor dhe shpirtëror të popullit të tij, Presidenti Andrzej Duda është udhëheqës europian dhe shmang me kujdes çdo sulm të drejtpërdrejtë në BE. Ai nuk ka asgjë kundër bashkimit, për sa kohë që ky bashkim nuk dëmton interesat kombëtare të Polonisë.Presidenti polak dhe ShqipëriaSiç cilësohet dhe në parathënien e librit “100 Simbolet Polake”, “Që nga anëtarësimi në Bashkimin Europian, Polonia ka qenë një partner i denjë dhe i qenësishëm. Vendi i përmbahet motos së Bashkimit Europian “In varietate concordia (nga latinishtja, “unitet në diversitet”, ose “bashkim në shumëllojshmëri”) dhe ndërkohë arrin të ruajë karakteristikat e tij të veçanta, sharmin e tij të shkëlqyer, ndoshta shumë të vështirë për t’u arritur në ditët e sotme nga kombe të tjera të kontinentit të vjetër”.Fitorja e 12 korrikut 2020 e Presidentit polak Andrzej Duda ka rëndësi edhe për Shqipërinë. Duda është një përkrahës i palëkundur i procesit të integrimit të vendit tonë. Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Brijunit në maj 2019, fill pas zgjedhjeve për anëtarët e Parlamentit të Bashkimit Europian, Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Europën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”, u shpreh ai.Në samitin në Poznan të Polonisë lidhur me Procesin e Berlinit, zhvilluar në korrik 2019, mbështetja e Presidentit dhe qeverisë polake ndaj integrimit të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor ishte e plotë. Duhet theksuar se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian është mbështetur si nga qeveria, edhe nga opozita polake. Mjafton të përmendim Donald Franciszek Tusk, ish-drejtues i Partisë Platforma Civile dhe ish-Kryeministër në Poloni, si dhe President i Këshillit të Evropës në vitet 2014-2019, Krzysztof Kwiatovski, ishPresident i Zyrës Shtetërore të Auditimit (NIK), sot anëtar i Senatit të parlamentit polak, i cili me disa përfaqësues të partisë së tij ka rolin e “king maker” në Senat, si dhe drejtues të lartë të institucioneve kushtetuese polake, Jacek Jezierski, ish-President i NIK dhe Wojciech Kutyla, ishzv.President i NIK, miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve.Polonia, shtylla kryesore e NATO-s në Europën Lindore, në të gjitha marrëveshjet për pranimin e vendit tonë në strukturat euroatlantike, të cilat kanë pasur nevojë për ratifikim nga parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, ka qenë gjithmonë në grupin e parë të vendeve që i ka ratifikuar. Prej gati më shumë se dy dekadash, personalitete të këtij shteti mik kanë lobuar për Shqipërinë pranë strukturave të Bashkimit Europian. Ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë edhe mbështetjen e vendeve të tjera të Nismës dhe Grupit të Vishegradit (ku Polonia është lider), si Republika Çeke dhe Sllovakia në radhë të parë, si dhe të vendeve të tjera të BE-së.Sot, Polonia vijon të jetë një përkrahëse e zellshme e zgjerimit të Bashkimit Europian, një “vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Europës së bashkuar”, sikurse shprehet Duda. Për të, politika është një shërbim për njerëzit në vendin e tij. Jo vetëm përkrahësit, por edhe shumë qytetarë të paangazhuar politikisht në Poloni e përtej saj, e shohin Dudën si konfirmim të vlerave të familjes dhe kombit polak.