Portret i paautorizuar nga Vilson Haxhiraj, botuar në gazetën Sot, më datë 22.12.2020.
Bujar Leskaj, tashmë, është figurë e njohur publike, si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, ministër në kabinetin Berisha dhe kryetar i KLSH. Postet publike i kanë dhënë mundësi, si çdo politikani tjetër, të testojë botërisht vlerat dhe aftësitë profesionale, talentin organizativ dhe formatin si shtetar. Karriera politike e pedagogut ë Fakultetit Ekonomik të UT, Bujar Leskaj, nis në v. 2005, kur si kandidat i PD në qytetin e Vlorës, garoi në një zonë bastion të PS, përballë kandidatit më të fortë të saj, fitorja e të cilit llogaritej, thjesht, çështje procedurash. Me një fushatë plot vrull, me risi në komunikim dhe organizim, Leskaj fitoi me një diferencë, që nuk linte rrugë për ankimim, duke provuar, se personaliteti dhe aftësitë menaxhuese të kandidatit, kanë përparës ndaj simpative politike të zgjedhësve. Në skenën politike shqiptare po hynte një figurë, që do të linte gjurmë në jetën publike. Më shumë se gjysmën e veprimtarisë shtetërore, z. Leskaj e ka ushtruar si drejtues i institucionit Kushtetues të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Sentenca e njohur, “Institucioni ka fytyrën e titullarit” gjen ilustrim perfekt, në figurën e z. Leskaj në krye të KLSH. Përmes një strategjie bazuar në ide progresive, ai do të transformonte rrënjësisht, bazën ligjore të funksionimit të institucionit, cilësinë dhe rentabilitetin e punës, me synim të fundit, qasjen e veprimtarisë së KLSH, në përputhje me standardet profesionale ndërkombëtare të auditimit bashkëkohor.
Një projektligj drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, hapi i parë në këtë rrugë të re, synonte të barazonte kompetencat e KLSH me të homologëve të BE, në raport të drejtë me detyrimet ligjore të institucionit, si “gardian” kryesor në ruajtje të financave publike, pronës publike dhe shtetërore. Miratimi i tij do të ishte një përballje e ashpër me maxhorancën socialiste në Kuvend. Do duheshin dy vite kohë, presioni me dorëheqje i z. Leskaj dhe ndërhyrja e BE, që kushtëzoi dhënien e 640 milionë eurove, ndihmë për qeverinë shqiptare, me plotësimin e kërkesës së z. Leskaj, që projekti të miratohej. Më shumë se fitore personale, miratimi i ligjit përbënte sukses publik të dyfishtë. Veç qëllimit për të cilin u kërkua, Ligji Nr. 154/2014, dt. 19.02.2015, plotësonte edhe një prej kushteve të vendosura nga Brukseli, për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Europës. Marrëveshjet bilaterale me simotrat e KLSH në Europë, me klauzola dukshëm në dobi të palës shqiptare, mundësuan kualifikimet e vazhdueshme të të gjithë stafit të audituesve të KLSH në këto shtete, me standardet që zbatoheshin në BE. Ato u shoqëruan edhe me pajisjen e KLSH me teknologji informacioni të lartë. Ngritja e Bordit të Botimeve dhe botimi i revistës shkencore “Auditimi Publik”, organ i KLSH, ishte një tjetër risi konstruktive në jetën 87-vjeçare të KLSH. Një vit pas botimit revista u njoh zyrtarisht nga MASH, si “Revistë Shkencore”. Pjesëmarrja me shkrime e kontabilistëve dhe financierëve më të mirë të vendit, rajonit dhe më gjerë, rritën reputacionin dhe cilësinë e revistës dhe i dhanë një dimension ndërkombëtar. Përmes revistës KLSH ka marrë pjesë rregullisht në Panairin e Librit, me më shumë se 100 tituj shkencorë, disa prej të cilave, kanë autorësinë e titullarit, Leskaj. Këto transformime thellësisht pozitive, shoqëruar me matjen rigoroze të performancës individuale të anëtarëve dhe të stafit, çuan natyrshëm, në rritjen e cilësisë dhe efektivitet të punës.
Tregues i sintetizuar i performancës së re të KLSH, është denoncimi pranë organit të Prokurorisë, i shpërdorimit të vlerës 2, 6 miliardë euro të fondeve publike, prej administrate shtetërore. Në mbarim të mandatit, z. Leskaj e kishte transformuar institucionin e KLSH, në “Akademi të Financës dhe Auditit” dhe kishte formuar një ekip audituesish të klasit të lartë. Ai linte pas një trashëgimi shkencore institucionale të vyer dhe reputacionin e merituar, të “Njeriut të Punëve të Mëdha”. Në zgjedhjet presidenciale të v. 1981, në Francë, në garën mes kandidatëve, Fransua Miteran dhe Zhiskar Desten, fjalori politik do të njihte dhe pranonte shprehjen, “njeri i letrave”. Autorja, shkrimtarja nobeliste, Fransuaz Sagan, do të deklaronte mbështetjen për kandidatin socialist, Miteran, me arsyetimin se “Ai është publicist, eseist, historian, studiues i artit dhe filozof, është njeri i letrave”. Vlerësimi “njeri i letrave” u bë sinonim i intelektualit të kulturuar, krijues dhe pjesmarrës aktiv në jetën publike, por dhe një ndër standartet, që shoqëria franceze kërkonte nga një burrë shteti. Është lehtë të konstatosh në realitetin politik shqiptar, që deputetët tanë më të mirë, kanë qenë “njerëz të letrave”. Preç Zogaj, Besnik Mustafaj, Ben Blushi, Namik Dokle, Teodor Keko, Selami Xhepa dhe fare pakë të tjerë, (për fat të keq) shumica të përjashtuar nga partitë e tyre, kanë shënjuar historinë e re të parlamentarizmit shqiptar. Bujar Leskaj bën pjesë natyrshëm në “racën e njeriut të letrave”. Ambicia e madhe pozitive e z. Leskaj, ka qenë gjithmonë në dobi të interesit publik. Ajo bazohet në arsimimin serioz dhe kulturën e gjerë, fituar me vullnet dhe punë këmbëngulëse. Njohës i mirë i jurisprudencës dhe ekonomisë, me studime të thelluara në financë dhe përvojë nga bota akademike dhe politike, Leskaj ka ditur të qëndrojë gjithmonë, në lartësinë e kërkesave intelektuale të kohës. Suksesi madhor në krye të KLSH, veç talentit organizativ, kishte në themel njohjen e mirë prej tij, të “letrave të shkencës”. Por Leskaj është, ndoshta edhe më shumë, “njeri i letrave civile”. Ai është autor i librave, “Brenda dhe Jashtë Parlamentit”, “Muzat e Qëndresës”, “Deputetët e Vlorës 1912-2009”, “Mazurkat Historike të Polonisë” dhe bashkautor i “Historiku i KLSH-së 1925-2012”. Në librat e tij, skrupuloziteti dhe racionaliteti i studiuesit, ndërthuret natyrshëm me imagjinatën krijuese të shkrimtarit, duke i bërë ato, sprova të suksesshme letrare. Mbështetës dhe promovues i talenteve të rinj, z. Leskaj është njohës i thellë i letërsisë dhe arteve. Regjistrimi në UNESCO i isopolifonisë si pasuri e njerëzimit, një nga sukseset e pakta të shtetit shqiptar në këtë fushë, u arrit kur z. Leskaj drejtonte Ministrinë e Kulturës.
Publicistika, është një tjetër dimension intelektual, i personalitetit të z. Leskaj si “njeri i letrave”. Ajo është kryesisht problemore, e lidhur me funksionin e tij si titullar i KLSH. Denoncimi i koncensioneve dhe PPP, ofruar nga subjektet privatë dhe pranuar nga organet shtetërore, pa analizë të riskut, përbën thelbin e publicistikës së tij. Leskaj ka argumentuar me logjikë ekonomike, pasojat negative afatgjata të PPP-ve, për financat publike dhe ka ofruar rrugët optimale të zgjidhjes, në dobi të interesit publik. Qëndrimi i tij parimor, i prin reagimit të FMN dhe BERZH për këtë çështje delikate. Vëmendja dhe ndjeshmëria e veçantë e z. Leskaj për figurën e Ismail Qemalit, është reagim intelektual, ndaj vlerësimit të mangët, të figurës së “Flamurtarit të Atdheut”. Nga pozita e shtetarit, por dhe e qytetarit, z. Leskaj është përpjekur në mënyrë të organizuar, të plotësojë këtë boshllëk. Në vitin 2008, me cilësinë e ministrit të Kulturës, Leskaj i akordoi Muzeut Pavarësia në Vlorë, statusin “Muze Kombëtar”, shoqëruar me vendosjen e busteve të anëtarëve të Qeverisë së Ismail Qemalit, në ambientet e Muzeut. Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, në Prishtinë, u vendos shtatorja e Ismail Qemalit, ngritur me kontributin financiar të biznesmenëve vlonjatë. Shtypi i të dy vendeve e vlerësoi ngjarjen eveniment, një hap të parë serioz, drejt integrimit historik dhe kulturor mes Shqipërisë dhe Kosovës. Protagonisti i evenimentit, ishte Bujar Leskaj. Veprimtaria e Ismail Qemalit, mendësia e tij europianiste dhe zbatimi i ideve të tij në aktualitetin shqiptar, ishin motiv i formimit të “Institutit të Studimeve Politike Ismail Qemal Vlora” nga një grup studiuesish, drejtuar nga z. Leskaj. Rituali i përvitshëm i përkujtimit të vdekjes së “Atit të Kombit”, organizuar nga ky institut, shoqërohet rregullisht me veprimtari shkencore, me pjesmarrjen e studiuesve dhe historianëve të njohur të vendit. Puna e z. Leskaj si veprimtar i shquar atdhetar, studiues dhe krijues cilësor, drejtues me rentabilitet të lartë i institucioneve të shtetit, mbrojtës i interesit publik, e bëjnë personin e tij, më shumë se një bir të shquar të Vlorës, një aset të çmuar të shoqërisë shqiptare.
Shkrimi i z.Vilson Haxhiraj eshte pasqyruar dhe nga Televizioni 6+1 Vlora, të cilin mund ta ndiqni në linkun e mëposhtëm
https://www.facebook.com/911311405593362/posts/3658744104183398/