Nga Mina Hysa, date 30.12.2020
Më pak se 4 muaj na ndajnë nga dita kur qytetarët shqiptarë do të shkojnë para kutisë së votimit. Përgjegjësia është si në vitin 1990, për të rrëzuar jo thjesht një qeverisje të dështuar, por një regjim. Për atë çfarë “Rilindja”, sekti në PS ka shfaqur para shqiptarëve si; kanabizimi i vendit, korrupsioni galopant në institucione, dhunimi i çdo ligji në këtë vend, zgjedhjet mono-partiake etj., mund të thuhet pa frikë se jemi nën regjim. Është në detyrën dhe përgjegjësinë e PD që si në vitin 1990, jo vetëm ta rrëzojë këtë regjim, por të sjellë për shqiptarët demokracinë e vërtet, të rizgjojë shpresat dhe besimin se e ardhmja e shqiptarëve, e fëmijëve tanë, e rinisë është në duart tona.
Nga ajo çfarë Lulzim Basha ka dhënë deri më sot në detyrat që ka mbajtur, ligjërimin si lider opozite në takimet publike me shtresa të ndryshme të shoqërisë, e veçanërisht të rinjtë, duket i vendosur që pas 25 prillit ky ndryshim të vijë për çdo qytetar shqiptar. PD ka një program dhe vizion të qartë për zhvillimin e Shqipërisë, por çfarë është më e rëndësishmja dhe një ekip brilant që po nxjerr dita-ditës para shqiptarëve si garanci që ky ndryshim do të jetë i mundshëm dhe i padiskutueshëm.
PD dhe Lulzim Basha kanë nisur të bëjnë publik drejtuesit politikë në qarqe.
I pari që doli, e kuptohet pa asnjë hezitim nga lidershipi, kjo dhe për faktin që jo vetëm strukturat e partisë në qark, por dhe qytetarët e pritën me entuziazëm, ishte emri i Bujar Leskajt. Është një emër i cili përbashkon, mbledh rreth vetes të gjithë për një qëllim të vetëm, emëruesi është i përbashkët; “Shporrja e Ramës dhe Rilindjes nga qeverisja dhe qarku Vlorë”. Padurimi është i madh, kjo sepse qytetarët e këtij qarku e kanë vuajtur arrogancën e qeverisë së Rilindjes më Ramën kryeministër dhe vartësve të tij të verbuar të cilët çfarë nuk kanë bërë këto 8 vjet qeverisje me ta. E për ta përzënë Ramën nga qarku Vlorë nevojitej që PD t’u çonte vlonjatëve veç vizionit të Bashës për një Shqipëri Europiane, garancinë për një qeverisje të mirë, për një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, edhe një emër garant për ta që pas Lulzim Bashës të jetë ai që do të lidhë besën me ta, që do të trokasë në derën e kryeministrit të ardhshëm për ta siç di ta bëjë mjaft mirë veç Bujar Leskaj. Do e analizojmë dhe në detaje më poshtë, por Bujar Leskaj nuk është emër thjesht i njohur dhe i dashur në Vlorë, ai ka përmasën kombëtare për funksionet që ka mbajtur dhe ka ditur më së miri t’i kryejë, me dinjitet, duke qenë sot nga të paktët persona që e ka ballin lart, që i sheh të tjerët në sy.
FAKTET:
Ja pse Bujar Leskaj është drejtuesi më i mirë politik i PD në qarkun Vlorë
Bujar Leskaj një vlonjat 24 karatësh, baba i katër fëmijëve i cili bazat e para të mësimdhënies i mori në qytetin e lindjes në Shkollën e Mesme Industriale “Pavarësia” Vlorë, me tre diploma universitare dhe një eksperiencë të jashtëzakonshme administrative si dhe drejtim të suksesshëm e di shumë mirë që me bashkëqytetarët e tij funksionon ndryshe. Ata nuk janë të lidhur thjesht pas diplomave, por i besojnë shumë dhe besës. Fjala e dhënë tek vlonjatët duhet mbajtur, ajo ka peshë të rëndë, e këtë e di Bujar Leskaj. Në fakt është pikërisht ky çelësi i suksesit të z.Leskaj në sfidën e re, që mori përsipër, futjen në ringun politik, ndeshje që do të luhet me 25 prill, të përballet, ndonëse në kushte jo të barabarta. Bujrëm punës, Bujar Leskaj i ka thënë po në vendlindje që në vitin 1993 duke e nisur si punonjës dhe fal përformancës së shfaqur u emërua dhe kryetar i Degës së Doganës e sërish, sfidat më të mëdha dhe të bukura i ka pasur po me Vlorën ku është i lidhur pazgjidhshmërisht. Në të parën përballje politike të fortë madje në vitin 2005, Bujar Leskaj do të fitonte në përballje me kundërshtarin votën e vlonjatëve për t’i përfaqësuar në Parlament. E në fakt përfaqësimi ishte dinjitoz. Bujar Leskaj ishte zëri i duhur i vlonjatëve, i pa kompromis kur bëhej fjalë për interesat e tyre. Si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit deri në vitin 2007, Bujar Leskaj do të spikaste dukshëm me aftësitë e tij si një drejtues i duhur e në fakt çfarë u bë mirë në atë institucion ishte ajo periudhë. Kontributi i Leskajt si shtetar nuk do të ndalej dhe pas largimit si ministër, pasi në vitet 2007-2009 ai do të jepte nga vetja më të mirën në funksionet e mbajtura si anëtar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave në Kuvendin e Shqipërisë dhe anëtar i Delegacionit të përhershëm të Parlamentit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Prej vitit 2009-2011 do të ishte drejtues i Institutit të Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora” e kuptohet edhe këtu ka dhënë kontributin e tij profesional dhe jo vetëm. Gjatë këtyre 2 viteve zoti Leskaj do të angazhohej dhe si pedagog pranë Fakultetit Ekonomik sikurse dhe më parë, e kur dukej se ai ndoshta po i përkushtohej mësimdhënies, në sfond do t’i dilte një sfidë, një drejtim jo i lehtë. Do të propozohej për në institucionin më të lartë kushtetues antikorrupsion në Shqipëri, KLSH. E pavarësisht momentit disi jo të mirë politik të z.Leskaj, emri i tij sërish do të gjente konsensusin e gjerë të deputetëve të Parlamentit Shqiptar dhe do të zgjidhej Kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ishte ky momenti që Bujar Leskaj të jepte më të mirën, që institucioni që do të drejtonte të merrte fytyrën e tij. Që ditën e parë të marrjes së detyrës, mbaj mend një takim prezantimi të z.Leskaj me audituesit në KLSH ku e pranishme ishte dhe media, porosia e tij ishte e prerë: Luftë pa kompromis ndaj korrupsionit. Të verifikohet dhe kallëzohet penalisht çdo zyrtar që abuzon me paranë publike, që i fut në xhep taksat e qytetarëve shqiptarë. Më parë as dëgjohej për këtë institucion sepse ishte inekzistent, e për kontributin direkt që ka dhënë në krye të institucionit më të lartë kushtetues antikorrupsion, Dr.Bujar Leskaj mund të konsiderohet pa frikë Kryetari Historik dhe Themeluesi i KLSH-së moderne. Zoti Leskaj është bashkautor i draft-ligjit organik të KLSH Nr. 154/2014 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 26 nëntor 2014. Sot, KLSH-ja është i vetmi institucion shqiptar që ka një ligj identik me simotrat europiane. Miratimi i këtij ligji është një nga ato pak arritje që regjistrohen në progres-raportet e Bashkimit Europian, pra angazhimi i tij është përkthyer në një përfitim për të gjithë shqiptarët në kuadër të përafrimit me BE-në. Zoti Leskaj nuk do të shkundte thjesht pluhurin e godinës, por do të ngrinte në këmbë audituesit e KLSH dhe gjatë mandatit të tij në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit janë evidentuar gati 7 miliardë euro dëm ekonomik të zbuluar në 8 vite apo një kallëzim penal në javë. Ky është kontributi i tij direkt në ndihmë të qytetarëve shqiptarë që e ka ndjerë si detyrim moral dhe profesional për të qenë garant i mbrojtjes së përdorimit të taksave të tyre. Bujar Leskaj në krye të KLSH-së, ka vepruar dhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë duke qenë përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Ai ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme duke nisur nga ajo me Zyrën Kombëtare të Kosovës, dhe kjo përzgjedhje nuk është rastësore. Vizitat e tij jashtë vendit kanë pasur në qendër lobimin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të auditimit. Në raport me Bashkimin Europian, KLSH-ja ka spikatur si aleati më i besueshëm për kontrollin dhe monitorimin e financave publike duke u shndërruar në një partner i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe të Komisionit Europian. Edhe me vendet e zhvilluara të Europës Lindore, aktiviteti i KLSH ka rezonuar. Marrëdhënia me SHBA ishte në nivelin më të lartë, përmes një bashkëpunimi origjinal dhe unikal me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, ku Dr. Bujar Leskaj është i vetmi kryetar në vend dhe në rajon që ka realizuar një homologim të plotë dhe konkret me një institucion amerikan.
Sfida e 25 prillit dhe pse profesori do të rrëzojë Ramën në Vlorë
Sikurse e thamë më lart, fakti që doli i pari rezulton se Lulzim Basha nuk ka pasur as më të voglin dyshim për emrin e drejtues politik në Vlorë që do t’i garantonte rezultatin më spektakolar të mundshëm më 25 prill. Ai është Bujar Leskaj, një aset i çmuar i Partisë Demokratike si politike dhe administrative. Asete ka shumë kjo forcë politike, por janë të paktë ata që i shohin demokratët dhe qytetarët shqiptarë në sy. Njëri prej tyre që nuk tutet, nuk ka frikë ti shoh në sy, të trokasë në çdo derë shqiptari, e veçanërisht vlonjati, sarandjoti, delvinjoti, himarjoti etj., është Bujar Leskaj. Dalja e tij si drejtues politik i Partisë Demokratike në qarkun Vlorë është pritur me entuziazëm nga strukturat e degëve të PD e konfirmuar kjo dhe nga anëtarësia, krerët e këtyre degëve të PD, por dhe nga qytetarët. E kanë mirëpritur të gjithë sepse ka qenë gjithnjë një derë e hapur për të gjithë. Kushdo që ka trokitur ka gjetur ndihmën e Bujar Leskajt, sepse ai nuk i ka parë qytetarët me syrin politik.
Sfida e Bujar Leskaj nuk është e lehtë. Ai do të jetë përfaqësuesi më i lartë politikë i PD në Vlorë, sfiduesi direkt i Ramës duke qenë se është deputet i zonës. Është kjo një malore e vështirë, por që profesori dhe intelektuali vlonjat ia di rezultatin. Duke parë në sytë e bashkëqytetarët të tij entuziazmin me të cilin u prit, dëshirën për rrëzimin e Rilindjes nga pushteti, Bujar Leskaj iu kërkoi të gjithëve lidhje bese për shporrjen e Ramës nga Vlora dhe qeverisja duke qenë vet në ballë të kësaj beteje politike. E në fakt si drejtues politik, ai e ka nisur punën në terren pa humbur kohë për të punuar për fitoren e partisë të cilës i ka dhënë në mënyrë sistematike nga vetja këto 30 vite. Edhe kësaj here energjia e Bujar Leskajt duket e njëjta si më parë dhe vendosmëria e tij për ti dhënë sërish PS dhe Ramën humbjen e dytë në Vlorë. Duke parë dhe vullnetin e tyre për rrëzimin e kësaj qeverie, zoti Leskaj në dhjetëra takimet e këtyre ditëve në shkallë qarku ka shprehur vendosmërinë e tij dhe kërkuar bashkimin, që qytetarëve të qarkut dhe PD t’i jepet rezultati më spektakolar i këtyre 30 viteve duke i dhëne PS dhe Ramës humbjen e dytë në Vlorë. E kur vlonjatët lidhin besën, prit rezultatin.
Njeriu i letrave dhe patriot
Pavarësisht shkollimit të tij për inxhinieri, ekonomik dhe drejtësi, Bujar Leskaj bën pjesë natyrshëm në “racën e njeriut të letrave”. Është autor dhe bashkëautor i dhjetëra librave si dhe spikat në publicistikën e tij duke qenë aktiv dhe i pranishëm në media me analizat kryesisht në fushën ekonomike. Është ideator dhe drejtues i përgatitjes dhe botimit të librave të kolanës “Botime KLSH”, e cila përmbledh 86 tituj për periudhën 2012-2020, si dhe autor dhe bashkautor i shumë botimeve KLSH. Publikimet e Bujar Leskajt kanë në thelb mbrojtjen e interesit publik. Kujtojmë që regjistrimi në UNESCO i isopolifonisë si pasuri e njerëzimit, një nga sukseset e pakta të shtetit shqiptar në këtë fushë, u arrit kur z.Leskaj drejtonte Ministrinë e Kulturës. Bujar Leskaj ka pasur një vëmendje dhe ndjeshmëri të veçantë për figurën e Ismail Qemalit ndaj nga pozita e shtetarit, por dhe e qytetarit, ka bërë të pamundurën në mënyrë të organizuar, të plotësojë çdo boshllëk të mundshëm kur e ka ndeshur. Me cilësinë e ministrit të Kulturës, në vitin 2008, Bujar Leskaj i akordoi Muzeut Pavarësia në Vlorë, statusin “Muze Kombëtar”, shoqëruar me vendosjen e busteve të anëtarëve të Qeverisë së Ismail Qemalit, në ambientet e Muzeut. Në jubileun e 100 vjetorit të Pavarësisë, në Prishtinë, u vendos shtatorja e Ismail Qemalit. Veprimtaria e Ismail Qemalit, mendësia e tij europianiste dhe zbatimi i ideve të tij në aktualitetin shqiptar, ishin motiv i formimit të “Institutit të Studimeve Politike Ismail Qemal Vlora” nga një grup studiuesish, drejtuar nga z. Leskaj. Nga Vlora e flamurit, në ditën e 28 Nëntorit të këtij viti, ish-deputeti i Vlorës, studiuesi Bujar Leskaj, dha lajmin e mirë për të gjithë bashkëqytetarët vlonjatë dhe më gjerë. Në vitin 2021, në Bashkinë e Shkupit, Komuna Çairi Vjetër, që banohet tërësisht nga shqiptarë, do të vendoset përmendorja e Ismail Qemalit. Puna e z. Leskaj ka spikatur si veprimtar i shquar atdhetar, studiues dhe krijues cilësor.
Vlerësimet për Bujar Leskajn
Kontributi i Bujar Leskaj i dhënë ndër vite si shtetar dhe qytetar është i madh. Dhënien e tij ai nuk e ka parë kurrë lidhur me karrigen e pushtetit, por është munduar tu qëndrojë sa më pranë cdokujt që ia ka kërkuar ndihmën. Qytetarët nga shtresat e ndryshme të shoqërisë e kanë gjetur gjithmonë derën e hapur tek Bujar Leskaj nga intelektualët që kanë pasur nevojë për mbështetje të aktiviteteve, botimeve shkencore dhe akademike, tek të persekutuarit që kanë pasur mbështetje absolute prej tij apo deri tek qyetari i thjeshtë. Bujar Leskaj ka marrë vlerësime brenda dhe jashtë vendit. Më datën 17 prill 2017, Presidenti i Republikës së Polonisë, Shkëlqesia i Tij Andrzej Duda e dekoroi me Urdhërin “Kryqi Kalorsiak i Urdhërit për Merita në dobi të Republikës së Polonisë”. Presidenti i Republikës Bujar Nishani i akordoi Dr. Bujar Leskajt, urdhërin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” ku më parë kishte marrë dhe medaljen “Për Merita të Veçanta Civile”, akorduar në maj të vitit 2015. Edhe Presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi i ka akorduar z. Bujar Leskaj “Medaljen Presidenciale”që përbën vlerësimin më të lartë të dhënë deri tani nga Zyra e Presidencës së Kosovës, me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.