Marrë nga libri Muzat e Qëndresës.
Historinë e shkodranit të urtë e të mençur Pjetër Arbnori, si pishtar i demokracisë, e dinë të gjithë, por historinë e një vepre si kjo, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, me një nivel të jashtëzakonshëm estetik e letrar, për fat të keq e dinë vetëm pak lexues. Është një persekutim tjetër që i bëhet veprës, të cilën me shumë guxim unë do ta rendisja si një nga kryeveprat e letërsisë shqipe; një kryevepër që nëpërmjet fantazisë së një fëmije jep mesazhe urtësie e lirie. Romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë” i përket një letërsie të mirëfilltë burgu, pasi gjenden shumë arsye për ta renditur atë në antologjinë e plagëve: arsyeja e parë se është shkruar në burg; arsyeja e dytë se kuptohet qartë që nuk është e rastësishme ideja e të shkruarit të kësaj vepre, por me një synim të caktuar dhe mjaft shpërthyese me kontekstin e saj; arsyeja e tretë e meriton këtë vend, sepse e parandien me mençuri fatin e mbrapshtë që sjell komunizmi, me burgje, kampe të persekutuarish; arsyeja e katërt se për këtë vepër autori Pjetër Arbnori, u ridënua në burg, etj. Pra, kjo vepër e meriton me plot të drejta vendin në panteonin e “Antologjisë së plagëve”, në atë që ne tashmë e emërtojmë LETËRSI E BURGUT. Poeti dhe kritiku Bardhyl Londo për veprën letrare të Arbnorit pohon: “I futur në letërsinë shqipe me vonesë për shkak të 28 vjetëve burgim që kaloi në qelitë e diktaturës komuniste për të vetmin faj se donte demokracinë, lirinë e shprehjes dhe të mendimit, Arbnori ka filluar të botojë dhe të ketë kontaktet e tij me lexuesit vetëm pas viteve ’90, rrjedhimisht në një moshë të pjekur dhe në kushte tepër të vështira për të vendosur marrëdhënie të ngushta me lexuesit.” (B.Londo, “Tempull”, f.130).Pjetër Arbnori ka treguar historinë e qytetit të Shkodrës parë nga syri i një fëmije gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në vendosjen arbitrare të komunizmit, që siç do ta dëshmojë ai, parë me sy e dëgjuar me veshët e tij, çdo gjë ishte një farsë e organizuar nga një regjisor anonim. Romani çelet me vdekjen e kryetarit të familjes, roja i pazarit të Bezistanit, gjysh i tre vogëlushëve jetimë dhe përfundon me tellallin që shpall Kryeplaku Guro me dy partizanë, duke trokitur derë më derë për të lajmëruar se më 28 nëntor u çlirua Shkodra, nga e cila duhet të iknin pushtuesit e fundit. Pra, nëse kemi parasysh debatet e jashtëzakonshme në kuvend mes të djathtës dhe të majtës për datën e çlirimit të Shqipërisë, Arbnori fëmijë dhe njëkohësisht personazh, pa mundur të ketë qenë në dijeni të këtyre debateve dëshmon -ashtu siç ka qenë -se Shkodra u çlirua më 28 Nëntor dhe këtë e dëshmon qysh më 1969-n, nga Burgu i Burrelit Romani i Pjetër Arbnorit, i cili me dinjitet mund të trokas në kujtesën e historisë së letërsisë shqipe, siç kanë trokitur veprat e A. Delvinës, Camajt, Blloshmit, Zhitit etj, është një libër i shkëlqyer, të cilën me plot gojën do ta cilësoja një roman klasik dhe universal, që të shtyn pa droje ta zbërthesh në të gjitha elementet si në ata stilistikë, simbolikë, ideorë, kompozicionalë, ashtu dhe ta zbërthesh në përmbajtjen kohore e historike, etj. Befasia që më ka dhënë kjo vepër me stilin e saj, me zbërthimet karakteriale dhe psikologjike, me tablonë e plotë të jetës së një familjeje me tre fëmijë Zinën, Tolin (ky personazh në shumë aspekte të kujton vet Pjetër Arbnorin fëmijë) dhe Marijen çapkëne dhe të mençur, si dhe një nënë e vejushë heroinë që lufton dita-ditës me skamjen, më shtyn ta krahasojë shkrimtarin Pjetër Arbnori me një nga klasikët e mëdhenj Çarls Dikensin, si autorin e Oliver Tuistit.Pikat e përbashkëta të këtyre veprave nuk janë në subjektin që ato trajtojnë, as në marrëdhënie me kohën, por në seriozitetin e madh të përfshirjes në një letërsi të madhe të personazheve fëmijë, për mençurinë dhe stilin e gjallë të rrëfimit. Me këtë vepër Pjetër Arbnori shfaqet si shkrimtari më interesant, jo vetëm për stilin, por edhe në lëvrimin e groteskut. Ai nuk i bën truke veprës. Nuk i druhet thjeshtësisë së rrëfimit, sepse di të krijojë në mënyrë elegante, të paraqesë me mjeshtëri imazhe që rrjedhin logjikisht njëra pas tjetrës. Ndërsa përshkruan varfërinë akoma më të madhe që nis pas traumës familjare, vdekjes së gjyshit, të vetmit burrë që mbante shtëpinë shkruan: “ndër vizita ndodh shumë rrallë që të nxjerrin qumësht. Thonë se paska vende ku fëmijët gjoja pimë qumësht çdo ditë, le më, por thonë dhe se i hidhkan sheqer sa të duan. Unë për vete nuk e besoj, derisa nëna nuk thotë asgjë për këtë pikë dhe besoj se këtë marrëzi s’keni pse ta besoni as ju…”.Krisja e realitetit në perceptimin e arsyes fëminore, e pasuron romanin me gjuhën e ëndrrës, ku edhe mjerimit më të madh i jep një lumturi të pafajshme. Autori na kthen tek të menduarit e vërtetë e të sinqertë të fëmijës, kupto këtu njeriut të patjetërsuar ende nga dogmat dhe ideologjitë në përgjithësi. Thelbi i të menduarit të njeriut të patjetërsuar është emocional. Njeriu përpiqet ta njoh botën përmes ndjesive, emocioneve. Dhe prandaj shkrimtari na e bënë më bindës realitetin. Edhe shpikësi dhe shkencëtari i madh Albert Ajshtajn pohon vlerën dhe rëndësinë e emocionalitetit te njeriu: “Fjalët apo gjuha, e shkruar apo e folur, duket se nuk kanë ndonjë rol në mekanizmin tim të të menduarit. Njësitë psikike që më shërbejnë si elementë të menduari janë disa shenja dhe imazhe pak a shumë të qarta që mund të riprodhohen dhe kombinohen sipas dëshirës”. Dhe kjo mënyrë rrëfimi sipas dëshirës, duke braktisur çdo lloj klisheje e bëjnë narracionin e Pjetër Arbnorit të aftë për interpretime të lira, që në faqet e para të romanit, ku varfëria ende nuk njihet e njësuar me konceptin negativ në mendjen e një fëmije, deri në faqet e fundit ku ngjarjet historike përshkruhen me të njëjtën ironi paradoksale të transfiguruar në fantazi fëminore, sa na duhet të zhvillojmë një analizë të thellë mbitekstore për të hedhur dritë mbi një realitet të ri. Ky realitet i ri përgënjeshtron atë që na e kanë paraqitur historianët e kuq të diktaturës si histori të Shqipërisë * * *Në roman historia jepet thjesht me sjelljet dhe reagimet e njerëzve që janë naive dhe spontane. Flitet në roman për ngjarjet e viteve ‘40-‘44 dhe nuk vihet re ndonjë gjurmë e komunizmit në Shkodër, ndonjë model organizimi. P.sh. autori me ngjarjet lidhet në rrethana rastësore: “Zotni Toma na flet për mësuesin dëshmor, por del nga tema dhe thumbon Italinë.” (fq. 47). Pastaj më poshtë vijojnë ngjarjet të tilla si “Drejtorin e internojnë në Itali, mësuesin në fshat. Djemtë e rritur thoshin se ai merrej me politikë, domethënë tregonin sesi shkonte lufta botërore dhe ziheshin se cili do fitonte.” (P. Arbnori, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, fq. 74). Pastaj shfaqet shoqata kulturore sportive që ka drejtor një gjerman që u jep fëmijëve role për teatër. Jeta kulturore e fëmijëve në Shkodër ishte diçka shumë më kardinale se lufta, madje edhe se vetë komunizmi, por ndoshta edhe Historia zhvillohet si në film pa zë, ku në faqet 100 flitet për demonstratën e 26 korrikut 1943, ku intuita e fëmijës e ndjenë se ajo turmë është e instrumentalizuar në mënyrë të çuditshme dhe pastaj jo shumë larg afër një vit më vonë, fëmija sheh se mbijnë si fantazma partizanët, shfaqet në një pankartë emri i e Enver Hoxhës bashkë me Titon dhe Stalinin…. kështu lind një qeveri e re… “Tribuna e ndërtuar me dërrasa të mbërthyera mbi disa fuçi benzine boshe ishte rrethuar me beze të kuqe ku spikaste një drapër e çekan i madh. Poshtë një parullë: “Rroftë koalicioni anglo-sovjeto-amerikan”, sipër: “ENVER-TITO-STALIN”. Tribuna ishte shumë më e vogël se njerëzit që kërkonin të hipnin mbi të… Kur dolën komandantët me bluza engleze kaki, me automatikë englezë, me këpucë engleze, por me yll të kuq, u dëgjuan duartrokitje të gjata në turmë. Banda i ra himnit të flamurit dhe një melodie që këndohej kudo me fjalët:
Bijtë e Stalinit jemi ne
Që derdhin gjakun si rrëke….
Sa të valojë përmbi dhe
Flamuri drapër e çekan”. (fq. 228).
Paralajmërimi i gjakderdhjes është dhënë pa u kuptuar ditën me diell kur festohej çlirimi i Shqipërisë, gjakderdhje në të dy krahët, si ndaj atyre nacionalistëve që ishin kundër këtij regjimi, ashtu dhe vetë brenda kupolës së regjimit të ri që po vendosej (vini re: Tribuna ishte shumë më e vogël se njerëzit që kërkonin të hipnin mbi të). Kjo duhet të jetë pjesa e dytë jo e një romani, por e një historie që e vuajti edhe vetë i madhi Pjetër Arbnori. Edhe pse Arbnori rrëfen atë që ka parë si fëmijë me sytë e tij, ne ndjejmë se historia jonë e pas Luftës së Dytë Botërore dirigjohej nga forca misterioze, ndërsa populli u përfshi spontanisht, aq spontanisht sa ndërsa shpallej qeveria e re, njerëzit dolën në turma të paraqiteshin ose sikur kishin luftuar malit, ose sikur ishin me bindje bolshevike, bindje për të cilat njohuri kishte ndoshta vetëm një grup i vogël dhe i instrumentalizuar, ndërsa elita e shihte si një rrezik të madh ardhjen e komunizmit, shumë më të madh edhe se vetë pushtimi nga Italia fashiste. E gjithë kjo lëndë rrëfen shkaqet dhe pasojat historike që ranë mbi vendin tonë në mënyrën më të sinqertë e të pafajshme. “Mbasandaj shkuam tek Koliqtë. Aty gjetëm edhe ministrin (bëhet fjalë për E. Koliqin – shënimi im B. L) Bisedat ishim shumë serioze, nganjëherë zërat ngriheshin lart. /Unë jam zhytur deri në gju në baltë,–tha ministri, -por ju do ta shikoni se në çfarë llumi do t’ju fusin deri në fyt, duke u joshur me fjalë të bukura”.( fq. 124). Pra, aluzioni i Koliqit për pasojat e komunizmit ishte më se i qartë. Dhe vërtetë Shkodra dhe gjithë Shqipëria u zhyt për më shumë se 50 vjet në këtë llum.Shkrimtari Arbnori vërtet rrëfen ngjarje nga fëmijëria e tij, por nuk e ka këtë si qëllim në vetvete. Nëse do të ishte kështu, romani do të ishte voluminoz, por ai krijon disa mikro-tema apo temëza që shkrimtari i vë shkurt në krye të çdo kapitulli të ri, duke bërë një mozaik të atillë që me ato pllakëzat e vogla të mbush boshllëqet e padijes në historinë e vendit tonë, e veçanërisht qytetit të tij Shkodrës, që një histori më vete dhe mënyra e jetesës, kultura, organizmi shoqëror e tradita zënë një vend të rëndësishëm në këtë vepër. “si qeshë duke thënë, qyteti ynë ka tradita të lashta. ..kështjella e Rozafatit, kështjella ilire e Teutës mbi të cilën janë ngritur ledhet venedikase e turke. Aty ka pasur deri në katër mijë dyqane, se Shkodra bënte tregti me Venedikun, Raguzën, Triestën, Durrësin, Vlorën, Korfuzin, Voskopojën, Selanikun. Aty gjendet Bezistani, Gjymryku ose Dogana, banjat e shekullit XV, Çelja, të gjitha ndërtime me vlera historike.” (fq. 49).Çdo vendosje kujtimesh në vepër shërben për një zbërthim të dyfishtë nëntekstual, që udhëhiqet nga mekanizmi i të menduarit të një fëmije me fantazi të bollshme dhe forcë arsyetimi. Romani i Arbnorit i sjell letërsisë shqipe një personazh të ri, të panjohur deri më sot, që edhe pse shkruan për jetën e tij, personazhin e stilizon me një distancë të dukshme nga ngjarjet e rëndomta.
* *
Pjetër Arbnori është një nga stilistët më të mirë të rrëfimit në letërsinë shqipe. Si ende kritika nuk e ka vënë re këtë? Pse vallë nuk ka ribotime, prezantime, rivlerësime?! A nuk po e përsërisim në njërën mënyrë ose tjetrën ridënimin e letërsisë shqipe? Unë po bëj punën më modeste që mundem, po ngacmoj kujtesën, rrëfej brendinë e librit. Dhe jam i sigurt se nuk do ta zhgënjejë lexuesin, ashtu siç nuk i kam zhgënjyer miqtë të cilët më kanë falënderuar kur ua kam këshilluar dhe e kanë lexuar këtë roman. Sigurisht për kohën kur ndodhin ngjarjet, për vetë këtë familje që shtëpia e fati i mbeti përgjysmë gjithë jetën, romani mund të jepte trishtim. Por autori ka parasysh një lexues që bisedon me dashuri, dhe gjithçka qoftë edhe mjerimin më të madh e jep me një humor të këndshëm, e gjithë veprës i jep një tis aventuresk e gazmor. P.sh. “Do të ndërtojmë një shtëpi të re. Do të shesim të gjitha plaçkat që s’na hyjnë në punë e do ta ngremë…..Më vonë u provua se s’na hynin në punë ora e murit, naganti i gjyshit, palltoja e nënës (tha se nuk do të bënte dimër atë vit), palltoja e motrës së madhe, çarçafët e pajës, jorgani prej kumashi, kusitë e bakrit, çizmet me lustër të Marijes (dukej se s’do të binte as shi)…..që të mos mbetem i pacenuar edhe unë thashë se nuk më duhen këpucët e mira me qafa, por nëna nguli këmbë se do të më duheshin për dimër (veç për mua bëka dimër)” (fq. 57).Dëshmitë e shkruara dhe analizat ndërtekstuale që mund t’i bëjmë njërës apo tjetrës vepër letrare që konsiderohet si letërsi e burgut, mund të jenë dhjetëfish më të vlefshme se arkivat e zyrtarizuara. Dhe vetë Arbnori është një nga dëshmitë më prekëse të historisë sonë, sepse fati i tij ka qenë i destinuar nga fëmijëria deri në fund të jetës që të jetë dëshmitar i proceseve historike, i ndryshimeve të regjimeve me pasoja në shpinën e tij dhe barrë e madhe për nënën e ve dhe dy motrat, Zinën dhe Marijen.Romani u është përkushtuar ngjarjeve të vërteta dhe nuk ka një subjekt të trilluar, por një fabul të vërtetë dhe trilli artistik ngaqë është i domosdoshëm që një vepër të quhet roman kurorëzohet me fantazinë në stilin e rrëfimit, me humorin, nëntekstin e fuqishëm dhe groteskun brilant. Në afër 230 faqe të këtij romani përfshihet një vorbull marramendëse ngjarjesh, së cilës, si mjeshtër i madh i fjalës, Arbnori di t’ia ndalojë e t’ia disiplinojë rrjedhën e rrëfimit.Që në hyrje të romanit, Arbnori të mahnit me stilin tërheqës të rrëfimit (narracionit). Gjithë skena na prezantohet njëherësh, fuqishëm, në mënyrë dramatike: nis në pikën kulmore, me dhimbjen për vrasjen tragjike të gjyshit në detyrën e rojës së Pazarit të famshëm të Bezistanit nga hajdutët, dhe që nga ky çast kësaj familjeje të brishtë dhe të ndershme i duhet të nis rrugën e sfidave. Ja skena në hyrjen e rrëfimit: “Nëna ngriti vetullat me çudi nga ajo trokëllimë e pakohë, sepse aq herët s’kishte kush të na vinte dhe gjyshi s’kishte pse të trokiste në portën e vet që ishte e hapur. Të gjithë zgjatëm kokat, atë çast disa burra me borsalina hynë fytyrë-ngrysur njëri pas tjetrit në oborrin tonë dhe filluan t’u ngjiten me durim shkallëve të çardakut.” (fq. 4). Me një fantazi pjellore, me humor mahnitës e të vërteta rrëqethëse, me stil dramatik e komik njëherësh, gjithçka ka ngjizur Pjetër Arbnori në veprën e tij është e përcaktuar prej një stili brilant, të jashtëzakonshëm, përthithës. Ky roman i plotëson të gjitha tagrat e një romani të madh me vlera universale, që përfshin jo vetëm stilin unik, por edhe vlerat didaktike, psikologjike e letrare. * Duke lexuar “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, Pjetër Arbnori shfaqet si një shkrimtar i jashtëzakonshëm që na dhuron edhe një imazh të vërtetë të historisë kombëtare. Askush si ai nuk ka mundur të ma japë më të plotë Shkodrën dhe historinë e saj pas 1940-s, në kohën e Luftës së dytë Botërore deri në marrjen e pushtetit arbitrarisht nga komunistë, ku shkrimtari premton se fundi i romanit, epilogu është: “ose fillimi i kapitullit të dytë”. Askush si ai nuk ka dhënë më saktë përfytyrimin se pse ndodhën aq shumë ngjarje tragjike në vendin tonë, aq sa edhe vetë atë e futën në gulagun e të burgosurve politik. Në këtë roman, që ai me të drejtë e quan pjesën e parë, sikurse është edhe pjesa e parë e jetës së tij ekspertizë-bërësit kanë gjetur “nënkuptime kundër nesh” siç i thotë Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme, në rrëfimin hyrës. Dhe ato që shkruante ia grisnin. “Unë shkruaj çdo ditë, ata kontrollo, lexo, shëno me të kuqe, censuro, gris, ndëshko me birucë… …Pas gjashtë muaj, ndër të tjera, më dënuan edhe për romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, duke më shtuar dhjetë vjet të tjera, mbi dënimin 25 vjet që kisha në kurriz”, shkruan Pjetër Arbnori.Askush si Pjetër Arbnori nuk më ka krijuar habi më të madhe, sesi ka mundur në atë kohë, kur nuk të hapej asnjë dritare për të njohur stilet dhe metodat letrare, për letërsinë moderne botërore dhe kritikën, atje brenda mureve të burgut të krijohej një roman simbol i lirisë së shpirtit dhe i mendimit. Arbnori me këtë vepër duket sikur u jep një vazhdimësi në konceptim tematik dhe estetik “Novelave të qytetit të veriut” të Migjenit. Personazhe si Teze Bela dhe prostituta Mimi janë rrëfyer me një finesë ta jashtëzakonshme artistike. Edhe pse ato zënë shumë pak vend në vepër, një ditë mund të ishin tema me vete të krijimtarisë së Arbnorit, nëse ai do të jetonte. Me titujt komikë të kapitujve si “Mimi shpëton për qime nga vdekja e sigurt” dhe “Teze Bela, të vetëm se të vetën”, ai sheh përtej botës së gruas dhe problematikave sociale të saj. Ajo që do të thotë pak e saktë, është art më vete. Lexuesi merr mesazhin e kohës, por edhe një mesazh universal.Me këtë vepër Pjetër Arbnori shënon një yllësi të ndritshme në krijimtarinë e tij. “Shtëpia e mbetur përgjysmë” është një roman për fëmijë dhe të rritur. Pasi e kam rilexuar me idenë për t’i propozuar që të ketë një vëmendje dhe kujdes të veçantë për këtë vepër nga kritika letrare, i kam bërë pyetjen disa herë vetes, si ka mundësi që ky libër nuk është një vepër e programuar për analizë letrare, një vepër që të përfaqësojë letërsinë më të mirë tonën, në programet tona arsimore. Ne kemi një pesëdhjetëvjeçar që ka krijuar një humnerë dhe ka humbur mjaft vlera identifikuese për letërsinë shqipe, dhe Pjetër Arbnori pa diskutim është një vlerë përmbushëse. Edhe pse romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë” është një vepër me vlera antologjike në letërsinë shqipe, nuk e kam parë të jetë përfshirë në programet e letërsisë së arsimit 9-vjeçar dhe atij të mesëm si një vepër e veçantë. Cili ligj i estetikës krijuese e ka bërë këtë vepër që të mbetet në hije, kur e dimë që me modestinë, fisnikërinë dhe jetën e tij të shkurtër në liri, Pjetër Arbnori nuk do të na e impononte dot. Megjithatë, historia ka treguar se fama e shkrimtarëve të mëdhenj, sado të përpiqesh t’i mohosh në mos sot, nesër vjen. Madje, fama e letërsisë që shkroi Arbnori ka shkuar tepër larg. Poeti dhe studiuesi Bardhyl Londo, në vëllimin e tij me shkrime kritike, na prezanton me një një shkrim të veçantë për Pjetër Arbnorin, i nisur nga fakti që Prof. Giussepe Gradilione ka botuar një libër të posaçëm për të: “Pjetër Arbnori-shkrimtar”. Gradilione, jep “një shembull të qartë se letërsia gjykohet vetëm si letërsi, por, me paanësinë e të huajit dhe me kompetencat që i jep autoriteti i tij letrar dhe Universiteti ku punon, i zbulon letërsisë shqipe një emër prestigjioz të saj: Pjetër Arbnorin. Nisur nga veprat që shkrimtari ka botuar deri tani, “Mugujt e mesjetës”, “E bardha dhe e zeza”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, “Kur dynden vikingët”, “Bukuroshja me hijen”, “E panjohura”, dhe “Vdekja e Gebelsit”, studiuesi nëpërmjet analizave profesionale e bindëse, e bën lexuesin të arrijë në përfundimin për praninë e vlerave të padiskutueshme të shkrimtarit Arbnori.” (B.Londo “Tempull” fq. 133).Ky vlerësim i një akademiku të huaj për Pjetër Arbnorin duhet të na bëjë krenar, por edhe të na vijë keq për kritikët tanë, që ende priren të shkruajnë rreth veprave sipas bindjeve e orientimeve ideologjike, që është pikësëpari joprofesionale. Shkrimtari vetë e ka detyrë të shkruajë dhe jo t’u bëj reklamë të veprave të tij, ndaj na takon neve ta trajtojmë me respekt krijimtarinë e shkrimtarit Pjetër Arbnori, duke i dhënë vendin që meriton në panteonin e letërsisë shqipe, sepse fatkeqësisht sot reklamën më lehtë e bëjnë ata që nuk dinë të shkruajnë, duke i përcjellë edhe lexuesit shije mediokre, siç ka ndodhur e po ndodh me disa shkrimtarë që përfaqësojnë vektorë nga klanet e vjetra dhe të reja e bëjnë bujë mediatike për librat e tyre. Edhe pse ishte Kryetar i Kuvendit dhe deputet i Partisë Demokratike që nga themelimi pas rënies së komunizmit, Pjetër Arbnori u mjaftua duke gëzuar faktin që i botoi dhe u dha liri e jetë veprave të tij, që nuk do të burgosej më pse shkruante, megjithëse për fat të keq koha që i mbeti për të shkruar në liri ishte e shkurtër. Fati i tij i keq, ishte shkruar që pjesën më të madhe të jetës së tij ta jetonte në shtypjen dhe terrorin e drejtpërdrejtë të diktaturës. * *Për romanin “Shtëpia e mbetur përgjysmë” që e shkroi në burg, siç ka thënë më sipër, ai u ridënua dhe humbi edhe dhjetë vjet nga liria e tij. Dhjetë vjet nuk janë pak. Për syrin e sigurimit dhe ekspertit S. Afezolli, me sa duket ky roman paskej pasur një disidencë nëntekstuale. Çfarë i ka djegur diktaturës?! Mos vallë rrëfimi i shprehur me sinqeritetin e një fëmije? Si nuk i ka prekur rrëfenja e vuajtjeve dhe dhimbjeve që ka mbartur familja e tij këtë hetues…?! Mos vallë rrëfimet e tij me nota humori dhe grotesku për demonstratat e komunistëve që tregojnë karakterin e tyre sporadik dhe të dirigjuar të pushtetit që vendosën dhe jo me burim nga populli? Apo kjo ka qenë një dëshmi frikësuese? Mos vallë nuk duhej të merrej vesh vendosja arbitrare e shtetit duke shpallur si heroike fitoren mbi fashizmin, ndërkohë që faktorë të tjerë ndikuan tërheqjen e italianëve dhe më pas të gjermanëve nga Shqipëria? Mos vallë ato që ngjanë në Shkodër me fillimin e persekutimeve, vrasjeve, dënimeve sa pa u vendosur ende mirë regjimi komunist? Romani i shkruar në burg i Pjetër Arbnorit nuk ka qëllim të bëjë një kundërvënie të hapur, përkundrazi ai është vendosur të rrëfehet nga goja e një fëmije. Prandaj romani “Shtëpia e mbetur përgjysmë” fiton falë edhe stilit të përkryer letrar një liri të shprehuri. Kjo i ka djegur kritikët e kuq të letërsisë. Ky është romani i jetës së tij, i shtëpisë së mbetur përgjysmë, dëshmia e tij më e gjallë, e cila që nga fëmijëria e derisa jetoi, realisht dhe figurativisht qe e parathënë të mbetej përgjysmë, jo vetëm kur nëna e tij fisnike me tre jetim rropatej të ngrinte strehën e tyre, por edhe kur krijoi familjen e tij, pak vonë, pas daljes nga burgu, dhe e la atë në gjysmë të rrugës. Iku shkoi, i lodhur dhe i munduar prej vuajtjeve të burgut komunist, të diktaturës që 50 vjet shkatërroi, jo vetëm njerëzit, por dëmtoi edhe kulturën, trashëgiminë, por nuk arriti të nënshtronte atë, fisnikun e letrave shqipe, antikomunistin Pjetër Arbnorin.