Lufta e Vlorës ose shpallja e dytë e Pavarësisë

Nga Bujar Leskaj, Vlore me 3 shtator 2020
Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) është një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keq-armatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane. Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencen e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte.Katër janë kulmet e historise së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora,  Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe  Lufta e Vlorës (1920). Kjo e fundit përbën vulën e përgatitur me pushkët me gjalmë të këtyre katër mijë luftëtarëve dhe me gjakun e qindra martirëve të rënë në fushën e betejës, në emër të vullnetit të pathyeshëm të popullit shqiptar për të qenë i pavarur në truallin e tij. Lufta e Vlorës po ashtu përbën kurorëzimin në terren të vendimeve të Kongresit të Lushnjës të 28-31 janarit 1920, për të unifikuar dhe qeverisur vendin. Ajo garantoi mëvetësine e shtetit me gjuhën më të kuptueshme për kohën, atë të rezistencës së armatosur. Së bashku me vendimet e Kongresit të Lushnjes dhe qeverinë që doli nga aktet e tij, Lufta e Vlorës vlerësohet me të drejtë jo vetëm nga historianët shqiptarë, por edhe ata të huaj, si shpallja e dytë dhe përfundimtare e pavarësisë së Shqipërisë. Politikani, burri i shtetit, filozofi, shkrimtari dhe publicisti Mid’had Frasheri, në një krahasim mes dy “shpalljeve”te Pavaresise, e ka cilesuar si me poshte ne persiatjet e tij: “Një mijë e nëntëqind e dymbëdhjeta mund të bëhej edhe gjetkë, në vend që të bëhej në Vlorë, në çdo qytet tjetër, në të parin fshat, edhe në të fundit. Po një mijë e nëntëqind e njëzeta nuk mund të bëhej veçse në Vlorë, në këtë baltë, prej këtyre njerëzve.Dymbëdhjeta hodhi një flakë, se materializoi dëshirën dhe idealin e një kombi, mbaroi një ide, i dha formë mendjes. Njëzeta i dha gjallim lëndës, e bëri me shpirt formën, e mbërtheu në zemra dhe në mendje”. Ago Agaj, historiani i parë dhe më i rëndësishëm i Luftës së Vlorës, prej veprës së të cilit janë bazuar dhe frymëzuar historianët e tjerë, e cilësonte si “Një vepër të pashoqe që pas vdekjes të Skënderbeut e tëhu, me atë akt heroizmi e vetmohimi në vitin 1920, që mori më vonë emrin: Lufta e Vlorës. Autorët dhe aktorët e kësaj vepre madhështore si dhe vepra vetë u harruan. S`u zu në gojë sikur të mos kishin jetuar e vepruar kurrë, sikur të mos kishin derdhur aq mundim, gjak e lot, për të ngrehur themelet e pavarësisë dhe lirisë së dytë të atdheut tonë, se atë të parën e zuri nën vetë Lufta e Parë Botërore dhe lakmitë e fqinjëve tanë të mëdhenj e të vegjël… Tri herë në jetën time e kam ndier veten krenar që jam i vlonjat: Për shpalljen e pavarësisë, Për Luftën e Vlorës dhe më shumë për mirë pritjen e muhaxhirëve të cilën s`e kam parë më ngjetkë në të gjitha fatkeqësitë që i ranë më vonë kombit tonë përsipër”. Prof. Dr. Muin Çami e përkufizon rëndësinë e kësaj lufte me këto fjalë: “Vendimet e Kongresit të Lushnjës për të mbrojtur me çdo kusht pavarësinë dhe tërësinë territoriale të vendit, i vuri në jetë Lufta e armatosur e Vlorës… Me fitoren e Luftës së Vlorës, populli shqiptar shpëtoi vëndin nga një fund tepër tragjik, nga coptimi i tretë i trojeve shqiptare… E drejta e kësaj krenarie i takon në radhë të parë popullit të Vlorës dhe të krahinës… Faktori i brëndshëm luajti rolin vendimtar në rifitimin e pavarësisë të shtetit shqiptar dhe të mbrojtjes të integritetit të tij territorial” . Prof. Dr. Bardhosh Gaçe ka cilësuar se : “Në atë luftë ishin dy ushtri, të vëna përballë njera tjetrës në vijën e frontit, ku njera sheh vendin e mbrojtjes sterenë, tjetra ikën për t`u fshehur nëpër det. Mbi të gjitha populli përballë ushtrisë së huaj vë epërsinë e moralit të tij të madh. Kështu, dalëngadalë “të zot e vatanit”, duan të vdesin “për dheun e shenjtë”.Lufta e Vlorës ose kjo shpallje e dytë e pavarësisë bëri të mundur që më 17 dhjetor 1920, Lidhja e Kombeve ta njihte Shqipërinë me kufijtë që ka sot.Shmangja e coptimit të tretë të Shqipërisë.Konferenca e Paqes pas Luftës së Parë Botërore filloi në janar 1919 në Paris. Në vijim të punimeve të saj(zgjati një vit), Italia dhe Greqia, vende fituese të luftës, nënshkruan marrëveshjen Tittoni – Venizelos (sipas mbiemrave të ministrit të jashtëm italian Tommaso Tittoni dhe Kryeministrit grek Eleftherios Veniselos) më 29 korrik 1919. Në bazë të kësaj marrëveshje, Italia do të mbështeste në Konferencën e Paqes Greqinë, për të aneksuar Korçën e Gjirokastrën, ndërsa Greqia do të përkrahte aneksimin e Vlorës dhe mandatin mbi pjesën e mbetur të shtetit shqiptar.Nëse do të realizoheshin marrëveshja e fshehtë e Londrës e vitit 2015 dhe marrëveshja Tittoni-Venizelos katër vite më vonë, në fillim të vitit 1920 Shqipëria do të rezultonte praktikisht e coptuar ndërmjet fqinjëve. Kjo do të përbënte coptimin dhe asgjësimin e tretë historik të vendit, pas të parit ndodhur me vdekjen e Skënderbeut dhe të dytit gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore. Sipas fjalëve të imzot Fan Nolit, “Në janar 1920, një erë zije dhe dëshpërimi kish rënë në të gjithë anët e vëndit tonë… Projektet e coptimit të Shqipërisë, redaktuar prej Aliatëve, ishin njohur dhe pritej vetëm një firmë që të bëhej një fakt definitiv. Firma që mungonte ishte ajo e Presidentit Uillson, firmë që nuk u vu në atë projekt aq të padrejtë…”.“Sparta”dhe “Termopilet” shqiptare.Sipas patriotit Halim Xhelo, ndër organizatorët e Luftës së Vlorës, drejtues i gazetave “Politika” dhe “Liria Kombëtare” në Paris,“Në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopilë, Shqipëria e re ka një Labëri e Qafat e Koçiut” . Politikani i shquar Hasan Dosti cilësonte se:”Ishte me të vërtetë fat i madh i Shqipërisë që politika e krahinës së Vlorës, e cila nga një rrjedhim ndërhyrje rrethanash të lumtura mori format e politikës të të gjithë kombit, në kohën më dramatike, ndodhi të drejtohej prej burrave të paisur me shumë zgjim, me virtytet civile më të mira, me shpirt therorie shembullore, e jo prej intelektualëve politikanë e diplomatë të profesionit të karierës. Pra sjellja bujare dhe vullneti i zjarrtë që kanë treguar në ato rrethana të vështira, ata bij të popullit, më bënë të mbaj aq lartë respektin ndaj tyre, sa mbaj lartë adhurimin e therorisë së atyre që kanë rënë në fushën e nderit ” Ndërsa At Shtjefën Gjeçovi, i ngarkuar nga Këshilli Kombëtar për të shkruar historinë e luftës, do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar”.Jehona e luftës heroike të shqiptarëve u ndje në Evropë dhe më tej. Studjuesi i njohur italian Rino di Stefano në broshurën e tij “Sa e hidhur është Shqipëria (Com’e amara l’Albania)-Fashikujt e Komisionit hetimor për ndërhyrjen në Shqipëri 1914-1921”, shkruan se “Qëndrime pro popullit shqiptar dhe Vlorës pati në Parlamentin italian. Fitoret e luftëtarëve të Vlorës e tronditën qeverinë italiane” .Sipas Mehdi Frashërit, kryeministër i Shqipërisë në vitet 1935-1936: “Lufta e Vlorës kundër italianëve u prit me entuziazëm në gjithë anët e Shqipërisë. .. Lufta e Vlorës filloi me suksese të mëdha, sa bëri bujë në gjithë Europën… Italianët e kuptuan gabimin e madh që kishin bërë në çështjen shqiptare… Sipas shtypit të Europës mendimi i përgjithshëm i botës së qytetëruar ishte kthyer në favor të shqiptarëve… Nga errësira e zezë ku ndodhej çështja shqiptare, filloi të agonte një ditë e shkëlqyeshme. .. Shtypi i Europës unanimisht këtë e konsiderojë si një sukses të madh të shqiptarëve, që u treguan të denjë për një pavarësi të plotë”.Dhe vërtet, sipas dëshmive të shtypit italian të kohës , në jo pak raste gazetat përparimtare të Italisë hodhën thirrjet: “Nuk duam udhëtime ushtarake në Shqipëri!”, “Ne kërkojmë largimin e trupave italiane nga Shqipëria dhe njohjen e të drejtës së popullit shqiptar!”.Mbështetje të madhe lufta e Vlorës mori nga gazetat dhe opinioni publik në Belgjikë, Francë, Amerikë, Zvicër, Jugosllavi, Greqi, Rumani, Bullgari, Spanjë, Gjermani, Egjypt e deri në Japoni. Gazeta franceze “La Démocratie Nouvelle” në qershor 1920 e quante popullin shqiptar të panënshtruar,  ndërsa gazeta tjetër franceze  “La Tribune Républicaine” më 24 qershor 1920, shkruan se ngjarjet në Vlorë e kanë nxjerrë popullin shqiptarë në rendin e ditës për preokupimet evropiane. Lufta e Vlorës në jo pak vende evropiane shkaktoi ballafaqime të forta mes qeverive, opozitave dhe sindikatave. Ajo fitoi një dimension dhe solidaritet ndërkombëtar, me mbështetje të gjerë evropiane. Dua ta mbyll këtë shkrim me poetin tonë të madh Ali Asllanin,  i cili ngjarjet e epopesë së Luftës së Vlorës i përjetoi si kurrë ndonjë ngjarje tjetër. Ato do të qenë ditë e net plot emocione të papërsëritshme, të cilat poeti do t’i përndjente gati si në jerm. Ishte kjo atmosferë e ndezur, që e bëri të shkruante marshin “Vlora, Vlora, bjeri më t’u lumtë dora”, të cilin vërtet ia kërkoi shoqata patriotike “Përlindja e Shqipërisë” për himn të saj, por, në fakt, fjalët i zienin prej kohësh brenda gjoksit të poetit, me vargjet e paharruara:

“Vlora trime shqipëtare
si rob jetën se do fare,
a do mbetet Shqipëri,
a do bëhet tym e hi!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
rroki armët, bëja forra!
Jam vlonjat e jam burrë,
sduron burri zgjedhë kurrë,
jam vlonjat e si vlonjat
di bëj luftë me të shtat!
Vlora, Vlora, Vlora, Vlora,
Bjeri, moj, tu lumtë dora!
Jam vlonjat dhe trim me besë,
rreth flamurit di të vdesë,
a me hir a me pahirë
doemos do rroj i lirë!”

Ky marsh, me muzikë të kompozitorit Thoma Nashi u luajt në Mitingun e Fitores në Vlorë në shtator 1920 nga Banda e “Vatrës”, e ardhur nga SHBA-te dhe që shërbeu si banda e ushtrisë së Luftës së Vlorës. Ishte Ali Asllani që si Krye-katundar (kryetar i Bashkisë) i Vlorës mbajti një fjalim përshëndetës, që ka mbetur i paharruar në kronikën e kohës.
xx
Në 100 vjetorin e saj, Lufta e Vlorës, kjo perlë e krenarisë kombëtare dhe gur themeli i ruajtjes së integritetit të shtetit shqiptar pas Shpalljes së Pavarësisë, krahas vlerësimit të organizatorëve, luftëtareve të saj dhe kontributit që ajo dha për shtetin e ri shqiptar, duhet të na shërbejë për të parë qartë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë, duke rritur përgjegjshmërinë jo vetëm të forcave politike, por edhe të mbarë opinionit shoqëror të vendit. Dhe këtë shërbim Lufta e Vlorës mund të na kryejë më mirë, nëse 3 shtatori, dita e përfundimit triumfues të saj, shpallet Festë Kombëtare.