Botuar në gazetën Sot, më datë 24.12.2020.
Portret i paautorizuar.
…Fjala është për Ambasadorin e Polonisë në Tiranë, Karol Bachura (Bahura), që e mbylli misionin e tij në Shqipëri më 18 dhjetor 2020. Me më shumë se katër vite qëndrim në Shqipëri, gjurmët që ai la janë të pashlyeshme. Jo vetëm dhe thjesht në aspektin politik, pasi ajo është linjë e shtetit që përfaqëson. Dhe në këtë rol nuk ka asgjë befasuese, sepse dihet që Polonia është mbështetëse e zjarrtë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky vend mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve, është në grupin e vendeve të para që njohën pavarësinë e Kosovës. Polonia ndihmon me përvojën e Grupit të Vishegradit dhe i është gjendur pranë Shqipërisë në të gjitha fatkeqësitë natyrore, në tërmetin e 26 nëntorit 2019 dhe në rindërtim, me programe binjakëzuese për doganat, Kontrollin e Shtetit dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar. Në veçanti, për Kontrollin e Lartë të Shtetit, Bachura u kthye në një ndjekës të zellshëm dhe përkrahës të pasionuar të shkëmbimeve të dendura të njohurive të ekspertëve polakë të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK) me kolegët e tyre shqiptarë, sidomos gjatë realizimit të Projektit IPA 2013 të Binjakëzimit mes KLSH, NIK dhe Zyrës Shtetërore të Auditimit të Kroacisë në vitet 2016-2018. Janë mbi 90 misione të ekspertëve të NIK të kryera gjatë këtyre viteve dhe të ndjekura e raportuara me rigorozitet nga ambasadori Bachura. Ambasadori polak në Shqipëri ka marrë pjesë rregullisht në të gjitha aktivitetet dhe eventet e KLSH, ku përmendim Simpoziumin Shkencor kushtuar figurës së gjeniut polak të shkencës së gjeologjisë dhe kërkimeve të naftës, prof. Stanislav Zuber, përurimin e njërës nga sallat e Kontrollit të Lartë të Shtetit me emrin e ish-Presidentit polak Lech Kaczynski, njëkohësisht ish-President i NIK dhe një nga kontribuesit themelorë të modernizimit të shtetit polak dhe anëtarësimit të Polonisë në Bashkimin Europian, si dhe në ceremoninë e vendosjes së pllakës përkujtimore në nderim të tij në hyrje të ndërtesës së Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ambasadori Bachura ka kaluar të gjitha fazat e karrierës diplomatike në Ministrinë e Punëve të Jashtme, duke hyrë në të me rezultate impresionuese përmes konkursit të brendshëm në vitin 1993. Në zyrën qendrore të MPJ, Ai ka punuar në departamentet e Europës (1993- 1996), Politika e Eksportit dhe Politika e Sigurisë (2001-2007), prej vitit 2013 në Departamentin e Evropës Lindore. Bachura ka përvojë të gjerë në rajonin e Europës Juglindore. Ka shërbyer në misionet diplomatike të akredituara në Slloveni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Hungari dhe Kroaci. Në periudhën 2007-2011 si Ambasador në Maqedoninë e Veriut, në vitet 2011-2013, me gradën Ambasador Titullar, shërbeu si Zëvendëspërfaqësues i Lartë (me mandatin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara) në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe ishte Shefi i Zyrës Rajonale të Përfaqësuesit të Lartë në Banja Luka. Bachura është bashkautor i Konferencës së Shkupit dhe Konferencës së Tbilisit – një platformë për shkëmbimin e përvojës në rrugën polake drejt vendeve të lidhura me BE, bazuar në modelin e Konferencës Polako-Holandeze të Utrechtit në fund të viteve ‘90-të. Ambasadori flet rrjedhshëm anglisht dhe hungarisht, flet gjithashtu frëngjisht, gjermanisht, sllovenisht, kroatisht, maqedonisht, serbisht.
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Bachura pati një qasje të mençur dhe praktike ndaj zhvillimit të turizmit. Në mandatin e tij, numri i turistëve polakë, deri në vitin e pandemisë, u rrit pesë herë, duke mbërritur në 150 mijë. Dhe me një tendencë të pandalshme rritjeje. Shoqëruar me rifutjen pas një periudhe shumë të gjatë të fluturimeve direkte për në Varshavë të kompanisë LOT. Arritje ekskluzive e Bachurës në këtë kontekst është krijimi nga zero i sajtit polak në Shqipëri. Do të thotë që sajteve turistike që ofron Shqipëria u shtoi ato të gjurmëve polake në vendin tonë. Dhe për këtë ka udhëtuar shpesh në Lezhë e Shkodër. Doracaku i tij (në polonisht Spacerownik) përfshin më shumë se 15 pika tejendanë Shqipërisë. Nguliti fort në memorien kolektive figurën e shkencëtarit gjeolog polak, Prof. Stanislaw Zuber. Atij që ndihmoi që nafta shqiptare të prodhohej industrialisht dhe që vdiq nga torturat në burgjet komuniste. Promovoi tek ne figurën e Papa Gjon Pali II, por edhe Parkun Polonia në liqenin e Farkës. I veçantë po ashtu ishte roli i Bachurës edhe në evidentimin e historisë dhe letërsisë polake në Shqipëri. Ai ka dalë në shtypin shqiptar me tekste autoriale për aspektet më të rëndësishme të historisë së vendit të tij. Me dy borde pranë vetes, Bordin Letrar dhe atë të Historisë, Ambasadori Bachura ka arsye të krenohet që në mandatin e tij pati 24 botime të reja, shumë syresh të iniciuara drejtpërdrejt prej tij.
Për Luftën II Botërore, Bachura mundësoi botimin e librit “Polonia, viktimë e Luftës II Botërore”, shkruar nga Spiro Mëhilli, për marrëdhëniet historike Poloni-Shqipëri librin “Nga Adriatiku në Balltik-udhëkryqe shqiptaro-polake”, shkruar nga Dorian Koçi, ndërsa për përshtypje udhëtimi librin e Genci Mllojës “Albania-Polish Bond aView From Tirana, a selection of travel impressions, opinions and interviews”(Lidhja Shqiptaro-Polake, një këndvështrim nga Tirana. Përzgjedhje përshtypjesh udhëtimi, opinionesh dhe intervistash).
Prezenca e letërsisë polake në gjuhën shqipe është e dokumentuar në tre edicione të Almanakut, prej të cilëve dy të finalizuar në mandatin e tij. Ambasadori ngulmoi fort që të vinin në shqip poeti i munguar Tadeusz Ró?eëicz, por edhe drejtpërdrejt nga polonishtja Nobelisti i parë polak Henryk Sienkieëicz. Të veçantë Bachura kishte dhe ka edhe pamjen- flokë të dendur të thinjur e të shpupurishur prej dirigjenti dhe natyrisht…papionin! Ky ambasador aristokrat do të mbetet mik i vyer i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Nga Bujar Leskaj dhe Astrit Beqiraj.